Teoria shkencore rreth ekzistencës së fantazmave

Në gjuhën e përditshme, në folklor dhe në historitë që na tregonin kur ishim fëmijë, fantazmat paraqiten si qenie gjysmënjerëzore e në shumicën e rasteve të këqija, që kërkojnë medoemos të bëjnë keq


Në gjuhën e përditshme, në folklor dhe në historitë që na tregonin kur ishim fëmijë, fantazmat paraqiten si qenie gjysmënjerëzore e në shumicën e rasteve të këqija, që kërkojnë medoemos të bëjnë keq. Në kulturën europiane kryesisht, fantazmat pasqyrohen si diçka mbinatyrore, ku njerëzit e vdekur teksa kalojnë në botën tjetër, lënë pas stigmën e tyre, duke na u kthyer në makthe. Në shumë vende të botës raportohen përditë raste kur njerëzit shohin fantazma e shumë prej tyre regjistrohen falë teknologjisë. Pyetja që gjithnjë ka shqetësuar njerëzit në të gjithë botën, madje edhe ata që besojnë se ekzistenca e fantazmave është e pavërtetë, është: A ka shpjegim logjik të ekzistencës së fantazmave? Vitet e fundit, fizikanë të njohur në fushën e tyre janë përpjekur ta vendosin në baza shkencore dilemën shekullore të njerëzimit për ekzistencën e fantazmave, duke ngritur hipoteza të ndryshme për ekzistencën e tyre. Njëri prej shkencëtarëve më të mëdhenj që është marrë me studimin e jetës pas vdekjes e si pasojë edhe me fantazmat, është fizikani Hamington, sa i mirënjohur në botën akademike kanadeze për fushën e fizikës, po aq edhe i dyzuar.

Hamington propozoi në vitin 1989 teorinë e tij të quajtur "përmbajta dhe materiali", ku shpjegonte në aspektin filozofik dhe fizik ekzistencën e një forme të re jete pas vdekjes, atë të cilën ai e pagëzoi me emrin "ghosts", pra fantazma. Në këtë teori ai shpjegon se fantazmat nuk janë qenie, por ato janë thjesht valë elektro-magnetike të shkëputura nga trupi i njeriut të vdekur e që më pas bëhen të dukshme për syrin e njeriut vetëm në kushte të caktuara. Teoria e tij u mbështet nga shumë personalitete të njohura të botës akademike kanadeze, si edhe u kundërshtua me forcë nga shumë të tjerë. Gjithsesi, në rast se hipoteza e ngritur nga Hamington vërtetohet, atëherë do të kemi të bëjmë me një mënyrë të re të të parit të jetës dhe të vdekjes.

Teoria e Hamingtonit

Në teorinë e tij, Hamington shpjegon nga ana shkencore fazën e vdekjes së njeriut. Hamington arriti të vërtetonte se njeriu në çastin që vdes lëshon nga trupi një sasi shumë të madhe valësh elektromagnetike, të cilat ikin menjëherë me një shpejtësi marramendëse. Për më shumë, krahas valëve elektromagnetike njeriu lëshon edhe rrezatime, të cilat përfundojnë me ftohjen totale të trupit. Nga ky vërtetim, Hamington arriti në përfundimin se brenda njeriut ekziston një "depozitë valësh elektro-magnetike, të cilat janë aq të njëtrajtshme, sa bashkëveprojnë në harmoni të plotë ndërmjet tyre dhe veprojnë si një trup i vetëm në lidhje me jashtë". Këtë paketë valësh elektromagnetike, Hamington e paralelizoi me nocionin e shpirtit, duke iu përafruar mendimit të Ajnshtajnit se brenda njeriut ekziston një mekanizëm lëvizës, që është trupi dhe një energji që e vendos në punë këtë mekanizëm që është shpirti. Në këtë mënyrë, Hamington arriti në përfundimin e tij, që deri më tani është thjesht një hipotezë, se shpirti i njeriut nuk është pjesë e trupit dhe nuk formohet nga bashkëveprimi i lëndëve organike, por është një grupim valësh elektromagnetike, të cilat veprojnë së bashku deri në fund të materies, trupit e që më pas me vdekjen e njeriut, ato largohen po si një trup i vetëm. Teoria e Hamingtonit ecën edhe një hap më tutje, duke cilësuar trupin si një robot, çka do të thotë se trupi është thjesht materia, e cila nuk ka në vetvete asnjë mënyrë funksionimi, pa pasur energjinë që i duhet. Këtë energji, Hamington e quan shpirt dhe e cilëson si atë "forcë që e vendos në punë robotin, që quhet trup i gjallesës". Pra, Hamington shpjegon se truri i njeriut, i cili më pas urdhëron të gjithë pjesën tjetër të trupit, është si një kompjuter që i nevojitet energji elektrike për të funksionuar, rol të cilin e luan shpirti. Teoria e Hamingtonit sugjeron se vdekja nuk është përfundim, por thjesht një ndarje e pashmangshme e materies nga energjia, pra e trupit nga shpirti. Në ndryshim nga filozofia teologjike, fizikani Hamington supozon se shpirti i njeriut është i materializuar në një trup të përbashkët valësh elektromagnetike që shpërndahen të lira në tokë, por që nuk mund të duken, pasi ndërveprimi mes tyre është i tillë, që i ndalon të bëhen të dallueshme. Thënë ndryshe, sipas Ajnshtajnit, këto valë udhëtojnë në një tjetër plan nga ai që ne jemi. Në disa raste, për shkak të bashkëveprimit ndërmjet një trupi dhe këtyre valëve, në mënyrë aksidentale, Hamington shpjegon se valët bëhen të dukshme, në formën që ato mbanin më parë, pra në formën e ngrohtësisë së trupit që mbulonin, çka do të thotë se bëhen të dukshme në formën e trupit të njeriut të vdekur. Kjo, sipas Hamingtonit, mund të ndodhë vetëm në disa kushte të posaçme, të cilat mundësojnë daljen nga plani ku janë i këtyre valëve dhe përfshirjen e tyre në planin ku ndodhen trupat njerëzorë.

Ekzistencën e këtyre substancave, të pandërgjegjshme, që quhen fantazma sipas popullit apo shpirt sipas Hamingtonit, e ka pranuar edhe Ajnshtajni, i cili në kohën e krijimit të teorisë së planit të bashkuar, ka thënë që në rast se një trup udhëton në planin e bashkuar, për të përfunduar në destinacion sa më shpejt do të mund të çmendej nga takimi me ndërgjegjen e qenieve që kanë jetuar përpara atij. Kjo mendohet se është edhe arsyeja pse marinarët e eksperimentit "Filadelfia" u çmendën pas realizimit me sukses të provës për zhdukjen e tyre dhe rishfaqjen rreth 500 kilometra më tej. Në këtë mënyrë, Hamington sqaron në teorinë e tij se fantazmat që shpeshherë janë bërë objekt i shqetësimit njerëzor, nuk janë asgjë tjetër veçse valë elektromagnetike, që përmbajnë në vetvete tronditjen e fundit të njeriut, pra emocionet në çastin e humbjes së jetës. Kjo teori kundërshton faktin se fantazmat mund të ecin apo të jenë të veshura, por mëshon drejt ekzistencës së formave antropomorfe të valëve elektromagnetike, që janë thjesht nxehtësia e trupit dhe emocionet e njeriut në prag të vdekjes. Këtë pikë Hamington e arsyeton duke thënë se njeriu në çastin e vdekjes pëson një tronditje të madhe, që i krijon një farë amnezie, nëse do ta emërtonim me terma mjekësorë dhe e vetmja gjë që ngelet nga shpirti i tij, nuk është memoria, por emocioni i fundit.

"Hampt Palas"

Shumë raste të shfaqjes së qenieve që u ngjajnë fantazmave janë raportuar dhe janë filmuar nga kamera.

Njëri prej rasteve më të shumëpërfolura është ai i "Hampt Palas" në vitin 2003, kur pas shumë thashethemeve për praninë e një fantazme në këtë pallat, u vendosën kamera të sigurisë, të cilat vërejtën lëvizjen e një dritëhijeje e cila hapi një derë. Në realitet, në dhomën ku u hap dera, ishte njëri prej rojeve, i cili duke qenë se nuk pa asgjë të çuditshme, e mbylli sërish derën. Kamerat vazhduan të tregojnë se fantazma doli sërish nga dhoma, duke u zhdukur njëherë e përgjithmonë. Thashethemet e përhapura në këtë kështjellë mbretërore në Angli kishin të bënin me një mbretëreshë. Mbretëresha Xhejn Sejmur lindi Princin Eduard, i cili më pas u bë Mbreti Eduard i Gjashtë në "Hampt Palas" në vitin 1537. Ajo vdiq 12 vjet pas lindjes të së birit e prej andej janë raportuar shumë raste të ekzistencës së një fantazme në këtë kështjellë. Për më shumë, në të njëjtën kështjellë u arrestua në vitin 1542 Mbretëresha Katerina Houard dhe sipas gojëdhënës, ajo kërkonte duke bërtitur nga Henri i Tetë që ta shpëtonte teksa po dërgohej për në gijotinë.

Shumë herë është përfolur për një ulërimë të tillë në shkallët e kështjellës. Gjithashtu, thuhet se mund të ketë qenë edhe vetë Henri i Tetë apo konkubina e tij, An Bolejn. Në dhjetor të vitit 2003, u transmetua nga kanali CCTV një video e regjistruar në tetor të të njëjtit vit nga një kamerë sigurie në kështjellën në fjalë. Në këtë video mund të dallohet pamja e një figure të çuditshme, që shkonte drejt një dere të brendshme të kështjellës, e cila hapi derën dhe u fut brenda, por doli menjëherë sa pa një njeri. Ai ishte roja i cili deklaroi se dera u hap vetiu, pa asnjë forcë që ta shtynte dhe për këtë u çua që ta mbyllte. Në të njëjtën periudhë, në librin e përshëndetjeve të pallatit u shkrua nga një femër se "pashë diçka të çuditshme që ecte drejt meje, por nuk qe njeri, qe si një dritë e hollë në formë njeriu. Nuk e shpika, është e vërtetë". Ndërkohë, një foto e publikuar në Krishtlindjet e atij viti, pasqyronte një femër të tejdukshme në cep të fotografisë. E pyetur për këtë, shoqëruesja e kështjellës, Viki Uds, tha se nuk dinte se çfarë ishte ajo pamje dhe se kush e kishte bërë, por ditë më vonë u vërtetua që fotografia ishte e publikuar nga njëri prej rojeve të kështjellës dhe se asaj nuk i ishte bërë asnjë përpunim kompjuterik.

Nju Orlins

Një shpjegim shkencor i asaj që është konsideruar përherë si e pashpjegueshme i japin tashmë shkencëtarët, mbështetës së teorisë së Hamington, faktit që qyteti më i përfolur për fantazma në botë është Nju Orlins. Në këtë mënyrë, ata supozojnë se qyteti i Nju Orlinsit është qyteti me më shumë fantazma, për faktin se vetëm aty ato mund të dallohen. Lagështia e qytetit e bashkuar me faktin se Nju Orlins ka një radioaktivitet të madh në krahasim me qytetet e tjera të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sjell që valët elektromagnetike të cilat sipas Hamingtonit janë shpirti, të bëhen të dukshme dhe të dallohen nga të gjithë njerëzit. Kjo teori i ka dhënë një shtysë më të madhe kërkuesve të fantazmave, të cilët prej vitesh janë mbledhur në qytet për të fotografuar një fantazmë. Në shumë raste ata ia kanë arritur, duke u kthyer në "ghostbusters" apo gjuetarë fantazmash të vërtetë.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers