10 perandoritë që ndërtuan qytetërimin modern


Pavarësisht të gjithë të metave të tyre – dhe të gjithë perandoritë janë fajtore për disa prej mizorive më të mëdha bashkë me arritjet e tyre – në momentet e tyre më të mirë, perandoritë ofruan sigurinë financiare dhe fizike që u lejoi qytetarëve të tyre të gëzojnë më shumë pasuri, si dhe lulëzimin e fushave të artit dhe shkencës. Ja një vështrim i dhjetë perandorive që ndryshuan botën, superfuqitë e kohës së tyre
Fjala “perandori” mund të ketë ndonjëherë konotacione negativë, duke të sjellë në mendje ide të pushtimeve, kolonializmit dhe shtypjes. Por nga një tjetër perspektivë, perandoritë mund të shihen si motorrët që kanë sjellë qytetërimin modern. Që në agimet e racës njerëzore, njerëzit shihnin përtej territorit të tyre dhe pushtonin fqinjët. Dhe teksa teknologjia dhe logjistika ushtarake përparonin, nisën të shfaqen perandoritë. Jo më thjeshtë një koleksion fshatrash lokalë dhe fushash, në shekullin e gjashtë p.e.s. perandoritë mund të përfshinin hapësira të mëdha toke.
Popullsitë e tyre në rritje do të thonin që ushtritë në dispozicion mund të ishin më të mëdha (duke e bërë luftën e radhës më të lehtë për t’u fituar), ndërkohë që rritja e të ardhurave nga bujqësia dhe taksat financonin mbajtjen e këtyre ushtrive. Pavarësisht të gjithë të metave të tyre, dhe të gjithë perandoritë janë fajtore për disa prej mizorive më të mëdha bashkë me arritjet e tyre – në momentet e tyre më të mirë, perandoritë ofruan sigurinë financiare dhe fizike që u lejoi qytetarëve të tyre të gëzojnë më shumë pasuri, si dhe lulëzimin e fushave të artit dhe shkencës. Ja një vështrim i dhjetë perandorive që ndryshuan botën – superfuqitë e kohës së tyre. Cila është në krye?

10. Perandoria e Madhe Qing
1644-1912

Me pothuajse 300 vite supremacie të pandërprerë në emrin e vet, Dinastia Qing ishte e fundit e dinastive perandorake të Kinës, e cila u zëvendësua prej Republikës së Kinës në fillim të shekullit 20. Fillimisht e krijuar nga një grup social rebelësh të varfër të quajtur Jurchen dhe jo prej aristokracisë kineze e Han apo shumicës demografike, me marrjen e pushtetit Dinastia Qing ruajti shumë prej strukturave politike dhe civile të krijuara nga paraardhësit e tyre, ndërkohë që theksi u vu në supremacinë e identitetit të tyre social, që u zhvillua nën udhëheqjen e udhëheqësit tribal Nurhaci, dhe që u bë e njohur si Manchu. Më vonë, një prej pasardhësve të tij – regjenti Dorgon – futi ligjet për veshjen dhe prerjen e flokëve, të projektuar për të shtypur njerëzit që sundonte, gjë që, prej asaj kohe, ka influencuar pikëpamjen stereotipe të zakoneve dhe kulturës kineze. Tensionet e gjatë mes Hanëve dhe Manchuve kanë patur ndikim të madh në konfliktet aziatikë të Luftës së Dytë Botërore, teksa të dy palët luftuan në beteja, vijat e të cilave ishin hequr shekuj më parë.

Perandoria Akamenide
550-330 p.e.s.

Në kulmin e saj, Perandoria Akamenide (ose Perandoria e parë Perse) ishte më e madhja që bota kish parë deri në atë kohë. Themeluar nga Kiri i Madh, ajo nisi në Gjirin Persik, në tokat e pasura mes Eufratit dhe Tigrit (Iraku i sotëm), përfshiu pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe shtrihej nga Trakia në Bullgari, e deri në Afganistan, Pakistan dhe Indinë veriperëndimore. Sundimtari i dytë i saj, Kambisi II pushtoi Egjiptin, që ishte margaritari në kurorën e perandorisë, ndonëse vetë oborrtarët e tradhëtuan sundimtarin e fundit, Darin III, dhe ai e humbi perandorinë, kur atë e fitoi Aleksandri i Madh. Herodoti (që shumëkush thotë se ka qenë historiani i parë) ka shkruar për ngjitjen dhe rënien e saj në një pjesë kyce të “Histori”-ve. Ndërkohë që territori dhe forca e saj ushtarake janë më të vogla se disa perandori të tjera që përmendim sot, Perandoria Akamenide i dha qytetërimit një trashëgimi të tërë risish praktike, nga ato që të ndryshojnë jetën: ajo kishte një sistem postar, një rrjet rrugor që mirëmbahej nga shteti, si dhe një gjuhë zyrtare për të ndihmuar qytetarët e vet, që të komunikonin mes tyre. Persët shpikën gjithashtu një veshje që sot përdoret nga miliona njerëz në të gjithë globin: pantallonat.

