Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit/Dy gabimet e mrekullueshme të Nënë Terezës

"Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh saqë e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin por nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua të lutem, por nuk arrin të flasë"

David Van Biema, TIME MAGAZINE


Më 11 dhjetor 1979, Nënë Tereza, "Shenjtorja e të varfërve", shkoi në Oslo. Si gjithmonë me veshjen e saj tipike të bardhë me bordurë blu dhe me sandale, pavarësisht temperaturave nën zero, Anjeza Bojaxhiu u nderua me Çmimin Nobel. Në ligjërimin e saj të pranimit, Tereza, dha fjalimin që bota priste prej saj. "Nuk është e mjaftueshme të thuash që unë e dua Zotin, por nuk e dua komshiun tim", tha ajo, "pasi Jezusi kur vdiq në kryq e kishte sakrifikuar veten e tij, duke u bërë ai vetë i urituri, i zhveshuri dhe i pastrehu. Duhet të gjejmë frymën e Jezusit dhe ta kultivojmë atë". Ajo mallkoi abortin dhe përhapjen e drogës mes të rinjve në perëndim. Në fund ajo sugjeroi që me rastin e Krishtlindjeve që po afronin, bota duhet të kujtohej që drita e gëzimit është e vërtetë pasi Jezusi është kudo. "Krishti është në zemrat tona, Krishti është afër të varfërve që takojmë, Krishtë gjendet në buzëqeshjen që japim dhe në buzëqeshjen që marrim".

Më pak se tre muaj më parë, në një letër drejtuar një rrëfyesi shpirtëror, atë Michael van der Peet, që vetëm këto kohët e fundit është bërë publike, ajo shkuante me një mërzi të thellë rreth një Krishti "ndryshe", një që mungonte. "Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju", i thoshte ajo Van der Peet-it. "Por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh saqë e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin po nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua të lutem, por nuk arrin të flasë…dua që të luteni për mua. Dua që t'i luteni Atij që të bëjë çfarë të dojë me mua".

Këto dy deklarata janë shkruajtur me një distancë kohore prej 11 javësh nga njëra-tjetra. E para është tipike e gruas që e gjithë bota mendonte se e njihte. E dyta tingëllon sikur të ketë dalë nga dramat e ekzistencialistëve të viteve 1950. Të dyja së bashku ato sugjerojnë një portret kontraditkor. Ikona njerëzore më e madhe e 100 viteve të fundit, veprat e mrekullueshme të së cilës dukeshin të lidhura shumë ngushtë me afërsinë që ajo kishte me Zotin dhe që është parë vetëm në momentet e saj të lutjeve të heshtura dhe në paqe, si nga përkrahësit e saj të devotshëm ashtu edhe nga telekamerat e shumta televizive, faktikisht ishte duke jetuar në një realitet tjetër shpirtëror, të cilin e ruante me fanatizëm nga bota e jashtme. Ajo tashmë jetonte në një botë ku perëndia duket se ishte zhdukur.

Faktikisht, këtu qëndronte i gjithë problemi. Një libër i ri joarmiqësor i titulliar "Mother Teresa: Come by my light" (Nënë Tereza: Eja drejt dritës time), i cili konsiston kryesisht në korrespondencën e Terezës me rrëfyesit e saj dhe eprorët gjatë një periudhe 66-vjeçare, shpalos një panoramë shpirtërore që bie në kontradiktë me një jetë të dedikuar punës. Letrat, shumica e të cilave janë ruajtur kundër vullnetit të saj (ajo kishte bërë kërkesë specifike që letrat të zhdukeshin, por kisha nuk e bërës këtë gjë), tregojnë se gati gjatë gjithë gjysmës së jetës së saj ajo nuk ndjeu asnjë prezencë të Zotit ose, siç shkruan edhe redaktori dhe përpiluesi i librit, Atë Brian Kolodiejchuk, "nuk e ndjente këtë prezencë as në zemër dhe as në veprat e saj".

