Shkencëtarët drejt formulës se si të jetosh më gjatë


Sfida e ardhshme e shkencës por dhe e njerëzimit do të jetë zbulimi i formulës për të jetuar më gjatë. Disa thonë që mund të bëhet ndërhyrje në organet e trupit, të tjerë hedhin idenë e zvëndësimit të tyre, ndërsa ka dhe nga ata që po përpiqen të gjejnë “ilaxhin magjik”. Disa shkencëtarë po përpiqen të rrisin dhe të kultivojnë organet njerëzore që do të mund të transplantohen për të zëvendësuar organet e plakura. Të tjerë janë duke u përpjekur për të identifikuar gjenin e plakjes. Jo shumë kohë më parë tek lakuriqët e natës u zbulua gjeni i jetëgjatësisë. Kjo specie jeton dhjetë herë më shumë se individët e afërt me llojin e vet, tregon shefi i laboratorit për Mjekësinë rigjeneruese të Institutit Fiziko-Teknik të Moskës, Mihaill Batin.  Në fakt gjene, që lidhen me jetëgjatësinë e kafshëve, numërohen jo më pak se 100. Ne jemi të angazhuar tani në laboratorin tonë me modelimin e punës së gjeneve, po përpiqemi të krijojmë atë proteinë, e cila kryen funksionet që lidhen me kohëzgjatjen e jetës njerëzore.

Njerëzit jetëgjatë

Nëse do të flasim për njerëzit super-jetëgjatë, mendon shkencëtari rus, duhet thënë se mosha e tyre nuk është e lidhur aspak me mënyrën e jetës, por me vetë gjenet e tyre: – Natyrisht, mënyra e jetesës së shëndetshme, kushtet të mira – të gjitha këto janë një gjë shumë e mirë. Por për të arritur, për shembull, moshën 120 vjeçare ndihmojnë ekskluzivisht gjenet, aftësia e organizmit për t’i bërë rezistencë streseve. Sipas mendimit të Mihaill Batin, nëse do të kishte ekzistuar një projekt global i destinuar për jetëgjatësinë, i tillë si projektet për krijimin e bombës atomike apo fluturimin e njeriut në kozmos, atëhere pas 20 vitesh mund të flitej për triumfin mbi pleqërinë. Por aktualisht, sugjeron shkencëtari rus, një detyrë e tillë nuk është shtruar për zgjidhje: – Ky është një problem politik, që njerëzit të jetojnë gjatë. Kur të ketë vullnet politik, atëhere edhe njerëzit do të jetojnë gjatë. Por, për fat të keq, liderët politikë posedojnë veti e cilësi të tilla që janë në kundërshtim të plotë me zhvillimin e shkencës. Ata janë fokusuar më shumë në mendimet e njerëzve të zakonshëm. Ndërsa zgjatja e jetës – kjo është një detyrë shumë e vështirë, komplekse. Dhe, sado paradoksale që të duket kjo, ajo nuk i intereson njerëzit e zakonshëm. Unë jam mëse i bindur se 80% e njerëzve pyetjes – A do të donit ju të jetonit përjetësisht? – do t’i përgjigjen – jo. Kjo është konfirmuar nga studimet dhe sondazhet e kryera në botë. Megjithatë, që sot është bërë plotësisht e mundur zgjatja e rinisë së njeriut për një kohë të caktuar. Për këtë çdo njeri duhet të dijë deshifrimin e gjenomit të tij. Kjo procedurë kushton rreth 200 $. Analiza e një numri shumë të madh të të dhënave të gjenomit të një personi konkret do të lejojë për të kuptuar se si rrjedhin ndryshimet e lidhura me moshën në organizmin e tij. Dhe pastaj procedurat e zgjedhura drejtë, me profesionalizëm, do të lejojnë zgjatjen e jetës rreth 20 vjet.

