Një libër që shpjegon se nga çfarë vuante realisht Presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt



Sëbashku me Eric Fettmann, Steven Lomazow është bashkautor i librit "FDR's Deadly Secret"




Roosevelt, e vërteta e Njeriut të sëmurë në Jaltë



Si qe realisht shëndeti i njeriut më të fuqishëm të botës në Jaltë?

Katër vitet e kërkimit të shpenzuara në realizimin e librit tim të fundit me gazetarin Eric Fettmann, të titulluar FDR's Deadly Secret, kanë nxjerrë në dritë një shkallë të re njohurie lidhur me statusin mendor të Franklin Delano Roosevelt në vitin e fundit të jetës së tij dhe e çon në një nivel krejtësisht të ri të kuptuarin e procesit të tij të të menduarit në Jaltë.

Në mënyrë të paekuivok, Roosevelt po vuante nga humbje të shpeshta të vetëdijes të njohura për neurologët si krizë epilepsie të fortë. Ato u dëshmuan dhe u raportuan nga dhjetëra vëzhgues dhe libri ynë përfshin përshkrime grafike nga njerëz si Sekretarja e Punës, Francis Perkins, editori i New York Times, Turner Catledge dhe Senatori Frank Maloney i Shtetit Connecticut. Ndoshta më dramatiku dhe historikisht më i rëndësishmi i të gjithëve u zbulua vetëm kohët e fundit në dokumentat Walter Trohan në Herbert Hoover Library në shtetin Iowa.

Më 5 janar të vitit 1948, memorandumi për editorin e Chicago Tribune nga reporteri Orville "Doc" Dwyer përmbante intervistën e tij me njëfarë Doktor Louis E. Schmidt, një mik shumë i ngushtë dhe i besuar i vajzës së Roosevelt Anna (në atë kohë në martesën e saj të dytë me reporterin John Boettinger): "Doktori më tha se, nga ajo çka Anna i kish nënvizuar atij Franklin D. Roosevelt ishte për një kohë të gjatë përpara se të vdiste - dhe në mënyrë të veçantë kur shkoi në Jaltë dhe në Teheran (siç) - i sëmurë nga hemoragjia në tru. Doktori thotë se, ai vdiq "nga një hemoragji e madhe", por për disa vite përpara vdekjes ai pati shumë "hemoragji të vogla", enë gjaku të vogla që shpërthenin në trurin e tij. Kur ndodhnin këto shpërthime - dhe ato qenë të shpeshta gjatë viteve të fundit - ai do të ishte pa ndjenja (krejtësisht pandjenja) megjithëse i ngritur dhe në dukje sikur funksiononte për periudha nga disa sekonda në disa minuta. Doktor Schmidt thotë se, nuk ka asnjë dyshim nga bisedat që ka pasur me Anna se, këto po ndodhnin rregullisht në kohën që ai po takohej me Churchill e Stalin dhe mbante konferenca të mëdha të një rëndësie të pazakontë për Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se, efekti do të ishte që ai do të ishte i vetëdijshëm për çka po ndodhte, pastaj ta humbiste atë krejtësisht nga disa sekonda deri në 2 apo 3 minuta - dhe se ka mundësi që mund të mos e dinte se çfarë kishte ndodhur".

Për sytë e një neurologu, ky rrëfim i jashtëzakonshëm flet një histori dramatike. E para, është e qartë se Anna, e cila mbahej në errësirë rreth të gjithë të vërtetës lidhur me shëndetin e të jatit, i keqinterpretoi krizat si "shpërthime", atë çka sot do t'i quanim goditje të lehta ishemie apo TIA. Ky keqinterpretim u bë lëmsh nga Trohan kur ia raportoi ato Doktorit Karl Wold, i cili krijoi një zallamahi nëpërmjet raportimit të tyre në një artikull të gjatë në Look Magazine në vitin 1948.

Në mënyrë edhe më të rëndësishme, memorandumi Dwyer e pasqyron me saktësi rëndësinë historike dhe impaktin e vërtetë të sjelljes neurologjike të Presidentit Roosevelt në fund të jetës së tij. Ky raport nuk është aspak unik, por pasqyron vëzhgimet e një prej më të afërmve nga të gjithë me "bosin". Perkins përshkruan krizat (të cilat gjithashtu ajo nuk i njeh si të tilla) si "të shpeshta" dhe që ndodhnin prej "disa vitesh".

