Misionet hapsinore më të dështuarat dhe më të suksesshmet


MISIONI MARS A (MARSNIK 1)
Viti: 1960
Data startuese: 10.10.1960
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Me 10 dhjetor 1960, sovjetikët ishin të parët që startuan një mjet fluturues për në Mars. Fluturakja dështoi në start. Misioni i parë sovjetik, në kohën e Chruschtschoëit, më shumë kishte të bënte me demonstrimin e forcës ndaj SHBA-së sesa me garën e pushtimit të hapësirave të reja kozmike. Për të treguar epërsi ndaj amerikanëve, ata edhe lansuan të parët fluturaken e quajtur Mars – A. Amerikanët, edhe pse planin e tyre për misionet në Mars e kishin bërë të njohur para viteve ’60, ata sondat çifte, Mariner 3 dhe 4, arritën t’i startojnë tek në vitin 1964. Sonda Mariner 3 dështoi, kurse sonda tjetër, Mariner 4, arriti cakun me sukses. Chruschtschoëi, dëshironte që kohën e startimit të kësaj rakete ta bëjë publike në fjalimin që planifikonte ta mbajë para Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai me vete kishte marrë edhe një mostër të kësaj fluturakeje. Sonda kishte formë të thjeshtë ndërtimi; p.sh. ajo nuk posedonte mjet kontrollues që do të mund të ndikohej në të pas startimit. Planifikohej që kjo fluturake të dërgojë edhe fotografitë e parat të sipërfaqes së Marsit. Mirëpo, shkalla e tretë ndezëse nuk reagoi në sinjalin e dhënë dhe kjo sondë dështoi në një lartësi prej 120 km. Ajo ra në Sibirin lindor. Dyshohej se defekti ishte shkaktuar nga vibrimet e forta gjatë startimit.
MISIONI MARS B (MARSNIK 2)
Viti: 1960
Data startuese: 14.10.1960
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Më 14 tetor 1960, Sovjetikët përgatitnin startimin e sondës së dytë në rrugë për Mars. Për shkak të një defekti, raketa nuk u ngrit. Nga një pakujdesi që bëri vetë urdhërdhënësi, Gjenerali Nedlin, në vend se të zbrazte karburantet nga rezervuarët, e pastaj ta gjurmonte gabimin, ai, duke u munduar të kursejë kohë, dha urdhër që defekti të korrigjohej aty për aty. Ai mbikëqyrte madje personalisht punimet që zhvilloheshin në platformë. Fajtor për mosstartim ishte një shpërndarës për ndezje që gjendej në bllokun qendror. Gjatë zëvendësimit të tij, nga një moskujdesi, u aktivizua ndezja dhe erdhi deri tek një eksplodim i fuqishëm. 92 vetë gjetën vdekjen dhe 30 të tjerë u lënduan rëndë. Në mesin e të vdekurve ishte edhe Gjenerali Nedlin. Mirëpo, për shkak të situatës që mbretëronte në atë kohë, Bashkimi Sovjetik këtë humbje nuk e shpalli publikisht. Njoftimi zyrtar ishte se këta persona gjeten vdekjen në një fatkeqësi ajrore, nga rrëzimi i një aeroplani.
MISIONI MARS C (SPUTNIK 22)
Viti: 1962
Data startuese: 24.10.1962
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Në vitin 1961, për herë të parë, raketabartësja “Molnija”, qëndronte në dispozicion në formën katërshkallore (procesore), që mundësonte bartje të peshave më të mëdha në hapësirën kozmike. Startimi i parë i kësaj rakete, që u riemërtua „Sputnik 22“, megjithatë, dështoi: Shkalla e katërt ndezëse qëndroi e aktivizuar vetëm 16 sekonda, kështu që kjo sondë u shkapërderdh në orbitë në një hapësirë prej 180 x 485 km. Pjesët e kësaj sonde, që ranë në Tokë, shkaktuan alarm tek sistemet paralajmërues.

MISIONI MARS 1
Viti: 1962
Data startuese: 1.11.1962
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Shtatë ditë më vonë, pas tri dështimeve të njëpasnjëshme, më 1.11.1962, arriti të startojë me sukses sonda Mars 1, binjake e sondës Mars C (meqë të gjitha të dhënat i kishin të njëjta). Agjencia ruse e lajmeve, TASS, njoftonte se kjo fluturake peshonte 893,5 kg; do ta arrinte Marsin më 20.6.1963 dhe do t’i sillte fotografitë e para të këtij planeti të kuq.