Mungesa duket se kishte filluar pikërisht në kohën kur ajo filloi t'i përkushtonte jetën të varfërve dhe të vdiste në Kalkuta dhe, përveç pesë javëve të pushimit në vitin 1959, nuk pushoi kurrë. Edhe pse shfaqej përherë e lumtur në publik, Tereza e letrave jetonte në një gjendje të thellë dhe konstante dhimbjeje shpirtërore. Në më shumë se 40 komunikime, shumë prej të cilave nuk janë publikuar kurrë më parë, ajo vajtonte "thatësirën", "errësirën", "vetminë" dhe "torturën" që po përjetonte. Ajo e krahasonte këtë eksperiencë me ferrin dhe në një moment ajo thoshte se kjo gjendje po e çonte drejt dyshimit të ekzistencës së parajsës, madje edhe vetë Zotit. Ajo ishte tërësisht e vetëdijshme për mospërputhjen e gjendjes së saj të brendshme me sjelljen e saj publike. "Buzëqeshja", shkruan ajo, "është një maskë ose një perde që mbulon gjithçka". Në të njëjtën mënyrë, ajo pyeste veten nëse ishte duke humbur në mashtrimet verbale. "Unë flas sikur të isha e dashuruar me Zotin, një dashuri e brishtë personale", i cilëson ajo një këshilltari. "Sikur të ishit aty, do të thonit, 'Çfarë hipokrizie'". Atë James Martin, redaktor i revistës "Jesuite" të Amerikës dhe autori i "Jeta ime me Shenjtorët", një libër që merrej shumë shkurtimisht me dyshimet e Terezës, thotë: "Nuk kam lexuar kurrë jetën e një shenjtori që të ketë një errësirë shpirtërore kaq intensive. Asnjeri nuk e dinte që ajo ishte kaq e shqetësuar". Kolodiejchuk, redaktor i librit "Eja drejt dritës time" kujton: "Kam lexuar një letër që i drejtohej Motrave (misioneret e bamirësisë bashkë me Terezën) dhe të linte me gojë hapur ashtu siç la edhe ato. Kjo do t'i japë një dimension tërësisht të ri të perceptimit të njerëzve për të".

Libri nuk është absolutisht vepër e ndonjë antikrishti apo të ndonjë spekulatori. Kolodiejchuk, një nga anëtarët më të vjetër të Misionerëve të Bamirësisë, ka qenë përgjegjës për kërkesën e shenjtërimit të saj dhe për mbledhjen e materialeve të nevojshme. Letrat që janë publikuar në libër kanë qenë gjithashtu pjesë e procesit të shenjtërimit të saj.

Edhe kisha e pranon që ekziston një periudhë pasive shpirtërore. Në të njëjtën mënyrë, mistiku spanjoll, Shën John of the Cross, shpiku në shekullin XVI "natën e errët" të shpirtit për të përshkruar një fazë karakteristike të lartësimit të disa mjeshtërve shpirtërorë. Nënë Tereza mund të ketë përjetuar periudhën më të gjatë të rasteve të tilla të evidentuara. ("Nata e errët" e Shën Paul of the Cross zgjati 45 vjet.) Megjithatë, Kolodiejchuk e shpjegon këtë fazë të jetës si errësira e fshehur e besimit. Tereza zbuloi një mënyrë, duke filluar gjatë viteve '60, për të bashkëjetuar me këtë gjendje ankthi dhe nuk e braktisi as besimin dhe as punën e saj. Kolodiejchuk e shkroi këtë libër si një provë përkushtimi të mbushur me besim, të cilin e cilëson si aktin e saj shpirtëror më heroik.

Dy katolikë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri parashikojnë se libri do të jetë një pikë referimi. Atë Matthew Lamb, kreu i departamentit të teologjisë në Universitetin konservativ Ave Maria në Florida, mendon se "Eja drejt dritës time", do të renditet njëlloj me "Confessions" e Shën Agustinit dhe me "The Seven Storey Mountain" e Thomas Merton, si një autobiografi e lartësimit shpirtëror. Martin i Amerikës, një institucion shumë herë më liberal, e quan librin "një ministri e re e Nënë Terezës, një shërbesë e shkruar e jetës së saj të brendshme" dhe thotë, "jeta e saj e brendshme do të kujtohet si po aq e rëndësishme sa edhe shërbesa e saj ndaj të varfërve. Do të jetë një dhuratë ndaj njerëzve që kanë ndjerë në një moment dyshime, disa mungesa të Zotit gjatë jetës së tyre. Dhe, a e dini se kush janë këta njerëz? Të gjithë, jo vetëm ateistët, dyshuesit, kërkuesit, besimtarët por, të gjithë".

