Historia mafiozit John Gotti, padrinoja i fundit i Cosa Nostra-s

Mafiozi i vetëm që fitoi simpatinë e medias dhe të publikut


Historia e familjes “Gambino”  është e mbushur plot mistere, luftë tradhti, vrasje, çka ka bërë që kjo familje të hyjë në histori si një nga familjet më legjendare. Këtë familje e bëri të fashme John Gotti, ose siç i thoshin ndryshe “bosi spic” ngaqë vishej mjaft bukur dhe cilësohej si Al Kapone i ri i Amerikës. Gotti ishte personi që fitoi simpatinë e një pjese të publikut, të medias dhe urrejtjen e prokurorëve federalë dhe agjentëve të FBI-së. Ai së bashku me Al Kapones dhe Joe Colombo, ishin mafiozët e vetëm që dolën në kopertinën e revistës” TIME”.

“Gambino”, dy shekuj pushtet dhe luftra
Familja kriminale Gambino është një nga “Pesë Familjet” që kontrollon aktivitete të krimit të organizuar përgjithësisht në New York City, SHBA, i njohur në mbarë vendin me një fenomen kriminal si Mafia (ose Cosa Nostra). Me bazë në New York City, operacionet e bandës u shtrinë përgjatë gjithë bregdetit lindor dhe anembanë vendit deri në Califonia. Aktivitetet e jashtëligjshme përfshijnë shfrytëzimin e punëtorëve, kumar, mashtrime të ndryshme, grabitje me dhunë, pastrim parash, prostitucion, vrasje me pagesë, thyerje të ligjet për hedhje të mbeturinave toksike, vjedhje të ndryshme.
Origjinat
Origjinat e familjes kriminale Gambino mund kërkohen në ditët e hershme, kur banda kriminale napoletane e udhëhequr nga Pellegrino Morano, “Don Grino”, i cili u pasua nga Salvatore D’Aquila, “Toto”, menjëherë, pasi Morano u burgos në vitin 1916. D’Aquila u përball me forcat e Giuseppe Masseria, “Joe the Boss” (Xho Bosi), dhe u vra rreth vitit 1928, kur banda që ai kishte udhëhequr shkoi në duart e Alfred Mineo dhe Steve Ferrigno, gjatë periudhës së Prohibicionit. Lufta e Castellammarese, ndërmjet rivalëve nga New York-u, Masseria dhe Salvatore Maranzano, la pas shumë viktima, në mes të cilave Mineon dhe Ferrignon, të cilët u kapën në befasi dhe u vranë në 5 Nëntor të vitit 1930, jashtë shtëpisë së Ferrignos në adresën 759 Pelham Parkëay South. Këto vrasje ishin ndër të fundit e radhëve të gjata vrasjesh nga të dyja palët në luftë, e cila në fund mbaroi dhe me vdekjet e dy “kokave”; Masseria në prill të vitit 1931 dhe Maranzano pesë muaj më pas. Përfituesi më i madh (dhe organizatori i dy vrasjeve) ishte Charlie Luciano, “Lucky”, i cili menjëherë riorganizoi krimin e organizuar në New York dhe hodhi bazat për themelimin e bashkimit, “Pesë Familjeve” të New York-ut, i bërë i njohur si “Komisioni” i Cosa Nostra.