Studimet

Disa studime kanë konfrontuar një grup prej 1 mijë e 500 personash me kancer, me 3 mijë të tjerë të zgjedhur rastësisht. Duke mos pasur parasysh historinë e tyre familjare dhe shumë faktorë të tjerë, është zbuluar se ata persona që ishin më shumë se 60 vjeç kishin gishtin tregues më të gjatë se ai i unazës dhe rezultuan se kanë një mundësi prej 33% më pak mundësi për t’u prekur nga kanceri në prostatë.

Shtrëngimi i dorës

Sipas studimeve të shumta që janë kryer me kalimin e viteve, forca e shtrëngimit të duarve është një prej faktorëve më të rëndësishëm në gjendjen shëndetësore në moshën e madhe. Meshkujt që kanë një shtrëngim dore të dobët vuajnë handikapin dyfish krahasuar me ata që kanë një shtrëngim dore të fortë. Ndërsa në një studim tjetër që janë përfshirë dhe femra, sërish ka rezultuar se një shtrëngim i fortë i duarve është si tregues për një jetë më të gjatë.

Faktet reale

“Amerikanët po fillojnë ta kuptojnë se ushqimet e shëndetëshme dhe ushtrimet e rregullta gjimnastikore ulin tensionin e gjakut dhe kolesterolin dhe ndihmojnë punën e zemrës, gjë që i bën njerëzit të jetojnë më gjatë. Një studim për shembull tregon se qoftë edhe të ecurit rreth 30 minuta çdo ditë i shton njeriut disa vite jetë. Margaret Smith ka mësuar në praktikë se si ulet tensioni i gjakut. Duke ngrënë ushqime me shumë proteinë si fasule dhe mish pule apo yndyrna të pasaturuara si vaji i ullirit, vaji i kanolës dhe bajamet, ajo e ka ulur tensionin e gjakut nga 150 me 90 në 132 me 83. Kohët e fundit zonja Smith mori pjesë në një studim të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore të shtetit Maryland. “Tani besoj vërtet në efektet që ka ushqimi i shëndetshëm. Kjo më dha mundësinë të shikoja rezultatet e një diete pozitive.” 160 njerëz me tension të lartë gjaku morën pjesë në këtë studim për të sqaruar efektet që ka dieta tek tensioni i lartë dhe kolesteroli, simptoma që mund të çojnë në sëmundje zemre ose deri në kriza kardiake. Ulja e sasisë së yndyrnave të saturuara në dietë është rekomanduar gjithnjë për të parandaluar sëmundjet e enëve të gjakut. Por studimet e mëparshme nuk i jepnin përgjigje pyetjes se me çfarë mund të zëvendësoheshin këto yndyrna. Mjeku Laërence Appel shpjegon:  ”Studimi përfshin tre dieta. Njëra e pasur me karbohidrate, një tjetër me proteina – gjysma e tyre bimore dhe e treta e pasur me yndyrna të pasaturuara.” Rezultatet e studimit u botuan kohët e fundit në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Mjekët arritën në përfundimin se zëvendësimi i pjesshëm i karbohidrateve me proteina ose me yndyrna të pasaturuara mund ta ulë tensionin e gjakut dhe të zbutë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. “Nga studimi del se nivelet më të ulta të tensionit të gjakut dhe kolesterolit ishin te njerëzit që morën dietën me proteinë dhe atë me yndyrna të pasaturuara.” Në një studim tjetër, shkencëtarët llogaritën vitet që njeriu i shton jetës së tij me anë të ushtrimeve të rregullta gjimnastikore. Më shumë se 5 mije banorë të shtetit verilindor Masachusetts morën pjesë në studim gjatë 46 vjetëve. Ky quhet studimi i Fremingamit për Zemrën, sipas qytetit ku u krye ai. Njerëzit që merren me aktivitet fizik të mesëm ose të lartë, del se jetojnë 1.5 deri në 3.5 vjet më shumë se sa ata që bëjnë më pak ushtrike fizike. Nga studimi del se edhe 30 minuta ecje e shpejtë çdo ditë të zgjat jetën. Sa më shumë kohë të shpenzosh sot me ushtrime fizike aq më shumë kohë do të kesh më vonë në jetë”-thuhet në një shkrim të zërit të amerikës./standard

Google+ Followers