Kultivimi i qelizave në 3-D

Një studim i Universitetit të Brown-it tregon se qelizat e rritura nervore në kultura tredimensionale shfrytëzojnë 1766 gjene për dallim nga qelizat që rriten në kultura standarde dydimensionale.

Studimi tregon që këto qeliza të rritura në ambient laboratorik në 3-D u ngjajnë më tepër qelizave themelore të trupit të njeriut dhe sillen ngjashëm me to. Kjo do të thotë, që, metoda e kultivimit është e një rëndësie të veçantë nëse duam të dimë si reagon organizmi ndaj veprimit të barnave të ndryshme dhe kjo më qartë shihet në 3-D.
Për më shumë se 100 vjet shkencëtarët kanë rritur qeliza në enë të rrafshëta. Në këta inkubatorë qelqi 2-D, qelizat ngjiten në fund dhe shpërndahen pasi të shumohen. Por në trup qelizat nuk rriten në atë mënyrë. Ato janë të shpërndara në lëngje dhe xhele dhe rrethohen me qeliza tjera, si dhe nuk janë të ngjitura, por lëvizin. Si rezultat, shkencëtarët supozojnë që kultivimi i qelizave në 3-D mund të mundësojë kuptimin më të drejtë të zhvillimit të proceseve të ndryshme në qeliza. Studiuesit e shkencave mjekësore dhe inxhinieringut nga UB, u munduan të gjenin një mënyrë për riparimin e indit nervor të dëmtuar. Për ta bërë këtë ata morën disa qeliza nervore kanceroze dhe i kultivuan në mjedise të ndryshme. Një grumbull qelizash i vendosën në një pjatë të rrafshët të mbuluar me kolagjen, ndërsa qelizat tjera në xhel kolagjeni në 3-D, madje duke i numëruar qelizat që të kishin përbërje të njëjtë. Pas një dite nxorën ARN-në nga qelizat dhe e çuan për analiza për të përcaktuar dallimet në aktivitetin e gjeneve. Rezultatet: një numër i madh gjenesh (1766) kishin reaguar ndryshe.
Kështu këto eksperimente konfirmuan dallimet në aktivitetin e gjeneve. Me mikroskop ishte vërejtur se qelizat e kultivuara në 3-D rriteshin më shpejtë, kishin një formë të qartë rrethore dhe aksonët e tyre ishin më të gjatë, me një fjalë, u ngjanin qelizave nervore të organizmit. Kjo do të thotë, se kjo metodë e kultivimit mund të krijojë një ind që do të transplantohej në mënyrë të suksesshme.

Google+ Followers