9 ide të gabuara, prej të cilave duhet të heqim dorë


A nuk mundemi ne të heqim dorë një herë e mirë këto ide? Ndoshta jo, sepse ne preferojmë të imagjinojmë, sic thotë mallkimi i vjetër, që “jetojmë në kohëra interesante”. Sa për studiuesit dhe profetët, të gjithë e dimë që askush nuk ka marrë ndonjëherë ndonjë ftesë për në Davos apo ndonjë marrëveshje gjashtëshifrore për të shkruajtur një libër duke argumentuar se bota, në vitin 2050, sipas të gjithë gjasave do të jetë pak a shumë si bota sot
MICHAEL LIND
Përse përsëriten në mënyrë të pafundme idetë e gabuara në politikën e jashtme? Qoftë në formën e parashikimeve alarmistë që nuk vërtetohen asnjëherë, qoftë në klishetë bajate që riciklohen në mënyrë konstante pavarësisht se si janë diskredituar, apokalipsi – ose më mirë utopia – gjithmonë duket se janë prapa qoshes.
A nuk mundemi ne të heqim dorë një herë e mirë këto ide? Ndoshta jo, sepse ne preferojmë të imagjinojmë, sic thotë mallkimi i vjetër, që “jetojmë në kohëra interesante”. Sa për studiuesit dhe profetët, të gjithë e dimë që askush nuk ka marrë ndonëjherë ndonjë ftesë për në Davos apo ndonjë marrëveshje gjashtëshifrore për të shkruajtur një libër duke argumentuar se bota, në vitin 2050, sipas të gjithë gjasave do të jetë pak a shumë si bota sot. Kështu, në një frymë zemërimi të përmbajtur, ja cila është lista e parashikimeve më xhindosës, ideve të gabuara shumëvjecare, dhe propozimeve të destinuar për dështim që duket se nuk zhduken asnjëherë, që nga apokalipsi bërthamor, deri tek gripi i shpendëve.
1. Një bombë atomike do të shpërthejë në një qytet të SHBA brenda 10 viteve
Tom Clancy e parashikoi pikërisht këtë skenar në librin e tij të vitit 1991 “The sum of all fears” – dhe ky mbetet një diskutim publik i përjetshëm. Në librin e tij të vitit 2004 “Terrorizmi bërthamor”, profesori i Universitetit të Harvardit Graham Allison deklaroi se ka të paktën 50 përqind gjasa që një bombë bërthamore të shpërthejë në një qytet amerikan brenda dekadës së ardhshme. Në vitin 2006, kolegu i tij Matthew Bunn krijoi një model matematikor që parashikonte një mundësi 29 përqind për një sulm bërthamor në 10 vitet e ardhshëm. Shumë here brenda cdo muaji, Allison dhe Bunn përmenden ende publikisht si ekspertë që paralajmërojnë nga ky rrrezik sipas tyre i afert.
Fakti që ende nuk ka ndodhur sigurisht që nuk i ka ndalur zyrtarët e sigurisë në SHBA si dhe udhëheqësit politikë që të mbështeten tek precizioni i ofruar, nga mundësitë dhe përqindjet për një holokaust bërthamor. Frikëra të tilla janë lehtësisht të manipulueshme për qëllime politike – shihni për shembull faktin që administrata Bush nxirrte “tymin e armës në formën e një reje kërpudhë” për të justifikuar pushtimin e Irakut – dhe tashmë në këtë grup është futur edhe presidenti Obama, i cili e quan terrorizmin bërthamor rrezikun më të madh që hasin Shtetet e Bashkuara sot. Atëherë? Nuk ka asnjë dyshim që agjencitë e sigurisë në SHBA duhet të jenë vigjilente. Por Zonja e parë Michelle Obama e ka quajtur gjithashtu obezitetin në fëmijëri një rrezik për sigurinë kombëtare. Tani, nëse adoleshentë të shëndoshë do të shtinin në dorë armë bërthamorë, atëherë kjo do të ishte vërtetë “the sum of all fears”.
