Toka është një anije kozmike në hapësirë

6 miliardë banorë, burime të limituara dhe një planet drejt shkatërrimit. Kjo është gjendja aktuale e Tokës. Edhe pse kemi arritur në pikën kritike, nuk ka organizëm ndërkombëtar që na bën të biem në një mendje për të ndaluar efektin serrë dhe për të drejtuar burimet


“Toka është djepi i njerëzimit, por njeriu nuk mund të jetojë përjetësisht në djepin e tij”, shkruante Konstantin Tsiolkovsky, shkencëtar rus në fillim të shekullit XX, duke profetizuar nisjen e qenieve njerëzore drejt planetëve të tjerë. Por ndryshe nga thënia e tij, e ardhmja jonë po zhvillohet në një mënyrë tjetër. Sipas dy astrofizikanëve, Roger Maurice Bonnet, president i “Cospar”, Komiteti për Kërkimet Hapësinore, dhe Lodewijk Woltjer, nuk ekziston një Tokë tjetër. Duhet të qëndrojmë këtu ku jemi, në këtë planet, duke u përpjekur të kapërcejmë çdo problem që del dhe me shpejtësi madje. Në studimin “Të mbijetosh 1000 vjet: a do të mundemi?”, dy shkencëtarët ekzaminojnë rreziqet që na kanosen dhe zgjidhjet e mundshme, duke përfshirë këtu edhe “braktisjen e anijes” dhe kërkimin e planetëve të tjerë për t’i pushtuar.

Në brendësi të sistemit diellor, teorikisht planeti Mars do të ishte më i përshtatshmi, por do të duheshin dhe 200 vjet për të pasur një atmosferë si e jona. Veç të tjerash, thekson Bonnet, “variacionet kaotike të aksit të rrotullimit marsian do të shkaktonin katastrofa të tmerrshme natyrore”. Situata nuk do të ishte më e mirë në planetët e Venusit dhe Uranit. “Një spostim jashtë sistemit diellor do të kërkonte udhëtime për mijëra vjet në autonomi totale”, thotë Bennet, “ndërkohë që sot është i mundur sigurimi i qenieve njerëzore në hapësirë vetëm për një apo disa muaj. Gjithsesi metabolizmi i personave që do të gjendeshin në bord, në harkun kohor të pak viteve, do të modifikohej nga lindjet dhe vdekjet. Dhe për ta mbyllur, do të ishte e pamundur ta transferonim të gjithë njerëzimin, kështu që kujt do t’i takonte të vendoste se cili do të ngjitej në bord e cili jo?”

Meteorë dhe yje

Pra nuk mund të lëvizim që këtu. Por cilat janë rreziqet që na kanosen dhe a mund t’u bëjmë ballë atyre? Është e mundur që të verifikohen përplasjet me asteroide të mëdhenj, por sot ka më pak trupa qiellorë të rrezikshëm, sesa në kohërat e para të sistemit diellor. Gjithsesi, një përplasje me një meteor mund të parashikohej dhe më pas të ndërhyhej duke i devijuar trajektoren. Për sa u përket rreziqeve të tjera kozmike, si ndryshimi i fushës manjetike tokësore, ose futja e sistemit diellor në një krah të ri të galaktikës, “gjithçka ka ndodhur, por nuk ka pasur katastrofa”, thekson Bonnet. Sigurisht nga pikëpamja gjeologjike Toka mund të fshehë edhe ndonjë surprizë të pakëndshme, të tipit supershpërthime vullkanike.

Koha ka skaduar

Problemi kryesor është se në Tokë po shterojnë të gjitha burimet natyrore. Sipas dy shkencëtarëve, brenda 60 vjetëve nuk do të kemi më naftë, madje edhe rezervat e mineraleve të tjera do të jenë ezauruar. E gjitha kjo është rezultat i një rritjeje demografike pa precedent dhe e zhvillimit industrial që e ka shoqëruar. Sot popullsia e botës është 6 miliardë banorë dhe është parashikuar që do të arrijë në 9.4 miliardë brenda vitit 2050, për të vazhduar me 11 miliardë rreth vitit 2200. Për fatin tonë rritja demografike po rrallohet. “Është një tendencë që duhet konfirmuar”, thotë Bonnet, “sepse bota nuk mund të mbajë 11 miliardë banorë, me një mënyrë jetese si ajo europiane”. Veç të tjerash rritja e popullsisë është një nga shkaqet e ngrohjes globale: edhe nëse do të merreshin menjëherë masa drastike, fenomeni do të vazhdonte për inerci për dhjetëra vjet. Çfarë duhet bërë? Sipas dy shkencëtarëve, receta për mbijetesën e njerëzimit fillon me ndalimin e rritjes së popullsisë dhe mbajtjen e rritjes së ekonomisë në nivelin zero. Duhet të zvogëlohet emetimi i gazit serrë dhe riciklimi i plehrave të bëhet i detyrueshëm. Gjithashtu duhet investuar në zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe kërkimet për shpërthimet bërthamore. Por që kjo të ishte e mundur, duhet një qeveri botërore, e cila të jetë në gjendje të zgjidhë problemet e njerëzimit. Mund të bëhet?

Vende dhe strategji

“Një lloj fuqie që të kapërcejë atë të Shteteve të Bashkuara nuk është e mundur, e ndoshta nuk do të ishte as e nevojshme”, bën të ditur një docent i shkencave politike në një universitet të Milanos. “Është momenti që të mendojmë për formimin e rajoneve të mëdha si Europa, që të veprojnë së bashku mbi qëllimet globale, të tipit ekologjik dhe demografik, por edhe kundër luftës për pabarazinë gjinore, rregullimin e tregjeve ekonomike dhe paqen. Por që këto strategji të funksionojnë, nuk mjafton vetëm veprimi i qeverive. Nevojiten organizma të tjerë dhe të gjithë ne që ta forcojmë edhe më shumë këtë rol”.

Google+ Followers