Pas Luftës së Castellammarese
Duke pasuar një periudhë nën kontrollin e Frank Scalice, i pari lider, i njohur publikisht i familjes kriminale Gambino, ishte Vincenzo Mangano, “Vincent”, një student i denjë i shkollës Mafioze, në stilin e Masserias dhe Maranzanos, por dikush që tolerohej nga të gjithë, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Emil Camardan, zëvendëspresidenti i International Longshoremen’s Association. Nëpërmjet organizatës, Mangano dhe familja kontrollonin pjesën lindore të New York-ut dhe Brooklyn-it me aktivitete si grabitje me dhunë, mashtrime në masë, dhe kumar të jashtligjshëm, duke përfshirë këtu dhe bastet në garat me kuaj dhe llotari të ndryshme. Mangano themeloi gjithashtu dhe City Democratic Club, me pretekstin e promovimit të bazave të vlerave amerikane, por në të vërtetë ishte për të mbuluar Murder Inc., bandën e mirënjohur të vrasësve, përgjithësisht çifutë, të cilët do të mbaronin punën që u kërkohej nga familja italo-amerikane, kundrejt një pagese. Phil Mangano ishte një anëtar, ashtu si dhe Albert Anastasia, i njohur si “Zoteria i Lartë Ekzekutor”. Në atë kohë, Carlo Gambino ishte rritur në detyrë brenda organizatës, ashtu sikurse ishte dhe një lider tjetër i së ardhmes së familjes, kunati i Gambino-s, Paul Castellano, “Big Paul” (Poli i Madh).
Vriten Vëllezërit e Mangano-s
Anastasia dhe Mangano gjithmonë shmangnin përballjen me njëri-tjetrin. Mangano ishte mjaft i indinjuar që Anastasia preferonte të mbante lidhje me anëtarë të ndryshëm të familjeve të tjera dhe në shumë raste të dy kanë qenë në prag të fillimit të një konflikti mes njëri-tjetrit. E gjithë kjo do të mbaronte shumë keq për Manganon dhe në Prill të vitit 1951 gjendet trupi i tij i pajetë, ndërsa vëllai i tij u zhduk pa lënë asnjë gjurmë. I thirrur për të dëshmuar përpara familjeve të tjera të New York-ut, si i dyshuari kryesor për vrasjet e ndodhura, Anastasia asnjëherë nuk pranoi të ishte i përfshirë në dy vdekjet e Manganove, por megjithatë deklaroi që Vince planifikonte prej kohësh vrasjen e tij. Albert Anastasia kishte shumë kohë që drejtonte familjen dhe asnjë në familje nuk e mendonte veten të përfshirë në ecurinë e një prej vrasësve më të frikshëm të asaj kohe. Carlo Gambino, një karakter i ngjashëm me atë të një udhëheqësi, bëri manovrën për të marrë pozicionin e zëvendësit të Anastasias.
Anastasia eliminohet
Pasuria e familjes ishte e lidhur ngushtë me fitimet e një familjeje tjetër, atë që drejtohej nga Frank Costello, e cila njihet sot si familja kriminale Genovese. Vito Genovese zëvendësshefi “i uritur” për pushtet, kishte nevojë të gjente një mënyrë për të shkatërruar lidhjet e ngushta mes Costellos dhe Anastasias, lidhje këto që ishin burim solidariteti në Sindikatën Kombëtare të Krimeve për të dy shefat. Kështu që Genovese arrin të përfitojë nga vrasja e një burri nga Brooklyn i quajtur Arnold Schuster në vitin 1952, të cilin Anastasia e kishte vrarë, sepse, rastësisht, ndodhi të ishte dëshmitar okular në vrasjen e një grabitësi bankash (të cilin Anastasia as që e njihte). Genovese dëshmon se Anastasia ishte i pabalancuar dhe një kërcënim për sindikatën. Me mbështetjen e Gambinos kundër shefit te tij, Genovese i kishte vënë gjërat në vijë për të hequr qafe udhëheqësin e Gambinove. Në fillim, Costellos i bëhet një atentat jashtë ndërtesës së apartamentit të vet dhe plagoset rëndë në dy Maj të vitit 1957. Atentati e shokoi Costellon deri në atë mase sa shpalli tërheqjen e vet nga kreu i familjes dhe doli në pension, duke i lënë gjithçka Genoveses. Supozohet që atentatori të ketë qenë Vincent Gigante, “Chin” (Mjekra).
