Si jetonin të pasurit në Egjiptin e lashtë

Njerëzit e pasur dhe të famshëm të Egjiptit të lashtë bënin një jetë shumë dekadente me verë, seks, modë dhe shumë festa. Po si do të ishin ata të krahasuar me qejflinjtë e sotëm dhe njerëzit që i quajmë VIP-a?

Dallimet më të mëdha mund të shihen në atë se cilët ishin njerëzit e pasur në kohën e Egjiptit të lashtë dhe cilët janë ata sot? Në Egjiptin e lashtë, faraoni ishte në krye të “piramidës” së pushtetit dhe familja e tij. Më pas vinin fisnikët, pronarët e tokave dhe priftërinjtë. Arkitektët dhe mjekët renditeshin ndër profesionet më të respektuara dhe më pas edhe zejtarët kishin shumë privilegje gjithashtu. Fshatarët dhe punëtorët e pakualifikuar ishin në shkallët e fundit të shoqërisë egjiptiane, por të fundit e listës ishin shërbëtorët dhe skllevërit. Më me fat në një shkallë të tillë të ulët ishin shërbëtorët e pasanikëve dhe fisnikëve, sepse ndryshe nga të varfrit e tjerë, ata kishin të sigurt fjetjen dhe ushqimin. Shumë prej tyre kryenin punë të rënda fizike dhe zakonisht vdisnin të rinj në moshë, veçanërisht skllevërit që kanë ndërtuar piramidat. Bëhet fjalë për vdekje të dhimbshme nga dëmtime kockash. Në Egjipt, profesionet që trashëgoheshin, nuk zgjidheshin. Kështu fëmijët ndiqnin traditën e babait e kështu me radhë. Kjo ndodh edhe sot madje, edhe në fushën e showbiznesit si në rastet e Martin Sheen, Guineth Paltrow apo Blythe Danner. Por edhe në fusha të tjera si në politikë, mjafton që të përmendim në një rast të tillë dinastinë Bush, apo atë Klinton. Ndërsa nëpunësit si shkruesit, kopjuesit e shkrimtarët ishin kryesorët në sferën e të mësuarit dhe të dhënit mësim. Jo çdo fëmijë kishte mundësi që të lexonte dhe të shkruante dhe ata që do të merreshin me shkrime përzgjidheshin. Sot, aktualisht në botë ka një ndryshim për sa i përket pasurisë absolute të krerëve që kishin dikur faraonët, krahasuar me atë të krerëve të shteteve, apo monarkëve të sotëm. Këta të fundit nuk janë domosdoshmërisht më të pasurit e vendit. Edhe për sa i përket priftërinjve apo përfaqësuesve të feve sot, edhe ata nuk renditen ndër më të pasurit dhe për sa i përket feve dhe kultit, nuk konsiderohet ekonomikisht i rëndësishëm në shoqëri, siç ndodhte dikur në Egjiptin e lashtë. Por në atë periudhë, priftërinjtë ishin shumë të dhënë pas të ushqyerit dhe pijes së mirë dhe të bollshme. Kjo është një nga arsyet e zbulimit të shenjave të arteriosklerozës në disa nga mumiet e Egjiptit të lashtë. Ata konsumonin në maksimum mishra, yndyra dhe sheqerna edhe përmes pijeve dhe vuanin nga kolesteroli i lartë. Për sa i përket mishrave, elita kishte mundësi të ndryshme zgjedhjesh që nga mishi i viçit, biftekët, antilopat dhe gazelat. Më të varfrit, frekuentonin kryesisht zogjtë e egër, ose edhe pulat e patat. Ndonjëherë preferohej edhe peshku i Nilit, por sigurisht që nuk ishte ndër pjatat e preferuara, veçanërisht për më të pasurit. Zakonisht peshku konsumohej pasi thahej në diell. Edhe ëmbëlsirat ishin të llojeve të ndryshme. Më të pasurit përdornin mjaltin, ndërsa të varfrit nuk kishin një ëmbëlsirë të preferuar. Por thuajse njësoj si edhe në ditët tona, ishte çështja e të pirit, kryesisht të konsumuarit e verës dhe të bërit tapë me të. Verërat