Personaliteti dhe çrregullimet që na bëjnë të ndryshëm



Të gjitha proceset psikike, siç janë: të perceptuarit, të menduarit, të ndjenjave, të mësuarit, motivimi etj., janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, pra, varen njëra nga tjetra dhe ndikojnë në njëra tjetrën.
Individi, duke kaluar nëpër këto procese psikike, gjatë periudhave të ndryshme të jetës, formon veti të caktuara personale. Duke i vërejtur këto veti gjatë aktivitetit të individit, ne vërejmë mënyrën e veçantë të sjelljeve, që është karakteristike për të. Këto veti karakteristike, mënyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve të njerëzve dhe të çdo individi, si manifestohen, si zhvillohen dhe nga cilët faktor varen ato, i studion Psikologjia e personalitetit.
Sikurse të gjitha funksionet psikike, edhe personaliteti e ka bazën e saj biologjike, sepse çdo njeri lind me karakteristika trashëguese të caktuara. Edhe pse faktorët biologjik kanë rëndësi të posaçme për zhvillimin e personalitetit, janë vetëm bazë e nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Rol vendimtar luajnë faktorët e rrethit, e para se gjithash, faktorët social. Prandaj edhe theksohet se, personaliteti është dukuri, jo vetëm psikologjike, por edhe sociale. Kushtet sociale, sidomos aktivitetet me njerëz, janë të domosdoshme për t'u zhvilluar individualiteti njerëzor në qenien humane, pra në qenien e cila ka karakteristika.
Numri i faktorëve, si ndikim në bazën e dhënë biologjike për formimin e cilësive të personalitetit, është mjaft i madh si: ambienti dhe kushtet familjare (në të cilat rritet fëmija), shkolla, moshatarët, mësuesi, të njohurit, organizatat dhe shoqëria, në të cilat ai është anëtar, dhe roli që ka në to, literatura dhe filmat, bashkëshortësia dhe marrëdhëniet bashkëshortore, profesioni dhe suksesi në këtë profesion, pozita sociale, kultura në të cilën rritet dhe jeton, sistemi shoqëror i bashkësisë etj.
Zhvillimi i personalitetit ndahet në katër periudha: mosha e fëmijërisë, e rinisë, e pjekurisë dhe e pleqërisë.
Shumë ekspertë të psikologjisë mendojnë, se rol vendimtar për formimin e cilësive të personalitetit luajnë kushtet e jetës familjare në ditët e para të fëmijërisë. Studimet kanë treguar, se kushti më i mirë për zhvillimin e personalitetit të pjekur dhe të shëndoshë, është qëndrimi i përzemërt dhe i ngrohët i prindërve, por edhe njëfarë rigoroziteti në evitimin e pasojave të pakënaqshme të reaksioneve tek fëmijët.
Moment tjetër i rëndësishëm për zhvillimin e cilësive të personalitetit është edhe fillimi shkollor, që përbën një ndër bazat shumë të rëndësishme në zhvillimin e personalitetit dhe karakterit të mëvonshëm të individit. Ardhja e fëmijës në shkollë, është ardhje në një rreth të ri, me kërkesa të reja, dhe me më shumë obligime, në të cilat ai duhet të gjendet, pasi ato ndryshojnë dukshëm prej kërkesave familjare, me të cilat ai është mësuar.
Gjithashtu, rol me rëndësi në këtë periudhë luan edukatori, mësuesi ose pedagogu. Mësuesi, si edhe prindërit paraqesin modelin, në të cilin fëmija merr shembull. Me sjelljet, veprimet, gjestet, qëndrimet etj., ata i japin drejtimin e mëtejshëm fëmijës, drejt formimit të cilësive të personalitetit.
Periudha tjetër, shumë e rëndësishme është mosha e rinisë, e cila karakterizohet me dy momente: Zhvillimin fiziologjik dhe zhvillimin social.