Me këtë libër nuk do të bien dakord vetëm ateistët dhe dyshuesit. Edhe Kolodiejchuk me Martin mendojnë se paaftësia e Terezës për të perceptuar Krishtin në jetën e saj nuk do të thonte se ai nuk ishte aty. Në fakt, ata e shikojnë mungesën e tij si pjesë e një dhurate hyjnore që e lejoi atë të vazhdonte punën e saj të mrekullueshme. Por, për grupet e ateistëve të përkushtuar ky arsyetim do të duket absurd. Ata do ta perceptojnë Terezën e librit si një personazh prototip të ndonjë kënge fshatare që mban në dorë një pishtar duke pritur burrin e saj që kishte dalë para 30 vjetësh për të blerë një paketë cigaresh dhe nuk ishte kthyer më. Christopher Hitchens, autor i "The Missionary Position", një libër i hidhur polemik rreth Nënë Terezës dhe kohët e fundit kreu i manifestimit ateist, Zoti nuk është i madh, thotë: "Ajo tashmë e kishte kuptuar se besimi është vetëm një fabrikim njerëzor më shumë se e çdokujt tjetër dhe tentativa për t'u shëruar dhe për t'u bindur për besimin e saj nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka thelluar më tepër gropën që kishte hapur për veten". Ndërkohë, disa persona që e njohin mirë prirjen e jashtëzakonshme të nënës së buzëqeshur mund ta diagnostikojnë gjendjen e saj jo si një dhuratë nga Zoti, por si një tentativë subkoshiente drejt formës më radikale të përuljes: ajo e dënoi veten me një dështim të tmerrshëm për të balancuar suksesin e saj".

"Eja drejt dritës time" është diçka e rrallë, një autobiografi që mund të shkaktojë një ridiskutim botëror të një figure publike madhore, në një mënyrë apo tjetrën. Ai ngre pyetje rreth Zotit dhe besimit, rreth motorit pas arritjeve të mëdha dhe rreth rëndësisë së dashurisë, hyjnores dhe njerëzores. Fakti që këto gjëra shpjegohen jo në një mënyrë të organizuar apo të paramenduar, por thjesht si disa zhgarravina apo shënime të dëshpëruara, e bën lexuesin shumë herë më të bindur për auteticitetin e tyre dhe se letrat e saj janë në një farë mënyre jeta shokuese, prekëse dhe vërtetë e një shenjtoreje moderne.

Agonia

O Zot, Zoti im, kush jam unë që kërkon të më braktisësh? Jam bija e dashurisë tënde - tashmë jam kthyer në më të urryerën - e vetmja që Ju e keni hedhur poshtë si më të padëshiruarën - si më pak të dashurën. Unë thërras, zvarritem, kërkoj - por nuk ka asnjëri që të më përgjigjet - asnjeri të cilit t'i zvarritem - jo, asnjeri. E vetme… Ku është besimi im - as aty, as në thellësi të besimit tim nuk ka asgjë, përveçse boshllëk dhe errësirë - Zoti im - sa e tmerrshme është kjo dhimbje e panjohur - nuk kam më besim - nuk guxoj t'i shqiptoj fjalët dhe mendimet që grumbullohen në zemërn time - dhe që më bëjnë të vuajë agoninë time të pathënë.

Kaq shumë pyetje pa përgjigje jetojnë brenda meje të frikësuara nga zbulimi - kam frikë nga blasfemia - Nëse je aty o Zot - të lutem më fal - Kur mundohem t'i lartësoj mendimet e mia drejt Parajsës - atje gjej një boshllëk aq drithërues saqë po ato mendime kthehen mbrapsht si thika të mprehta që më ngulen drejt e në zemër. - Më kanë thënë që Zoti më do - por prapëseprapë realiteti i errësirës, të ftohtit, boshllëkut dhe zbrazëtirës është aq i madh saqë asgjë nuk e prek zemrën time. A mos kam bërë gabim që jam dorëzuar verbërisht ndaj Thirrjes së Shpirtit të Shenjtë?