Kjo sondë kishte formën cilindrike me diametër qendror prej 1,1 m si dhe gjerësinë e përgjithshme, bashkë me qelizat solare, prej 4 m.
Pas startimit të suksesshëm, filluan të arrijnë edhe të dhënat e para shkencore. Mirëpo, pas pak kohësh, u vërejt se sinjalet e sensorëve, që vrojtonin lëvizjet e Diellit dhe Tokës, ishin gjithnjë e më të dobët. Informacionet e fundit nga kjo sondë arritën më 21.3.1963, kur ishte në një largësi prej 106 milionë km larg Tokës. Pas kësaj date, humbi çdo kontakt me qendrën komanduese. Kjo sondë, megjithëse nuk arriti sipërfaqen e Marsit, për shkencëtarët rus ishte një sukses, meqë solli për ta njohuri të reja e të vlefshme, të cilat u zbatuan në ndërtimin e sondave pasuese. Në fillim, planifikohej që në bordin e sondës Mars 1 të zbatohej edhe një eksperiment, i cili do të dëshmonte për gjallesat eventuale, e që nuk u bë kurrë transparent. Pas provave të pasuksesshme të këtij eksperimenti, që u zhvilluan në stepet kazaike, ai u konsiderua si i padobishëm dhe u mënjanua nga bordi i sondës.
MISIONI MARS D (SPUTNIK 24)
Viti: 1962
Data startuese: 4.11.1962
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Edhe kjo sondë, binjake e sondave të mëparshme, pas një defekti në sistemin ndezës, dështoi. Nga vibracionet e forta gjatë startimit, shkalla e katërt nuk u aktivizua dhe si pasojë e kësaj, pas dy muajsh, u shua në orbitë edhe kjo sondë.
MISIONI MARINER 3
Viti: 1964
Data startuese: 5.11.1964
Shteti: SHBA
I suksesshëm: Jo
Pas pesë startimeve të sovjetikëve, më 1964, edhe SHBA-ja startoi sondën e parë për në Mars. Ashtu sikurse sovjetikët, edhe amerikanët, që veç kishin përvojën e suksesit me startimin e sondave binjake për në Venerë (Mariner 1 dhe 2), filluan misionin e tyre me dy sonda binjake, me gjasë që, së paku, njëra nga këto ta arrijë cakun. Përbërja teknike e të dy sondave, Mariner 3 dhe 4, ishte identike. Ashtu si ishte parashikuar edhe ndodhi. Një shtresë mbështjellëse e sondës që përbëhej nga masa plastike, nga nxehtësia e madhe që u krijua gjatë fërkimit me ajrin në start të raketës, u shkri dhe u ngjit për sondë. Me këtë, edhe ky mision dështoi.
Në njërën anë, pjesa e sipërme e quajtur “Agena D” nuk kishte më mundësi që këtë sondë, nga pesha shtesë e masës plastike që iu mvesh gjatë startimit, ta transportojë deri në Mars, e në anën tjetër, panelet solare të cilat nuk mund të hapeshin më, bënë që nëntë orë pas startimit kjo sondë të fashitet.
MISIONI MARINER 4
Viti: 1964
Data startuese: 28.11.1964
Shteti: SHBA
I suksesshëm: Po
Pas tri javësh punë aktive, më 28 nëntor 1964, starton sonda tjetër binjake Mariner 4. Mirëpo, këtë herë, shtresa plastike që mbështillte sondën u zëvendësua me shtresë metalike. Sonda ishte identike me atë Mariner 3 dhe peshonte 260,8 kg. Nga kjo peshë, vetëm 15,8 kg ishin pajisje për hulumtime shkencore. Ishte paraparë që kjo sondë t’i afrohet Marsit në një afërsi prej 13.750 km, mirëpo përmes korrekturës kursore ajo arriti një distancë prej vetëm 9.844 km.
