DEMET E PARANOJES / Përse u besojmë kaq shumë komploteve


A ndodh gjithcka “prapa kuintave”? A ka një grup komplotuesish të fshehtë që vënë në lëvizje historinë? Sigurisht që jo, por na thuhet që ta besojmë. Rreziku i vërtetë është brenda nesh, dhe quhet paranojë. Gjithcka nisi në shekullin e Iluminimit…
Në 12 janar 2011, të nesërmen e tragjedisë së Tucson (5 të vdekur dhe 12 të plagosur, mes të cilëve disa anëtarë të Partisë Demokratike) shqetësimi kryesor i presidentit të SHBA, Barack Obama nuk ishte identifikimi i përgjegjësve, por mposhtja e një rreziku në sytë e tij më të madh, që brenda pak ditëve kish bërë të rritej me 300 përqind shitja e armëve  për mbrojtjen personale, e që prej dekadash helmon klimën politike dhe sociale në vendin e tij: teoria e komplotit.
Sipas Harold Meyerson, gazetar i Washington Post, Shtetet e Bashkuara janë bërë “tokë e paranojës”. Që në vitin 1964 historiani Richard Hofstadter, në një libër të famshëm thoshte se komplotizmi ka karakterizuar historinë e Shteteve të Bashkuara që në kohët e luftës së pavarësisë. Një qasje që u rëndua pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001: që atëherë, teoritë që denoncojnë qeverinë apo që përmendin strategji okulte në kontrast me versionin zyrtar, janë shumëfishuar. Po cfarë e nxit paranojën?
Paranoja është një fenomen që i përket prej kohësh mendjes njerëzore. Në psikiatri konsiderohet një sëmundje e identitetit: një person thellësisht i destabilizuar përshtat shpesh herë një mekanizëm ekstrem mbrojtjeje, duke projektuar jashtë vetvetes trazirat e veta të brendshme, duke shpikur një armik që nuk ekziston dhe duke imagjinuar një univers armiqësor. “Simptoma kryesore është sindroma e persekutimit”, shpjegon historiani Marco Revelli, docent i shkencave politike në Universitetin e Piemontit Lindor dhe kurator i Paranoja dhe politika. “Paranojaku sheh kudo komplote, ndihet i kontrolluar nga jashtë, zhvillon një delir logjikisht koherent, por tërësisht irreal”. Dhe karakteristika tjetër është që përjashton cdo rastësi: cdo gjë që ndodh ka një domethënie precize, që duhet deshifruar. “Në paranojë nuk ka ambivalencë, por një ndarje me thikë mes të mirës dhe të keqes, si dhe keqdashësia e tjetrit”, sqaron psikanalisti Massimo Recalcati. “Dallimi mes të mriës dhe të keqes rezulton pa ndërmjetësime”.
Por nëse paranoja si mbrojtje personale ka qenë gjithmonë, tendenca kolektive që perceptohen komplote botërorë nga ana e fuqive të fshehta është një fenomen më i vonë. Dhe është paradoksale që momenti kur paranoja u ndërfut në skenarin politik, koincidon me atë lëvizje që futi arsyen tek njerëzimi: epoka e Iluminimit.
“Momenti vendimtar, ai në të cilin komplotizmi u bë eksplicit, i vetëdijshëm aq sa të përdorej për veprime politike ishte revolucioni francez”, shpjegon Giorgio Barberis, studiues i politikave historike në Universitetin e Piemontes “pra kur varfëria dhe një pabarazi sociale tashmë e padurueshme bënë që masat e zemëruara të provokonin rënien e “ancien regime”, duke përmbysur kështu rendin. Reforma protestante kishte hedhur tashmë dyshime mbi pagabueshmërinë e Kishës Katolike. Më pas, Iluminizmi kishte ngritur në qiell individin dhe racionalitetin e tij. Dhe në fund revolucioni kishte përhapur ide të padëgjuara më parë. Pak si shumë. E papërballueshme dhe thellësisht destabilizuese për të gjithë palët në kauzë.
“Praktikisht, të gjithë figurat parësore të revolucionit janë akuzuar dhe dyshuar si pjesëmarrës në një komplot”, thotë Barberis. “Revolucionarët justifikonin cdo akt të tyrin me frikën e rrezikut nga një komplot aristokratik kundër të resë: Maksimilian Robespieri gjatë regjimit të terrorit, arriti që të ndëshkojë në gijotinë mijëra “të dyshuar”, për të përfunduar më pas vetë me kokë të prerë në 1794. Nga ana e tyre, kundër-revolucionarët nuk hezituan që të thërrasin për justifikim forca të fshehta, që sipas tyre prej kohësh kishin kryer veprime komplotues, që nga iluministët antikristianë deri tek sekti misterioz i masonëve.  Teoritë e komplotit shërbenin për të vënë rregull.
Në vitin 800 ky mekanizëm paranojak u konsolidua, por në të njëjtën kohë gjeti një justifikim tek realiteti: përpara represionit të cdo tipi revolucionar, që nga Kongresi i Vienës dhe Restaurimi (1815), të sulmuarve nuk u mbetej vecse të organizoheshin në shoqëri të fshehta si karboneria apo masoneria. Gjë që, është e kuptueshme, e bënte më të vështirë dallimin mes komploteve të vërtetë dhe atyre imagjinarë.
Por në 900 komplotizmi hyri në lojë si element parësor i historisë, duke u shndërruar në një sistem të menduari, i favorizuar vec të tjerash prej nga frikërat e ushqyera prej luftërave. “Spastrimet stalinianë në BRSS në vitet tridhjetë dhe shfarosja e hebrenjve në Gjermani e patën origjinën edhe në mentalitetin komplotist”, nënvizon Barberis. Teoria e komplotit u bë doktrinë në Gjermani dhe BRSS, me propagandën që i ushqente dhe policinë që i shfrytëzonte. Përmes Mein Kampf dhe një serie fjalimesh publikë, Hitleri futi tek populli gjerman perceptimin që ishte persekutuar dhe poshtëruar nga grupet e fuqishëm ekonomikë hebrenj, që vepronin prapa kuintave.
Për ta bërë të vlefshme tezën e tij, atij i shërbeu edhe një libret antisemit, “Protokollet e pleqve të Sionit”, një falsitet i prodhuar në fillim të 1900 nga Okhrana, policia e fshehtë e Carit. Aty përshkruhet një komplot hebraiko-masonik që projektonte dominimin e botës përmes kontrollit të medias dhe financës, përhapjes së ideve liberale dhe përmbysjes së moralit. E përditshmja londineze, Times demonstroi që në 1921 se bëhej fjalë për dicka false dhe në pjesën më të madhe një plagjaturë shkrimesh satire politike, që nuk kishin aspak të bënin me hebrenjtë (kundërshtari i tekstit ishin jezuitët). Por ajo hipotezë tingëllonte aq bindëse, saqë Protokollët u morën menjëherë si dicka e mirëqenë.
Pas rënies së totalitarizmave të mëdhenj në 1945, komplotizmi u duk se u la në skajet e çështjeve botërore. Por teoritë e konspriacionit janë gjithmonë të gatshme të rikthehen: ndodh sa herë që rendi i vendosur hidhet në erë. Sic ndodhi në rastin më të fundit, kur, para syve të gjithë botës, ato që u hodhën në erë ishin Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, simbol i supremacisë amerikane. Dhe skena u përsërit: edhe një herë u thirr në kauzë masoneria, me të njëjtin komplot hebraik.

