Dhjetë historitë më drithëruese të mbijetesës

Rastet ekstreme të njerëzve që u kthyen edhe në kanibalë për të jetuar

Historia e njerëzimit njeh shumë shembuj mbijetese. Por ata që kanë historitë më drithëruese janë alpinistët. ‘The Guardian’ ka bërë një listë të dhjetë historive më të bukura të mbijetesës, dhe shumica prej tyre i përkasin malit Everest, ndërkohë që shumë prej tyre kanë ngelur viktima të malit Everest, që është edhe maja më e lartë malore në botë. Gjendet në Azi në Himalajen lindore, në anën kineze të kufirit me Nepalin. Maja arrin lartësinë rreth 8848 metra. Pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme, prej të cilave më të rëndësishmet janë përpjekjet e britanikëve në vitet ‘20 të shekullit të 20, nga ana kineze (ana veriore), majën e malit Everestit në vitin 1953 kanë arritur që ta pushtojnë alpinisti nga Zelanda e Re, Edmund Hillary dhe alpinisti i Nepalit, Tenzing Norgay nga ana jugore e Nepalit. Një histori drithëruese është ajo e veteranëve të skuadrës uruguaiane të rregbisë, Nando Parrado dhe Roberto Canessa. Këta të dy, jo vetëm që i mbijetuan rrëzimit të avionit të tyre, në vitin 1972, në Andes (ku mbetën të vrarë 29 nga 45 pasagjerë në bord), por ata bënë një kalim epik të maleve në këmbë. Historia e mbijetesës së tyre, duke u kthyer dhe në kanibalë, u bë një nga librat më të shitur në vitin 1974 i titulluar “Gjallë: Historia e të mbijetuarve të Andeve”.
/Përgatiti: Endri Farka
1. Everest, 1996
Në vitin 1996, Jon Krakauer shkoi në Everest për të raportuar për revistën ‘Outside’ se si ekspeditat komerciale po ndryshonin malin. Por ai hasi me një tjetër histori: Në ditën që arriti majën, një numër udhëheqësish malorë dhe klientët e tyre të pasur u kapën nga një stuhi dhe 8 prej tyre vdiqën. Libri i Krakauerit “Into thin air” është një shembull i qartë që tregon se si fuqia e natyrës mund të ekspozojë injorancën dhe arrogancën e njeriut.
2. Andes, 1972
Veteranët e skuadrës uruguaiane të rregbisë, Nando Parrado dhe Roberto Canessa, jo vetëm që i mbijetuan rrëzimit të avionit të tyre, në vitin 1972, në Andes (ku mbetën të vrarë 29 nga 45 pasagjerë në bord), por ata bënë një kalim epik të maleve në këmbë. Historia e mbijetesës së tyre, duke u kthyer dhe në kanibalë, u bë një nga librat më të shitur në vitin 1974 i titulluar “Gjallë: Historia e të mbijetuarve të Andeve” (Alive: The Story of the Andes Survivor). Regjisori Frank Marshall më vonë e shndërroi atë në filmin e titulluar Gjallë (Alive) me aktor kryesor Ethan Hawke që ishte në rolin e Parrados.
3. Everest, 1924
Zbulimi i trupit të George Mallory në vitin 1999 në faqen veriore të malit bëri të mundur realizimin e një numri të madh librash dhe filmash në eksplorim të misterit se nëse ai kishte arritur në majën e Everestit në 1924, së bashku me Andrew Irvine, apo jo? Jeffrey Archer shkroi një skenar që më vonë u bë bestseller me titullin “Rruga drejt Lavdisë” (Path of Glory). Një version më i besueshëm është biografia tepër e vlerësuar e Peter dhe Leni Gillman e quajtur “Ëndrra më e egër” (The Wildest Dream). I njëjti titull u përdor nga producenti i filmave Anthony Geffen në një dokumentar-dramë.
4. Siula Grande, 1991
Pasi theu këmbën e tij në rrugën e zbritjes nga maja e Siula Grandes në Andet peruane në vitin 1991, Joe Simpson pjesën tjetër të rrugës e bëri duke u mbajtur te shoku i tij Simon Yates. Në rrezik për të humbur jetën e tij, Simon Yates preu litarin mes tyre, duke e çuar Simpson-in në atë që dukej si vdekje e sigurt. Lufta e tij treditore për jetën u bë një libër bestseller ndërkombëtar dhe fitoi çmimin si libri më i mirë jo fiksion. Ajo gjithashtu mori çmimin BAFTA (Akademia e Filmit dhe Televizionit Britanik), si dokumentari më i mirë me regjisor Kevin MacDonalad.