08. Perandoria Bizantine
330-1453

Nga datat duket se Perandoria Bizantine ka zgjatur më shumë se një mijë vite, por në fakt manovrimet politikë, ndryshimet në lidership dhe luftërat bënë që aty-këtu t’i shpëtojnë disa shekuj. Kryeqyteti i saj, Bizanti (sot Stambolli në Turqinë e sotme) ka qenë fillimisht një qytet periferik romak, përpara se të bëhej për pak kohë kryeqytet i vetë Perandorisë Romake dhe të ndryshonte emrin në Kostandinopojë, sipas emrit të Perandorit Konstantin.
Me ndarjen e perandorisë romake në 285, Perandoria Bizantine vazhdoi e vetme. Perandori Justiniani I rimori shumë prej tokave që Bizanti kishte humbur pas ndarjes së Romës, përpara se të vazhdonte me territore të Persisë, zona të Afrikës veriore dhe vetë Italinë. Qëllimi i tij ishte të rikthente lavdinë e humbur të Romës, por Bizanti po zhvillohej si një kulturë më vete, dhe Justiniani ishte në fakt perandori i fundit që fliste latinisht si gjuhë e parë; sundimtarët e mëvonshëm do të flisnin greqisht. Nën sundimtarët maqedonas në shekullin e dhjetë, Perandori Bazil II zgjeroi shtrirjen e Perandorisë Bizantine nga Rusia në veri, deri në Italinë jugore, dhe nga Izraeli i sotëm në lindje, deri në Gjermani në perëndim – megjithatë, kjo epokë e artë ishte e fundit, përpara se perandoria të binte në 1453.

07. Perandoria Osmane
1299-1922

Njerëzit që shembën perandorinë bizantine ishin otomanët, dhe kjo perandori ia kaloi paraardhëses së saj, si në territor, ashtu edhe në jetëgjatësi. Themeluar nga Osmani II në Anadoll (Turqia e sotme), pushtimi i Kostandinopojës nga Mehmeti II transformoi osmanët nga zengjinë të rinj, në perandorakë. E shtrirë përgjatë gjerësisë së basenit të Mesdheut, nga Algjeri në Bagdad dhe nga Budapesti në Gjirin Arab, perandoria osmane zgjati nga epoka e Mesjetës deri në shekullin 20 – dhe e gjithë kjo erdhi falë vendndodhjes strategjike të kryeqendrës së saj. Kjo e vendoste në një pikë shumë të rëndësishme mes Europës dhe Lindjes, duke i lejuar perandorisë të marrë territore dhe të përfitojë prej tregtisë nga të dy anët. Sundimtari i saj më jetëgjatë dhe më i pushtetshëm mbahet mend me emrin Sulejmani i Madhërishëm, falë pasurisë, kulturës, traditës politike dhe paqes që solli sundimi i tij për perandorinë.

06. Perandoria Ruse

Ndonëse otomanët e thyen Perandorinë bizantine, ata nuk thyen shpirtin e saj – një pjesë e kulturës dhe traditave të saj vazhdoi të jetë e pranishme në Rusi. I eksportuar në Kievan Rus rreth shekullit të dhjetë, arti bizantin dhe krishtërimi i saj ortodoks hodhi rrënjë dhe u rrit në forma të reja, duke e patur kulmin tek shtrirja e perandorisë ruse. Një monarki absolute – që do të thotë se perandori kishte fuqi politike totale – ajo u themelua nga Pjetri i Madh (si reagim ndaj rrëmbimeve të territoreve prej otomanëve) dhe u konsolidua nën sundimin e Ivanit III. Territori i saj përfshinte pjesë të mëdha të Europës, Azisë dhe madje pjesë të Amerikës Veriore, nga Arktiku në Paqësor. Nxitur prej fruteve të një prej territoreve imperiale më të mëdhenj që ka parë bota, kultura e konsumit të spikatur që kishte oborri ishte dhe shkaku i rënies. I detyruar ta shndërrojë në një monarki kushtetuese më pak të fuqishme në 1905, cari i fundit, Nikolla II u desh të heqë dorë nga froni, përpara se të ekzekutohej bashkë me familjen e tij gjatë revolucionit bolshevik.