2. Bota duhet të përshtatet me shpejtësi me fundin e lëndëve djegëse
Ky parashikim fals është hedhur në qarkullim të paktën që në vitin 1865, kur ekonomisti britanik William Stanley Jevons botoi “Çështja e qymyrit: Një hetim që i përket progresit të kombit”. Eshtë e vërtetë që qymyri britanik ka ardhur vërtetë duke rënë në sasi, por një shekull e gjysmë më vonë ka ende qymyr të pashfrytëzuar në botë që mund të përdoret për qindra vitet e ardhshëm. Data e pikut të naftës, ose pika ku më shumë se gjysma e furnizimit me naftë të botës do të jetë harxhuar dhe pas kësaj do të nisë një rënie e gjatë, është shtyrë vazhdimisht për të ardhmen për shkak edhe të teknologjive të reja. Për shembull, falë mënyrave të reja për të nxjerrë lëndë djegëse nga burime që më parë kanë qenë të paarritshëm apo të pashfrytëzueshëm, gazi natyror do të jetë shumë shpejt i disponueshëm në sasi shumë më të mëdha nga sa cdokush ka imagjinuar deri disa vite më parë.
Eshtë një gjë që bosi i reformuar i naftës T. Boone Pickens apo ish drejtori  i CIA, R. James Woolsey të argumentojnë se shoqëritë industriale duhet t’i japin fund varësisë së tyre nga lëndët djegëse me qëllim që të reduktojnë varësinë nga shtetet naftëprodhues armiqësorë, apo luftuar ngrohjen globale. Por është gjë krejt tjetër që të pretendosh se një ndryshim kaq i madh është i domosdoshëm për arsye se po na mbarojnë.
3. Europianët janë pacifistë
Libri i Robert Kagan i vitit 2003 “Parajsa dhe pushteti” kristalizoi këtë klishe: amerikanët janë nga Marsi, europianët janë nga Venusi. Në shkurt të vitit 2010, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Robert Gates e ngriti pakëz volumin: “Demilitarizimi i Europës… është shndërruar nga një bekim në shekullin e njëzetë, në një pengesë për të arritur sigurinë reale dhe paqen jetëgjatë në shekullin e njëzetenjëtë”.
Megjithatë, shpenzimet për mbrojtjen e fuqive të mëdha europiane vështirë se provojne që ata janë pëllumba. Si përqindje e GDP, buxhetet ushtarakë të Europës kanë qenë pak a shumë njësoj me ata të shteteve BRIC që supozohet të jenë fuqitë e mëdha të së ardhmes. Ajo që i lodh vërtetë amerikanët që kritikojnë pacifizmin e Europës ka qenë kundërshtia ndaj luftës në Irak, apo refuzimi për t’u angazhuar edhe më shumë në luftën në Afganistan. Në të vërtetë, europianët nuk janë pacifistë; ata thjeshtë kanë refuzuar ftesën për të luajtur rolin e Robinit ndërkohë që Amerika është Batmani global. Shtetet europianë thjeshtë shpenzojnë aq sa është mjaftueshëm për të mbrojtur vetveten – kundër rreziqeve realë.
4. Pyjet tropikalë do të zhduken
Eshtë një tjetër rast ekzagjerimi për mbrojtje të një kauze të mirë. Mbani mend vitet nëntëdhjetë, kur u duk se pyjet e Amazonës nuk e kishin dhe shumë të gjatë në këtë botë – dhe që njerëzimi ishte i rrezikuar teksa nivelet e oksigjenit në atmosferë do të binin? Thomas Lovejoy i “The World Wildlife Fund”, në vitin 1980 parashikoi 50 përqind shpyllëzim në Amerikën Latine deri në vitin 2000. Dhe Al Gore, tek “Earth in Balance” deklaroi se pyjet tropikalë “janë duke u zhdukur nga faqja e tokës me një shpejtësi një akër e gjysmë në sekondë, ditë dhe natë, cdo ditë, gjatë gjithë vitit”.
Por, sic shkruhej tek The New York times në vitin 2009 “pyje të rinj dytësorë janë duke u rritur në Amerikën Latine, Azinë dhe rajone të tjerë tropikalë me një shpejtësi të tillë, saqë kjo tendencë ka bërë të shuhet një debat nëse duhet të ruhen pyjet tropikalë – një kauzë ikonë e ambientalistëve”. Për cdo akër pylli tropikal që pritet cdo vit, më shumë se 50 akra janë duke u rritur në toka tropikale më parë djerrë, sipas një vlerësimi. Ndërkohë, falë teknologjsë së avancuar bujqësore që lejon të rritet më shumë ushqim në sipërfaqe më të vogla, shtete të Hemisferës Veriore si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe shtetet e Europës po rigjelbërohen me shpejtësi, teksa ish toka bujqësore kthehen në pyje.
5. Epidemia e ardhshme globale
Nuk ka asgjë më të mirë se sa një epidemi për të sjellë furinë e gazetarëve dhe komentatorëve. Ndonëse rreziku i epidemisë globale është real, ai është shpesh herë shumë i ekzagjeruar. Në vitet e fundit, bota ka përjetuar shumë epidemi, gripin e shpendëve, gripin e derrave. Të dy as nuk iu afruan vizionit apokaliptik për një Vdekje të Zezë që do të kishte një normë shumë të lartë vdekshmërie tek të prekurit. Nga një popullsi globale prej më shumë se 6 miliardë njerrëzish, mendohet që 8768 të kenë vdekur nga gripi i derrave, 306 nga gripi i shpendëve.
Dhe megjithatë nuk ishte vetëm BBC që na jepte paralajmërimin ogurzi duke na informuar se “gripi vdekjeprurës i shpendëve… nuk mund të përmbahet”. Ashtu si paralajmërimet për përhapjen e armëve bërthamore, e mira që i është bërë njerëzve duke adresuar problemin duhet të peshohet kundrejt rrezikut të lodhjes apokaliptike nga ana e një publiku që i nënshtrohet frikërave të shumta.
6. Amerika po humbet garën e trenave të shpejtësisë së lartë
Të paktën gara hapësinore kishte një arsyetim logjik ushtarak. Nëse ka ndonjë dyshim që kjo është një ide që i ka ikur koha një herë e mirë, atëherë nuk ka nevojë të shohim më tej se sa vendimi i Obamas për të hequr pluhurin mbi hartat e hekurudhave të shpejtësisë së lartë të Jimmy Carterit. Justifikimi? Japonia, “shteti që zbuloi të parin sistem të trenave të shpejtësisë së lartë po punon tashmë për të ndërtuar të ardhshmin”. Por një brez i ri trenash të shpejtë që lidh Tokion me Osakën nuk ka bërë asgjë për të ndihmuar ekonominë japoneze që të rimëkëmbet nga një dekadë e humbur – dhe nuk do të shpëtojë as ekonominë amerikane.
Jo vetëm që SHBA kanë tashmë hekurudha të cilësisë shumë të lartë, por ajo udhëheq botën në transportin hekurudhor të mallrave, që me 265 miliardë dollarë në vit është shumë më i rëndësishëm për ekonominë se sa hedhja e qindra milionë dollarëve për ndërtimin e trenave të shpejtësisë së lartë. Fatkeqësisht, trenat e mallrave dhe projekte të tjerë më racionalë, si përmirësimi i rrugëve ujore brenda vendit, autostradat vetëm për kamionë dhe rrugët e kompjuterizuara, thjeshtë nuk e mbërthejnë imagjinatën. Dhe tani që konservatorët kanë mësuar se mund të zemërojnë progresistët duke premtuar që do të anulojnë projektet e hekurudhave të shpejtësisë së lartë, supertrenat amerikanë mund të përfundojnë sic janë sot: mënyra e të ardhmes për transportin.
