F O B I A/Frikë pa kufij



Imagjinoni pak sikur të ndeshni në rrugë një vajzë shumë të bukur: taka të gjata, kurbat në vendin e duhur, buzët mishtore... menjëfjalë, hata fare! Por, nëse në vend që të ktheni kokën e ta shihni, ju filloni të dridheni e t'ju dalin djersë të ftohta, ndërkohë që ju pushton një ndjesi të përzierash, atëherë ndoshta vuani nga kaligjinefobia, një lloj frike e tepruar nga gratë e bukura. Ndoshta kushtëzuar edhe nga shenja filematofobie, një lloj ankthi të shkaktuar prej puthjeve. Nëse, ajo cfarë ju tremb janë vetëm puthjet e vjehrrës tuaj, atëherë ndoshta jeni të prekur nga penterafobia (një mospëlqim i pajustifikuar ndaj mamasë së bashkëshortes tuaj).

Lista

Dhe lista e fobive më të pazakonta mund të vazhdojë deri në pafundësi, ka nga ata që nuk durojnë dot pamjen e gjunjëve - as edhe të tyreve - (genufobia), ka nga ata që dridhen dhe jo vetëm nga i ftohti, kur bie borë (kuinofobia) dhe ka nga ata që kanë aq shumë frikë nga hijet, saqë tërhiqen dhe jetojnë në errësirën më absolute. Të tjerë kanë frikë nga qoshet e shtëpive apo pallateve (gonofobia), i kap paniku kur kanë përpara supë të trashë me sallatëra (lakanofobia) apo kur kanë përpara një kompjuter personal (kiberfobikët, që vështirë të lexojnë edhe këto radhë). Shqetësime pak të pazakontë, sigurisht, por seriozë dhe që mund të prekin nga pak të gjithë, pa u kuptuar dhe pa bërë dallim.

Ka për të gjithë

"Frika është demokratike", thotë Xhorxhio Nardone, psikolog dhe psikoteraupet si dhe Drejtor i qendrës së Terapisë Strategjike të Arecos (një institut kërkimesh, trainimi dhe kurash për këto patologji), "në 15 vite terapi kam takuar më shumë se 10 mijë pacientë, 52 % prej të cilëve ishin femra dhe 48 % ishin meshkuj. Pra, nuk ka një ndryshim domethënës mes gjinive, as edhe mes shtresave sociale. As edhe mjekë e psikologë, të cilët me fobira merren përditë, nuk janë imunë".
Panik nga telefoni?
Na telefononi!
Pra, nëse kishit mbetur tek frika prej merimangave dhe gjarpërinjve, është ora që të azhornoni fjalorin. Kush ka provuar të katalogojë një për një të gjithë fobitë më të cuditshme, në fakt ka arritur të numërojë më shumë se një mijë, të renditura në fjalorë shumë të gjatë në internet që shpesh herë, më shumë se të ofrojnë një ndihmë të vlefshme terapeutike për ata që janë të prekur nga këto shqetësime, kënaqin kuriozitetin e përdoruesve "të shëndetshëm".

Ndihma... pak të kota

Në këtë drejtim, interesant ishte rasti i sinjalizuar në 21 prill 2007 nga revista "Shkencëtari i ri". Duke vizituar faqen e internetit me adresë Changethatsrightnow.com, e cila paraqitej si një formë ndihme kundër fobive dhe sulmeve të panikut, një lexues i vëmendshëm kishte klikuar tek zëri "Fobia nga telefoni", e cila ishte përcaktuar si një "frikë e vazheueshme, anormale dhe e pajustifikuar nga telefonat". Pas një prezantimi të shkurtër, ja edhe ftesa: 'Për të folur me një specialist, na kontaktoni tani". Dhe menjëherë më pas, një link me një numër të gjelbër (1-800-828-7484). Janë të imagjinueshëm efektet për të shkretin telefonofobik. Nuk është shaka, është krejt e vërtetë, dhe për ta parë mund ta provoni edhe vetë (linku i numrit të gjelbër është ende aty, sot pas dy vjetësh).

Ke frikë? Paguaj!

E njëjta faqe interneti bëri një tjetër gafë të madhe në fillim të vitit 2008, të zbuluar gjithmonë nga revista "Shkencëtari i ri". Në listën alfabetike të fobive të kapërcyeshme, shfaqet edhe Hippopotomonstrosesquippedaliophobia. Cfarë është? Një frikë shumë e madhe për fjalët që janë shumë të gjata. Kush vuan, nëse supozojmë që ka nga ata që vuajnë, terrorizohet edhe vetëm nga të lexuarit e tyre. Atëherë, përse duhet këmbëngulur për ta nominuar, madje në formën e saj më ekstreme (ky lloj shqetësimi më shpesh quhet Seskuipedalofobia)? Ndoshta dyshimi vjen sepse kura e propozuar nga faqja e internetit është identike me atë të këshilluar në rastin e atyre që vuajnë nga fobia prej telefonit: blerja e CD-së dhe manualit të vetëkurimit (147 dollarë, pothuajse 115 euro), madje më mirë nëse kobinohet me një seri takimesh me një specialist (2497 dollarë, më shumë se 1900 euro).

Frikëra jashtë mode

Ka nga ata që spekulojnë me fobtë më të cuditshme, madje ka nga ata që tallen, ndërkohë që pothuajse të gjithë bëhen kuriozë. E megjithatë, bëhet fjalë për patologji që mund ta bëjnë shumë të vështirë jetën për ata që vuajnë prej tyre. Po, sepse ndërkohë që disa frikëra janë më lehtësisht të ndashme me të tjerë, të tjera tingëllojnë krejt jashtë cdo lloj logjike për t'u pranuar.

Frikëra të "pranueshme..."

Provoni të mendoni sikur keni mbetur të bllokuar në një ashensor, në hapësirën ndëmjet dy kateve të lartë. Epo, në një situatë të ngjashme, askush nuk do të habitej shumë, nëse do të ju mbërthente një atak klaustrofobie. Po cfarë do të mendonit nëse një kolegu juaj do të ju rrëfente se kishte një frikë shumë të madhe nga shkallët dhe shkallaret (batmofobia)? Ose nëse cdo ditë, pas tentativash të kota dhe krizash paniku, do të ju lutej që ta bënit atë telefonatë në vendin e tij sepse vetëm nëse u bie numrave, e kap paniku?
Eshtë e vështirë t'u rrëfesh miqve dhe të njohurve se ke frikë të madhe nga objekte dhe situata kaq të zakonshme. Do të rrezikonit që të ju merrnin për të marrë - është ky mendimi i parë i atyre që preken nga shqetësime kaq specifikë. Apo do të ju quajnë të dobët e të llastuar. Dhe në fakt, si do të reagonit po të zbulonit se ajo që e mban të mbyllur në shtëpi një të afërmin tuaj është një frikë e shfrenuar nga shkulmet e erës (anemofobia)? Apo një frikë e pakontrollueshme nga hijet (shiofobia), që e detyron të qëndrojë mbyllur në një dhomë të errët duke evituar kështu cdo lloj kontakti me botën e jashtme? E cfarë mund të thuash për të sëmurët nga kiberfobia (frika nga kompjuteri personal) të cilët nuk do të ishin në gjendje të bënin një numër gjithnjë në rritje punësh dhe profesionesh?

Sëmurë, si të tjerët

E megjithatë, ata që janë të prekur nga shqetësime të ngjashëm nuk vuajnë më pak se sa një klaustrofob normal, apo një araknofobik më "popullor". Takikardi, të përziera, të dridhura, frikë nga të fikëtit, nga vdekja apo nga humbja e kontrollit, panik dhe ndjesi kufizimi janë simptoma të zakonshme dhe të përbashkëta tek fobikët, pavarësisht se cilët janë makthet që i mundojnë. E përbashkët është tentativa për të shmangur në të gjithë mëyrat e mundshme objektet apo situatat nga të cilat kanë frikë (ajo që ekspertët e quajnë shmangia fobike).
I përbashkët është edhe një lloj hezitimi për të shkuar tek ndonjë mjek specialist, mbi të gjitha për fobikët që janë të prekur nga shqetësime më të pazakontë, të cilët përpiqen që të fshehin për një kohë sa më të gjatë që të jetë e mundur frikërat e tyre. Aq sa patologjitë e këtij tipi nuk përfhihen edhe në statistikat zyrtare mjekësore.

Lindin apo bëhen

Nga lindin fobitë? Në këtë pikë, ekspertët janë të ndarë edhe sot e kësaj dite. Ka nga ata që, ashtu si studiuesi spanjoll Ksavier Estivil, mendojnë që këto shqetësime bartin pjesërisht një komponent gjenetik. Duke ekzaminuar ADN-në e një grupi personash të prekur nga sulme paniku, fobi apo shqetësime të tjerë ankthi, shkencëtari vërejti se 97 % e tyre paraqiste një duplikim të materialit gjenetik të pranishëm në një kromozom të caktuar, kromozomin 15. Kështu që, sipas hipotezës që hedh Estivil, është e mundur që gjenet janë në një farë mënyre të përfshirë në këto frikëra të pakontrollueshme.
Sipas një tjetër orientimi po shkencor, fobitë vijnë me moshë, përmes raportit me prindërit dhe edukuesit e tjerë. "Ata që vijnë nga një familje shumë protektive është gjithnjë e më shpesh në rrezik për të patur shqetësime të ngjashëm gjatë jetës së vet. Kur ndesh në pengesa më të mëdha nga ato që është mësuar të përballojë, nuk do të ketë instrumentat për t'i kapërcyer", shpjegon Nardone.
Më e përqëndruar tek individi është teoria e Zigmund Frojdit: duke vëzhguar rastin e Hanist të vogël - një fëmijë 5-vjecar i terrorizuar nga ideja që mund të jetë kafshuar apo shkelur nga një kalë - babai i psikanalizës hodhi hipotezën që fobitë nuk ishin gjë tjetër përvecse tentativa për të zhvendosur vëmendjen nga një siklet i brendshëm drejt një objekti të jashtëm dhe më lehtësisht të kontrollueshëm (për Frojdin, ai që e frikësonte Hansin ishte një nënshtrim i fuqishëm ndaj të atit).

Oportunistë

Në fund të fundit, thonë disa studiues, fobitë mund të lexohen si tentativa të pavetëdijshme për të marrë nga të tjerët "avantazhe" të vegjël: nëse kemi frikë që të ngasim makinën, në fund të fundit do të jetë gjithmonë dikush i detyruar që të na marrë, duke na shpëtuar kështu nga stresi i bllokimeve në trafik dhe parkimit.
Cilado qoftë origjina e saj, frika është dicka që e kemi me vete gjithmonë. Edhe paraardhësit tanë prehistorikë vuanin ndoshta nga keraunofobia, domethënë frika e pakontrollueshme nga rrufetë. Ishte pikërisht ky instikt primitiv - pothuajse një 'sistem alarmi" që vë në vigjilencë mendjen dhe përgatit trupin për të reaguar - që u mësoi atyre se si duhej ti shmangnin. "Frika është arma më e mirë e mbijetesës që ne kemi", vazhdon Nardone, "problemi është se reagimi ynë i kapërcen disa kufij të caktuar duke na shkaktuar një bllokim". Kështu që, nuk është aspak e habitshme që mes stimujve më të zakonshëm fobikë janë gjaku, gjatësia dhe kafshët (domethënë, të njëjtat frikëra që mundonin edhe paraardhësit tanë të lashtë). Në mënyrë të vecantë, kafshët prej të cilave kemi më shumë frikë janë gjarpërinjtë. Një fakt i cuditshëm ky, po të kemi parasysh se në të vërtetë është shumë më e lehtë të vdesësh në një aksident automobilistik se sa nga kafshimi i një kobre. Por, edhe këtu i kthehemi hipotezës se në kujtesën tonë 'evolutive" kanë mbetur gjurmë të rreziqeve që rrethonin njerëzit e lashtë.