Në zhvillimin fiziologjik bie në sy rritja e gjatësisë së trupit dhe shtimi në peshë; paraqitja e karakteristikave seksuale dhe disa kriza psikologjike në lidhje me këtë moshë etj. Ndërsa në zhvillimin social, paraqiten interesime dhe qëndrime të reja mbi jetën; zhvillohet ndjenja e vetëdijes dhe nevoja e pavarësimit, si dhe formohen pikëpamje mbi çështjet e rëndësishme shoqërore etj.
Për kapërcimin e kësaj periudhe, e cila është e mbushur me trauma e probleme të ndryshme psikike e fizike, dhe për marrjen e drejtimit vendimtar drejt cilësive të qëndrueshme të personalitetit (qoftë pozitive, apo negative), ndikim parësor luajnë: faktorët e fëmijërisë së hershme, qëndrimet e prindërve dhe edukatorëve, pikëpamjet dhe normat shoqërore si dhe shumë faktorë të tjerë social.
Nga zhvillimi i faktorëve të sipërpërmendur varet edhe periudha tjetër vijuese - mosha e pjekurisë. Kjo periudhë zgjat deri në moshën 50-vjeçare, dhe përbën periudhën më të gjatë në jetën e individit. Në këtë periudhë bëhet edhe zgjedhja dhe zgjidhja e problemeve më të rëndësishme për jetën e njeriut, si: zgjedhja e profesionit, formimi i koncepteve mbi jetën, martesa dhe krijimi i familjes, që ngrit ndjenjën e përgjegjësisë dhe i jep jetës kuptim më serioz në vazhdimësinë e formimit të mëtejmë të cilësive të qëndrueshme të personalitetit. Në këtë periudhë, individi krijon koncepte të qëndrueshme për dukuritë e përgjithshme, pavarësisht të çfarë drejtimi janë ato, prioritare apo herezike, të përputhshme me logjikën e shoqërisë apo jo etj., dhe e ka shumë të vështirë që t'i ndryshoj ato koncepte.
Periudha e fundit është mosha e pleqërisë, e cila fillon nga vitet e 50-ta, dhe karakterizohet me personalitet të qëndrueshëm, në kuptim të plotë. Studimet e fundit kanë treguar se në moshën e pleqërisë, aktivitetet psikike zvogëlohen shumë pak (ose aspak), në krahasim me ato fizike. Kjo dukuri ndikon në psikologjinë e të moshuarve. Pasi ata nuk janë në gjendje të kryejnë aktivitete fizike, deri sa ato psikike i kanë aktive, fillojnë të tërhiqen në vetvete, largohen prej ambientit dhe e ndjejnë veten, herë-herë si të tepërt në shoqëri. Pra, këtë moshë e karakterizon personaliteti i mbyllur (mbyllja në kornizat vetjake). Prandaj është shumë i nevojshëm angazhimi i shoqërisë dhe qëndrimi konstruktiv ndaj personave në këtë moshë.
Nga kjo analizë, mund të konkludohet se zhvillimi i cilësive të qëndrueshme të personalitetit varet nga shumë faktorë. Këto cilësi karakterizojnë, personalitetin ose karakterin e individit, ndërsa bashkimi i individëve indigjen, formon shoqërinë (kolektivitetin) që ne e quajmë KOMB. Kjo do të thotë, se pasqyrimi i karakterit individual është edhe pasqyrim i karakterit kolektiv, pra pasqyron sjelljet, zakonet, vlerat kulturoro-artistike, inteligjencën etj., të një kombi.
Në studimet e shumta rezultojnë, se edhe roli i historisë, kushtet e veçanta të zhvillimit, tradita, zakonet e doket e një shoqërie, paraqesin faktor të rëndësishëm në formimin e personalitetit.
