Historia e Çekisë: Nga pushtimi nazist te rezistenca dhe masakrat

Populli i vogël i Europës Qendrore u përball nga njëra anë me “tradhtinë” e fuqive të mëdha që i dhanë Hitlerit të gjithë zonën kufitare dhe, nga ana tjetër, nga braktisja e aleatëve të vet në Europën Lindore. Megjithatë gjetën forcën për të rezistuar
Historia e Çekisë
Atentati ndaj Heydrich, protektor i Perandorisë Gjermane në Çeki dhe pasojat e atentatit
Doc. Esat Heta
Në vitin 1938, Republika Çekosllovake ndodhej në udhëkryq. Që në javët e para të atij viti, u bë i qartë qëndrimi i Gjermanisë hitleriane për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë problemit me fqinjët e tij jugorë.
Pa dyshim, situata për Republikën Çekosllovake u komplikua pas pushtimit të Austrisë nga Hitleri më 12 mars 1938. Pas këtij pushtimi, Hitleri së bashku me përfaqësuesit e lartë të ushtrisë përpunoi planin e sulmit ndaj Republikës Çekosllovake nën emrin “Plani i gjelbër” e ndërkohë, në kongresin e partisë Sudeto-Gjermane në Karlovivar, kryetari i saj, Konrad Henlain, doli me kërkesën e autonomisë së Sudetëve, ide e konsultuar më 28 mars 1938 në Berlin me Adolf Hitlerin e më pas me ministrin e Jashtëm Joachim Ribbentrop. Në bisedimet e zhvilluara ishte rënë dakord që partia Sudeto-Gjermane t’i parashtronte qeverisë çekosllovake kërkesa të papranueshme për të, të cilat do të tensiononin politikën ndërkombëtare drejt një konfrontimi ushtarak e me të vërtetë kështu ndodhi.
Më 20 maj 1938, qeveria çekosllovake reagoi ndaj zhvendosjes së njësive ushtarake gjermane në drejtim të kufijve të saj me mbylljen së pari të kufijve dhe vendosjen në gatishmëri të aviacionit e njësive të tjera të ushtrisë në përforcim të kufijve. Ushtria çekosllovake ishte e mirëpërgatitur në mbrojtje të Republikës. Në fund të shtatorit të vitit 1938, ajo kishte në gatishmëri 42 divizione shoqëruar me artilerinë, aviacionin, njësitë tankiste e me fortifikimet përkatëse kufitare.
Në këtë kohë, në vend të urdhrit për veprim erdhi urdhri për kapitullimin e tërheqjen e forcave ushtarake nga kufiri, rezultat ky i marrëveshjes së katërshes në konferencën e Mynihut më 28 tetor 1938 ndërmjet Adolf Hitlerit, Benito Musolinit, Eduart Daladierit e Nevil Chamberleinit mbi dorëzimin e territoreve kufitare çekosllovake, Gjermanisë, e që u bë fakt nga data 1 deri më 10 tetor 1938. Qeveria çekosllovake, e ndodhur para një situate të tillë, dha dorëheqjen më 5 tetor 1938 siç bëri edhe Presidenti Eduard Benes (1884-1948, President i Çekosllovakisë në vitet 1935-1948, në vitet 1938-1945 president në azil). Më 30 nëntor 1938, Parlamenti çekosllovak zgjodhi Presidentin e ri JUDr. Emil Hacha (1872-1945), President kukull në duart e nazistëve.
Më 15 mars 1939, Adolf Hitleri, gjatë një takimi me Presidentin Emil Hacha në Berlin, në mënyrë ultimative e njoftoi atë se nga ora gjashtë e mëngjesit të datës 16 mars 1939, ushtria gjermane do të fillonte pushtimin e territoreve çeke e moravake. Ndërkohë dhoma sllovake e Parlamentit shpalli shtetin e pavarur sllovak. Më 21 mars 1939, gjermanët, si fuqi okupuese, urdhëruan përdorimin e gjuhës gjermane si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e protektoratit, pra në Çeki e Moravi. Më 27 prill 1939 u krijua qeveria e re e protektoratit me Kryeministër gjeneralin Ing. Alois Eliash, i cili bashkëpunoi me gjermanët por, nga ana tjetër, ai mbajti lidhje edhe me organizatat e rezistencës e përfaqësuesit politikë me në krye ish-presidentin Dr. Eduard Benes.