Evolucioni i frikërave

Në krye të listës së frikërave nga kafshët, megjithatë, është sot ajo për pëllumbat: një shenjë që frikërat ndryshojnë në kohë, tamam si modat. Shumë të përhapura janë edhe patofobitë, ose frikërat e pamotivuara se jemi të prekur nga një sëmundje e pashërueshme. Sipas një studimit të bërë kohët e fundit në Itali n shkallë kombëtarë, këta të sëmurë imagjinarë që i nënshtrohen ekzaminimeve diagnostikues të vazhdueshëm, përbëjnë 6 deri 7 % të popullsisë së Italisë. Më shumë se 2 milionë persona që, përvecse futen në një siklet të madh personal, rëndojnë bilancin e shërbimit shëndetësor shtetëror.

Të dalësh, po si?

Dakord, frika nga vidra, për ata që jetojnë në qytet nuk mund të jetë edhe aq shumë shqetësuese: mjafton të evitosh lumenjtë dhe parqet kombëtarë dhe problemi zhduket si me magji. Por problemi është se prapa kësaj dhe frikërave të tjera specifike fshihet shpesh një problem personal shumë më serioz.
Atëherë përse të prekurit nuk duhet të provojnë ta zgjidhin? Qasjet terapeutike nuk mungojnë.
Psikoterapie konjitive e sjelljes, për shembull propozin një "desensibilizim" progresist nga stimuli fobik, që e bën pacientin të përballet në mënyrë graduale me atë cfarë i shkakton frikë. Fillon me një ndërgjegjësim për situatën ndaj të cilës të prekurit kanë frikë dhe i afrohen kësaj pak nga pak për të mbërritur, nëse kura ka sukses, tek përjetimi real i saj (por këtë herë, të cliruar nga paniku).
Një tjetër rrugë e mundshme është terapia e shkurtër strategjike e Xhorxhio Nardones, i cili i lufton fobitë përmes "ritualëve të largimit të frikës", shumë efikasë dhe që i sugjerohen pacientit me një gjuhë hipnotizuese. Një shembull? Një djali të terrorizuar nga ideja se mund të përplaste hundën nëpër pasqyra, terpautisti i sugjeroi që të mbrohet me një kaskë motorri. I dhënë i gjithi pas kësaj gjëje të re që po i ndodhte, i riu rifilloi pa e kuptuar as vetë disa zakone dhe sjellje që i kishte harruar prej kohësh për shkak të shqetësimit. Duke arritur në pak kohë të braktisë terrorin prej pasqyrave (dhe kaskën). Në këtë rast, fobia u mund duke "spostuar vëmendjen nga tentativa për të kontrolluar frikën, tek ekzekutimi i një detyre që shkëpuste vëmendjen". E ndryshme është metoda psikiatrike që parashikon, për disa lloje fobish sociale - shqetësimet që e bëjnë atë që vuan të mbyllet në vetvete duke shmangur kontaktet me të tjerët - trajtimin me ilace antidepresivë si paroksetina. Këta ilace reduktojnë simptomat e jashtme të shqetësimit, por nuk luftojnë në origjinë shkaqet e tij. Dhe mbi të gjitha paraqesin rrezik për varësi. Por edhe ata që nuk vuajnë nga fobitë mund të abuzojnë me këto substanca për të kryer veprimtaritë e tyre të përditshme: të folurit përpara një plateje do të vinte në siklet këdo dhe në shumicën e rasteve nuk bëhet fjalë për një fobi dhe as për një ankth social. Gjithësesi, mund të kthehet në një varësi të rrezikshme.

10 fobitë më të Çuditshme

Eufobia: Frika nga lajmet e mira
Itifalofobia: Frika nga ereksioni
Kourlofobia: Frika nga kllounët
Staurofobia: Frika nga kryqet
Autodisomofobia: Frika nga dikush që mban erë të keqe
Levofobia: Frika nga gjërat në të majtë të trupit
Ostrakonofobia: frika nga frutat e detit
Rabdofobia: Frika nga shkopinjtë magjikë
Hekzakosioihekzekontahekzafobia: Frika nga numri 666
panofobia: frika nga gjithcka

Google+ Followers