Aliu i Tepelenës: I pari shef i spiunazhit shqiptar




Tashmë për shumëkënd, emri i Ali Pashë Tepelenës (1744-1822) është i njohur si njëri prej ëndërrimtarëve sundimtarë shqiptarë që ushqyen ëndrrën e një Shqipërie të pavarur. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, ai ishte njëri ndër sundimtarët më në zë të Ballkanit, aq i pavarur sa që të hynte në bisedime më vete edhe me Napoleonin apo me Rusinë. Idhnak, i beftë, mosbesues, shumë herë mizor e herë të tjera bujar, Aliu i lindur në Beçisht, përballë Tepelenës e ngriti pushtetin e tij mbi një sistem policor shumë efikas për kohën. Shumë kohë më pas, pasardhësit e tij Ahmet Zogu e Enver Hoxha, ndoshta edhe pa e kuptuar mirë as vetë, e shfrytëzuan përvojën e tij në fushën e ndërtimit të shërbimit sekret. Përpjekjet e tjera (1992-1997) që u bënë në Shqipërinë postkomuniste nuk rezultuan me sukses, për fat të mirë të shqiptarëve.

Njerëzit
Pushtetin e tij Ali Pasha e vuri në zbatim, duke u besuar njerëzve të afërt të rrethit të tij. Në krye të spiunazhit të jashtëm e të brendshëm të Aliut ishin dy persona. I pari ishte Thanas Vaja nga Lekli i Tepelenës. Ky ishte djali i njërit prej miqve më të afërt të kohës së hajdutërisë së Aliut. Thanasi mbeti deri në fund ministri i Brendshëm i Pashallëkut, duke i qëndruar deri në vdekje besnik Pashait. Njeriu i dytë i fuqishëm ishte Abaz Efendiu. Ky ishte shefi i policisë së Janinës. Djali i tij, Tahir Abazi, ishte truproje besnike e Aliut.
Me çështje të spiunazhit merrej edhe një italian. Ky zyrtarisht quhej Myftar Efendiu, porse emri i tij i vërtetë ishte Marko Kuirini. Në të ritë e tij kishte qenë prift katolik. Më pas i kishin premtuar një mision të parealizuar në Bombei. Kishte qenë për disa kohë përkthyes i Napoleon Bonapartit në fushatën egjiptiane. Ishte njohës i shkëlqyer i gjuhëve orientale.

Rrjeti agjenturor
Një dëshmitar i kohës, Smart Huges, edhe vetë agjent i Britanisë, shkruan kështu për sistemin e spiunimit të ngritur nga vetë Ali Pasha: “Në to, Aliu, përqendroi të gjithë vëmendjen, meqenëse ato përbënin bazën kryesore për evitimin e çdo veprimtarie kundër tij. Kjo polici, nuk ishte vetëm e rreptë dhe vrojtuese në jetën publike, por futej gjer në jetën private të banorëve. Agjentët e saj i dërgonin Aliut të dhëna të sakta për bisedat, projektet dhe veprimtarinë e çdo qytetari në zotërimet e tij. Ajo mbikëqyrte veçanërisht të huajt, por nuk përjashtonte as shqiptarët dhe grekët, qoftë edhe në marrëdhëniet e tyre me Stambollin dhe e evitonte çdo hap që ata ndërmerrnin. Në këtë mënyrë, Ali Pasha informohej për çdo gjë dhe kishte kohë të mjaftueshme për të kontrolluar qëllimet e tyre.
Udhëtari francez Pukvil jep një dëshmi fare të qartë se si funksiononte policia e fshehtë e Aliut. E cituar sipas Irakli Koçollarit, historia është kështu: “… Pulvili na bie rastin e disa vëllezërve nga fshati Plihavicë i Çamërisë. Vëllezërit në kushte klandestine kishin ngritur në shtëpinë e tyre një fonderi artizanale, kishin përgatitur me mjeshtëri kallëpet dhe stampat dhe prodhonin në mënyrë të përpiktë monedha veneciane dhe turke. Mbasi ra në gjurmët e monedhave false, policia e Pashait shumë shpejt identifikoi vendin prej nga vinin ato dhe autorët e prodhimit të tyre. Nën drejtimin e vetë Aliut, një natë, një grup policor, u nis në mënyrë të heshtur në drejtim të Plihavicës dhe ende pa zbardhur mirë dita, ata hynë në fshat dhe u derdhën në shtëpinë ku prodhoheshin monedhat e falsifikuara. Pashai mundi të kapte në flagrancë vëllezërit dhe shtiu në dorë tërë mjetet e prodhimit të monedhave. Mbas këtij akti tepelenasi urdhëroi ekzekutimin e vëllezërve, rrënoi shtëpinë e tyre nga themelet dhe ishte gati të ndëshkonte egërsisht edhe fshatarët e tjerë nëse një vajzë e vogël, që më vonë do të ndryshonte rrjedhat e jetës së tij bashkëshortore, nuk do t’i qe lutur që të ndërpriste atë batërdi që priste bashkëfshatarët…”. Kjo vajza e vogël e atëhershme quhej Vasiliq, dhe brenda pak vitesh do të shndërrohej në dashurinë më të madhe të krejt jetës së vrullshme të Aliut të Tepelenës.
Njëri prej njohësve më të mirë të historisë së bëmave të Aliut, Irakli Koçolllari shkruan: “… Ai mundi gjithashtu të organizojë një rrjet shumë të fortë agjenturor edhe jashtë Pashallëkut të Janinës. Agjentët e shumtë që ai mbante në Korfuz, Venecia, në Trieste, në Fiume dhe në Raguzë, në Vllahi e në Moldavi, në Thrakë, në Maqedoni dhe deri te Silhtari, Armëmbajtësi i Sulltanit dhe Bostanxhibashi, Kryekopshtari i sarajit të Sulltanit, e vinin atë në korrent të ngjarjeve më me rëndësi që ndodhnin në Europë si dhe me gjendjen e Fuqive të Mëdha. Informacionet që merrte prej tyre i shërbenin si barometër për veprimtarinë e tij politike. Kjo agjenturë kishte mundur të zgjidhte shpesh edhe korrespondencat e shifruara të spiunazhit anglez e francez, madje përdorte edhe vetë shifrën. Në këtë rrjet agjentësh të tij merrnin pjesë edhe gra…”.