Gjashtë muaj më vonë, ne 25 Tetor 1957, Anastasia vritet në karrigen e një berberhaneje në hotelin Park Sheraton në West 56 Street. Për shumë vite me radhë, vrasja mendohej të ishte kryer nga Joseph Gallo, “Crazy Joe” (Xhoi i Çmendur). Më vonë, shefi i familjes kriminale Colombo dhe armiku i Gallos, Carmine Persico, “Junior” (I riu), vetëshpall autoritet dhe meritë vetjake. Gjithsesi, gazetari Jerry Capeci në shkrimin e tij online “Vendi i Gangsterëve” dëshmon se vrasja është kryer nga një skuadër me tre vetë, e organizuar nga Joseph Biondo, “Joe the Blonde”, (Xho Bjondi) me urdhër të Carlo Gambino. Kjo skuadër përbëhej nga Stephen Grammauta, Stephen Armone dhe Arnold Wittenburg, një “grup pune” i trafikantëve të heroinës në Pjesën Lindore të Poshtme.
Ish zëvendësshefi i Anastasias, Carlo Gambino, mori në dorë të gjithë aktivitetet e familjes, e cila që atëherë njihet me emrin e tij. Biondo u shpërblye me postin e zëvendësshefit, të cilin e mbajti deri në ditën e vdekjes në 1966. Grammauta zuri postin e kapos gjeneral në vitet 1990.
Gambino promovon Familjen
Genovese burgoset për 15 vjet, ku edhe vdes në 1969. Familja Gambino shumë shpejt u bë një nga familjet më të fuqishme në Sindikatën Kombëtare të Krimeve, me lidhje të forta me shtëpitë e kumarit të Meyer Lanskyt në Cuba dhe Bahamas, një biznes shumë fitimprurës ky për Mafian. Dështimi i Joseph Bonanno, “Joe Bananas” (Xho Bananja), udhëheqësi i familjes kriminale Bonanno dhe rivali kryesor i Gambinos, për të anashkaluar Gambinon dhe “kokat” e familjeve të tjera kriminale të New York-ut në fund të luftës së Bonannos, e bëri Gambino-n një nga liderat më të fuqishëm të “Pesë Familjeve”. Supozohet se Gambino ka përdorur pozitat e veta për të organizuar vrasjen e Joseph Colombo, lideri i familjes kriminale Colombo, në 28 Qershor 1971. Ka gjasa që vrasësi i Colombos, Jerome Johnson, të ketë qenë një “ushtar” i vetmuar i mbështetur në familje nga Colombo për Lëvizjen Italiane të të Drejtave të Njeriut. Ose si shprehet dhe një informator i quajtur Michael Franzese, ai mund të ishte mashtruar ose vënë në kurth nga vetë Carlo Gambino. Colombo i mbijetoi atentatit, por qëndroi në koma derisa vdiq në vitin 1977. Ai u varros përkrah Joseph Gallo. Johnson u vra nga truproja e Colombos.
Në ç’do rast, influenca e Gambinos ndihej dhe në prapa skenat e familjes kriminale Luchese, e udhëhequr kjo nga Carmine Tramunti, “Mr. Gribbs”. Gambino supozohet gjithashtu se kishte ndikim dhe në zgjedhjen e Frank Tieri, “Funzi”, si shef i familjes kriminale Genovese, pas vrasjes së Thomas Eboli, të cilin Gambino e kishte vrarë, për shkak të një borxhi droge me vlerë 4 milion dollarë. Në 15 Tetor 1976, Gambino vdiq nga një atak në zemër dhe kontrolli i familjes nuk shkoi atje, ku është më i mundshëm të shkonte, për zëvendësshefin Aniello Dellacroce, “Mr. Neil” (Zoti Neil), por për kunatin e Gambinos, Paul Castellanon, aleatët e Dellacroces mbetën të pakënaqur nga kjo lëvizje. Gjithsesi, Dellacroce i la gjërat siç ishin dhe vazhdoi të ishte sërish zëvendësshef i Castellanos tashmë.