e mira ishin sigurisht ato më të moçmet, si edhe në ditët tona. Birra ndërkohë përdorej dhe nga masat e gjera, nga populli dhe ata më të varfrit. Por edhe të pasurit, ndonjëherë për ta ndërruar, pinin birrë. Në përgjithësi njerëzit ishin të pasionuar pas pijes, siç ndodh edhe sot. Për sa i përket rrezikshmërisë së pijes për të flitet në një porosi me shkrim, në formë trashëgimie të gjetur në një papirus, që një faraon i linte pasardhësit të tij. Në të jepeshin instruksione në lidhje me rregullat për të qenë një faraon i mirë, si të qenët i drejtë, paqësor dhe si të silleshe në mënyrë korrekte në përgjithësi. Pija përmendej kur thuheshin disa nga të këqijat më të mëdha që mund të vinin të tilla si ato të shkaktuara nga humbja e kontrollit për shkak të të pirit. Veçanërisht thuhet në këtë dorëshkrim, pija e tepruar mund të të zbehë ndjeshëm reputacionin dhe madje në mënyrë të pakthyeshme. Duke qenë se shtëpitë ishin ndërtuar me tulla të zakonshme, asnjëra prej tyre nuk ka mbijetuar deri në ditët tona. Por shtëpitë më të varfra ishin ndërtuar me kashtë, gjethe palme dhe shpesh edhe me baltë. Ndërsa shtëpitë e të pasurve ishin ndërtuar ndryshe dhe dy detajet që bënin diferencën në këtë rast ishin materialet dhe hapësira. Jo se shtëpitë e të pasurve ishin larë në ar si shtëpitë e sheikëve të sotëm, por për shembull një nga elementët që ishin të rrallë dhe të shtrenjtë në Egjipt ishte druri, i cili përdorej shumë në dekoracionet dhe ndërtimet e shtëpive të të pasurve. Pyjet e Egjiptit nuk ishin të përshtatshëm për mobilie, ndaj druri për ornamente importohej nga Byblosi, apo Libani i sotëm. Mobiliet e bëra nga druri i mirë gjendeshin vetëm në shtëpitë e të pasurve. Shtretërit e drurit ishin një ëndërr për njerëzit e shtresave më të ulëta. Tapetet nga Persia, copëzat e zbukurimit me alabastër, ebanoz e fildish vinin nga mbretëritë e Afrikës, vazot e arta, bizhutë dhe skulpturat e mermerta vinin nga Nubia dhe të gjitha mund të përballoheshin, si dhe në ditët tona vetëm nga më të pasurit. Ekuivalentja e lagjeve të pasura të sotme si Beverly Hills, në Egjiptin e lashtë, ishin tokat që të pasurit i përdornin për ndërtimin e shtëpive të tyre të pushimit në periferi të qyteteve të mëdha. Këto shtëpi ishin të rrethuara me kopshte dhe me vreshta të pafund. Ndërsa të varfrit ishin ngjeshur me njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre të vogla e të pasigurta. Për ndërtuesit e piramidave, sikurse ndodh edhe në Dubain e sotëm, kishte kapanone të mëdha e dhoma me shtretër që renditeshin njëri pas tjetrit. Një tjetër tipar dallues i të pasurve të Egjiptit të lashtë ishte përdorimi i parukave që bëheshin me lesh deleje, ose edhe me flokë njerëzorë. Këto paruka visheshin nëpër mbrëmje e festa, nëpër festivale apo nëpër grumbullimet që organizoheshin në tempuj. Paruka ishte një parakusht i modës, stilit dhe pasurisë. Pra Viktoria Bekham, nëse do të kishte dashur të triumfonte edhe në jetën e VIP-ave të Egjiptit të lashtë, do të duhej që të vishte pa tjetër paruke, përndryshe nuk mund të quhej “posh”. Po ç’mund të thuhet për fustanet? Nga sa na thotë arkeologjia dhe zbulimet e saj, të gjithë vishnin tunika. Burrat i mbanin deri te gjuri, ndërsa gratë deri te kyçet e