05. Perandoroia maqedonase
Shekulli i nëntë – 146 p.e.s

Ndërkohë që disa perandori ndërtohen vetëm mbi hapësira toke, disa të tjera bëhen bashkë vetëm falë forcës së vullnetit. Maqedonia ishte një mbretëri e vogël në skajet e Greqisë dhe ajo konsiderohej e prapambetur dhe rurale. Por nën një ekip sundimtarësh babë e bir, ajo do të rritej dhe bëhej shteti më i fuqishëm i kohës së vet, duke dominuar botën e lashtë, me shtrirje nga Egjipti në Indi. Filipi II mori fronin e Maqedonisë në vitin 349 p.e.s. Ai fillimisht kish ndërmend të shërbente si regjent për nipin e tij, por e mori fronin për vete dhe nisi të zgjerojë territoret e Maqedonisë. Pas vrasjes së Filipit në 336 p.e.s., djali i tij Aleksandri u bë mbret dhe bashkë me mbretërimin e tij erdhi dhe bashkimi ushtarak i shteteve grekë, një fushatë 10 vjecare që theu perandorinë perse dhe u zgjerua në Mesdhe e deri në Indi, si dhe pushtoi Egjiptin. Aleksandri i Madh ishte një prej komandantëve ushtarakë më brilantë të historoisë dhe ai ishte motorri që coi përpara perandorinë maqedone. Pas vdekjes së tij në 323 p.e.s. në moshën 33 vjec, makineria ushtarake që vihej në lëvizje kryesisht prej karizmës së Aleksandrit u shpërbë. Pa një trashëgimtar, perandoria shumë shpejt i shkoi pas, ndonëse Antigoni III rivendosi një pjesë të territorit të saj.

04. Perandoria mongole
721-1917

Mund të ketë qenë relativisht jetëshkurtër, por perandoria mongole arriti të bëjë shumë gjëra. E pazakontë për një perandori, ajo u themelua jo gjatë një rrëmbimi territoresh për hapësirë për të jetuar, por nga një popull nomad. Pavarësisht kësaj, ajo u bë perandoria më e madhe me territore të njëpasnjëshëm, që ka parë ndonjëherë bota. Përfshinte të gjithë Mongolinë dhe Kinën e sotme, duke u shtrirë nga Deti i Japonisë deri në hapësirat e Rusisë dhe Europës lindore. Ndërkohë, një paqe e imponuar mes shteteve rriti tregtinë dhe, për herë të parë i bëri mallrat arabë të disponueshëm në tregjet perëndimorë dhe e anasjellta, duke e bërë perandorinë mongole një shembull të globalizimit në një shkallë vërtetë të madhe. Me pushtimin e Kinës, mongolët nomadë ruajtën shumë prej traditave të oborrit kinez. Nipi i Genghis Khan, Kublai, ishte vecanërisht i dashuruar me gjithcka kineze dhe mori titullin Perandor i Kinës, duke themeluar dinastinë Yuan. Ai ishte gjithashtu shumë i rëndësishëm në zbulimin e Kinës nga europianët. Thuhet se Marco Polo e ka takuar dhe madje ka shërbyer si diplomat në udhëtimet e tij në Lindje. Pas vdekjes së Kublai Khan, Perandoria mongole u copëtua në disa grupe të vegjël, duke sjellë fundin e sundimit të saj të shkurtër, por të lavdishëm.

03. Perandoria e shenjtë romake
800-1806

Me më shumë se një mijë vite në emrin e vet, Perandoria e Shenjtë romake ndryshon nga të tjerat për shkak të strukturës së saj. Ndryshe nga perandoritë e tjera që impononin gjuhë të përbashkëta dhe një qeveri totalitare, Perandoria e shenjtë romake ishte në pjesën më të madhe një konfederatë shtetesh europianë, bashkuar prej dinastisë mbetërore e që ishin të lirë të flisnin gjuhën e tyre dhe të ndiqnin zakonet e tyre.
Ajo u themelua në fillimet e mesjetës nga Charlemagne, i cili donte të rikrijonte fuqinë e Perandorisë Bizantine në Europën Qendrore. Në kulmin e saj në kohën e perandorit Henri III, Perandoria e Shenjtë Romake përfshinte pjesën më të madhe të Francës, Gjermaninë, Boheminë dhe Italinë. Mes viteve 1438 dhe 1740 u sundua nga Dinastia e Habsburgëve – monarkët e perandorisë austro hungarezë. Sundimtari i parë Habsburg i Perandorisë së Shenjtë Romake ishte Frederiku III dhe Habsburgët e ruajtën kontrollin familjar të perandorisë së shenjtë romake deri në shekullin 18, deri kur pasojat gjenetike të martesave të shpeshta mes kushërinjve në familje sollën edhe rënien e tyre. Perandoria e Shenjtë Romake u rrëzua prej Napoleonit, 100 vjet më vonë.