Përveç këtyre humbjeve të plota të vetëdijes, është tejet probabël që episode më pak të rënda patën një efekt të konsiderueshëm, megjithatë tranzitor të prekshëm, në performancën mendore të Roosevelt. Kjo, e kombinuar me tërësinë e problemeve të tjera mjekësore, e shpjegon shumë mirë sesi vëzhgues të caktuar e gjenin atë të kthjellët dhe kompetent, ndërsa të tjerë shikonin një gjendje krejtësisht të ndryshme. Kjo shpjegon gjithashtu një aftësi tërësisht të reduktuar për të bërë shumë gjëra njëherësh, tejet domethënëse në një njeri që e mburrte veten si "qendrën" finale të pothuajse çdo çështjeje të rëndësishme të politikës. Gjithashtu, për t'u marrë parasysh në ekuacion është aftësi gjerësisht e reduktuar për të lexuar si pasojë e një tumori malinj në tru që po përhapej me shpejtësi.

Me këtë gjë në mendje, procedimi dhe periudha menjëherë pas Jaltës mund të konsiderohen në një kontekst krejtësisht të ri. Nuk ka të ngjarë që Roosevelt nuk lëshoi aspak shumë në Jaltë përsa i përket Europës Perëndimore. Linja Curzon ishte vendosur si kufiri lindor i Polonisë në Teheran dhe, në kohën e Jaltës, Stalini e kishte njohur tashmë qeverinë kukull të Lublinit. Churchill kishte qenë duke folur për muaj të tërë me Stalinin rreth "sferave të influencës" në Ballkan dhe raporti i tij në Parlament pas kthimit të tij nga Krimea qe njëlloj ose më shumë optimist sesa raportimi në Kongres i Presidentit Roosevelt me 1 mars. Verbësia e Roosevelt për malinjitetin e "Dajë Xhoes" i paraprinin shumë çdo kompromisi mendor.

Aty ku shëndeti i Roosevelt pati një impakt të konsiderueshëm në Jaltë qe përsa i përket Kinës. Në 8 shkurt të 1945, në orën 3 e 30 pasdite, Josif Stalini hyri në një takim privat me Roosevelt dhe për 30 minuta, pa dijeninë apo miratimin e liderit të saj, mori gjithçka që Kina kish shpenzuar 14 vjet dhe më shumë se 20 milionë jetë njerëzish, duke luftuar. Ka pak të ngjarë që, një President mendërisht në rregull do të kish rënë dakord për një marrëveshje të tillë. Implikimet ndaj marrëdhënieve të ardhshme amerikano - kinezo - sovjetike qenë monumentale.

Në tetor të vitit 1943, Stalini informoi Sekretarin e Shtetit, Cordell Hull, se sovjetikët do të hynin në luftë kundër Japonisë sapo Gjermania të mundej dhe nuk kërkonte asgjë në shkëmbim, duke riafirmuar premtimin e tij në Teheran disa javë më vonë. Pavarësisht kësaj, një marrëveshje sekrete, specifikisht e përjashtuar nga komunikata finale, u draftua dhe u nënshkrua nga krerët e tri pjesëmarrësve të Jaltës, me pëlqimin e Gjeneralit amerikan George Marshall, Admiralëve King e Leahy, por me objeksionin e Sekretarit të Jashtëm britanik, Anthony Eden:

Në shkëmbim të faktit që sovjetikët po hyjnë në luftë kundër Japonisë:


1- Statukuoja në Mongolinë e Jashtme duhet të ruhet:

2- Ish-të drejtat e Rusisë të shkelura nga sulmi i pabesë i Japonisë në vitin 1904 duhet të rivendosen, domethënë: (a) pjesa jugore e Sakhalin, ashtu si dhe ishujt në krah duhet t'i kthehen Bashkimit Sovjetik, (b) porti tregtar i Dairen duhet të ndërkombëtarizohet, interesat supreme të Bashkimit Sovjetik në këtë port të ruhen dhe qiraja e Port Arthur si bazë detare e Bashkimit Sovjetik të rivendoset, (c) Hekurudha kinezo - lindore dhe mançuriano - jugore që siguron një dalje për Dairen duhet të vihet në funksionim në mënyrë të përbashkët nga krijimi i një kompanie të përbashkët sovjetiko - kineze, duke pranuar se interesat supreme të Bashkimit Sovjetik duhen ruajtur dhe se Kina duhet të ruajë sovranitet të plotë në Mançuri

3- Ishujt Kurile Islands duhet t'i dorëzohen Bashkimit Sovjetik.