FBI-ja “ngushton rrethin”
Mbështetësit e Dellacroces mbetën të pakënaqur, duke menduar se Castellano e ka trashëguar pozitën e vet më shumë se sa e ka fituar atë. Castellano ruajti një pjesë të energjisë për të mbajtur nën kontroll mbështetësit e Dellacroces, duke përfshirë këtu dhe skuadrën e mirënjohur të Anthony Gaggi, “Nino”, dhe Roy DeMeo, e cila mendohet të ketë kryer diku tek rreth 10-15 vrasje përgjatë regjimit të Castellanos që nga vitet e fundit të 1970-ve, deri në mes të viteve 1980. Kur Castellano ishte akoma në krye, shumica e aktiviteteve të familjes operoheshin dhe kontrolloheshin në mënyrë jo zyrtare nga një katërshe e përbërë nga lideri i fuqishëm i distriktit të Garment, Thomas Gambino, “Tommy”, nga truproja dhe zëvendësshefi i ardhshëm Thomas Biloti, “Tommy”, dhe nga të fuqishmit liderë të zonës së Queens, Daniel Marino, “Danny”, dhe James Failla, “Jimmy Brown”, të gjithë rivale kryesore të John Gottit. Nuk ishte koha për acarime dhe argumenta brenda familjes, kur Byroja Federale e Investigimeve e kishte shënjestruar familjen Gambino si më të lehtën nga të pestat për t’u depërtuar. FBI arrin të përgjojë, në sajë të një përgjuesi të vendosur në llambën e tavolinës së kuzhinës së Castellanos, bisedat e shefit të familjes për disa aktivitete të jashtëligjshme dhe deri në fillim të viteve 1980, Castellano ishte i ngarkuar me një sërë akuzash. Ai deklaron se dëshironte që familjen ta merrte në dorë djali i Carlo Gambinos, Thomas. Në vitin 1983, dënohen 13 anëtare të familjes Gambino për trafikim droge. Në këtë grup përfshihej dhe vëllai i John Gottit, Gene, dhe shoku i tij i ngushtë, Angelo Ruggiero, “Quack Quack”, i cili e kishte nofkën kështu (Kuak-kuak), për shkak se nuk pushonte së foluri. Policia federale kishte faktikisht që në vitin 1980 që përgjonte telefonin e tij fiks. Ata e kishin Ruggieron të regjistruar në kaseta, ku bisedonte për biznese të familjes, trafikim droge dhe shprehje mallëngjyese për Castellanon. N.q.s. Castellano do e kishte marrë vesh që njerëzit e tij po trafikonin drogë, duke mos respektuar kështu rregullin e tij anti-drogë, Ruggieron do e kishin vrarë tashmë. Në bazë të ligjit, të pandehurit i lejohet të bëjë kërkesë për t’iu treguar kasetat e regjistrimit në ndihmë të mbrojtjes dhe kështu u bë megjithëse Dellacroce bëri të pamundurën për t’i manipuluar ato. Dellacroce ishte në këtë kohë i sëmurë me kancer, por me Ruggierion tepër të dëshpëruar për ndihmë, shoku i tij John Gotti i qëndron përkrah. Castellano këmbëngulte për transkriptet e kasetave, ose ai do të kërkonte heqjen qafe të Ruggerios dhe Gottit. Gotti e kuptoi që duhet të vepronte shumë shpejt dhe vdekja e Dellacroce në 2 Dhjetor 1985 i hapi atij rrugën për të shmanguar një pengesë si Castellano.