Pas më tepër se gjashtë muaj fluturimi, Mariner 4 arriti t’i afrohet me sukses të plotë Marsit. Në njërën anë, ajo u evidencua si fluturakja e parë që arriti planetin e kuq, ndërsa në anën tjetër, Amerikës i solli fitore në garën rendëse drejt Marsit. Më 15.7.1965, në një largësi prej 14.496 km nga Marsi, Mariner 4 filloi t’i regjistrojë edhe fotografitë e para nga një teleskop Cassegrain që kishte distancë fokusuese prej 305 mm dhe një diametër prej 38 mm. Gjithashtu, kjo sondë arriti të matë me sukses dhe në mënyrë shumë precize shtypjen e ajrit në Mars. Nga të dhënat që i dërgoi kjo fluturake, të cilat më vonë u rikonstruktuan, u konstatua se atmosfera në Mars ishte shumë e rrallë dhe kryesisht përbëhej nga dioksid karboni. Kjo ishte një goditje për ata që besonin në mundësinë e jetës në Mars. Regjistrimet e sinjaleve transmetuese që depërtonin përmes atmosferës së Marsit, dëshmuan se shtypja arrin vetëm 1,5 % nga ajo e Tokës. Kjo ishte më pak se një e dhjeta e asaj që kishte llogaritur Loëell, dhe aq e ulët, saqë të gjithë lumenjtë e rrjedhshëm mbi sipërfaqe, menjëherë do të avulloheshin.
MISIONI ZOND 2
Viti: 1964
Data startuese: 30.11.1964
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Sond 2 (në përdorimin anglisht „Zond“) është një risi në hulumtimet sovjetike për Marsin. Kjo sondë nuk bën pjesë në programet sovjetike për Marsin por në programet për Hënën. Edhe sot e kësaj dite spekulohet për detyrat që kishte kjo sondë: të kalojë pranë planetit apo të zbarkojë në të. Për këtë të fundit flet distanca e afërt ndaj Marsit – vetëm 1.500 km. Që sovjetikët kishin për qëllim dërgimin e kësaj sonde në Mars para sondës amerikane Mariner 4, është pak për t’u besuar, pasi kjo sondë do të duhej ta arrinte Marsin më 6.8.1965, pra, një muaj e gjysmë pas sondës amerikane Mariner 4. Megjithatë, inxhinierët e NASA-s, dy ditë pas startimit të sondës Mariner 4 arritën që të regjistrojnë në ekranet e tyre kontrolluese një startim sekret në qendrën kozmike të sovjetikëve. Sovjetikët nuk konfirmuan startimin e fluturakes Zond 2, megjithatë, gjurmimet e NASA-s rezultuan se edhe kjo fluturake kishte kursin drejt Marsit. Kjo sondë peshonte 959 kg dhe ishte ndër fluturaket e para interplanetare që posedonte mekanizëm lëvizës elektronik.
Sonda startoi me sukses, mirëpo shumë shpejt u bë e qartë se gjatë hapjes së paneleve solare, njëra ndër to nuk funksiononte, kështu që edhe furnizimi me energji i kësaj sonde mbeti gjysmak. Më 2.4.1965, në një largësi prej afro 100 milion km, përafërsisht në vendin e njëjtë ku u zhduk edhe sonda Mars 1, e humbi papritmas dhe përfundimisht kontaktin me qendrën në Tokë.
MISIONI MARS E
Viti: 1969
Data startuese: 27.1.1969
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Të vetëdijshëm, se në „garën fluturuese“ drejt Marsit duhen shumë fluturime, dhe për të kaluar në epërsi, sovjetikët u koncentruan në zhvillimin e një gjenerate të re dhe të rëndë sondash, raketambajtësit e së cilave do të startonin përmes një sistemi të ri protoni. Rreth kësaj sonde, edhe sot e kësaj dite, dihet shumë pak. Gjithashtu, edhe rreth peshës së saj ka vetëm spekulime. Ajo duhej të ishte e përbërë nga një pjesë (rreth 100 kg) që duhej të ateronte mbi sipërfaqen e Marsit, si dhe nga pjesa tjetër, e cila do të lëvizte në orbitën e Marsit dhe nga atje do të regjistronte fotografi.
Megjithatë, gjatë startimit, kjo sondë pati problem, pasi që mbajtësit e peshës nuk u zhbllokuan dhe me këtë nuk u aktivizua ndezja e tretë e procesit raketor.

MISIONI MARINER 6
Viti: 1969
Data startuese: 24.2.1969
Shteti: SHBA
I suksesshëm: Po
Katër vjet më vonë, gjithnjë, sipas praktikës së mëhershme – dërgimin e dy sondave për çdo mision – më 24.2.1969 u startua sonda Mariner 6, sakaq më 27.3.1969 sonda Mariner 7. Më 31.7.1969, 11 ditë pasi këmba e njeriut të parë nga Toka, Neil Armstrong, shkeli mbi hapësirën e Hënës, sonda amerikane Mariner 6, mu ashtu siç ishte paraparë, arriti Marsin. Mariner 7 arriti disa ditë më vonë.
Startimi dhe fluturimi i kësaj sonde u zhvillua pa asnjë problem dhe, më 29.7.1969, në një afërsi prej 1.17 milion km, filloi regjistrimet që zgjatën deri në një afërsi prej 724.000 km. Gjithsej, u bënë 49 regjistrime komplete. Dy orë para kalimit pranë Marsit, filluan edhe regjistrimet e marra nga këndi, me ç’rast, 26 u regjistruan në shirit.
MISIONI MARINER 7
Viti: 1969
Data startuese: 27.3.1969
Shteti: SHBA
I suksesshëm: Po
Disa ditë më vonë, pas startimit të sondës çifte Mariner 6, startoi me sukses edhe sonda Mariner 7, që për qëllim kishte hulumtimin e mbulesave polare të Marsit. Mirëpo, gjatë fluturimit drejt Marsit, papritur dhe pa kurrfarë paralajmërimi, ndërpritet dërgimi i sinjaleve nga kjo sondë. Teknikët arritën të rikthejnë kontaktin e humbur, por sinjalet, tanimë ishin mjaft të dobëta. Megjithatë, ato mjaftonin për t’u treguar atyre se një pjesë e kësaj sonde ishte shkatërruar plotësisht. Një bateri në bord, me gjasë, ishte goditur nga një mikrometeorit që kishte provokuar eksplodimin e saj dhe kështu kishte dëmtuar fluturaken. Urdhrat kompjuterikë që iu dërguan Mariner 7 për injorimin e këtij instrumenti të dëmtuar, u akceptuan, dhe me këtë u vendos prapë lidhje e mirë transmetuese.
Më 2.8.1969, kjo sondë transmetoi regjistrimet e parat të Marsit. Gjatë 57 orëve pasuese u bënë 93 regjistrime dhe, dy orë para kalimit pranë Marsit, më 5.8.1969, u bënë edhe 33 regjistrime brenda 74 min. nga kamerat këndore të cilat u memorizuan në shiritin e aparatit regjistrues. Ishin planifikuar më shumë fotografi, mirëpo, për shkak të kapacitetit të kufizuar të shiritit memorizues në mjetin për regjistrim, nuk u realizuan. Nga kamerat e kësaj sonde u regjistrua edhe njëri ndër satelitët e Marsit, Phobosi, dhe, në pika të trasha u konstatua madhësia e tij: 22.8 x 17.6 km.
MISIONI MARINER 8
Viti: 1971
Data startuese: 8.5.1971
Shteti: SHBA
I suksesshëm: Jo
Mbi bazat e sondës Marnier 6 dhe 7 u konstruktua edhe sonda “qarkore” Mariner 8, e cila duhej të qarkullonte rreth Marsit dhe këtë planet, nga pozitat e ndryshme dhe ne formë hartografike, ta regjistronte dhe fotografonte. Edhe kjo sondë, në princip kishte strukturën e sondave Mariner 6 dhe 7, mirëpo ishte e pajisur me instrumente moderne dhe në bord kishte edhe një kompjuter, i cili për herë të parë, në mënyrë të pavarur, pra, edhe pa teledirigjim nga kontrolli tokësor, mundësonte realizimin dhe zbatimin e urdhrave të caktuar. Qëllimi i kësaj sonde ishte fluturimi rreth sferave polare të Marsit dhe Hartografimi i më se 70 % të sipërfaqes së tyre. Sonda peshonte rreth 998 kg; në bord kishte një regjistrues shiritor me kapacitet prej 180 megabitësh për memorizimin e të dhënave; sistem kamerash me një distancë fokusuese deri më 500 mm që mundësonin një rezolucion prej 704 x 832 pixelë dhe me një ndritshmëri prej 9 bitëve. Mariner 8 startoi me sukses më 8.5.1971 nga platforma startuese (kozmodromi) në Cape Kennedy, mirëpo, disa minuta më vonë, për shkak të një defekti të vogël, bie në Atlantik. Shkaktar për këtë u konstatua se ishte një diodë (me vlerë prej disa centësh) në bord, e cila ndikoi në sistemin autopilot duke ndërprerë sistemin ndezës të raketës “Atlas – Centaur”.
MISIONI MARS G (KOZMOS 419)
Viti: 1971
Data startuese: 10.5.1971
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Jo
Dy ditë më vonë, sovjetët lansuan sondën e tyre Mars-G që më vonë u riemërtua Kosmos 419. Pasi që të gjitha misionet për Mars, me përjashtim të sondave Zond-2 dhe Mars-1, dështuan që në start, sovjetët këtë herë vendosën t’i lansojnë tri sonda brenda vitit 1971, me shpresë që së paku njëra nga ato të arrijë cakun.
Pas startimit të suksesshëm, procesi i fundit ndezës, Bloku D, nuk aktivizon protonin përkatës, meqë rregulluesi për aktivizimin e mekanizmit shkëputës që duhej të ishte i programuar në orbitë për një orë e gjysmë, gabimisht ishte programuar në një vit e gjysmë, dhe kështu, kjo sondë, nuk arrin ta kalojë orbitën e Tokës. Dy ditë më vonë, gjatë rikthimit në atmosferë, shuhet përgjithmonë.
MISIONI MARS 2
Viti: 1971
Data startuese: 19.5.1971
Shteti: Bashkimi Sovjetik
I suksesshëm: Pjesërisht

Startimi i sondës tjetër, Mars 2, që pasoi disa ditë më vonë se sonda Mars G, ishte i suksesshëm. Kjo fluturake, që si masë startuese peshonte 4.650 kg, arriti pa ndonjë komplikim të posaçëm hapësirën e Marsit. Sonda përbëhej nga dy pjesë: nga „Zbarkuesi“, i cili pas hyrjes së sondës në orbitë të Marsit, do të shkëputej nga ajo dhe do të zbarkonte në sipërfaqen e Marsit, si dhe nga „Qarkori“ i cili do të lëvizte në orbitën e Marsit.
„Zbarkuesi“ ishte paraparë që së pari përmes parashutës e pastaj përmes një motori të zbarkojë në sipërfaqe. „Zbarkuesi” vetë, kishte një diametër prej 1.2 m dhe peshonte rreth 100 kg. Ai ishte i mbuluar me një strehë (pllakë) prej 2.5 m, e cila shërbente për mbrojtje nga nxehtësia. Në pjesën e jashtme të „Zbarkuesit“ ishte i vendosur një rover (mjet lëvizës) që ishte i lidhur me një spango 15 m të gjatë, e që kishte për detyrë hulumtimin e sipërfaqes së Marsit.
„Qarkori“ peshonte rreth 2.500 kg, kishte lartësi prej 5 m, diametër qendror prej 2 m dhe një shtrirje prej 7 m.
Më 27.11.1971 kapsula zbarkuese u nda me sukses nga sonda, mirëpo, gjatë zbarkimit, hapja e parashutës nuk funksionoi dhe nga përplasja e fortë me sipërfaqen, „Zbarkuesi“ u shkatërrua plotësisht në hapësirën e „Hellasit“.
„Qarkori“ funksionoi për 271 ditë rresht në orbitën e Marsit, megjithatë, në krahasim me sondën amerikane Mariner 9, e cila u lansua 11 ditë më vonë, dërgoi shumë pak të dhëna në Tokë. Një ndër arsyet kryesore supozohej të ishte mangësia e fleksibilitetit të programeve. Gjithashtu, derisa Mars 2 filloi punën me regjistrime, planetin Mars e kaploi një stuhi e fortë rëre që mbuloi gati gjithë sipërfaqen e tij dhe kështu pamundësoi, në ato pakë fotografitë e regjistruara, ndonjë pamje të detajuar. Bazuar nga libri “Marsi, planeti i mistereve”, Sabir Krasniqi

Google+ Followers