02. Perandoria britanike
1497-1997

Eshtë e famshme shprehja që Dielli nuk perëndonte asnjëherë në perandorinë britanike, falë territoreve të pamatë që zotëronte në kulmin e saj. Nga fillimet modestë në një prej shteteve ishuj më të vegjël, Perandoria britanike përfshinte pjesë të Amerikës, Afrikës, Indisë, Australisë, Zelandës së Re, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Ajo u krijua nga Elisabeta I, e cila dërgoi eksploratorë si Francis Drake, që të gjente toka të reja por edhe të mposhtte armiqtë e Britanisë në det. Me Revolucionin Industrial që filloi në Britani, ajo kish munësinë të përdorte teknologjitë e reja për të zgjeruar sferën e vet të influencës. Anijet me avull e bënin më të lehtë përshkimin e oqeaneve, ndërkohë që trenat bënin të mundur udhëtimet transkontinentalë. Risitë në komunikim si kodi Mors dhe më vonë radio e telefoni lidhën qytetet e mëdhenj, ndërkohë që ushqimet dhe sportet britanikë u përhapën nëpër botë. Anglishtja vazhdon të jetë një prej gjuhëve më të folura të planetit. Perandoria Britanike hoqi dorë gradualisht nga shumë prej territoreve të vet ose i bashkoi në atë që sot është Komonuelthi. Konsiderohet të ketë marrë fund në vitin 1997, me rikthimin e Hong Kongut tek Kina.

01.Perandoria Romake
27 p.e.s. – 476

Mund të jetë më e vogël se disa prej perandorive të përmendura, por Perandoria Romake ka një hije të gjatë në histori – një hije që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në kohën e vet ajo ishte perandoria më e madhe e botës – në fakt ishte pak a shumë perandoria e vetme e Europës, dhe ajo përfshinte pothuajse cdo tokë të kontinentit europian, bashkë me Britaninë dhe pjesë të Afrikës, Turqinë e sotme dhe Lindjen e Mesme.
Ndikimi i Romës në botë thjeshtë nuk mundet të ekzagjerohet. Trupat e saj, legjionet, ishin një forcë luftuese e jashtëzakonshme, dhe perandorët e njëpasnjëshëm romakë i dërgonin në kërkim të gjithnjë e më shumë pushtimeve, duke e zgjeruar papushim perandorinë. Por Roma nuk ishte e interesuar vetëm në pushtim territoresh, për mallra e fitime. Romakët besonin se shoqëria dhe teknologjia e tyre përfaqësonte pikën më të lartë të qytetërimit, dhe ata eksportuan shumë prej risive teknologjike, si dhe traditat e tyre në vendet që pushtonin. Rrugët e drejta e të sheshta e bënin më të lehtë tregtinë. Viaduktet lehtësonin udhëtimin ndërkohë që kanalet shërbenin për të cuar ujin në brendësi në vendet pa burime dhe puse. Sistemet qendrorë të ngrohjes sillnin ngrohtësi në kohë shirash – kjo ishte vecanërisht e rëndësishme teksa romakët zhvendoseshin në veri, në Francë e Britani.
Një gjuhë e përbashkët, latinishtja e bënte komunikimin më të lehtë. Risitë teknike të Romës përmirësuan disa aspekte të jetës së popullsisë, si brenda qytetit ashtu edhe në perandori në tërësi, por është trashëgimia e Romës që e bën atë perandorinë më të rëndësishme të hsitorisë. Ideologjia romake që lulëzoi atje frymëzoi bizantinët që të ndërtonin perandorinë e tyre. Perandoria e shenjtë romake ishte bastioni i fundit i qytetërimit romak deri në shekullin 19. Linja perandorake e Romës – cezarët – i dhanë emrin e tyre si titullit të sundimtarit rus – car – ashtu edhe fjalës moderne që ne kemi për një njeri shumë të pushtetshëm: car. Që nga territoret që bashkoi, deri tek gjuhët dhe sistemet politikë që ndikoi, e deri në serinë e risive teknike që u kanë rezistuar testeve të kohës, Roma ishte vërtetë perandoria që e ndryshoi më shumë botën dhe që ka patur impaktin më jetëgjatë./bota.al

Google+ Followers