John Gotti merr gjithçka në dorë
Në 16 Dhjetor 1985, Bilotti dhe Castellano po shkonin në një mbledhje me kapon Frank De Ciço, kur ata u qëlluan nga 4 vetë të paidentifikuar gjatë një ore trafiku. Këta burra u njohën nga eksperti i bandave Jerry Capeci dhe u identifikuan më vonë si Angelo Ruggiero, John Carneglia, Vincent Artuso and Salvatore Scala, të cilët ishin paguar për vrasjet nga John Gotti. Gotti ishte shumë i njohur për kostumet e tij të qepura me dorë dhe kollaret e mëndafshta, dhe për daljen e tij para medias, ndryshe nga çdo shef Mafioz më parë. Ai e caktoi DeCiccon si zëvendësin e tij dhe rriti në detyrë Ruggiero, si kapo gjeneral, në krye të skuadrës së tij të vjetër. Në atë kohë, Salvatore Gravano, “Sammy the Bull”, supozohej të ishte i zgjedhur këshilltar.Gotti favorizonte takime me njerëzit kur dilte në vende publike me qëllim që aparatet e sigurisë (survejimit) të kapin imazhe vizuale të tij. Shtëpia e tij ne Hoëard Beach, Queens, shpeshherë shihej në televizor. Një nga komshinjtë e tij gjatë asaj kohe ishte John Favara, i cili u zhduk pas aksidentit me makinë, që i bëri djalit 12 vjeçar të Gotti-t, duke e lënë atë të vdekur. Një komshi tjetër ishte shoku i ngushtë dhe bashkëpunëtori i Gottit, Joseph Massino, “Big Joe” (Xho i Madh), i cili në fund të viteve 1980 njihej si zëendësshef i familjes Bonanno dhe një kandidat i fortë për të udhëhequr, që pas burgimit të shefit Philip Rastelli, “Rusty” (Rasti). Shumë shefa të familjeve ishin kundër kësaj jete që bënte Gotti, me daljet në televezion, takimet, ekspozimin e tepërta, veçanërisht ai i familjes Genovese, Vincent Gigante, “Chin” (Mjekra), një ish aleat i Castellanos. Ky i fundit, së bashku me shefat e e familjes Luçhese, Vittorio Amuso, “Vic”, dhe Anthony Casso, “Gaspipe”, vendosi të bënte një atentat për Gottin. Në 13 Prill 1986, një makine bombë, e bërë gati për Gottin, la të vrarë De Ciccon. Me sa duket, ideja e Gottit se ai ishte i paprekshëm (ai ishte i akuzuar nga federalët tre herë dhe kishte arritur të shpëtonte) kishte ardhur tani në një pikë që e bënte atë jo shumë të sigurt. FBI-ja arrin të gjejë një apartament në pjesën “Italia e Vogël”, të cilin e lëshonte një e ve e vjetër, ku shefat e familjeve bënin mbledhjet e tyre. Gotti ishte dëgjuar të planifikonte aktivitete kriminale dhe të ankohej ndaj “punëtorëve” të tij, veçanërisht Salvatore Gravanos, i cili, pasi kishte dëgjuar kasetat e përgjimit të federaleve, kishte pranuar të dëshmonte jo vetëm kundër Gottit, por edhe shumë gangsterëve të tjerë nga të pesta familjet. Në 2 Prill të vitit 1992, Gotti dhe këshilltari Frank LoCascio, “Frankie Loc”, u akuzuan dhe u dënuan me burgim të përjetshëm.
Familja që nga Gotti
Gotti vazhdoi të udhëhiqte familjen që nga burgu, kurse operacionet ditore u lanë për detyrë kapove John D’Amico, “Jackie Nose” (Xheki Hundashi), dhe Nicholas Corozzo, “Little Nick” (Niku i Vogël). Corozzo ishte shumë afër emërimit në krye të familjes, por ai u dënua me 8 vjet burg. Djali i Gottit, John Gotti, “Junior” (I riu), mori kreun e familjes, por në 1998 edhe ai u akuzua dhe u dënua me 77 muaj në burg.
