Simbolizmi i fshehtë i SHAHUT



Nëse lexon çfarëdolloj teksti mbi lojën e shahut, që nga manualet për fëmijët deri tek enciklopeditë, na thuhet gjithmonë e njëjta gjë. Bëhet fjalë për një lojë të lashtë perse, emri e ka prejardhjen nga fjala mbret në persisht, dhe termi Shah Mat, që i jep fund lojës, rrjedh nga fjala perse "Shah Mat" që do të thotë "Mbreti vdiq".
Ata që kërkojnë të jenë më të saktë i hyjnë që në gjenezë lojës, duke analizuar dëshmitë historike; sipas legjendës, kjo lojë u shpik prej ushtarëve akej gjatë Luftës së Trojës, në shekullin XII para Krishtit; për të tjerë, ka qenë një evoluim i lojës strategjike indiane Chaturanga, për të cilën thuhet se burimin e ka pikërisht tek ... Aleksandri i Madh. Në vitin 326 para Krishtit, luftëtari maqedonas bashkë me ushtrinë e tij u vu përballë luftëtarëve indianë, të vendosur sipas skemës së përshtatur edhe sot në lojën e shahut. Pësoi humbje shkatërrimtare, ndonëse në fund arriti që të fitonte betejën. Që këtu lindi interesi i tij për skemën strategjike të lojës, që më pas e solli edhe në Persi e babiloni. Sipas disa studiuesve, Chaturanga e kishte prejardhjen nga një lojë kineze edhe më e lashtë, Xiangqi, e ngjashme me lojën bashkëkohore japoneze Shogi. Sido që të jetë, në Persi loja mbeti deri në pushtimet arabe. Prej këtu, shahu si lojë mori dy rrugë: njëra të çonte drejt Perandorisë Bizantine, në Ballkan dhe në Rusi përmes shkëmbimeve tregtare, dhe tjetra drejt Spanjës e Siçilisë, përmes pushtimeve të armatosur. Më pas, Kryqëzatat i dhanë dorën e fundit një kolonizimi tërësor europian të kësaj loje, që e pati momentin e vet të lavdisë në vitin '500.
Një moment lavdie që ndoshta nuk ka përfunduar asnjëherë, duke parë që bëhet fjalë për një mënyrë argëtimi, e cila praktikohet nga qindra milion njerëz në të gjithë botën dhe në të gjithë kulturat. Një lojë për të kaluar kohën, për të cilën shumë kanë shkruajtur, për shkak të domethënieve ezoterike që rrethojnë copat e tabelës së shahut: megjithatë, vetëm duke bërë një analizë të thellë të simbolizmit të atyre që përmban loja është e mundur të zgjidhet enigma që qëndron në themel të magjepsjes që ka ushtruar në gjithë këta mijëvjeçarë.
Legjendat për origjinën e shahut në Indi apo në Kinë me siguri nuk marrin parasysh një fakt kokëfortë, që egjiptianët njihnin një lojë shumë të ngjashme, të paktën në dukje: një lojë e jashtëzakonshme, e bazuar në një skakierë me 30 apo 33 gurë, të bardhë dhe të zinj. Senet, kështu quhej, ishte ndoshta mënyra e preferuar e argëtimit për Tokën e Kem, teksa praktikohej rregullisht nga faraoni dhe bashkëshortja, por edhe nga oborrtarët, shërbëtorët dhe nga klasat më të ulëta. Ekzistonin madje skakiera me ebanozi dhe fildishi, shumë të kushtueshme, me gurë floriri të prerë sipas formave të luanit, çakallit, ibisit, fajkoit, që simbolizonin imazhet e Perëndive kryesore (Sekhmet, Anubi, Thot, Horus).