Shkolla si institucion edukativ si qëllim kryesor ka: zhvillimin e cilësive pozitive, cilësi që i konsideron si të nevojshme dhe të domosdoshme, si për individin ashtu edhe për shoqërinë; të formoj botëkuptimet e caktuara shoqërore dhe qëndrimet e caktuara sociale etj., me një fjalë, zhvillimin intelektual të individit; të pengoj zhvillimin e cilësive negative, që dëmtojnë vetë individin dhe që shkojnë në kundërshtim me etikën
Ka shumë forma të çrregullimit të personalitetit, por ne po i përmendim disa më të rëndësishmet, të cilat koincidojnë me shkrimin.
Personaliteti jostabil: - E karakterizojnë emocionet jostabile të theksuara dhe ndryshimet e shpeshta të disponimit. Në çdo humbje të vogël ose frustrim, personi mund t'ia plasë të qarit, të bëhet më emotiv seç duhet dhe ndonjëherë të kalojë në një gjendje agresive dhe të dhunshme. Nga kjo gjendje shumë lehtë mund të kalojë në gjendje mllefi e tërbimi. Emocioni tjetër, i cili lehtë mund të provokohet, është frika. Humbja më e vogël e sigurisë provokon frikë. Në situata të streseve këta persona nuk janë të aftë të reagojnë.
Personaliteti eksploziv: - Nuk e ka kontrollin e duhur ndaj mllefit dhe tërbimit. Vetitë që e karakterizojnë këtë tip janë: Eksploziviteti, rrëmbimi, tërbimi, hidhërimi, shkarkimi i shpejtë i emocioneve, gjaknxehtësia, sugjestibiliteti si dhe ndryshimi i shpejtë i disponimit. Këta pesonalitete nuk janë të afta të reagojnë ndaj problemeve apo emocioneve të forta dhe shpeshherë përbëjnë në mënyrë të pandërgjegjshme kërcënim për shoqërinë.
Personalittei astenik: - Gjatë tërë jetës pasqyron humbjen (dobësimin) e energjisë, lodhjen dhe rraskapitjen. Ai ndjehet gjithnjë i lodhur dhe tregon humbje të interesimit, entuziazmit dhe pasionit. Këta individë nuk janë të aftë t'i bëjnë ballë jetës dhe shpeshherë heqin dorë nga zgjidhja e problemeve pa u munduar shumë dhe kur çrregullimet bëhen më të shpeshta mund të heqin dorë edhe nga jeta.
Personaliteti shizoid: - Është i turpshëm, i trembshëm e frikacak. I shmanget aktiviteteve sociale dhe kontakteve me persona të tjerë. Nuk mund ta shpreh agresivitetin dhe tërbimin, prandaj fantazinë shpesh e shfrytëzon si mekanizëm sulmues dhe mbrojtës. Përmbajtjet i ka stereotipe etj. Ky personalitet është i mbyllur në vetvete, i izoluar nga shoqëria dhe i inatosur me të gjithë. Në shumicën e rasteve, këta persona jetojnë vetëm, nuk duan as shoqërinë madje as familjen e tyre.
Personaliteti i kufizuar: - Karakterizohet me jostabilitetin e shumë funksioneve psikike e posaçërisht me jostabilitetin e disponimit, të marrëdhënieve interpersonale, të sjelljeve, të mendimeve dhe të marrëdhënieve ndaj vetvetes (çrregullimi i identitetit). Çrregullimi i identitetit manifestohet me pasigurinë e elementëve të identitetit siç janë: vetëdija, identiteti seksual, caqet afatgjata të jetës, zgjedhja e profesionit, marrëdhëniet në shoqëri etj...
Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka zhvillimi i drejtë i cilësive të personalitetit të individit (që është baza e shoqërisë), institucionet duhet të angazhohen shumë seriozisht në këtë drejtim, duke i shpërthyer kornizat e ngushta egocentrike dhe duke kontribuar në ngritjen dhe rritjen e vetëdijes kolektive, që është shumë e rëndësishme në shoqëri, në komb dhe në mbarë Botën.

Përgatiti: KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers