Fashizmi dhe leninizmi: Orientime për analizën e krahasuar

Teoria e prirur për të demonstruar se leninizmi dhe fashizmi kanë pasur të përbashkëta aspekte formale dhe substanciale nuk është gjë kot dhe bile thellohet në mënyrë të artikuluar, sidomos me kontributet e historianëve dhe të studiuesve



Ku ishte rrënja e së keqes dhe si u rrit përbindëshi

Argumenti është sigurisht shumë i vështirë. Teoria e prirur për të demonstruar se leninizmi dhe fashizmi kanë pasur të përbashkëta aspekte formale dhe substanciale nuk është absolutisht gjë kot dhe bile thellohet në mënyrë të artikuluar, sidomos me kontributet e historianëve dhe të studiuesve që nga paslufta e deri më sot e kanë mbuluar në mënyrë të përsëritur. Por le të ecim hap pas hapi. Evolucioni i ideologjive të mëdha totalitare që janë zhvilluar midis shekullit të XIX-të dhe pas mbarimit të Luftës së Madhe mund të sintetizohet kështu:

Marksizëm - Leninizëm - Revolucion Rus - Stalinizëm

Fashizëm - Marshim mbi Romë - Musolinizëm

Nacionalsocializëm - Ngjitje e Hitlerit në qeveri - Hitlerizëm


Teoria e një fashizmi që lind me prerogativën e luftimit të komunizmit marksist - leninist dhe socializmin real sovjetik, megjithëse e mbështetur nga disa historianë të shquar, nuk ka asnjë mbështetje në faktet realisht të ndodhur; siç do ta shikojmë më poshtë, evolucioni i mendimit musolinian është kompleks dhe antibolshevizmi do të manifestohet kur tashmë fashizmi do të jetë një lëvizje e mirëpërcaktuar që përgatitet të qeverisë Italinë. Flitet për të ashtuquajturin "fashizëm - lëvizje", atë që, sipas thënies së historianit De Felice, do të evoluojë nga lëvizje në regjim; atë që sipas studiuesve të tjerë është në fakt i ashtuquajturi "fashizëm real dhe revolucionar", që njëherë i zhdoganuar nga Viktor Emanueli i III-të, me kalimin e viteve do të infektohet nga influenca borgjeze dhe kapitaliste, që do të kërkojnë t'i lëvizin fijet prapa kuintave për kujdesin e interesave të tyre ekonomike. Historiani Ziv Sternhell ka nënvizuar vazhdueshmërinë revolucionare të djaloshit Musolini, socialist i "dëshpëruar" nga determinizmi kundërrevolucionar i materializmit historik, realizonte në mënyrë të pagabueshme në historinë politike të tij vizionin e "pararojës revolucionare" e cila, e dehur me "idealizëm voluntarist", paraqitej si pika zero e marksizmit të eksperimentuar dhe të shkuar përtej një optike idealiste. Qysh në vitin 1993, lidhur me tezën e historianit izraelian, Profesor Giovanni Sabbatucci theksonte:

"Për Sternhell fashizmi nuk është vetëm një fenomen politik tipik i viteve midis dy luftërave (tezë e De Felice), aq më pak as e një reagimi ndaj kërcënimit komunist (tezë e Nolte). Është edhe një konstruksion i qëndrueshëm ideologjik i përpunuar qysh përpara luftërave të mëdha dhe rezultante e konvergimit të dyjeve fijeve kryesore: të djathtës tradicionaliste dhe populiste (Barre's, Maurras dhe l' Action Francaise) dhe të majtës revolucionare të impenjuar, në gjurmët e Sorel, në një "revizionim antimaterialist" të marksizmit. Kështu, ideologjia fashiste ka lindur dhe është përkufizuar në Francë, domethënë në një vend që nuk e ka njohur (të paktën deri tek qeveria e Vichy) fashizmin "real"; dhe është pikërisht në Francë që mund të vërehet në gjendjen e pastër. Megjithëse, duke mos disponuar një korpus doktrinar të krahasueshëm më atë marksist, ai shpreh njëlloj një vizion karakteristik të botës të bazuar mbi kultin e atdheut, mbi ekzaltimin e momentit komunitar, mbi refuzimin e individualizmit, të materializmit, të racionalizmit iluminist dhe mbi antipatinë ndaj demokracisë liberale. Kjo linjë interpretuese mund të ngjallë (dhe ka ngjallur) ndonjë dyzim.

Sternhell jo vetëm e përkufizon fashizmin si një ideologji revolucioni, por dokumenton kontributin e madh të dhënë nga kjo ideologji komponentëve të ndryshme të së majtës (demokratë të zhgënjyer, socialistë heterodoksë), në një kalim reciprok idesh dhe formulash. Pikërisht, për këtë arsye është e nevojshme t'u jepet rëndësia e duhur këtyre faktorëve të jashtëm: domethënë të dilet nga gardhi i historisë së ideve për t'u hedhur në fushën e historisë së njerëzve dhe të lëvizjeve kolektive".


Pozicioni i Mussolinit inkuadrohet kështu edhe në momentin historik të veçantë që po jetonin vetë Italia dhe Europa pas përfundimit të Luftës së Madhe. Parasëgjithash, mund t'i rreshtojmë aktorët kryesorë:

- Klasa e vjetër politike liberale

- Partia Socialiste

- Luftëtarët e mbijetuar dhe të gjymtuar të Luftës së Madhe

- Proletariati

- Shtresa e mesme dhe borgjezia e vogël

- Borgjezia kapitaliste

Klasa politike xholitiane tashmë ishte e paaftë që ta drejtonte vendin; mpirja e proletariatit dhe e ish-luftëtarëve qenë dy fuçi baruti që përgatiteshin të shpërthenin. Socialistët qenë pashpjegueshmërisht në një gjendje konfuzioni të thellë, duke arritur që të ishin vetëm promotorët e grevave të vazhdueshme që destabilizonin rendin shoqëror. Kurse kapitalistët borgjezë preferonin që të qëndronin mënjanë e të sodisnin: nëqoftëse nga njëra anë ia kishin frikën fashizmit pse fuqimisht revolucionar (të paktën në synimet fillestare), nga ana tjetër promovuan një taktikë pritëse, në shpresën që të kuptonin sesi do të evoluonte kuadri politik italian. Së fundmi, por jo e fundit, nga Lufta e Madhe doli fuqimisht e ridimensionuar shtresa e mesme, e cila e shikonte veten të ngërthyer midis interesave të borgjezisë së madhe dhe pakënaqësisë trazuese të proletariatit. Fashizmi u bë interpretues i fortë i aspiratave të masave punëtore, i zhgënjimeve të shtresës së mesme dhe i frustrimeve të popullit të ish-luftëtarëve që e konsideronte veten, me të drejtë, si i marxhinalizuar nga jeta aktive e vendit dhe nuk arrinin të kuptonin sesi ky vendim mund t'i kish shtyrë menjanë; i kësaj pakënaqësie Partia Socialiste nuk diti t'i bëhej zëdhënëse me vendosmëri. Ideja gjeniale e Mussolinit, sepse kështu mund të përkufizohet pa pikën e dyshimit, qe ajo e bashkimit të shpirtrave të ndryshëm të vendit, duke teorizuar një revolucion që do ta shpartallonte faktikisht pushtetin hegjemon të partive politike të vjetra dhe tashmë të kalbura, që do të kërkonte kështu të përmbyste vetë thelbin e shtetit, duke e zëvendësuar menjëherë me një shtet novator, etik dhe korporativ, ku figura qendrore do të ishte ajo e "njeriut të ri", qytetari fashist, ndërtuesi real i shtetit të ri. Politologu Domenico Settembrini në vitin 2001 theksonte: "Mussolini thotë shprehje si: "Korporativizmi, nëqoftëse është serioz, është socializëm". Lodhet për ta ndërtuar, në rini, "njeriun e ri" dhe në fakt shumë të rinj fashistë që kanë besuar me sinqeritet kalojnë tek Partia Komuniste Italiane, shpesh duke ardhur nga luftëtarizmi republikin. Duçes i duhet njohur merita që ka jetuar në këtë kontradiktë: mbetet antikapitalist, është një prej të paktëve që ndjek me vëmendje revistat marksiste dhe eksperimentin kolektivist të Leninit në Bashkimin Sovjetik; pikërisht për këtë, sepse e di mirë se çfarë katastrofe është komunizmi në Rusi, jeton në kërkimin e "rrugës së tretë", për të shmangur milionat e të vdekurve... E gjithë kultura italiane, fashiste apo komuniste, ka qenë revolucionare dhe kjo trashëgimi nuk është tejkaluar kurrë".

Historiani Renzo De Felice, studiuesi më i madh i argumentit, ecën përpara me tezën se, fashizmi qe kryesisht një lëvizje që shprehte vullnetin e shtresës së mesme: "Shumë historianë jashtë Italisë kanë bërë dallimin midis "fashizmit - lëvizje" dhe "fashizmit - regjim". Është problemi kyç. Diskutimi është themelor, pasi fashizmi - lëvizje është një konstante e historisë së fashizmit, që me kalimin e kohës humbet rëndësi, por që është gjithmonë e pranishme. Fashizmi - lëvizje është filli i kuq që lidh marsin 1919 me prillin 1945; fashizmi - regjim është një gjë tjetër.

Fashizmi - lëvizje është ajo pjesë e fashizmit që ka një vitalitet të tijin; nuk është një gjykim pozitiv, është vetëm një konstatim. Është vitaliteti i fashizmit, ndërsa partia, regjimi, janë në aspekte të caktuara negativiteti. Fashizëm - lëvizja është ajo dëshirë e parealizueshme rinovuese, e interpretimit të nevojave të caktuara, e stimujve të caktuar, e mënyrave të caktuara të rinovimit; është ai "revolucionarizëm" që ndodhet tek vetë fashizmi dhe që tenton të ndërtojë diçka të re. Është një tërësi elementësh parasëgjithash kulturorë e psikologjikë, që pjesërisht janë ato të fashizmit intransigjent përpara Marshimit mbi Romë, por pjesërisht janë diçka e re dhe e ndryshme që përbën vetëpërfaqësimin e fashizmit të projektuar në të ardhmen. Fashizmi - lëvizje ka qenë në pjesën më të madhe shprehje e shtresave të mesme emergjente, domethënë shtresa të mesme të cilat, duke qenë se janë bërë një fakt social, kërkojnë që të fitojnë pjesëmarrje, të fitojnë pushtet politik. Fashizmi ju hap padyshim të gjitha shtresave sociale, por shtylla kurrizore e tij përsa i përket kuadrove dhe elementëve aktivë politikisht dhe ushtarakisht, u karakterizua në kuptimin mikroborgjez, duke i dhënë të gjithë lëvizjes karakterin e një fenomeni që kishte aspekte klasore, karakter që dha mundësinë të nderohej pika e referimit dhe e tërheqjes më e rëndësishme për ata sektorë të mikroborgjezisë që aspironin për një pjesëmarrje dhe drejtim më të madh të tyrin në jetën sociale dhe politikën kombëtare. Këto shtresa të mesme paraqiten si një klasë që tenton të afirmohet si e tillë dhe të afirmojë funksionin, kulturën, pushtetin politik të vet kundër borgjezisë dhe proletariatit. Domethënë, tentojnë që të bëjnë një revolucion. Fashizmi qe kështu tentativa e shtresës së mesme, e mikroborgjezisë që po lindte, që të paraqitej si klasë, si forcë e re; qe një tentativë për të projektuar zgjidhje të reja më moderne dhe më të përshtatshme. Fashizmi është një fenomen revolucionar, në mos për tjetër, sepse është një regjim dhe, akoma më shumë, një lëvizje që tenton në mobilizimin e masave dhe në krijimin e një lloji të ri njeriu. Por cilat mund të jenë pikat e para të kontaktit midis fashizmit dhe leninizmit? Disa prej tipareve dalluese në të dyja ideologjitë mund të jenë:

- Lufta ndaj borgjezisë kapitaliste "Lotta alla borghesia capitalista"

- Kontrasti me Kishën

- Shpërndarja e barabartë e pasurisë në shoqëri

- Lufta ndaj plutokracie (apo demoplutokracive siç i quante Mussolini, të cilat sot mund të përcaktohen si vende të bazuara mbi pushtetin e shumëkombësheve)

Këto janë disa prej koncepteve të përbashkëta të fashizmit të parë dhe të teorive komuniste bazë, paraardhës të të ashtuquajturit "socializëm real". Koncepti sigurisht që nuk është i lehtë për t'u teorizuar, por opinionet e disa historianëve mund të na ndihmojnë në analizën tonë.

Ernst Nolte e përkufizon kështu raportin midis Mussolinit dhe Marksit: "Marksi përkufizohet nga Mussolini si "filozofi i mrekullueshëm i dhunës punëtore". Nuk mund të mohohet se, Duçja i ardhshëm i fashizmit, në mënyrë tejet të parakohshme, kish fituar famën e barrikadistit dhe blankistit; fushata antiklerikale, me dhunë të padëgjuar, që ai drejtoi në Trentino, ashtu si fakti që çoi deri në tepri të përgjakshme në Romagna luftërat sociale midis argatëve, punëtorëve me mëditje e pronarëve, dhe akoma që, në vitin 1914, i vetmi prej krerëve marksistë, mbrojti dhunat e "javës së kuqe", por lufta e klasave është ekspozuar ndaj një rreziku, "socializmit të avokatëve", me prirjen e tij për traktativat parlamentare dhe theksimin e tij të autonomisë së zhvillimit, çon në "refuzimin total të marksizmit" dhe, për pasojë, në dekadencë. Nëqoftëse me komunizëm kuptohet krahu intransigjent i shkëputur nga ai reformist i Partisë Socialiste, Mussolini me të drejtë mund të përcaktohet i pari dhe, nga një këndvështrim i caktuar, komunisti i vetëm europian i periudhës".

Edhe studiuesi A. James Gregor e përkufizon "leninizmin një fashizëm jo të përkryer" dhe mendon se: "Fakti është se shoqëria sovjetike, si shumë prej shoqërive që janë ndërtuar sipas parimeve të regjimeve revolucionare masive, ka marrë karakteristika që janë fashiste në mënyrë të dukshme".

Siç është saktësuar tashmë, qëndrimi parësor që historiografia klasike jep është ai i një fashizmi - lëvizje që lind si antitezë revolucionare ndaj bolshevizmit që në të njëjtat vite po hidhte rrënjët e tij edhe në Itali. Siç e dimë, Lenini dhe Mussolini lindin në brendësi të së njëjtës familjes, asaj të socializmit. Në brendësi të këtij laboratori politik, nga i cili Duçja do të përjashtohet më 1914, rrënjosen në brendësi të të dy liderëve të njëjtit orientime që do të karakterizojnë ideologjitë e ardhshme të frymëzuara prej tyre: ekstremizëm, revolucion, aktivizëm, pengesë ndaj kapitalizmit, populizëm dhe sidomos karizëm e padyshimtë ndaj turmave. Më pas, evolucioni historik do t'i shikojë të dy ideologjitë të ekstremizohen në pozicione diametralisht të ndryshme: fashizmi do të preferojë t'i drejtohet popullit në tërësinë e tij, popullit - komb, ndërsa Lenini do të teorizojë me energji "diktaturën e proletariatit" të tij. Për Mussolinin do të jetë themelore martesa midis socializmit dhe kombit, koncepte që do të kërkojë t'i rishfaq gjatë periudhës së Republikës Sociale; kurse Lenini do të ushtrojë një tip revolucioni në të cilin në fund proletari do ta mundë borgjezin dhe do t'i zërë vendin në majën e piramidës sociale. Socializmi fashist do të ngjitet në pushtet për të krijuar një klasë elitare që të drejtojë kombin, shtetin e ri dhe fashist, dhe do të arrijë ta rinxjerrë nga llumi dhe nga meskiniteti që e kishin çuar politikanët liberalë. Mjeti me të cilin Mussolini do të dojë ti arrijë këto objektiva do të jetë revolucioni; sapo të ngjitet në pushtet, fashizmi do të bëhet totalitarizëm dhe do të humbasë një pjesë të madhe të energjisë fillestare të tij, duke e ruajtur gjithmonë të fortë idenë e kombit dhe të progresit, por do të jetë i detyruar të zbresë në kompromise të ulëta me borgjezinë kapitaliste, motor i vërtetë financiar i ekonomisë italiane. Vetë borgjezia do të shikojë tek Mussolini dhe tek masat oqeanike që ai arrin të lëvizë elementin tërheqës të një mirëqënieje ekonomike në rritje, të cilën vetëm Lufta e Dytë Botërore do ta ndërpresë brutalisht, dhe në fund të së cilës do të krijohen ekuilibre të reja ekonomike dhe financiare. Fashizmi i fillimeve, ai i pastër, ishte ai që arsyetonte për kolektivizim dhe socializim. "Programi i Fashove Luftarake" (6 qershor 1919) është shprehja maksimale e fashizmit - lëvizje: revolucionar, antikapitalist dhe fuqimisht i prirur ndaj socializimit. Ja një ekstrakt:

Ja programi kombëtar i një lëvizje të shëndetshme italiane. Revolucionare, sepse antidomgatike; fuqimisht novatore, sepse antiparagjykuese. Ne e vendosim vlerësimin e luftës revolucionare sipër gjithçkaje dhe të gjithëve.

NE DUAM:

" Miratimin e shpejtë të një ligji të shtetit që sanksionon për punëtorët ditën ligjore të 8 orëve punë.

" Pagat minimale.

" Pjesëmarrjen e përfaqësuesve të punëtorëve në funksionimin teknik të industrisë.

" Besimin të njëjtave organizata proletare (që të jenë të denja moralisht dhe teknikisht) të menaxhimit të industrive apo të shërbimeve publike.

" Sistemimin e shpejtë dhe të plotë të punëtorëve të hekurudhës apo të gjitha industrive të transportit.

" Një taksë të fortë të jashtëzakonshme mbi kapitalin me karakter progresiv, që të ketë formën e një shpronësimi të pjesshëm të vërtetë të të gjitha pasurive.

" Sekuestrimin e të gjitha pronave të kongregacioneve fetare dhe abrogimin e të gjitha mensave peshkopale, që përbëjnë një pasivitet të madh për kombin dhe një privilegj për pak njerëz.

Nga ana e tij, Lenini preferonte që të veçohej midis pozicionit të ruralëve (shumë të dashur për Mussolinin) dhe atij të punëtorëve proletarë. Nuk arrinte të imagjinonte në komunitetin bujqësor një organizim socialist rural efikas. Duke pasur një ide shumë të saktë të shtetit, të progresit dhe të revolucionit industrial, ishte më shumë i prirur ndaj një shtetëzimi progresiv të komunitetit bujqësor me abrogimin relativ të lidhur me modelet e vjetra feudale. Paralelisht nga sa tregohet në Programin e Fashove të vitit 1919, edhe leninizmi promovonte shpronësimin e pronave të kapitalistëve të mëdhenj dhe rishpërndarjen e mëpasme të pasurive qytetarëve proletarë, duke ua besuar kontekstualisht masave punëtore menaxhimin e proceseve prodhuese. Hipoteza siç e dimë të parealizueshme dhe në fakt asnjëherë të përfunduara. Ky evolucion i shoqërisë civile, që tek fashizmi kishte tipare të llojit koporativ, do të duhej të ndodhte nëpërmjet një procesi revolucionar të dhunshëm dhe të shpejtë. Por siç e dimë, Mussolini arriti që të pritej nga Mbreti të nesërmen e Marshimit mbi Romë, në një klimë të tendosur, por pa dhuna të veçanta dhe mizore. Në këtë pikë, mund të vërejmë veçantitë e raporteve midis leninizmit dhe fashizmit të fillimeve, duke analizuar të njëjtat fjalë të të dy liderëve.

Në fillimet e nëntëqindës, Lenini kishte ide shumë të qarta lidhur me faktin sesi të zbatoheshin teoritë marksiste. Në vitin 1908 shkruante kështu:

"Asgjë e veçantë domethënë që doktrina e Marksit, e cila shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë për të edukuar dhe organizuar klasën pararojë të shoqërisë moderne, tregon detyrat e kësaj klase dhe demonstron që, falë zhvillimit ekonomik, zëvendësimi i rendit shoqëror aktual me një rend të ri është diçka e pashmangshme; asgjë e veçantë që kjo doktrinë është dashur të bëjë rrugë, duke luftuar në çdo hap".

Ndërsa në vitin 1917, në një prej veprave më të rëndësishme të tij, Lenini sqaronte në mënyrë më të shkoqur mendimin e tij lidhur me atë se cili ishte fati i shtetit: "Shteti është produkti dhe manifestimi i antagonizmave të papajtueshme midis klasave. Shteti shfaqet atje, në momentin dhe në si, kur dhe në masën në të cilën antagonizmat klasore nuk mund të jenë objektivisht pajtuese. Dhe, në të kundërt, ekzistenca e shtetit provon se antagonizmat klasore janë të papajtueshme…

Për Marksin, nëqoftëse pajtimi i klasave është i mundur, atëhere shteti as nuk duhet të lindë, as nuk duhet të vazhdojë të ekzistojë. Sipas profesorëve dhe publicistëve mikroborgjezë dhe filistinë - që shumë shpesh i referohen me kënaqësi Marksit - është pikërisht shteti ai që pajton klasat. Për Marksin shteti është organi i dominimit të klasave, një organ shtypës i një klase nga ana e një tjetre; është krijimi i një "rendi" që legalizon dhe konsolidon këtë shtypje, duke e moderuar konfliktin midis klasave. Për politikanët mikroborgjezë rendi është saktësisht pajtimi i klasave dhe jo shtypja e një klasa nga ana e një tjetre; të theksohet konflikti do të thotë për ta të pajtojë dhe jo tashmë t'i privojë klasat e shtypura nga instrumenta dhe mjete lufte të caktuara për të përmbysur shtypësit. Kështu në revolucionin e 1917, kur çështja e domethënies dhe e funksionit të shtetit u paraqit në gjithë gjerësinë e saj, u paraqit praktikisht si një problem me veprim të menjëhershëm dhe, për më tepër, me aksion masiv, të gjithë socialistët revolucionarë dhe menshevikët ranë menjëherë dhe plotësisht në teorinë mikroborgjeze të "pajtimit" të klasave "nëpërmjet veprës së shtetit"…

E kemi thënë më parë dhe do ta demonstrojmë në mënyrë më të hollësishme në vijim të argumentimit tonë, se doktrina e Marksit dhe e Engelsit lidhur me nevojën e revolucionit të dhunshëm i referohet shtetit borgjez. Ky nuk mund të zëvendësohet nga shteti proletar (diktaturë e proletariatit) nëpërmjet "zhdukjes"; si rregull i përgjithshëm mund të zëvendësohet në mënyrë unike nëpërmjet revolucionit të dhunshëm. Panagjerizmi me të cilin Engelsi ekzalton revolucionin e dhunshëm përputhet plotësisht me deklarimet e shumta të Marksit…

Nevoja për t'i edukuar sistematikisht masat në këtë - dhe saktësisht në këtë - ide të revolucionit të dhunshëm, është në bazën e të gjithë doktrinës së Marksit dhe Engelsit. Tradhëtimi i doktrinës së tyre i kryer nga tendencat socialshoviniste dhe kautskiane sot dominuese shprehet me rëndësi të veçantë në harrimin e kësaj propagande, të këtij agjitacioni nga ana e njërës dhe tjetrës. Zëvendësimi i shtetit proletar me shtetin borgjez nuk është i mundur pa revolucionin e dhunshëm. Shtypja e shtetit proletar, domethënë shtypja e çdo shteti, nuk është e mundur përveçse nëpërmjet "zhdukjes"… Por sa më shumë procedohet në "ndarje të reja" të aparatit administrativ midis partive të ndryshme borgjeze e mikroborgjeze dhe me evidencë më të mëdha u shfaqet klasave të shtypura - dhe proletariatit që është kryesuesi i tyre - armiqësie e tyre e pamposhtur ndaj shoqërisë borgjeze në tërësinë e saj. Nga këtu nevoja për të gjitha partitë borgjeze, edhe më demokratiket dhe "demokratike revolucionaret", që ta rrisin shtypjen ndaj proletariatit revolucionar, të forcojnë aparatin ndëshkues, domethënë vetë këtë makinë shtetërore. Kjo rrjedhë e ngjarjeve e obligon kështu revolucionin që t'i "përqendrojë të gjitha forcat e tij shkatërrimtare" kundër pushtetit të shtetit; i imponon detyrën që të mos e përmirësojë makinën shtetërore, por që ta çmontojë, ta shkatërrojë".

Për Leninin, mbetet vendimtar problemi i përmbysjes së shtetit, për t'u abroguar në mënyrë anarkike me ndihmën e masave proletare. Fitorja e proletariatit dhe shkrirja pasuese e shtetit mund të ndodhte vetëm duke iniciuar një proces revolucionar mizor, edhe pse vetë Lenini e pranonte se ecuria e revolucionit rrezikonte që të ishte funksionale vetëm për qëllimet kapitaliste (siç ndodhi më pas praktikisht në fashizmin e viteve Tridhjetë, pas Pakteve Lateranense dhe intrigave me borgjezinë dhe me kapitalizmin italian). Lenini projektonte rrezikun e ardhjes së një lloji kapitalizmi autoritar të shtetit që tentonte të shtypte masat e punëtorëve duke zhvilluar një shoqëri fuqimisht klasore. Nga këtu nevoja e "luftës së klasave". Domethënë, shteti duhej përmbysur pse funksional vetëm ndaj shërbimeve të klasës dominuese borgjeze dhe kapitaliste dhe rruga e vetme e përshkueshme ishte ajo e revolucionit. Në Itali, idetë dhe propozimet e një Mussolini shumë aktiv sesi të vendosej kundrejt qeverisë italiane të dalë agonizuese nga Lufta e Madhe (megjithëse fitorja me të drejtë u quajt e "gjymtuar") nuk qenë shumë të ndryshme nga ato të Leninit dhe qenë edhe ato të dhunshme dhe revolucionare. Bëhej fjalë për të menaxhuar frustrimet e miliona njerëzve (luftëtarë, të gjymtuar dhe intelektualë të depresuar) adrenalina e të cilëve ndjente akoma jehonat e llogoreve. Historiani Paolo Buchignani na propozon kohët e fundit disa konsiderata ndriçuese lidhur me lindjen e fashizmit:

"Fashistët revolucionarë i përkasin një shtrese të mesme intelektuale të caktuar që ushqen një antipati të thellë ndaj klasës drejtuese pasunitare të akuzuar se ka tradhtuar Rilindjen. Por edhe ndaj institucioneve liberale e demokratike. Shteti liberal konsiderohet anakronik dhe i korruptuar; një revolucion duhet ta përmbysë atë organizëm inert, në mënyrë false demokratike dhe ta zëvendësojnë me një Shtet të Ri mitik, antiliberal dhe antidemokratik të markës jakobine, thelbësisht autoritar apo totalitar. Me këto premisa do të lindë shteti fashist, siç do të mund të lindte një diktaturë bolshevike. Kjo shtresë e mesme është e privuar nga përfaqësimi politik, nga momenti që nuk identifikohet as me borgjezinë e madhe, as me proletariatin. Me formim letrar, krejtësisht të privuar nga çdo përvojë administrimi dhe qeverisjeje, zhvlerësues të politikës si kompromis, bëhen profetë të një projekti që synon mbi mobilizimin konvergjues. Është modeli jakobin i përqendruar në raportin midis pararojës revolucionare (e drejtuar nga një kryesues karizmatik: Robespierre, Lenin apo Mussolini) dhe populli, i konceptuar si një unitet monolitik shprehës i një vullneti të vetëm të pandashëm. Lufta e Madhe i ka ashpërsuar frustrimet dhe varfërimin e shtresave të mesme dhe ka fuqizuar vullnetin e tyre për protagonizëm dhe revolucion. Ka qenë fashizmi i sapolindur, me dështimin e hipotezës bolshevike, ai që ka thithur të gjithë këtë intelektualizëm rebel, në kërkim të një kryetari të aftë që t'i drejtojë në revolucionin aq të dëshiruar. Evenimenti luftarak për tronditjet që provokoi shikohet si një frakturë në histori. Revolucioni bolshevik i 1917, me terrorin që shpërtheu ndaj borgjezisë dhe klasave drejtuese të të gjithë botës dhe me pasionet që ngjalli në masat e shtypura të proletarëve, u duk një konfirmim i parakohshëm i kësaj bindjeje universale".

Një analizë e parë e evolucionit të mendimit të Mussolinit, nuk mund të mos fillojë duke vërejtur se çfarë thoshte Duçja i ardhshëm më 1914, në momentin e largimit të tij nga Partia Socialiste: "Georges Sorel thoshte se socializmi është një gjë e tmerrshme, e rëndë, sublime dhe jo një ushtrim politikanësh që bëjnë turpin komod të tregjeve të tyre të përditshme. Nëqoftëse socializmi është forcë, është sakrificë, është tragjedi, ne nuk mund të ndjekim njerëz që besojnë të na frikësojnë përballë luftës me idenë e masakrave, të gjakut, të sakrificës. Përulem përpara dhimbjes së nënave, përulem ndaj atij që vuan, por ka detyrimet supreme dhe kur një njeri është socialist revolucionar, e di që edhe revolucioni social do të jetë sakrificë, gjak, lot nënash. Edhe Mazzini, kur i shtynte brezat italianë në luftë, e dinte mirë se ajo ishte sakrificë, gjak, gërmadha, shkatërrim. Por dinte edhe se çdo brez ka detyrimet e tij të pashmangshme për të kryer".

Shumë më i vendosur duket Mussolini ditën e themelimit të Fashove Luftarake (6 qershor 1919): "Ne nuk kemi nevojë që të vendosemi në mënyrë programatike në terrenin e revolucionit, pasi në kuptimin historik jemi qysh nga 1915. Nuk është e nevojshme të prezantojmë një program tepër analitik, por mund të pohojmë se, bolshevizmi nuk do të na frikësonte nëqoftëse do të na demonstronte se garanton madhështinë e një populli dhe se regjimi i tij është më i mirë se të tjerët. Tashmë është demonstruar e pakundërshtueshme se bolshevizmi e ka shkatërruar jetën ekonomike të Rusisë. Atje aktiviteti ekonomik, nga bujqësia tek industria, është totalisht i paralizuar. Mbretëron zija e bukës dhe uria. Jo vetëm, por bolshevizmi është një fenomen tipik rus. Qytetërimet tona perëndimore, duke filluar nga ai gjerman, janë refraktarë. Ne i deklarojmë luftë socializmit, jo pse socialist, por sepse ka qenë kundër kombit. Lidhur me atë që është socializmi, programi dhe taktika e tij, secili mund të diskutojë, por Partia Socialiste zyrtare italiane ka qenë plotësisht reaksionare, absolutisht konservatore dhe, sikur të kish triumfuar teza e saj, nuk do të kishte sot për mundësi jete në botë. Nuk është Partia Socialiste ajo që mund të fiksojë një aksion rinovimi dhe rindërtimi. Jemi ne, që duke i bërë procesin e jetës politike të këtyre viteve të fundit, duhet ta gozhdojmë në përgjegjësinë e saj, Partinë Socialiste Zyrtare".

Me kalimin e kohës fashizmi i modelon specificitetet e tij dhe fjalët e Mussolinit bëhen gjithnjë e më shumë antibolshevike: "Ajo të cilës i kundërvihemi ne fashistët është maskimi bolshevik i socializmit italian. Është e habitshme që një racë që ka pasur Pisacane dhe Mazzini të shkojë e t'i kërkojë ungjijtë fillimisht në Gjermani e më pas në Rusi … Por pastaj, zotërinj të dashur, a ekziston akoma ky bolshevizëm në Rusi? Nuk ekziston më. Jo më këshilla fabrike, por diktatorë fabrike; jo 8 orë punë, por 12; jo barazi rrogash, por 35 kategori të tyre; jo sipas nevojës, por sipas meritave. Në Rusi nuk ekziston as ajo liri që ka Italia. A ekziston një diktaturë proletariati? Jo! A ekziston një diktaturë e socialistëve? Jo! Ekziston një diktaturë e pak njerëzve intelektualë jo punëtorë, që i përkasin një fraksioni të Partisë Socialiste, i luftuar nga të gjitha fraksionet e tjera. Kjo diktaturë e pak njerëzve është ajo që quhet bolshevizëm… E përsërisim, ne nuk jemi kundër masave punëtore, pasi ato janë të domosdoshme të kombit, janë të domosdoshme, jashtëzakonisht të domosdoshme. 20 milion italianët që punojnë me krah kanë të drejtën që t'i mbrojnë interesat e tyre. Ajo që ne luftojmë është mistifikimi i politikanëve në dëm të klasave punëtore; ne i luftojmë këta priftërinj të rinj të pabesë që premtojnë një parajsë tek e cila nuk besojnë bile as vetë".

Deri kur arrihet në përplasjen finale me modelet e komunizmit sovjetik, ashpërsisht i kritikuar gjatë diskutimit të parë historik në Dhomë: "Komunizmi, ma mëson i nderuari Graziadei, është një doktrinë që del në epoka mizerjeje dhe dëshpërimi. Kur shuma e mallrave dhjetohet, mendimi i parë që kërcen në mendjen e njerëzve është ajo që të bëhet gjithçka e përbashkët, në mënyrë që të ketë pak për të gjithë. Por kjo nuk është gjë tjetër veçse faza e parë e komunizmit, faza e konsumit; pastaj është faza e prodhimit, që është jashtëzakonisht e vështirë, aq e vështirë sa që ai artist i madh i mrekullueshëm (jo ligjvënës) që i korrespondon emrit të Vladimir Uljanov Leninit, kur ka dashur ta modelojë materialin njerëzor, ka kuptuar se ai është më i sertë se bronzi dhe mermeri. Njoh komunistë. I njoh, sepse pjesë e tyre janë fëmijët e mi... të kuptohemi... shpirtërorë... dhe e pranoj me një sinqeritet që mund të duket cinik, që unë i pari kam infektuar këta njerëz, kur kam futur në qarkullimin e socializmit italian pak Bergson të përzier me shumë Blanqui… Deri kur komunistët do të flasin për diktaturë proletariati, për republika pakashumë federative, për sovjetë dhe për absurditete të ngjashme pakashumë të trasha, midis nesh dhe tyre nuk mund të ketë përveçse luftë".

Lenini dhe Mussolini kishin të njëjtën matricë subversive të prirur ndaj një zgjidhjeje simultane: revolucion dhe shembje të shtetit të parandërtuar. Tezë veç të tjerash e zhvilluar nga Giovanni Sallusti, i cili pyet: "Tjetër taste të cilës i bien autorët e Livre noir: analogjitë me totalitarizmat e Nëntëqindës, nazizmin, por sidomos komunizmin e markës sovjetike. Sistematizim i politikës së terrorit, vrasje të familjeve mbretërore, sulme kundër klerikëve, përdorim i luftës për të militarizuar dhe spastruar shoqërinë, shenjtërim i dhunës. Të gjitha artet në të cilat bolshevikët do të shkojnë përtej, por qe Lenini ai që e përmend precedentin si shembull për t'u tejkaluar: "Gijotina nuk ishte gjë tjetër veçse një dordolec që thyente rezistencën aktive. Kjo nuk mjafton. Ne nuk duhet vetëm të frikësojmë kapitalistët, domethënë që t'i bëjnë ata të harrojnë idenë e një rezistence aktive kundër saj. Ne duhet të thyejmë edhe rezistencën pasive të tyre".

Një tjetër gur mozaiku që fusim si qëndrim të parë për arsyetime më të gjera është një shënim i shkurtër mbi figurën e Nicola Bombacci. Damari, revolucionar i tij nuk e pengoi në vitet Njëzet që të vihej në kontakt me Vladimir Iliç Uljanov. Lidhur me këtë aspekt, simptomatike do të ishte deklarata e bërë nga Lenini, delegacionit të komunistëve italianë të kryesuar nga Bombacci që ndodhej për vizitë në Kremlin më 11 nëntor 1922: "Në Itali ishte një socialist i vetëm i aftë që të bënte revolucionin: Benito Mussolini! Mirëpo, ju e keni humbur dhe nuk keni qenë asnjëherë të aftë që ta rekuperonit!".

Në fund të parabolës së tij, në diskutimin e famshëm të 15 marsit 1945 në Genova, Nicola Bombacci, ju drejtua një turme prej mbi 3000 vetash, e përbërë kryesisht nga punëtorë të industrive detare dhe punëtorë të fabrikave siderurgjike dhe mekanike. Fjalët që prekën më shumë zemrat qenë këto: "Shokë! Shikomëni në fytyrë, shokë! Ju tani do të më pyesni, nëse jam i njëjti agjitator socialist, themeluesi i Partisë Komuniste, miku i Leninit, që kam qenë dikur. Po zotërinj, jam gjithmonë po ai! Nuk kam hequr dorë asnjëherë nga idealet, për të cilët kam luftuar dhe do të luftoj gjithmonë… Isha përkrah Leninit në ditët e zjarrta të revolucionit (atë të tetorit të kuq të 1917 në Rusi, shënimi im.), besoja se bolshevizmi ishte në pararojën e triumfit punëtor, por e kam kuptuar mashtrimin…socializmin nuk do ta realizojë Stalini, por Mussolini, i cili është socialist, anipse për 20 vjet është penguar nga borgjezia, e cila më pas e ka tradhëtuar… por tani Mussolini është çliruar nga të gjithë tradhëtarët dhe ka nevojë për ju punëtorët për të krijuar shtetin e ri proletar…".

Gjithmonë Paolo Buchignani, me rastin e prezantimit të librit të tij "Revolucion në këmishë të zezë", e kish ilustruar në mënyrë të qartë se cilat qenë, sipas tij, raportet midis fashizmit, të majtës dhe revolucionit: "kam preferuar të mos e përdor termin fashizëm i majtë, përsa ky korrent i fashizmit posedon elemente të majtë: revolucionin social, mitin e revolucionit si palingjenezë, por është edhe centraliteti i luftës, aspirata e perandorisë, kështu që ta përkufizoja fashizëm i majtë nuk më dukej korrekte. Kam preferuar ta quaj fashizëm revolucionar. Nga ana tjetër, termi revolucionar mund t'i referohet qetësisht si të djathtës, ashtu edhe të majtës. Individualizoj dy fije përshkues të fashizmit: një që rrjedh nga nacionalizmi i Corradini, të cilit i përkasin personazhe si Rocco dhe Federzoni, të cilët tentojnë që ta interpretojnë fashizmin si ndërtim të një shteti autoritar që, megjithëse në modernizëm, bëhet shtet absolut, ku masat janë pasive e joaktive dhe në njëfarë mënyre garanton pushtetin e borgjezisë. Pastaj është shpirti revolucionar e totalitar që nuk është marxhinal apo minoritar, siç mendohet shpesh, por i rëndësishëm dhe autoritar në brendësi të sistemit - regjim. Fashizmi revolucionar është në praktikë ai i fillimeve. Qysh nga parimi i aspiratës së Mussolinit dhe i ndjekësve të tij ishte ai që të ndërtonte një njeri të ri dhe një model social të ri. Pastaj për të fituar pushtetin, Duçja e kupton se duhet të lajë hesapet me klasat drejtuese tradicionale, borgjezinë, Kishën. Kështu në vitet Njëzet, fashizmi revolucionar spostohet mënjanë dhe strehohet tek kultura. Rishfaqet në vitet Tridhjetë kur Mussolini fillon të flasë për qytetërim të ri, rrugë të tretë, korporativizëm. Fashizmi revolucionar është ai që nuk është i kënaqur nga marshimi mbi Romë, për sa kompromis me monarkinë dhe borgjezinë… Veçanërisht të rinjtë e brezit të Berto Ricci kanë kultin e Duçes. E shikojnë se revolucionarin më të madh të Nëntëqindës. Atij i atribuojnë të njëjtin vullnet revolucionar. Nëqoftëse revolucioni është tradhëtuar, atëherë faji është i hierarkive dhe i borgjezisë, por jo i Mussolinit. Teza që mbështes unë është se fashizmi është pjellë nga Lufta e Parë Botërore dhe është vrarë nga e Dyta. Realiteti është që fashizmi po bëhej gjithnjë e më totalitar dhe lufta kontribuonte në këtë. Në fund, thelbi më i vërtetë i fashizmit revolucionar është lufta. Revolucionarët duan një revolucion antropologjik, njeriun e ri që farkëtohet me gjak e me hekur, domethënë me luftën. Ideja e fashistëve revolucionarë është që fashizmi duhet të jetë një revolucion i popullit. Një gjë tjetër respektivisht revolucionit sovjetik që është një revolucion klasor dhe atij nazist që është një revolucion i bazuar mbi racën dhe mbi gjakun".

Do të ketë mundësi për t'u kthyer mbi argumentin; ky duhej të ishte vetëm një përmbledhje e shkurtër për të dokumentuar dhe ushqyer teorinë që të dy ideologjitë, fashizmi dhe leninizmi, kanë pasur gjatë gjenezës së tyre elementë fuqimisht përkues; të njëjtat tipare, në fillim konverguese, do të modifikohen me kalimin e viteve, duke evoluar në mënyra dhe forma shumë mospërputhëse dhe do të marrin aspektin e elementëve të mirëdallueshme, edhe me vdekjen e dy liderëve karizmatikë. Shumë prej elementëve të përmendur meritojnë sigurisht që të thellohen nëpërmjet një rishqyrtimi të mbërthyer pas analizës serioze të dokumentave; kjo mund të furnizojë spunto të ndryshme për ta kuptuar më mirë edhe situatën politike aktuale, krejtësisht të privuar nga referime ndaj elementësh historikë seriozë. Miti i Leninit dhe i Mussolini, siç e dimë të gjithë, u ka mbijetuar dhe është ushqyer akoma sot edhe në individët e shekullit të XXI-të, si midis popullit të nostalgjikëve (ka akoma ndonjë që për motive gjendjeje civile i ka përshkuar realisht ato epoka), ashtu dhe midis brezave më të rinj, në vetvete më të prirur dhe më të afruar me doktrina revolucionare.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

Google+ Followers