Teoria e fijeve, vërtetësia akoma një dilemë

Çfarë është teoria e fijeve? Çfarë ka dhe nuk ka vërtetuar ajo? Artikulli më poshtë ju rrëfen më tepër për këtë pikëpamje më të re mbi universin…
Kuriozitet  
Teoria e fijeve është një pikëpamje e re mbi universin, e cila kalon përtej kufirit të imagjinatës. Kjo teori përfshin gjithë forcat, gjithë materien, që nga atomi, te globi tokësor e deri në fund të galaktikave, nga fillimi i kohës e deri në fund të saj. Është një teori e vetme, e quajtur dhe teoria e gjithçkaje. Brajan Grin, një prej studiuesve të kësaj teorie shprehet se e ka të vështirë të mësohet me këtë teori. Misteri i madh i fizikës moderne është ai sipas të cilit botëkuptimi ynë mbi universin bazohet në dy grupime ligjesh që nuk përputhen me njëri-tjetrin. Kjo kontradiktë nuk është zgjidhur as nga Ajnshtajni, i cili iu përkushtua plotësisht asaj, duke e bërë çështjen përfundimtare të studimeve të tij. Teoria e fijeve thotë se në zemër të çdo pjesëze materie gjendet një fije mikroskopike vibruese energjie. Një brez i ri shkencëtarësh beson se këto fije janë kyçi i unifikimit të botës mikroskopike me atë makroskopike, në një teori të vetme”. Ideja se një teori e vetme shkencore mund t’u japë përgjigje pyetjeve bazë të shkencës së fizikës është shumë tërheqëse. Ideja e fijeve është shumë provokuese. Por jo të gjithë e duan këtë teori të re. Deri tani asnjë eksperiment nuk ka provuar se këto fije ekzistojnë. Sot ka fizikanë dhe teoricienë që mbështesin idenë e fijeve. Kjo është një disiplinë e re shkencore. Ato janë të fokusuar në çështje që nuk mund të provohen me eksperimente. Kjo lloj fizike nuk mund të provohet me eksperimente në laborator apo me teleskopë në hapësirë. Fizika është një shkencë eksperimentale, ajo ose vërtetohet me eksperimente në laborator ose në astronomi me vëzhgime. U zbulua një teori e qëndrueshme e pjesëzave elementare të fizikës, e cila lejon të përshkruhen të gjitha ndërveprimet e forcave të dobëta, të fuqishme dhe elektromagnetike, me të njëjtin shpjegim. Këto u përfshinë në tekstet e fizikës dhe u përfshinë në atë që u quajt modeli standard. Ai u quajt kështu nga prof. Sheldon Lee Glashow i universitetit të Bostonit, i cili së bashku me profesorët Abdus Salam dhe Steven Weinberg, janë shpikësit e modelit standard dhe për këtë të tre, në vitin 1979 morën çmimin “Nobel” në fizikë. Megjithëse modeli standard zbulonte tri nga forcat që sundojnë botën subatomike, ai nuk përfshinte forcën më të njohur për të gjithë gravitetin. Duke u marrë me modelin standard, shumica e shkencëtarëve e humbën interesin për teorinë e fijeve duke u mbështetur në logjikën se ajo ishte një teori tërheqëse, por nuk kishte asnjë lidhje me natyrën. Përkrahësit e kësaj teorie, ato që u morën që në fillim me të, vazhdonin studimet për ta vërtetuar. Ideja se dimensionet shtesë ekzistojnë përreth nesh është në qendër të teorisë së fijeve. Matematika e teorisë së fijeve kërkon jo një, por gjashtë dimensione të tilla të fshehura në këto forca të vogla dhe komplekse që mund të ketë një pamje. Në formën që ekziston sot teoria e fijeve, mendohet se dimensionet e tjera ekzistojnë. Ato janë pjesë e natyrës dhe janë njëlloj si dimensionet e hapësirës që njohim. E vemja diferencë mes tyre lidhet me formën. Sipas teorisë së fijeve, forma është gjithçka. Dimensionet e përkulura të hapësirës, sipas teorisë e fijeve veprojnë njëlloj. Nëse do të zvogëloheshin aq shumë sa të fluturonin brenda formave mikroskopike gjashtë dimensionale të parashikuara nga teoria e fijeve, do shihej sesi janë të përkulura mbi njëra-tjetrën dimensionet shtesë, duke ndikuar dhe në lëvizjet dhe vibrimin e fijeve që janë përbërësit themelorë të universit tonë. Ky mund të jetë çelësi i zgjidhjes së një prej mistereve më të mëdha të natyrës. Sipas shkencëtarëve, ekzistojnë mbi 20 numra, 20 konstante themelore të natyrës që i japin universit karakteristikat e sotme. Këto numra tregojnë peshën e elektroneve, forcën e gravitetit, forcën elektromagnetike dhe atë të fuqishme dhe të dobët. Kur në makinerinë e universit vendosim vlerën e saktë për secilën nga këto 20 numra, prodhohet ky univers që njihet. Në rast se ndryshojnë numrat duke modifikuar sado pak programimin e kësaj makinerie, pasojat do të jenë dramatike. Për ta konkretizuar mjafton të përmendim një shembull:  nëse rritet fuqia e forcës elektromagnetike, atomet do të përplasen me njëri-tjetrin më fort dhe si pasojë furra bërthamore që prodhon yjet do të ndalej. Yjet, përfshirë dhe diellin do të zhdukeshin dhe universi do të shuhej. Por lind pyetja se cili është ai mekanizëm i natyrës që i vendos me saktësi vlerat e këtyre konstanteve? Përgjigjja duhet kërkuar te dimensionet shtesë për të cilat flet teoria e fijeve. Pra gjashtë dimensione mikroskopike të teorisë së fijeve e bëjnë një fije të vibrojë me saktësinë e duhur për të prodhuar protonet. Ndërsa një fije tjetër, duke vibruar ndryshe prodhon një elektron. Sipas teorisë së fijeve, këto forma mikroskopike, ekstradimensionale përcaktojnë të gjitha konstantet e natyrës duke mbajtur të sintonizuar simfoninë kozmike të fijeve. Në mes të 1980-s, teoria e fijeve dukej e pandalshme, por ajo paraqiste përsëri probleme. Shkencëtarët krijuan 5 versione të ndryshme të teorisë së fijeve. Secila kishte në bazë të saj fijet dhe ekstradimensionet, por në hollësi kishin harmoni mes tyre. Në disa versione fijet paraqiteshin me dy anë të prera, në të tjera kishin formë rrethore, disa kërkonin 26 dimensione për t’u përcaktuar. Të gjithë versionet ishin të vlefshme, por problemi lidhej me atë se cili prej tyre bën një prezantim më të saktë të universit tonë. Kjo është një dilemë akoma e pazgjidhur nga shkenca. Një nga arsyet se përse kundërshtohet teoria e fijeve është se janë pesë versione dhe nuk ka një teori unike. Përveç kësaj, mosvërtetimi në rrugë laboratorike apo me anë të vëzhgimit në natyrë, bën që kjo teori dhe pse e pranuar të ketë mëdyshje mes komunitetit të shkencëtarëve.

Google+ Followers