Ekzistonin gjithashtu edhe gurë më të thjeshtë, analogë me ushtarët në shahun e sotëm, si dhe versione të transportueshëm të Senet, për shembull nga ata që merreshin me vete gjatë punës në fusha. Njerëzit ishin të marrë pas kësaj loje, kishte nga ata që vinin bast deri mobiljet e shtëpisë dhe veshjet, gjë që shkaktonte shqetësim tek faraoni i radhës, gjithmonë një ruajtës i vëmendshëm i Rendit kundër kaosit. Por ishte e pamundur të frenohej dëshira e popullit për argëtm, dhe për këtë arsye nuk u zbatuan asnjëherë masa shtrënguese, qoftë edhe për shkak të qëllimit fetar që mbartte loja. Shfaqja e parë e senet i takon vitit 2600 para Krishtit, me faraonin Hesi, ndërkohë që Tutankhamon, në varrin e tij, kishte katër skakiera që e shoqëronin në udhëtimin drejt Duatit.
Në fakt, është pikërisht kjo veçoria absolute e kësaj loje: lëvizja e gurëve në tryezën e lojës në fakt korrespondon me udhëtimin e të vdekurit përtej kësaj bote dhe suksesi i garantonte fitimtarit rilindjen pas vdekjes; në fitimin e sfidës kundër Inferit, në një farë kuptimi përfaqësohej beteja mes të Mirës dhe të Keqes, dhe është ky aspekt dualist që tërheq vëmendjen tonë dhe që na bën të mendojmë me siguri të matur, që shahu e ka origjinën pikërisht nga loja egjiptiane Senet. Libri i të Vdekurve, në fakt është i qartë kur thotë se i vdekuri duhej të luante një lojë kundër një kundërshtari të padukshëm për të siguruar hyrjen në Mbretërinë e të Vdekurve; një sfidë çuditërisht shumë e ngjashme me të famshmen lojë të shahut, me Vdekjen që është përfaqësuar në mënyrë të mrekullueshme nga Ingmar Bergman në kryeveprën "Shenja e Shtatë".
Po përse Senet kishte këtë rëndësi etike? Në fund të fundit, bëhej fjalë vetëm për një lojë... Por nëse mendojmë filozofinë dhe teologjinë egjiptiane, arrijmë të kuptojmë se si mikrokozmosi është një përfaqësim i makrokozmosit. Loja, kalimi i kohës, nuk është veçse një ingranazh në motorrin pafundësisht të madh të Universit, e megjithatë është edhe ky i rëndësishëm dhe thelbësor në betejën mes të Mirës dhe të Keqes. Fitimi në senet përbën një fitore etike, rendi që mposht Kaosin. Për këtë arsye, Faraonët nuk e ndaluan asnjëherë lojën, ndonëse krijonte jo pak probleme publike, me familje të tëra që katandiseshin si mos më keq për shkak të basteve. Tani, të njëjtën domethënie mund të thuhet se ka edhe shahu. Madje, shahu është ngarkuar me kalimin e shekujve me simbolizma edhe më evidentë, aq sa është e mundur të gjesh gjurmë skakierash në shumë kisha të krishtera (ndoshta me figurën e Kalorësve Templarë).
Në fakt, duke filluar nga vitet 1100-1200, shahu zbarkoi furishëm në Europë, në vijim të Kryqëzatave. Njerëzit nisën të njohin këtë lojë të ngjashme me damin dhe u apasionuan pas aspektit strategik: në fund të fundit, çdo person që mësonte rregullat, mbret, mbretëreshë, oborrtar, shërbëtore, deri dhe tregtar, keqbërës apo fshatar, mund të shndërrohej në gjeneral apo luftëtar, qoftë edhe mbi një tabelë shahu të vogël. Beteja mes të Mirës dhe të Keqes, mes të bardhëve dhe të Zinjve bëhej e prekshme. Aspektet taktikë të betejës ishin bërë më të dukshem në krahasim me Senetin: indianët, persët dhe arabët ishin popuj më luftëtarë se sa egjiptianët paqedashës.
Loja fitoi më shumë variacion falë edhe krijimit të ushtarëve të rinj, që u bënë 16 krahasuar me 7 që kishin egjiptianët, dhe lëvizjeve të reja, të kryera në një tabelë shahu me 64 kuti: çdo figurë merrte një domethënie ezoterike. Mendohej që shahu ishte përfaqësimi i shoqërisë feudale, me ushtarët, Mbretin, Mbretëreshën, kuajt, oficerët dhe në fund torret që simbolizonin fortesën, kështjellën, mburojën e Mbretit. Qëllimi final i lojës është mbrojtja e Mbretit me çdo kusht, duke sakrifikuar çdo gur për një qëllim të tillë. Në shah nuk ka pikëmatës, qëllimi është fitorja, ndonëse është i mundur barazimi (Pati), i detyrueshëm në disa raste. Por kjo fitore është vetëm një aspekt i lojës: domethënia ezoterike është shumë më komplekse dhe të çon në konceptin egjiptian mbi shpirtin e njeriut.
Duke analizuar gurët, është e mundur të gjesh një mesazh të qartë, që na bën të pohojmë se si shahu përfaqëson betejën e brendshme mes dritës dhe errësirës. Nëse shohim lëvizjet, është e qartë që i Bardhi lëviz gjithmonë i pari. I Bardhi përfaqëson dritën, shpirtin e pastër, energjinë e shenjtë që kemi brenda nesh. Ndërsa i ziu, nga pikëpamja alkimike, përfaqëson Natën e Errët të Shpirtit, vdekjen shpirtërore që duhet të përballim para Rilindjes. Mes Gnosticizmit, kemetizmit dhe Neoplatonizmit, tabela e shahut riprodhon në mënyrë të përsosur këtë dualizëm, aq sa dyshemetë me kuti të zezë e të bardha janë ende të pranishme sot në Tempujt Masonikë (aq më tepër në Kishën e Rennes-le-Château). Fusha bardhezi të kujton Yin-Yiang dhe 64 kutitë janë të frymëzuara nga I-Ching (që ka 64 ezagrame), por edhe nga Pitagorizmi. Sido që të jetë, i bardhi, për ta thënë egjiptiançe, përfaqëson Dritën, Diellin, shpirtin e pastër: Horusin.
I Ziu përfaqëson Kaosin, të Keqen, shfytyrimin: Sethin. Kjo nuk do të thotë se kush përdor gurët e zinj në shah është i keq, por vetëm që qëllimi i tij është të hyjë në Natën e Errët të Shpirtit për t'u pastruar. Nga pikëpamja ezoterike, të Bardhët luftojnë për të vendosur dritë aty ku ka errësirë; të zinjtë luajnë për pastrim, për t'iu afruar asaj drite nga e cila janë larguar. Kyçi i gjithë lojës janë dy mbretërit, i bardhi dhe i ziu. I Bardhi është në një farë kuptimi i avantazhuar: statistikisht, numri më i madh i fitoreve u përket të bardhëve, Dritës, të Mirës dhe nëse i Bardhi nuk gabon, nëse vë në siguri të plotë Mbretin, është thuajse e pamundur për të Ziun që të fitojë. Madje, për të Ziun, fitore është bllokimi i lëvizjeve të të Bardhit.
Por nëse i Bardhi gabon, ai që e pëson në fund është Mbreti dhe ndeshja, në të cilën teorikisht ka epërsi, humbet. Mbreti përfaqësion kështu Uni-n tonë, pjesën e bardhë dhe një të zezë, alteregon tonë, atë më instiktive. Idealja do të ishte që mbreti të lëvizte sa më pak që të mundeshim dhe të përdoreshin 15 gurët e tjerë. Nëse Mbreti është Uni, Mbretëresha përfaqëson fuqinë e dijes, Sofinë gnostike, dashurinë në shërbim të Mbretit. Në një farë kuptimi, Mbretëresha përfaqëson Perëndeshën që na ndihmon gjithmonë, Energjinë e Errët që përshkon Universin, Reikin, vetëdijen kozmike të Tokës Mëmë. Eshtë guri më i fuqishëm i skakierës, lëviz në çdo drejtim dhe në çdo distancë dhe është në gjendje të shkaktojë tmerr në radhët e armikut, duke ngrënë njëra pas tjetrës figurat. Domethënia ezoterike është për të treguar Perëndeshën që ekziston e na mbron kudo në ecjen tonë: me kusht që të dish ta lëvizësh si duhet, duke e përdorur me zgjuarsi.
Oficerët janë gurë të çuditshëm: të fuqishëm kur spostohen diagonalisht në çdo distancë, por në realitet janë të kufizuar dhe të goditshëm. Përfaqësojnë pikat kyçe të Tokës, janë forcat natyrore të pandryshueshme që duhen përdorur me kriter. Ndërsa Kuajt përfaqësojnë kapacitetin e mbrojtjes ndaj armikut, duke qenë se janë në gjendje të kërcejnë e të shpëtojnë nga situata të vështira. Pas Mbretëreshës, Kali është guri që mbron më shumë Mbretin për shkak të aftësive "teletransportuese": megjithatë, numri i kufizuar i kutive që kërcen e bën edhe më të dobët. Kështu që, ai simbolizon maturinë.
Torret kanë një simbolizëm të fortë masonik. Përfaqëson forcën, mbrojtjen, dhe jo më kot është në gjendje të mbrojë fizikisht Mbretin, duke përdorur një lëvizje të veçantë: rrokadën. Por edhe ajo mund të shembet dhe ky gur që lëviz vetëm në vijë të drejtë zbulon Mbretin para gjithë rreziqeve. Një 'Fortesë e Arsyes" dhe bindjeve prapa të cilave fshihemi të gjithë ne qeniet njerëzore, por që mund të bjerë e të na lërë lakuriq e të pambrojtur. Por, ndoshta guri më i rëndësishëm simbolikisht është ushtari.
Janë tetë, të dobët si "mish për top", por janë në gjendje të fitojnë ndeshjen dhe nëse mbërrijnë në skajin tjetër të skakierës, janë në gjendje të transformohen në një tjetër gur. Përfaqësojnë mikrokozmosin që shndërrohet në makrokozmos, të voglin që është në gjendje të ndryshojë, përmirësojë Universin. Rreziqet janë të pafundëm, strategjia shpesh herë çon në sakrifikimin e këtyre figurave, por edhe në i vetëm ka një fuqi të madhe: të bëhet ekzekutor i Mbretit kundërshtar. Eshtë Shpresa Hyjnore që Udhëheq njeriun, që e frymëzon, që e bën të ngrihet nga shtrati çdo mëngjes. Eshtë kjo shpresë e padukshme që e çon të përplaset, të ndeshet në beteja kundër kundërshtarëve të pabarabartë dhe, ndonjëherë, të fitojë. Ekzistenca e vetë shahut qëndron në këtë ushtar të shkretë, simbol dhe përfaqësues i qenies nejrëzore, që merr pjesë pak a shumë me vetëdije në dramën kozmike të Luftës mes të Mirës dhe të Keqes.
Mesazhi që na jep shahu, që nga koha e Faraonëve është ky: luftoni, luftoni për vetveten, për atë që doni, për idealet tuaj. Fati i lojës është i parëndësishëm, fiton i bardhi apo i Ziu, gjithmonë do të ketë një tjetër ndeshje. Por tani jemi duke luajtur këtë, dhe duhet të lëvizni me inteligjencë dhe maturi drejt mposhtjes së kundërshtarit. Në respekt të Kozmosit, të Natyrës, të vetvetes. Dhe kush e di, ndoshta vërtetë pas vdekjes tonë do të ketë një ndeshje me një armik të padukshëm...

Google+ Followers