E vërtetë apo false?

Po si mund të dallohen komplotet imagjinarë nga komplotet e vërtetë? “Një teori komploti bazohet në tre parime”, shpjegon Revelli. “Atribuimi i ngjarjeve një qëllimi të caktuar njerëzor; dallimi i ngurtë mes forcave të së mirës dhe të keqes; besimi tek një realitet okult dhe i nëndheshëm”.
Teoritë e komplotit kanë një mënyrë të vecantë për t’u ndërfutur në mentalitetin e njerëzve, deri sa bëhen një mënyrë për të interpretuar realitetin që mbërthen praktikisht gjithcka. Janë në fakt teori të besueshme. Por janë edhe skematike dhe koherente, si drama e një romani të verdhë: pra pasqyrojnë më shumë mendjen njerëzore (racionale dhe lineare) se sa realitetin (shpesh herë rastësor dhe jokoherent). Dhe ndodh që në teoritë e komplotit, rastësia nuk luan asnjë rol: gjithcka ndpodh për shkak të një vullneti preciz e të fshehur që kontrollon cdo ngjarje të vetme.
“Ja përse këto teori godasin imagjinatën kolektive: bëjnë dukshëm, të qartë – duke dhënë një shpjegim – atë që në pamje të parë duket e pamendueshme, duke nxitur ndjenja kundër një armiku të përbashkët. Dhe në fakt janë një instrument i përsosur për ndërtimin e konsensusit”, shpjegon Barberis. Forca e argumentit shkencor dhe thjeshtësia e argumentimit janë garanci për suksesin e një teorie komploti. Janë një tentativë për të rrëfyer në mënyrë lineare ecurinë e historisë. Sic thoshte Pasolini: “Komploti na cliron nga e gjithë pesha për t’u përballur me realitetin”.
Problemi është që ideja paranojake e një komploti të madh planetar na bën të shkëpusim vëmendjen nga mikrokomplotet e shumtë, por realë, që ndodhin. Komplotet e mëdhenj dhe grushtet që kanë përfunduar në librat e historisë kanë qenë fryte të luftës për pushtet. Aksione të grupeve të vegjël, limitet e të cilëve janë të njëjtë si ata të të gjithë veprimtarive njerëzore. Dhe sado që të veprojë në hije, është e vështirë që një grup i madh njerëzish të cojë deri në fund planet e vet, pa u zbuluar.
Pra, kush sheh komplote botërore, rrezikon të humbasë nga pamja dramat e vërteta të fshehura, që zakonisht janë lokale. Dhe komplotistët përfundojnë duke bërë lojën e atyre që duan të fshehin të vërtetën. Jo vetëm. Nëse për një kohë të shkurtër teoritë e komplotit i japin siguri mendjes tonë, në terma afatgjatë ato janë të rrezikshme. Në fakt, ato përfundojnë duke ushqyer frikëra të pakontrolluara, që rrezikojnë të degjenerojnë në konflikte socialë dhe dhunë më se reale. Rreziku i vërtetë është brenda nesh, dhe quhet paranojë.
Focus Italia/bota.al

Google+ Followers