Si gjithnjë joshja femërore
Një hebre i konvertuar në mysliman me emrin Ibrahim Mansur Efendi, njohës i mirë i oborrit të Ali Pashës, ka lënë pas këtë rrëfim: “Kur tirani donte të kishte një rast legal për të dënuar dikë ose të hakmerrej ndaj tij, urdhëronte një shqiptar të quajtur Tahir Abazi, i cili ishte shefi i policisë së Ali Pashës, ose bylykbashi. Në të tilla raste, shefi i policisë dërgonte në shtëpinë e viktimës që ishte piketuar për t’u ndëshkuar, një prostitutë, e cila bashkëpunonte në mënyrë të fshehtë me policinë. Kjo femër, e drejtuar nga policia, shkonte në shtëpinë e viktimës ose me pretekstin për t’i kërkuar ndihmë në të holla, ose për ndonjë problem tjetër të sajuar, gjoja për të kërkuar ndihmën e tij. Gjatë këtyre vizitave, kur asaj i paraqitej rasti i përshtatshëm, prostituta fshihej në ndonjë vend pak të frekuentuar nga banorët e shtëpisë. Zakonisht pra drurëve të kuzhinës që përdoren për ngrohje. Dhe, sapo agjentja hynte në shtëpinë e njeriut që ishte piketuar nga policia për t’u arrestuar, në orën që ishte rënë dakord paraprakisht mes tyre, njerëzit e policisë hynin në shtëpinë e fatkeqit, i cili as që dinte gjë rreth vizitores së fshehur. Nëse gjatë kontrollit femra gjendej në dhomat apo ambientet e brendshme të shtëpisë, ky rast konsiderohej si momenti i kapjes në flagrancë dhe burri në këtë mënyrë konsiderohej fajtor për krimin e pafalshëm të marrëdhënieve seksuale, apo ushtrimit të kurvërisë, krime të cilat Aliu kurrë nuk i la pa i ndëshkuar me ashpërsi…”.

Deri te çorapet
Duket se asgjë, askush nuk i shpëtonte syrit të spiunëve të Aliut. Sipas disa burimeve të kohës për mbajtjen në këmbë të ushtrisë së spiunëve dhe agjentëve, Ali Pasha shpenzonte deri në 100 mijë franga në vit. Një shumë fort e madhe për kohën.
As detaji më i vogël nuk i shpëtonte spiunëve të shpërndarë kudo. Një udhëtar i kohës na ka lënë pas një tjetër histori. Në 1817, disa shtetas të Aliut kërkuan strehim në shujtë e Santa Maurës të okupuara asokohe nga britanikët. E thënë me termat modern “u arratisën”. Aliu menjëherë u kërkoi britanikëve që t’i dorëzonin shtetasit e pabindur. Një kërkesë që sigurisht nuk u pranua prej tyre. Kjo binte ndesh me nderin e mbretërisë. Atëherë Pashai kërkoi një gjë tjetër: duhej t’i kthenin të gjithë “pasurinë” që të arratisurit kishin marrë me vete. Letrën e revoltuar të Pashait të Tepelenës e shoqëronte një listë e detajuar e tërë gjërave që fatkeqët kishin mundur të marrin me vete. Në të ishin shënuar jo vetëm numri i çorapeve që secili kishte marrë me vete, por edhe sa prej tyre ishin të reja dhe sa të tjera të arnuara. Syri i pashait shikonte deri në këto detaje.

Besniku
Njeriu i komploteve, i agjentëve i luftërave sekrete, Thanas Vaja i Leklit ishte ndër të fundit që e pa Ali Pashanë të gjallë. Në 1822, i mbetur me pak besnikë, i rrethuar në ishullin e Manastirit të Janinës, pashai plak e kuptoi se i kishte ardhur fundi. Disa autorë madje thonë se ishte pikërisht Thanas Vaja ai që tërhoqi këmbëzën për herë të fundit mbi kraharorin e Pashait. Ky nuk kishte dashur asesi të binte gjallë në dorë të osmanëve. Pastaj për shumë vjet Thanasi u end nëpër Epir duke shoqëruar Vasiliqinë, atë vajzën e vogël që dikur i ishte lutur pashait të mos i digjte fshatin. Varri i tij ndodhet në krah të kishës së Leklit.

Fatos Baxhaku
(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Irakli Koçollari, Policia Sekrete e Ali Pashës, ILAR, Tiranë 2004).

Google+ Followers