(Adresuar Krishtit sipas sugjerimeve të rrëfyesit të saj)

Në gjysmën e parë të vitit 1948, Tereza ndoqi një kurs të bazës së mjekësisë para së të lëshonte veten e saj drejt rrugëve të Kalkutës. Ajo shkroi: "Tani shpirti im është në paqe dhe harmoni perfekte". Kolodiejchuk përfshin në libër gjithashtu, edhe përshkrimin e saj për ditën e parë të punës: "Burri i vjetër ishte i shtrirë në rrugë i padëshiruar, i vetmuar, i sëmurë dhe gati duke vdekur. I dhashë atij pak bukë dhe ujë dhe burri i vjetër ishte çuditërisht aq i lumtur dhe mirënjohës… Më pas shkuam në Taltala Bazaar dhe aty ishte një grua shumë e varfër që po vdiste më tepër nga uria besoj, se sa nga Tuberkulozi…I dhashë diçka që ta ndihmonte të flinte. Pyes veten se sa do të zgjasë agonia e saj". Por, dy muaj më pas, pak pasi kishte arritur të gjente vendndodhjen perfekte për qendrën e saj të përgjithshme, dosjet e Kolodiejchuk tregonin se Tereza ndihej shumë e shqetësuar. "Çfarë vetmie torturuese", shkroi ajo. "Pyes veten se për sa kohë do ta vuaj zemra ime këtë".

Kjo ankesë mund të kuptohet si një përgjigje fillestare ndaj vetmisë dhe vështirësive, por jo për letrat pasuese. Sa më shumë sukses të kishte Tereza, vetëm një vit më pas ishin bashkuar me shoqërinë e saj shumë gra të reja, aq më keq ndihej ajo. Në mars të vitit 1953, ajo i shkruajti një letër Périer-it, "Të përgjërohem të lutesh në veçanti për mua që të mos ta prish punën e Tij dhe që Zoti të më paraqitet pasi ndiej se ka një errësirë shumë të thellë brenda meje saqë më duket se çdo njeri ka vdekur. Jam ndjerë në këtë mënyrë pak a shumë kur kam filluar punën".

Perier ndoshta nuk e ka kuptuar aq mirë dëshpërimin e saj. "Nënë e dashur, ty të drejton Zoti", i përgjigj ai në mënyrë të vakët. "Nuk je e rrethuar nga arrësira siç mendon ti… Ekzistojnë kaq shumë fakte të jashtme që të bëjnë të kuptosh që Zoti bekon punën tënde… Në këtë punë ndjenjat nuk janë të domosdoshme dhe shpeshherë të turbullojnë". Megjithatë, ndjenjat ose më saktë mungesa e tyre u kthyen në torturën e jetës së saj të fshehtë. Si mund të perceptosh ngrohtësinë e Zotit kur ai nuk të lejon më të ndjesh zërin e tij, prekjen, vetë prezencën e tij? Problemi ishte aq i rëndë dhe torturues nga një frenim ndjenjash saqë është e vështirë ta përshkruash. Tereza ka deklaruar në disa raste se pasi kishte ftuar një rrëfyes që ta vizitonte, e kishte patur të pamundur të fliste me të. Me sa duket, dikush i ka sugjeruar asaj që ta shkruante problemin në letër, dhe ashtu bëri. "Sa më shumë e dua Atë, aq më pak duhem", i shkroi ajo Perierit në vitin 1955. Një vit më pas ajo dukej e pikëlluar: "Një dëshirë dhe një adhurim kaq i madh për Zotin, … i refuzuar - bosh - pa besim - pa dashuri - pa zell. Shpëtimi i shpirtrave nuk më tërheq - Parajsa nuk ka asnjë lloj kuptimi - të përgjërohem lutu për mua, që të vazhdoj t'i buzëqesh Atij pavarësisht gjithçkaje".