Alois Eliash (1872-1942), ish-komandant i divizionit të tretë të këmbësorisë çekosllovake e në vitet 1939-1941 Kryeministër, pas atentatit ndaj Heydrich, u arrestua dhe u pushkatua nga gjermanët.
Pas pushtimit të territoreve të Çekisë e Moravisë, u krijuan disa organizata ilegale e shumë djem të rinj u larguan nga vendi me qëllimin e krijimit të njësive ushtarake jashtë shtetit.
Grupe të mëdha ushtarakësh çekosllovakë u vendosën fillimisht në qytetin Krakov të Polonisë e më vonë një pjesë e tyre u vendosën në Francë. Më 15 janar 1940, në qytetin Agde të Francës u formua divizioni i parë çekosllovak jashtë shtetit, në përbërje të të cilit ishin 11945 burra.
Në territoret e Çekisë e të Moravisë, njësite e Gestapos filluan të terrorizojnë popullsinë vendase. Më 25 gusht 1939 ata likuiduan organizatën “Zëdhënësit e besuar”, ku Gestapo arrestoi 3000 përfaqësues të jetës publike e kulturore të vendit. Në mënyrë brutale, Gestapo ndërhyri ndaj demonstruesve grumbulluar me rastin e 28 Tetorit, ditës së shpalljes së Republikës Çekosllovake më 1918-n.
Gjatë kësaj demonstrate, shkak i së cilës ishte varrimi i studentit të mjekësisë Jan Opletal, vrarë nga gjermanët, nazistët, më 17 nëntor 1939, pushkatuan 9 nga funksionarët e studentëve, urdhëruan mbylljen e të gjitha shkollave të larta dhe 1200 studentë i dërguan në kampet e përqendrimit.
Rezistenca e popullit të protektoratit në territoret e Çekisë e të Moravisë në këtë periudhë ishte në rritje. Në këto situata, Hitleri caktoi si protektor të Çekisë e Moravisë Reinhard Heydrich (1904-1942), dorën e djathtë të Himlerit, të cilit i ishte besuar zgjidhja përfundimtare e çështjes së hebrenjve.
Me ardhjen në fuqi, Heydrich filloi të realizonte planin, qëllimi i të cilit ishte likuidimi i rezistencës në territoret e Çekisë e të Moravisë, ku suksesin kryesor ai e shikonte tek ashpërsia dhe shpejtësia e masave të marra për një efekt psikologjik të terrorit në rritje. Shpejtësia dhe masat brutale të marra nga Heydrich, gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në territoret e qyteteve Pragë, Brno, Olomouc, Klladno e Hradec Kralova, e kryesisht arrestimi i mijëra njerëzve, organizimi i gjykatave dhe kryerja e pushkatimeve, ngjalli te popullsia vendase frymën e frikës e të tmerrit. Filloi periudha e persekutimit dhe terrorit më të përgjakshëm në historinë e popullit çekosllovak.
Menjëherë pas arritjes në Pragë, Heydrich filloi të vinte në jetë idetë e tij për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së hebrenjve. Ai, së pari, mbylli sinagogat dhe porositi policinë për të arrestuar ata qytetarë që në mënyrë demonstrative tregonin miqësinë e tyre ndaj popullsisë hebraike. Vuri në funksionim geton e hebrenjve në qytetin Terezin ku gjatë viteve 1941-1942 atje u dërguan 86934 të burgosur, një pjesë e të cilëve më vonë u dërguan në territoret e pushtuara polake.
Në muajin tetor të vitit 1941, Heydrich, në fjalimin e mbajtur përpara përfaqësuesve e drejtuesve të fuqisë okupuese, në mes të tjerave theksoi: “Në mënyrë të prerë dhe pa diskutim ju them qytetarëve të këtij vendi se në janë çekë të vërtetë ata nuk mund t’i shmangen realitetit se janë pjesëtarë të Perandorisë dhe si të tillë i kanë borxh asaj mirësjellje. Detyra e parë është përkushtimi ndaj kërkesave të luftës. Prandaj në këtë hapësirë duhet të kemi qetësi që punëtori çek të punojë për Gjermaninë në luftën e saj”.
Më tej, një pjesë të fjalimit të tij e zuri çështja racore, ku ndërmjet të tjerash theksonte: “Hapësira e protektoratit, në mënyrë definitive, duhet të banohet nga elementë gjermanë e për ta çuar deri në fund këtë çështje është i nevojshëm inventari racor. Në protektorat ka njerëz të ndryshëm, disa përfaqësojnë një racë kualitative e me mendime të mira e që gjermanizimi i tyre nuk paraqet problem. Nga ana tjetër, ka edhe element racor inferior e me mendime të këqija, këto duhet t’i largojmë, në lindje për ta ka shumë vend. Në mes të këtyre dy poleve gjendet edhe shtresa e mesme, të cilën duhet ta analizojmë me kujdes”.
“Bëhet fjalë, theksonte Heydrich, për njerëz të një race inferiore, por me mendime të mira, si dhe elementë të një race të pranueshme, por me mendime të këqija. Për të parët të merren masa për t’i vendosur diku në perandori apo diku tjetër, duke u kujdesur që të mos trashëgohen. Ndërsa për grupin tjetër, i pranueshëm nga pikëpamja racore, por jo miqësore, e që janë më të rrezikshmit, sepse bëhet fjalë për racë të shëndetshme të shtresave udhëheqëse. Disa prej tyre duhet t’i shpërngulim e t’i vendosim në perandori, në një ambient të pastër gjerman për t’i riedukuar e gjermanizuar. Në pamundësi të arritjes së ndonjë suksesi, do të jemi të detyruar t’i vendosim te muri”.
Në situatën e krijuar, ku terrori e reprezaljet e vendosura nga Heydrich kishin marrë përmasa tepër të mëdha, u bë i domosdoshëm organizimi i një aksioni antigjerman nga rezistenca brenda vendit për të konfirmuar edhe faktin se Presidenti në azil, Benes, kontrollonte më së miri situatën në vendin e tij të okupuar dhe se reprezaljet e terrori brenda vendit kërkonin një përgjigje. E pikërisht atentati ndaj Heydrich, me emrin e koduar “Anthropoid”, u konsiderua si një akt i drejtë për t’u treguar pushtuesve gjermanë se askush nuk mund të jetë i paprekshëm për aktet barbare e të papërgjegjshme të tij.
Atentati ndaj Heydrich, i përgatitur edhe me anglezët e i planifikuar të kryhej më 28 tetor 1941, me rastin e përvjetorit të themelimit të Republikës Çekosllovake më 1918-n, për arsye objektive të zhvillimeve që morën ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore gjatë vitit 1941, u shty për më vonë, për në një kohë më të përshtatshme.
Më 27 maj 1942, Heydrich u sulmua nga anëtarët e grupit të rezistencës gjatë rrugës për në rezidencën e tij në Pragë. Atentatorët Jozef Gabcik (1912-1942) dhe Jan Kubish (1913-1942) arritën që të plagosin rëndë Heydrich, i cili vdiq nga plagët e marra, në spital, më 4 qershor 1942, në moshën 38-vjeçare.
Menjëherë pas atentatit, në protektorat u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe nga ana tjetër Hitleri urdhëroi që nga radhët e inteligjencës çeke të arrestoheshin 10000 njerëz dhe 100 prej tyre, të cilët ishin nga më të rrezikshmit e kësaj inteligjence, të pushkatoheshin menjëherë dhe ashtu ndodhi.