Është e kuptuar se, marrëveshja lidhur me Mongolinë e Jashtme, portet dhe hekurudhat e referuar më sipër do të kërkojë pëlqimin (theksimi i shtuar) e Gjeneralisimit Chiang Kai-Shek. Presidenti [siç] do të marrë masa me qëllim që ta arrijë këtë marrëveshje me këshillën e Marshallit Stalin.

Krerët e Tri Fuqive të Mëdha kanë rënë dakord që këto pretendime të Bashkimit Sovjetik do të përmbushen padiskutim, pasi të jetë shpartalluar Japonia.

Nga ana e tij, Bashkimi Sovjetik shpreh gatishmërinë për të lidhur me qeverinë nacionaliste të Kinës një pakt miqësie dhe aleance midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, me qëllim për t'i dhënë asistencë Kinës me forcat e armatosura të tij për qëllimin e çlirimit të Kinës nga zgjedha japoneze".

Siç e nënvizon në mënyrë konçize Don Lohbeck: "Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, "Roosevelt dhe Churchill i nënshkruan Bashkimit Sovjetik jo vetëm "interesat superiore" në portin e madh mançurian të Dairen dhe kontrollin e plotë të bazës detare që e mbron atë, por gjithashtu edhe "interesat supreme" në hekurudhat që çojnë nga Bashkimi Sovjetik në Dairen dhe e ndajnë Mançurinë nga veriperëndimi në jug".

Qëllimet e Stalinit rreth Mançurisë qenë tejet të qarta, dëshmohet nga deklarata "Presidenti [siç] do të marrë masa me qëllim që të sigurojë ujdi me këshillë nga Marshalli Stalin", që i referohet drejtpërsëdrejti një shtyrjeje, të pranuar nga Roosevelt (me pretendimin e një rrjedhje të mundshme sigurie në qeverinë Chiang), bile duke mos e informuar Chiang për marrëveshjen deri kur sovjetikët nuk kishin transferuar 25 divizione në kufirin mançurian. Për pasojë, këto trupa do të shërbenin për të siguruar dorëzimin e pajisjeve luftarake japoneze forcave komuniste, drejtpërsëdrejti në kundërshtim me politikën amerikane se vetëm nacionalistët do t'i merrnin ato.

Marrëveshja e Kinës qe përjashtuar nga protokolli final zyrtar i konferencës. Gjithashtu, asnjë përmendje e saj apo çfarëdo e Kinës nuk u bë nga Roosevelt në raportin e tij të 1 marsit për Kongresin, pavarësisht se kishte influencën më rrënjësore dhe afatgjatë mbi të ardhmen e botës se çdo vendim i marrë në Jaltë. Në vend të kësaj, Roosevelt shpalli në mënyrë kriptike: "Unë mendoj se konferenca krimease… duhet të shqiptonte fundin e sistemit të aksionit unilateral, të aleancave ekskluzive, të sferave të influencës, balancat e fuqive dhe të gjithë mënyrave që janë provuar prej shekujsh dhe gjithmonë kanë dështuar".

Saktësisht e kundërta qe problemi. Më keq akoma, të dy amerikanët me kuptimin më të madh të pasojave afatgjata të marrëveshjes, ambasadori Patrick Hurley, dhe Shefi i Shtabit të Chiang, Gjenerali Albert C. Wedemeyer, nuk qenë të pranishëm apo të konsultuar më parë! Gjithashtu, ajo u mbajt e fshehur nga Douglas MacArthur, komandanti ushtarak i teatrit të Paqësorit.

Në dijeni të saj qenë Averill Harriman, i cili lehtësoi negociatat, përkthyesi dhe ambasadori i ardhshëm Charles "Chip" Bohlen, këshilltari i Departamentit të Shtetit (dhe më pas i dënuar si spiun sovjetik) Alger Hiss dhe Shefat e Bashkuar të Shtabit, përfshi George Marshall, i cili e kish kërkuar me çdo kusht hyrjen sovjetike në luftën e Paqësorit. Ajo qe gjithashtu e njohur për anëtarët prokomunistë dhe proimperialistë të Departamentit të Shtetit. Këshilltari i ngushtë i Roosevelt në Jaltë dhe Sekretari i ardhshëm i Shtetit në Administratën, Truman, James "Jimmy" F. Byrnes, gjithashtu qe mbajtur krejtësisht në errësirë.

Pasi e nuhati marrëveshjen, Hurley u nis drejt Washingtonit. Departamenti i Shtetit "i tha atij se asnjë marrëveshje e tillë nuk ishte bërë" (theksi në tekst). Me elegancën e tij karakteristike prej kaubojsi nga Oklahoma, "me veshët e ngritur dhe me dhëmbët që më kërcëllinin, për të bërë një luftë rreth asaj që duhej bërë", ai shkoi në Shtëpinë e Bardhë. Ai nuk e kish parë Roosevelt prej më shumë se 6 muajsh dhe ishte befasuar nga gjendja fizike e Presidentit. "Kur Presidenti [siç] më zgjati atë dorë fine, energjike, të fortë për ta shtrënguar me timen, ajo çka gjeta në dorën time qe një grusht kockash... lëkura dukej se e varej në mollëza dhe, kuptohet, gjithë ajo dëshirë për luftë që kisha brenda, u fashit fare".

Fillimisht, Roosevelt e mohoi prerazi se ishte bërë ndonjë marrëveshje. Hurley refuzoi ta akuzonte liderin e tij për gafën e tij: "Hija e vdekjes tashmë ndodhej mbi Presidentin Roosevelt kur mori pjesë në Konferencën e Jaltës… Jam i sigurtë që besonte se po tregonte të vërtetën kur tha se, asnjë marrëveshje sekrete e tillë si ajo që po përshkroja nuk ishte futur në Jaltë".

Më pas, ai hasi një rezistencë të vazhdueshme nga elementët prokomunistë në Departamentin e Shtetit, duke pretenduar se me pranimin e sferave të influencës britanike dhe sovjetike, Franklin Delano Roosevelt, kish hedhur poshtë parimet e Kartës së Atlantikut dhe se "ishte përfituar nga gjendja e tij fizike dhe mendore, ashtu siç ishte imponuar në Jaltë (theksimi në tekst)."

Gjatë marsit, Hurley vazhdoi që t'i mëshonte çështjes, më së fundi duke e katandisur Roosevelt që ta lejonte të shqyrtonte transkriptimet nga Jalta, duke zbuluar "marrëveshjen lidhur me Japoninë", sekrete që ai e perceptonte si "sabotuese në mënyrë sekrete, duke lënë mënjanë dhe duke fshirë çdo parim dhe objektiv, për të cilin Shtetet e Bashkuara deklaronin se po bënin Luftën e Dytë Botërore. Ai vuri në pikëpyetje të drejtën e Amerikës për të dhënë pjesë territori të një vendi tjetër sovran".

Presidenti pranoi se, frikërat e Hurley dukeshin të justifikuara dhe i dha atij një direktivë speciale për të shkuar në Londër dhe në Moskë për të folur me Churchill dhe Stalin për ta "përmirësuar tradhtinë e Kinës dhe për t'u rikthyer në politikën tradicionale amerikane në Lindjen e Largme".

Në një letër për të përmuajshmen Atlantic Monthly të 28 shtatorit 1950, Hurley shkruan: "Ka një tendencë tani për t'ia veshur marrëveshjen sekrete të Jaltës Presidentit Roosevelt. Presidenti Roosevelt nuk jeton më, por unë mund të them se ai nuk është fajtor. Ai qe shumë i sëmurë në Jaltë dhe dorëzimi i Kinës komunistëve në marrëveshjen sekrete të Jaltës u konceptua nga zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit, nën drejtimin brilant të një amerikani të ri, të quajtur Alger Hiss".