Sipas sugjerimit të një rrëfyesi, ajo shkroi lutjen e saj më të vuajtur në fillim të kësaj pjese, në të cilën ajo zbuloi se rasti i saj mund të ishte dilema më e keqe e mundshme teologjike. Ajo letër dhe një tjetër e ngjashme e vitit 1959 ku shkruan: "Për çfarë po punoj? Nëse nuk ka Zot - nuk ka as shprit - nëse nuk ka shpirt atëherë Krishti - As Ju nuk jeni i vërtetë", janë të vetmet ku ajo citon dyshimet e saj mbi ekzistencën e Zotit. Megjithatë, ajo e ka shpehur disa herë paaftësinë e saj për t'u lutur: "Shqiptoj fjalët e lutjeve të Komunitetit - mundohem me të gjitha forcat e mia që të nxjerr nga çdo fjalë ëmbëlsinë që duhet të përçojnë arto - Por, lutjet e mia për të tjerët nuk janë më aty - Unë nuk lutem më".

Ndërkohë që Misionerët e bamirësisë lulëzonin dhe tërhiqnin vëmendjen e kishës së saj dhe të gjithë botës, Tereza kalonte nga një rrëfyes tek tjetri në të njëjtën mënyrë që disa pacientë kalojnë nga një psikoanalist tek tjetri. Van Exem ia la vendin Perierit, i cili në vitin 1959 ia la vendin Atë (më pas Kardinal) Lawrence Picachy, i cili gjithashtu u pasua nga Atë Joseph Neuner në vitin 1961. Deri në 1980, zinxhiri përfshinte figura si Peshkopi William Curlin i Charlotte. Për këta rrëfyes ajo kishte zhvilluar në thellësi të saj një stenografi dhimbjeje, duke iu referuar rastësisht si "errësira ime" dhe Jezusit si "Ai që mungon". Pati edhe një pushim për të. Në tetor të vitit 1958, Papa Piu XII vdiq dhe në të gjithë botën katolike u mbajtën Mesha përkujtimore për të. Tereza u lut për Papën e vdekur për të provuar që "Zoti ishte i kënaqur me shoqërinë". Dhe "në këtë mënyrë", u gëzua ajo, "u zhduk edhe errësira e gjatë… vuajtja ime e çuditshme 10-vjeçare".

Fatkeqësisht, vetëm pesë javë më pas ajo tha se gjendej "në tunelin e saj" përsëri. Dhe, pavarësisht gjithçkaje, ajo gjeti një mënyrë për të pranuar mungesën që nuk e la më të qetë. Pesë vjet pas çmimit të saj Nobel, një prift Jezuit në një provincë të Kalkutës tha se: "Nënë Tereza erdhi…për të folur rreth natës torturuese të zemrës së saj. Nuk bëhej fjalë për një fazë kalimtare, por për një agoni shumëvjeçare". Një letër e vitit 1995 diskutonte "thatësirën e shpirtit të saj". Ajo vdiq në vitin 1997.

Shpjegimet

"Më thuaj At, pse ka kaq shumë dhimbje dhe errësirë në shpirtin tim?" - drejtuar At Lawrence Picachy, gusht 1959.

Përse komunikimi i Terezës me Jezusin, që ishte aq i gjallë dhe shpresëdhënës para themelimit të organizatës së Misionerëve, avulloi kaq papritur? Në të gjithë botën udhëtojnë lloj-lloj shpjegimesh fetare dhe laike. Të dyja palët e kuptojnë (edhe pse vetëm njëra palë lartëson) identifikimi i vuajtjeve të pafund të Krishtit të kryqëzuar, të përjetuara për të shpëtuar njerëzimin, është një aspekt kyç i spiritualitetit katolik. Tereza u thonte prijësve të saj se, varfëria fizike siguronte ndjeshmëri të tejskajshme në "përkushtimin e vetes" ndaj të varfërve që vuanin dhe vendoste një lidhje më të fortë me agoninë e shpërblyer të Krishtit. Në vitin 1951 ajo shkroi se pasioni ishte i vetmi aspekt i jetës së Jezusit që ajo donte të ndante: "Unë dua të pi VETËM (e theksonte duke e shkruar me shkronja të mëdha) nga kupa e Tij e dhimbjes". Dhe ashtu bëri, edhe pse sipas letrave të saj, jo në mënyrën që ajo mendonte.

Kolodiejchuk mendon se është një qëllim hyjnor fakti që rubineti shpirtëror i Terezës u tha pikërisht në kohën kur ajo triumfoi përtej hezitimeve të kishës së saj dhe gjeti një mënyrë të suksesshme për të realizuar thirrjen e Jezusit për të. "Ajo kishte një personalitet tejmase të fortë", thotë ai, "dhe një personalitet i fortë kërkon një pastrim të fortë" si një kundërhelm për krenarinë. Si provë e efikasitetit të tij, ai citon një koment të shkruar prej saj pas marrjes së një çmimi shumë të rëndësishëm në Filipine në vitet 1960: "Kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie për mua, përderisa nuk kam afër Atë".

Pyetja vazhdon të jetë kjo: "Çfarë e shkaktoi braktisjen që eksperimentoi Tereza?", thotë Dr. Richard Gottlieb, një mësues i Shoqërisë dhe Institucionit të Psikoanalitikës në Neë York, i cili ka shkruar rreth kishës. "A mund t'ja ketë shkaktuar ajo vetvetes?" Psikologët kanë njohur me kohë faktin që disa njerëz me një personalitet të caktuar janë në luftë të vazhdueshme me arritjet e tyre të mëdha dhe gjejnë mënyra të ndryshme për të dënuar veten. Gottlieb vëren se ambiciet e Terëzes për shërbesën e saj ishin të tejskajshme. Ai bashkë me Kolodiejchuk, ishin tërësisht të magjepsur pas shprehjes së saj: "Dua ta dashuroj Jezusin pasi Atë nuk e kanë dashuruar kurrë më parë". "Çfarë thënie e guximshme", komenton prifti. Megjithatë, letrat e saj më personale janë të mbushura me konflikte dhe dyshime rreth arritjeve të saj. Në vend që t'ja jepte të gjitha meritat Zotit, Gottlieb vëren se ajo vazhdonte t'i përsëriste vetes në agoni duke thënë se, "çdo meritë e marrë për arritjet e saj - edhe pse vetëm me mend - është një mëkat" dhe në këtë mënyrë, ndoshta mendonte se kishte një çmim që duhej ta paguante. Një analog ateist, thotë ai, mund të ishte një ekzekutiv i cili bën një gafë të tmerrshme sociale në momentin e ngritjes së tij në detyrë. Për Terezën, "një arst i vogël gëzimi përbënte fillim e një sasie të madhe mjerimi" dhe sukseset e saj të panumërta e bënë që ta ndjente për shumë kohë këtë mjerim.

Gottlieb gjithashtu thotë se fillimi i shërbesës e saj "mund të ketë shënuar ndryshimin radikal të marrëdhënies së saj me Jezusin", kërksat e të cilit ajo po i plotësonte me përpikmëri. Fakti që ishte pjesa aktive e besimtarëve, spekulon ai, mund ta ketë frikësuar atë dhe si përfundim, e vetmja mënyrë për të arritur gjëra të mëdha do të ishte nëse ajo përjetonte vetë vuajtjet e mëdha.

Drejt dritës së diellit

"Të lutem zhduki të gjitha letrat që të kam dërguar", drejtuar Picachy-t, prill 1959.

E vendosur në luftën e saj të vazhdueshme kundër krenarisë, Tereza kishte një arsye të caktuar për të kërkuar zhdukjen e letrave të saj. "Unë dua që puna të jetë e Tij", i shpjegonte ajo Picachy-t, "Nëse letrat do të bëheshin publike, njerëzit do të mendonin më shumë për mua se sa për Jezusin".

Tereza e konsideronte mungesën e Zotit në jetën e saj si sekretin më të trupshëm, por më pas mësoi se mund të shikohej edhe si një dhuratë që nxiste përkushtimin dhe thirrjen e saj. Nëse shqetësimet e saj rreth publikimit të këtyre letrave do të dalin se kanë qenë të gabuara dhe nëse një libër shënimesh të nxituara dhe të trazuara do të lehtësojnë rrugën shpirtërore të mijëra besimtarëve nëpër botë, atëherë nuk është aspak i turpshëm fakti që Tereza paska gabuar, madje mund të thuhet se ajo ka bërë dy gabime të mrekullueshme.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers