Karavaxhio, misteri i një gjeniu të Rilindjes


400 vjet pas zhdukjes së njërit prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit italian, disa analiza të fundit të AND-së mund të zgjidhin më në fund misterin e vdekjes së tij
Është një nga misteret më të mëdha të artit italian dhe madje botëror, por që ndoshta siç ndodh gjithmonë me misteret, herët a vonë, i ka ardhur koha që të zbërthehet. Rezultatet e disa analizave të fundit të mjekëve ligjorë që kanë pasur subjekt AND-në ndoshta janë në prag të zgjidhjes së misterit që ka mbështjellë prej shekujsh vdekjen e njërit prej gjenive më enigmatikë e më shumëngjyrësh të historisë.

Antiheroi i Barokut, Mikelanxhelo Merisi, i njohur nga të gjithë me emrin Karavaxhio, vdiq, sipas njërit prej versioneve që rrëfehen, nga malaria dhe në vetmi, në bregdetin e Toskanës, në shtratin e një spitali. Megjithatë, trupi i tij nuk u gjet kurrë dhe me kalimin e shekujve u përpunuan teori nga më të ndryshmet në lidhje me zhdukjen e tij, por edhe me vetë jetën dhe aftësitë e rralla artistike që kishte. Jeta, shijet dhe bëmat e tij kanë lënë pas një gjurmë po aq të rëndësishme dhe unike sa edhe veprat e shumta dhe të pavdekshme. Për historianët e artit, jeta e mjeshtrit është studiuar në të njëjtën masë si edhe pikturat. Megjithatë, tani, ndërsa mbushen plot 400 vjet nga zhdukja e Karavaxhios, kërkuesit e Universitetit të Ravenës dhe Bolonjës kanë bërë disa teste AND-je të disa kufomave të vjetra të ndodhura në një kriptë në Toskana. Në përfundim të këtyre analizave, ata po binden gjithnjë e më tepër se disa nga këto mbetje të trupave njerëzorë i përkasin mjeshtrit të famshëm e misterioz. Kërkimet e tyre nisën me një grup shumë të madh kufomash dhe tani janë kufizuar vetëm në 9 prej tyre, të cilat janë dërguar në laboratorin e Ravenës që është edhe shumë i specializuar për analiza AND-je. Provat do të fokusohen të gjejnë gjurmë të sëmundjes së malaries në kockat e mbetura dhe sëmundjesh të tjera që kanë qenë shumë të përhapura dhe vdekjeprurëse 4 shekuj më parë, para se të shpikeshin antibiotikët. Shkencëtarët shpresojnë që të krahasojnë rezultatet e analizave të ADN-së me ato të pasardhësve aktualë të piktorit. Për këtë, kërkuesit kanë nisur që të shohin për pasardhësit e mundshëm të mjeshtrit të madh në një qytet verior italian, në afërsi me Milanon, ku ai kaloi fëmijërinë. Disa prej njerëzve të testuar ka të ngjarë që të jenë pjesë e së njëjtës familje, por për këtë duhet të kryhen teste të mëtejshme shumë më të hollësishme. Në fakt, vetë Karavaxhio nuk la pasardhës, ndaj grupi i studiuesve duhet të kërkojë për pasardhësit e kushërinjve të tij. Shkencëtarët po punojnë gjithashtu edhe me një Silvano Vinçenti, i cili është një njeri shumë i informuar për sa u përket çështjeve misterioze të Mesjetës. Ai është marrë edhe me çështjen e Dante Aligerit. Vite më parë zhvarrosi çfarë kishte mbetur nga trupi i shkrimtarit të madh italian dhe përmes teknologjisë dixhitale arriti që të rindërtonte fytyrën e  babait të “Komedisë Hyjnore”. Ai madje ka njoftuar se të njëjtën gjë do të bëjë edhe me Loenardo da Vinçin për të mbështetur teorinë se Mona Liza është thjesht një autoportret. Por ndërkohë, ai po merret me misterin e Karavaxhios. “Në këtë histori, si në të gjitha të tjerat, unë jam duke ndjekur instinktet e mia, sepse ato janë udhërrëfyeset në punën time. Për t’u marrë me hetimin e  çështjeve që kanë ndodhur 400 vjet të shkuara duhet që të kesh intuitë të posaçme”, thotë Vinçenti. Ndërkohë, njëra nga teoritë që është më e përhapur në lidhje me vdekjen e Karavaxhios është se ai u vra nga kalorësit e Maltës me aprovimin e heshtur të Vatikanit, pasi thuhet se u zbulua se kishte vrarë dikë. Thuhet se Karavaxhio e kishte goditur viktimën e tij për vdekje pas një zënke për çështje borxhesh, apo çështje dashurie. Menjëherë pasi kreu vrasjen, Karavaxhio shkoi në Romë e më pas në Maltë ku u bë pjesë e Vëllazërisë së Kalorësve. Por në më pak se dy vjet u përzu nga vëllazëria, pasi gjatë qëndrimit aty kishte sulmuar një kalorës. Si u përzu nga Malta mjeshtri u nis sërish  për në Romë, me shpresën se këtë herë do të fitonte një falje nga ana e Papës duke qenë se i kishin mbetur ende miq të fuqishëm në qytet. Por ai nuk arriti dot kurrë që të mbërrinte në Romë. Sipas shumë akademikëve, ishte sëmundja ajo që ia mori jetën piktorit. Raportet që datojnë shekullin e 17-të thonë se ai u sëmur rrugës, madje në plazhin e Porto Ercoles. Ndërsa raporte të tjera thonë se ai vdiq shumë shpejt në një spital të vogël dhe u varros në varrezën e San Sebastianos. Në vitin 1956 mbetjet kockore nga varreza në fjalë u zhvendosën në një kriptë në afërsi të varrezës së bashkisë dhe pikërisht aty janë përqendruar edhe kërkimet e shkencëtarëve. Nëse do të gjenin të vërtetën e vdekjes së tij, atëherë do t’i jepej fund edhe të ashtuquajturës “Mania Karavaxhio” që ka përfshirë Italinë. Këtë vit mbushen 400 vjet nga vdekja e mjeshtrit të madh dhe për festimet e një përvjetori të tillë është caktuar një komitet i posaçëm që do të organizojë shumë veprimtari në të gjithë vendin. Festimet, në fakt, kanë nisur në muajin shkurt me një ekspozitë në qendër të Romës me 24 vepra të Karavaxhios, më të mirat e tij, të cilat kanë ardhur nga muzeumet më të mëdha të botës. Por në fakt, piktori nuk ka gëzuar gjithmonë këtë popullaritet. Në Romë, gjatë kohës që ishte gjallë, piktorët që punonin me të, apo edhe njerëz të tjerë ishin të befasuar, madje të tmerruar nga realizmi i veprave të tij me temë sensuale. Mjeshtri dinte të përshkruante me penën e tij detaje që ishin të papërshkrueshme dhe në njëfarë mase tabu. Ndër porositësit më të mëdhenj të veprave të tij ishin Napoli, Malta dhe Sicilia. Kur ndërroi jetë në vitin 1610 në moshën 38-vjeçare, ata që dikur e kishin sharë befas bënë dashamirës, duke folur me superlativa për metodat e tij revolucionare në përdorimin e kontrasteve në veprat e tij për të përshkruar dritën, apo errësirën. Nga puna e tij u frymëzuan më vonë edhe autorë të tillë si Rembrand, apo Velzquez. Ndërkohë, tani ka disa ekspertë që mbështesin një fakt shumë interesant që Karavaxhio ndodhet një shkallë më lart se edhe vetë Mikelanxhelo në listën jozyrtare të piktorëve dhe artistëve më të mëdhenj të Rilindjes italiane.

Google+ Followers