Wedemeyer pati një përvojë të ngjashme. Duke shoqëruar Hurley në kthimin e tij nga Kina në muajin shkurt, pasi ka ndaluar rrugës për t'u takuar me MacArthur në Manila, ai mbërriti në Washington në mars për të takuar Komandantin e Përgjithshëm të tij. Ashtu si Hurley, ai u "godit" nga pamja dhe sjellja fizike e Roosevelt. Duke e kapur Presidentin në mesin e një prej krizave të shpeshta të tij: "Ngjyra e tij e kishte si bojë hiri, fytyra e tendosur dhe nofulla e varur. Pata vështirësi në kalimin e informacionit, pasi dukej i çoroditur. Shumë herë i përsërisja të njëjtën ide, pasi mendja e tij nuk dukej se kapte apo regjistronte".

Ndërsa, mendja e Roosevelt filloi të qartësohej, biseda u kthye në mbështetje aktive për pavarësinë e Indokinës nga francezët, më pas të vetë Kinës. Presidenti përmendi se, Chiang kishte dërguar mesazhe në lavdërim të përpjekjeve të Wedemeyer dhe ky i fundit, nga ana e tij, shprehu besimin se, Chiang kish qenë jashtëzakonisht bashkëpunues në përpjekjen e luftës. Kur ngriti çështjen se komunistët padyshim që të shkaktonin probleme sapo lufta të përfundonte, ai vërejti se "(Roosevelt) nuk dukej se e kuptonte se për çfarë po fliste ai".

Pak kohë më pas, Wedemeyer u takua në një drekë me Sekretarin e Luftës, Stimson, duke e risiguruar atë për teknikat moderne ushtarake. Gjithashtu, ai u dha fund përpjekjeve të ambasadorit Hurley, për të larguar anëtarë të caktuar (prokomunistë) të stafit të tij në ambasadë. Më pas, Sekretari i kërkoi me ngulm opinionin rreth shëndetit të Roosevelt, të cilit ai ju përgjigj se ishte "shtangur kur kishte gjetur se, Presidenti [siç] dukej se ishte në botën e ëndrrave", shumicën e kohës që ai kish kaluar me të, duke u kapur me nervozitet me ushqimin dhe duke shpërthyer për gjëra të kota. Më pas, "Sekretari më paralajmëroi që të mos ia përmendja askujt gjendjen fizike të Presidentit".

Deri dhe mbështetësi i fuqishëm i Roosevelt, Robert Sherwood, ndërsa i mbronte paturpësisht vendimet e Roosevelt në Jaltë përsa i përket Polonisë dhe Kombeve të Bashkuara, pranonte: "Vetëm në fund të shtatë ditëve mbledhjeve të gjata, duke mbuluar një rreze të madhe subjektesh të frikshme, ai bëri lëshimin që, sipas mendimit tim, nuk do ta kishte bërë sikur të mos kish qenë i lodhur dhe në ankth për negociatat lidhur me hyrjen e Rusisë në luftë kundër Japonisë".

Më tej, ai mbështeti objeksionin e diplomatit Sumner Welles, duke e përmendur drejtpërsëdrejti atë: Restaurimi i Rusisë i së drejtës më parë të poseduar nga qeveritë perandorake ruse për të dominuar Mançurinë nëpërmjet kontrollit të hekurudhave kinezo - lindore dhe mançuriano - jugore dhe qiradhënia e Port Arturit si bazë detare... e bëjnë sëbashku të pamundur për Kinën e re të bashkuar që të ushtrojë sovranitet të plotë brenda Mançurisë, akoma më shumë e kundërshtueshme, duke pasur parasysh mungesën e Kinës nga tryeza e konferencës ku u vendosën ato".

Sherwood e citon deklaratën "krerët e Tri Fuqive të Mëdha kishin rënë dakord se, këto pretendime të Bashkimit Sovjetik do të përmbusheshin në mënyrë të padiskutueshme, pasi të ishte mundur Japonia" si "pikën më jo të mbrojtshme të të gjithë punës së Jaltës", duke nënvizuar se, "nëqoftëse Kina refuzonte të binte dakord për çdonjë prej pretendimeve sovjetike, atëhere ndoshta Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të detyroheshin të bashkoheshin në zbatimin e tyre".

Një dije e përmirësuar e shëndetit të Franklin Roosevelt është thelbësore për të kuptuar procesin e tij të vendimmarrjes. Asgjëkundi nuk është kjo më e dukshme sesa me ngjarjet që ndodhën në dhe pas Jaltës.


Përgatiti
ARMIN TIRANA

Google+ Followers