Pasojat e atentatit dhe fati i fshatit Lidice
Në Berlin, pa u mbyllur ceremonia e varrimit të Heydrich më 9 qershor 1942, pra vetëm 5 ditë pas vdekjes së tij, u mor vendimi për fundin tragjik të fshatit Lidice në afërsi të Pragës me një popullsi prej 483 banorësh e 96 shtëpish.
Në të gdhirë të datës 10 qershor 1942, fshati Lidice rrethohet nga forcat gjermane SS. Të gjithë burrat e moshës nga 15 deri në 84 vjeç u grumbulluan nga gjermanët në stallat e fermës së familjes Horak, ndërsa gratë e fëmijët në shkollën e fshatit. Shtëpive të fshatit e të gjitha ndërtesave iu vu zjarri e më vonë u rrafshuan përtokë. Në orët e para të atij mëngjesi të po asaj dite, gjermanët pushkatuan në grupe të gjithë burrat e fshatit të grumbulluar më parë në stallat e fermës, ndërsa gratë e fëmijët u dërguan në kampin e përqendrimit në Ravensburg.
Fshati Lidice u bë objekt i terrorit dhe u shkatërrua plotësisht si pasojë e dyshimeve që ngjalli te Gestapo letërkorrespondenca ndërmjet dy të rinjve nga ai fshat, dorëzuar Gestapos nga fabrikanti ku ishte e punësuar e reja të cilës i qe adresuar letra. Pas arrestimit e më pas pushkatimit të të dy të rinjve, gjurmët e hetimit nxorën në pah emrat e dy banorëve të atij fshati, që në atë kohë shërbenin si ushtarakë në flotën ajrore në Angli. Gjermanët, të bindur që edhe këta kanë dorë në organizimin dhe kryerjen e atentatit ndaj Heydrich, në shenjë hakmarrje ndërmorën aksionin e tyre barbar në pushkatimin, likuidimin e shkatërrimin e plotë të fshatit Lidice që tashmë ka hyrë në historinë e Çekisë.
Fshati Lidice, sot me një popullsi prej 436 banorësh, ndodhet në veriperëndim të Pragës, 20 km larg saj. Ai u rindërtua mbas Luftës së Dytë Botërore, disa qindra metra larg vendit ku ai ndodhej para luftës. Në vendin e Lidices së vjetër, zhdukur plotësisht nga gjermanët, sot ndodhet përkujtimorja e viktimave të masakrës, si dhe muzeu që përkujton këtë tragjedi.
Natyrisht, gjermanët dhe pas zhdukjes nga harta të fshatit Lidice vazhduan ndjekjen dhe reprezaljet në të gjithë territorin e protektoratit për të kapur e pushkatuar atentatorët e vërtetë. E pikërisht në këto momente atyre iu vjen në ndihmë njëri nga anëtarët e grupit të aksionit “Anthropoid”, Karel Cudra (1911-1947), arrestuar pas lufte në vitin 1945 nga organet çekosllovake, dënuar e pushkatuar në vitin 1947. Karel Cudra, vullnetarisht u dorëzua në Gestapo në Pragë më 16 qershor 1942, vetëm 20 ditë pas kryerjes së atentatit. Cudra, krahas emrave të të dy atentatorëve kryesorë, Josev Gabcik e Jan Kubish, i dha Gestapos edhe emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve dhe anëtarëve të grupit të rezistencës që ai njihte si në Pragë ashtu edhe në qytete të tjera si Pardubice, Plzen etj. Me tradhtinë e tij, Cudra u shkaktoi vdekjen dhjetëra atdhetarëve të tij, si dhe likuidimin total të familjeve të tyre.