7. Ndryshimi i klimës do të shkaktojë migrime në masë
Shtojini dhe këtë listës së skenarëve modernë apokaliptikë: miliona e miliona refugjatë që vërshojnë nëpër kufij të ndjekur nga rritja e nivelit të deteve, apo e sipërfaqes së shkretëtirave. Fondacioni i Drejtësisë Mjedisore parashikon që 150 milionë njerëz mund të humbasin shtëpitë, si rezultat i ngrohjes globale deri në vitin 2050. Dhe OJF Christian Aid parashikon që “1 miliardë vetë do të detyrohen që të largohen nga shtëpitë nga sot e deri në 2050″.
Prisni pak. Sipas të njëjtit burim, nga këta 1 miliardë, 250 milionë – shumica e të cilëve do të qëndrojnë në vendet e tyre – mund të “zhvendosen përjetësisht nga fenomene që lidhen me ndryshimin e kimës si përmbytjet, thatësirat, zitë e bukës dhe uraganët” dhe 645 milionë “nga projekte zhvillimi si diga dhe miniera”. Dhe kjo nuk do të ndodhë brenda 40 ditëve dhe netëve; qeveritë kanë 40 vite kohë për t’u përshtatur. Me fjalë të tjera, nuk është ai vërshim refugjatësh pa shtëpi që parashikojnë sensacionalistët.
8. Uji mund të sjellë paqe në Lindjen e Mesme
Quajeni zgjidhja me dy shtete dhe një lumë. Ideja që projektet e ndarjes së ujit mund të reduktojnë tensionet mes fqinjëve armiqësorë ka një histori të gjatë, ndonëse jo shumë inkurajuese. Gjatë luftës së Vietnamit, presidenti i SHBA Lyndon Johnson sugjeroi që Vietnami Verior dhe ai Jugor duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të bashkëpunojnë për të sjellë energji elektrike hidro në deltën e Lumit Mekong. Propozimi ra në veshë të shurdhët sic ka ndodhur në mënyrë të përsëritur me idenë që në një farë mënyre, ndarja e ujit mund të sjellë paqe në Lindjen e Mesme. Në vitet nëntëdhjetë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Boutros Boutros Ghali paralajmëroi në mënyrë të përsëritur se lufta e ardhshme në Lindjen e Mesme do të bëhej për ujë dhe jo për politikë.
Gabohej. Dhe ndonëse UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë marrë pishtarin, mbajtja e konferencave të tilla si “Uji: Një katalizator për paqen” konfliktet kryesorë mbeten, si gjithmonë, për territore, demografi, ideologji dhe pushtet. Marrëveshjet e ndarjes së ujit janë pasojë e paqes dhe jo shkak i saj.
9. Shteti komb ka vdekur
Në vitet nëntëdhjetë, guru të tillë si Kenichi Ohmae i Japonisë parashikonin që shteti komb do të zëvendësohej nga sisteme rajonalë mbishtetërorë si Bashkimi Europian. Epo, Bashkimi Europian nuk po duket dhe aq tërheqës sot. Sot, është qyteti shtet që po përshëndetet si pasardhës i shtetit komb. “Shekulli i 21 nuk do të dominohet nga Amerika apo Kina, Brazili apo India, por nga qyteti”, shkruante kohët e fundit Parag Khama. Ose, sic parashikonte John Perry Barlow i Fondacionit të Kufijve elektronikë: “Ne po kthehemi tek qyteti-shtet”. Nuk ndodh shpesh që një analist i njohur i politikës së jashtme dhe një ish këngëtar lirik të ben dakord, kështu që do të ketë dicka të vërtetë kjo ide.
Ose ndoshta jo. Kur al Kaeda sulmoi Nju Jorkun, a e pushtoi NYPD Afganistanin? Dhe kush i shpëtoi bankat e Londrës kur atyre iu kanos kolapsi në vitin 2008? Herë pas here, kur kompanitë globale financiare kanë rrezikuar, shtete kombe të modës së vjetër kanë rendur t’i shpëtojnë. Sic do të bëjnë sërish kur apokalipsi më në fund të godasë.

Google+ Followers