Periudha post Gotti
Kur Gotti vdiq në burg në vitin 2002, i vëllai i tij Peter, u bë shefi, supozohej përkrah D’Amicos, por pasuria e familjes nuk ishte më si disa dekada më parë, kur konsiderohej organizata kriminale më e fuqishme në botë. Peter Gotti u burgos gjithashtu në vitin 2003 dhe familja supozohet të ketë shkuar në duart e Nicholas Corozzos, Jackie D’Amico dhe Joseph Corozzo. Të gjithë ish rivalët e Joh Gottit morën përfundimisht familjen, më shumë për arsyet sepse të gjithë besnikët e Gottit ose u futën në burg, ose ishin akoma duke kryer dënimet e tyre, por dhe sepse Gotti, babai, vdiq në burg në 2002. Kështu, udhëheqësi i punëtoreve dhe kapua gjeneral u bë Michael DiLeonardo, “Mickey Scars” (Njeriu me shenjë), i cili i shndërroi evidencat e federalëve në prova të vërteta për t’u mbrojtur në seancat gjyqësore. Ai u detyrua të dëshmonte kundër gangsterëve të të pesta familjeve. Një nga mbështetësit e fundit të Gottit, DiLeonardo, dëshmoi kundër Peter Gottit dhe Anthony Ciccone, “Sonny”, nga 2003 deri në 2005, dhe u zhduk me ndihmën e Programit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Në të njëjtën kohë, Sammy Gravano, zëvendësshefi i Gottit, ishte larguar nga programi në 1995 dhe ishte arrestuar dhe burgosur për operacione të shpërndarjes së drogave në një zonë nga Arizona deri në New York City në 2003. Gjatë të njëjtit vit, ai u dënua me 19 vjet burg, me dëshmi nga informatorë midis bashkëpunëtorëve të tij. Në 2005, Nicholas Corozzo dhe zëvendësi i tij i përjetshëm Leonard DiMaria, “Lenny”, u liruan nga burgu, pasi kishin kryer dënimin 10 vjeçar për mashtrime dhe falsifikime në New York dhe Florida. Në të njëjtin vit, ligji Amerikan e njohu Corozzon si shefin e familjes Gambino, vëllain e tij Joseph Corozzo si këshilltar, Arnold Squitieri, “Zeke”, si zëvendësshef dhe Jackie D’Amico si shef dhe një anëtar nderi së bashku me vëllezërit Corozzo. Që nga viti 2005 deri në 2007, autoritetet federale kishin arritur të kapnin kapitenët e familjes Gambino; Arnold Squitieri, Gregory DePalma, George DeCicco, “Butters”, Ronald Truçhio, “One Armed Ronnie”, Salvatore LoCascio, “Tore”, dhe Joseph Juliano, “Sonny”, duke përfshirë dhe shumë ushtarë dhe bashkëpunëtorë të tyre. Në 7 Shkurt 2008, autoritet federalë dhe Policia e Shtetit të New York-ut kapën të gjithë hierarkinë e familjes Gambino (bashkë/shefat Nicholas Corozzo, Jackie D’Amico, zëvendëshefin Domenico Cefalu, “Italian Dom” (Dom Italiani), dhe këshilltarin e familjes Joseph Corozzo) me një goditje të rëndë që preku dhe figura nga familjet kriminale Genovese dhe Bonanno dhe akuzoi shumë figura të krimit në Siçili. Për shkak të dënimeve, ka mbetur një boshllëk fuqie në familjen Gambino. Shumë mendojnë se shefi i familjes tashmë është besniku i legjendarit Castellano, Daniel Marino, “Danny”, si pjesë e Queens.
Sot, FBI-ja dhe qeveria e SH.B.A. mendon se familja përbëhet nga 200 deri në 250 anëtarë. Ndërsa familja Gambino është për momentin më e madhja nga të gjitha familjet e tjera dhe anë një goxha influencë, ata nuk janë më të fuqishëm si më parë, në kohën e Carlo Gambinos dhe që nga vdekja e tij kanë patur një rënie graduale, më shumë si shkak i kohëve jo të qarta dhe plot nervozizëm të Paul Castellanos dhe John Gottit. Vijon nesër

Google+ Followers