këmbës. Ishin tunika të thurura me li nga fabrikat e shumta të pellgut të Mesdheut. Sigurisht që tunikat e të pasurve dallonin shumë nga ato të të varfërve. Të pasurit si në çdo epokë i kishin ato prej materialesh të mirë e të zbukuruara me qëndisma të shtrenjta e zbukurime me gurë të çmuar. Sandalet visheshin nga të gjithë pa përjashtim dhe pa çorape. Dallimi mes të pasurve dhe të varfërve ishte se më të varfrit kishin mundësi vetëm të vishnin sandale të bëra me gjethe palme, ndërsa të pasurit i kishin sandalet prej lëkure. Nuk ekzistonin takat e larta për femrat. Për sa i përket grimit dhe tualetit, ai ishte pjesë e burrave dhe grave njësoj, vetëm se të varfrit nuk kishin mundësi dhe as kohë e arsye për t’u zbukuruar kështu. Zakonisht shumë të përdorura ishin ngjyrat mbi kapakët e syrit të cilat përdoreshin edhe si krem për t’u mbrojtur. Me ngjyra visheshin edhe buzët dhe zbukuroheshin edhe thonjtë. Tatuazhi ishte një pjesë e pandarë e trupit dhe aplikohej si te të gjallët, ashtu edhe te të vdekurit. Kjo gjendet dendur edhe tek njerëzit sot në botë. Për sa i përket lirive të grave, në Egjiptin e lashtë ato ishin më të lira se në Mesopotami, por sigurisht që të pasurat nuk kishin lirinë dhe shthurjen publike që kanë, le të themi sot Paris Hilton me shoqe. Egjiptianet martoheshin shumë të reja në moshë dhe në familjet mbretërore martesat bëheshin mes njëri-tjetrit. Të sillje në jetë një fëmijë ishte e rrezikshme për gratë, por kjo inkurajohej shumë duke qenë se objektivi i pasjes së një familjeje sa më të madhe në numër ishte një objektiv për të gjithë. Dashuria dhe seksi ishin atëherë po aq të ndërlikuara sa edhe sot. Sipas dokumenteve të zbuluara në kohë, egjiptianët ishin shumë aventurierë dhe të dhënë shumë pas kërcimtareve gjysmë të zhveshura, por përmbledhjet me poezi që kanë mbërritur në ditët tona rrëfejnë edhe për një romantizëm të jashtëzakonshëm. Sipas një deklarate të fundit të bërë nga Anxhelina Zholi, besnikëria nuk është thelbësore në një marrëdhënie në çift, por adulteri dhe tradhtia kanë qenë një nga arsyet e gjithhershme të divorceve, vdekjeve dhe depresioneve dhe, në Egjiptin e lashtë, siç ndodh edhe në ditët tona, gratë kërkonin divorc kur i kapnin burrat me të tjera. Divorci ishte i ligjshëm dhe problemet që dilnin prej tij kishin zakonisht të bënin me çështjen e pasurisë dhe të pronave. Sa më e madhe të ishte pasuria, aq më e madhe ishte beteja e divorcit. Në fakt, një gjë është e sigurt gjatë historisë njerëzore që njerëzit në kohë e epoka të ndryshme kanë bërë qejf me të njëjtat gjëra, pra kanë pirë e bërë seks gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Edhe sporti mund të futet në këtë kategori. Egjiptianët ishin shumë të dhënë pas sportit. Ata preferonin shumë garat me kuaj dhe karroca, sikurse në ditët tona elita moderne është shumë e dhënë pas garave me makina të shpejta. Madje ky pasion thuhet se shkaktoi edhe vdekjen e Tutankhamun, siç shkaktuan makinat vdekjen e James Deanit. Mbrëmjet, banketet e festave ishin gjithashtu shumë të frekuentuara dhe pjesë e jetës së shtresave të larta. Sikurse edhe sot. Edhe pse nuk ka prova për përdorimin e drogave mendohet se në Egjipt mund të përdorej opiumi si ilaç.

Google+ Followers