5. Eiger, 1936
Faqja veriore e Eigerit u bë një zonë vdekjeprurëse në vitet 1930, kur alpinistët gjermanë dhe austriakë vendosën të bëjnë ngjitjen e parë. Alpinisti gjerman, Toni Kurz, humbi nga gjurmët e shpëtuesve pas një luftë të dëshpëruar për mbijetesë dhe vdekjes së tre shokëve të tij. Tregimi i tij u përmend në librin “Merimanga e Bardhë” (The White Spider) nga Heinrich Harrer, i cili ishte në ngjitjen e parë të faqes veriore të malit në 1938.
6. K2, 1953
Në të njëjtin vit, Hillary dhe Tenzing ngjitën Everestin, një ekip i fortë amatorësh amerikanë në përpjekje për të ngjitur K2-shin, malin e dytë më të lartë në botë. Kur qenë afër majës, ata ranë në kurthin e një stuhie dhe një nga ata, Art Gilkey, u sëmur. Edhe pse Gilkey ishte në fund të jetës, alpinistët e tjerë nuk mundën ta braktisnin atë dhe u përpoqën ta ulnin poshtë. Përpjekja pothuajse i vrau ata të gjithë. Mënyra se si ata mbijetuan, përbën një ndër aventurat më të bukura malore.
7. Pamirs, 1974
Në 1974, alpinistja amerikane dhe shkencëtarja kërkimore Arlene Blum, arriti në Pamirs, dhe më pas u nis për në Bashkimin Sovjetik, si pjesë e një grupi të madh alpinistësh ndërkombëtarë. Atje, ajo takoi Elvira Shateava, kryesuesen e skuadrën sovjetike të grave për në majën e malit. Ata u zunë nga një mot i keq në majën e malit dhe Shateava së bashku me 7 shokët e saj vdiqën një nga një, duke u përpjekur për të mbijetuar. Historia e jetës së Blum “Breaking Trail” gjithashtu përçon një mesazh dhe shpjegon se si frymëzoi zbulimin më të madh shkencor.
8. Matterhorn, 1865
Në vitin 1865, pas vitesh përpjekje dhe konkurrence të ashpër, Edwar Whymper, së bashku me udhëheqësit dhe shokët e tyre u ngjitën në Matterhorn. Në rrugën e zbritjes, fillestari Douglas Hadow rrëshqiti dhe tërhoqi me vete disa të tjerë, përfshi Francis Douglas, djalin e markezit të Queensberry-t. Litari u këput, Whimper mbijetoi, por kjo humbje shokoi shoqërinë dhe Mbretëresha Viktoria po mendonte ta ndalonte sportin e alpinizmit.
9. Haramosh, 1957
Një nga alpinistët në përpjekje për të ngjitur malin K2 në vitin 1953 ishte britanik, një oficer ushtrie i quajtur Tony Streather. Katër vite më vonë, ai u kthye në Pakistan duke udhëhequr një grup prej tre studentësh nga Universiteti Oksfordit drejt majës së ulët, por të vështirë të malit Haramosh. Ajo ishte një sprovë e vështirë për ta, por në kohën që po dorëzoheshin, një ortek goditi alpinistët. Ajo që ndodhi më tej ishte një histori tronditëse vendosmërie dhe vetësakrifice që e kthehu këtë histori në libër (The Last Blue Mountain nga Ralph Barker).
10. K2, 2008
Në 2008-n, 11 alpinistë vdiqën në një hapësirë prej 24 orësh afër majës së malit K2. Alpinistët, si Reinhold Messner u ankuan se presionet komerciale po e prishnin malin K2, ashtu siç kishin bërë me Everestin. Por e vërteta ishte më e komplikuar se kaq. Dy libra shumë të lexuar dolën nga kjo tragjedi: “Pa rrugë kthimi” (No way down) nga gazetari i ‘New York Times’, Graham Bowley; dhe libri tjetër që të fut në mendime “Një mal, njëmijë maja” (One Mountain, Thousand Summits) nga shkrimtari dhe alpinisti Freddie Wilkinson, ku flet për përpjekjen heroike të Pasang Bhote për të shpëtuar të tjerët duke u vetësakrifikuar.

Google+ Followers