Me përdorimin e metodave më brutale ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre, Gestapo, më 17 qershor 1942, arriti të zbulojë vendstrehimin e grupit kryesor, pjesëtarë direkt në atentatin ndaj Heydrich. Vendi i strehimit, kisha ortodokse e të shenjtit Cyril e Medogjej në Pragë, u rrethua në orët e para të mëngjesit të datës 18 qershor 1942 nga njësitë ushtarake gjermane e të Gestapos me thirrjet për t’u dorëzuar, por asnjë nga anëtarët e grupit të rezistencës, pjesëmarrës në atentat, nuk u dorëzua. Në pamundësi të plotë për t’i shpëtuar rrethimit dhe pas një rezistence heroike, ata i dhanë fund jetës njëri pas tjetrit.
Ata ishin: Jan Hruby, Josef Valcik, Josef Gabcik, Jarosllav Shvarc, Jan Kubish, Josef Bublik e Adolf Opalka. Me aktin e tyre e qëndresën heroike deri në momentet e fundit të jetës së tyre, shkruan me shkronja të arta një nga ngjarjet më të dhimbshme e më të përgjakshme të historisë së popullit çekosllovak gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me tradhtinë e Karel Cudra-s, Gestapo intensifikoi e vazhdoi më tej ndjekjet e persekutimet edhe të bashkëpunëtorëve të tjerë si në qytetin Pardubicë e në shumë fshatra përreth, në kapjen e pushkatimin e tyre, si dhe në shkatërrimin e fshatrave Lezhak, Dachov, Bernatice, Vcelakov etj.
Pjesë e kësaj hakmarrjeje, për shkak të vrasjes së Heydrich, ishin jo vetëm shkatërrimi total i fshatit Lidice e Lezhak, por edhe pushkatimi e dërgimi në kampet e përqendrimit të mijëra atdhetarëve çekë. Pjesë e hakmarrjes qenë edhe dënimet e dhëna nga gjykatat në protektorat. Nga data 28 maj deri më 24 qershor 1942, Gjykata e Pragës dënoi me vdekje 448 persona, nga këto 381 burra dhe 67 gra. Në të njëjtën kohë, në Brno, qyteti i dytë për nga madhësia pas Pragës, u dënuan me vdekje 247 persona, nga këto 208 burra e 39 gra.
Në këtë periudhë, në të gjitha gjyqet e zhvilluara në të gjithë territorin e Protektoratit, Çeki-Moravi, u dënuan e u pushkatuan 1585 qytetarë, përfshi edhe 173 burra të pushkatuar pa gjyq në fshatin Lidice. Nga të pushkatuarit, 21% e tyre ishin njerëz nga radhët e inteligjencës. Pushkatimeve nuk i shpëtuan as edhe 8 priftërinjtë e fesë ortodokse të kishës ku u strehuan dhe u dhanë fund jetës së tyre anëtarët e grupit të rezistencës, pjesëmarrës në atentatin ndaj Heydrich të koduar “Anthropoid”.
Më 26 shtator 1942, pas dënimit e pushkatimit të tetë priftërinjve ortodoksë, me akuzën për “aktivitet tradhtar”, u ndalua feja ortodokse dhe iu konfiskua e gjithë pasuria. Mes viktimave të këtij terrori në këtë periudhë janë edhe 3000 qytetarë me origjinë çifute, si dhe një numër i madh të burgosurish çekosllovak e që në atë kohë ndodheshin në kampet e përqendrimit e nëpër burgje, numri i të cilëve nuk u bë asnjëherë i ditur.
Pas këtyre ngjarjeve, mbas këtij persekutimi të paparë në historinë e popullit çek, më 5 gusht 1942, qeveria angleze dhe më 27 shtator 1942 edhe qeveria franceze, e deklaruan të pavlefshme marrëveshjen e 28 shtatorit 1938 në Munih “mbi dorëzimin e territoreve kufitare Çekosllovake, Gjermanisë”, marrëveshje e cila jo vetëm bëri që Gjermania naziste të merrte territoret kufitare çekosllovake, por i hapi asaj rrugën e pushtimit të të gjithë territorit çek e moravak, duke i sjellë këtij vendi shkatërrime, terror, internime, pushkatime masive dhe zhdukjen nga harta të shumë fshatrave e qendrave të banuara. Histori e dhimbshme për popullin çekosllovak.

Google+ Followers