Time: 10 sheshet që i dhanë jetë revolucioneve


Nga sheshi i Bastijës e deri tek sheshi Taksim në Stamboll


Shesh Taksim në Stamboll konsiderohet si zemra e sotme e pjesës europiane të Stambollit. Ai është një atraksion i madh turistik dhe i famshëm për restorante, dyqane dhe hotele. Aty gjendet edhe stacioni kryesor i rrjetit të metrosë së qytetit. Në shesh gjendet monumenti i Republikës së Turqisë, ndërtuar më 1928 me rastin e pesëvjetorit të themelimit. Në këtë shesh ka pasur shumë përplasje mes palëve politike. Në vitin 1969, e majta dhe e djathta u përleshën duke lënë 150 të plagosur. Në vitin 1977, tridhjetë e gjashtë demonstrues të majtë u vranë gjatë një manifestimi për 1 majin, nga njerëz të paidentifikuar që hapën zjarr në turmë. Aty zhvillohen shumë manifestime politike, përfshirë edhe Paradën e Krenarisë të Komunitetit LGBT. Tani sheshi Taksim është prej ditësh i përfshirë në protestat kundër kryeministrit Erdogan, duke u kthyer në këtë mënyrë jo vetëm në simbol të protestuesve, por edhe duke u kthyer i famshëm në tërë botën. Duke marrë shkas nga protestat në këtë shesh, gazeta “Tirana Observer” ju njeh sot me dhjetë sheshet që i dhanë jetë revolucioneve. Në këto sheshe njerëzit zhvilluan protesta të ndryshme që u dhanë jetë revolucioneve.

1. Sheshi Wenceslas, Pragë

Në nëntor të vitit 1989, në Europën Juglindore, pas shembjes së Murit të Berlinit, pas së cilës një nga një binin diktatorët dhe diktaturat komuniste që sunduan për afro gjysmë shekulli, qindra mijëra njerëz mbushën sheshin Wenceslas, në Çekosllovaki, për të protestuar kundër regjimit të Partisë Komuniste Çekosllovake. Kjo protestë njihet ndryshe edhe si “velvet revolution” – “revolucioni prej kadifeje” që u zhvillua mes 16 nëntorit dhe 29 dhjetorit të 1989. 20 vjet më parë, sheshi Wenceslas, ishte qendra e protestës antisovjetike, ku studenti universitar Jan Palach, i vuri zjarrin vetes për të protestuar kundër pushtimit sovjetik në vitin 1968, duke nxitur kështu të ashtuquajturën “Pranvera e Pragës”. Në sheshin Wenceslas ndodhen disa prej strukturave të rëndësishme të qytetit, si Muzeu Kombëtar dhe Grand Hotel Europa.


2. Sheshi Tahrir, Kajro

Për katër ditë, sheshi Tahrir, dominoi tituj e gazetave, si qendra e lulëzimit të revolucionit egjiptian, ku skenat e kaosit dhe kurajës u rrezatuan në të gjithë botën. Sheshi Tahrir ndodhet në qendër të Kajros dhe në shekullin e 19-të është quajtur “Parisi gjatë lumit Nil” për arkitekturën e tij evropiane. Sheshi është i rrethuar nga disa prej ndërtesave më të rëndësishme në Kajro, përfshirë muzeun kombëtar, zyrat qendrore të partisë në pushtet dhe ndërtesa e televizionit shtetëror. Në vitin 1952, sheshi u trazua nga revolta ushtarake që rrëzoi monarkinë dhe u vendos në qeveri disa vite më vonë e drejtuar nga ushtaraku Gamal Abdel Nasser, që ishte Presidenti i dytë i Republikës Egjiptiane, nga 16 janari 1956 deri më 28 shtator 1970. Në mars të vitit 2003, rreth 30.000 egjiptian protestuan po në sheshin Tahrir, kundër luftës së Irakut. Por asgjë nuk krahasohet me qindra mijëra njerëzit që mbushën kohët e fundit sheshin Tahrir më 25 janar, duke thirrur për reformë demokratike dhe rrëzimin e regjimit Presidentit Hosni Mubarak.

3. Sheshi Tiananmen, Pekin

Protesta në sheshin Tiananmen, Pekin, u zhvillua nga studentë, intelektualë dhe punëtorë në Republikën Popullore Kineze, mes 15 prillit dhe 4 qershorit të 1989. Protestat u zhvilluan pikërisht në të njëjtin vit, 1989, kur u rrëzuan shumë regjime komuniste në Europë, eveniment i quajtur edhe si “Vjeshta e Kombeve”. Pikërisht në mëngjesin e 4 qershorit, qeveria kineze dërgon tanket dhe trupat e saj duke kthyer protestat paqësore në një fund tragjik. Simboli i kësaj proteste është konsideruar si “Tank Man” – “Njeriu i Tankut”, që përballoi një kolonë me tanke. Fotografitë që paraqesin atë, u përhapën në të gjithë botën dhe u bënë simboli i luftës kundër tiranisë. Edhe pse numri i njerëzve të vrarë gjatë protestave të dhunshme është ende i diskutueshëm, mendohet se mund të jetë mes qindrave dhe mijërave vetash.


4. Sheshi Trafalgar, Londër

Në shekullin e 19-të, sheshi Trafalgar, u bë vendi i tubimeve për londinezët. Më 13 nëntor të vitit 1887, simpatizantët e Federatës Demokratike Sociale dhe Liga Kombëtare Irlandeze, u mblodhën për të kërkuar lirimin e William O’Brein, politikan irlandez, i cili ishte i akuzuar se kishte nxitur në Irlandë “Land War”- ‘Lufta e tokës”. Më shumë se 4.000 polic ushtruan dhunë mbi demonstruesit, duke shkaktuar viktima të mëdha. Ngjarja njihet si “E Diela e Përgjakur”. Demonstruesit, që luftonin kundër papunësisë dhe në favor të irlandezëve, ishin socialistë, nacionalistë irlandezë, liberalët dhe simpatizant të tjerë. Sheshi Trafalgar ndodhet në qendër të Londrës dhe ka qenë edhe sheshi ku para 2 vitesh, në vitin 2010, studentët universitarë u mblodhën për të protestuar kundër rritjeve të taksave në Universitet.

5. Sheshi i Pavarësisë, Kiev

Kur Viktor Yanukoviç u deklarua fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 2004-s në Ukrainë, simpatizantët e opozitës me liderin e tyre Viktor Yushçenko, u mblodhën në sheshin e Pavarësisë, për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve të manipuluara. Protestuesit u veshën të gjithë me ngjyrë portokalli, e cila është ngjyra e partisë “Our Ukrahine” të Yushçenko-s. Ai mobilizoi përkrahësit e tij për ditë dhe net të tëra në rrugët e Kievit, në temperatura -20 gradë celsius dhe më në fund zgjedhjet u shpallën të pavlefshme. Pas organizimit të zgjedhjeve të reja presidenciale Yushçenko u zgjodh në postin e Presidentit.


6. Sheshi Azadi, Teheran

Sheshi Azadi në Teheran, ka qenë vendi i dy lëvizjeve protestuese më të rëndësishme në Iran. Në vitin 1979, mijëra iranianë u mblodhën në Azadi (që do të thotë Liri), për të përmbysur diktaturën e Shah Riza Pahllavit. Pothuajse 30 vjet më vonë, një tjetër gjeneratë e iranianëve mbushën sheshin për të hequr regjimin revolucionar, i cili ishte kthyer në një autokraci teokratike. Protestat e deritanishme janë më të mëdhatë që prej zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të 2009, të cilat Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad mendohet se mund t’i ketë manipuluar. Që prej asaj kohe, sheshi Azadi është qendra e lëvizjeve antiqeveritare, si edhe i tubimeve për të përkujtuar Revolucionin Iranian.

7. Sheshi Union, Nju Jork

Më 20 prill të vitit 1861, më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në sheshin Union, Nju Jork, për të përkrahur Qeverinë amerikane, pas sulmit të Fort Sumter, që nxiti edhe fillimin e Luftës Civile Amerikane. Njëmbëdhjetë shtete skllavopronare të jugut shpallën ndarjen e tyre nga SHBA-të dhe formuan Shtetet e Konfederatës së Amerikës (Konfederatën). Të udhëhequr nga Jefferson Davis, luftuan kundër qeverisë federale të SHBA-ve (Unionit), që kishte mbështetjen e shteteve të lira jo skllavopronare. Lufta mori jetën e më shumë amerikanëve se çdo konflikt tjetër në histori, me rreth 560.000 të vrarë. Protesta e vitit 1861 është konsideruar si tubimi më i madh publik që është organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbas ngjarjes së 11 shtatorit, 2001, sheshi ka qenë i rrethuar me qirinj dhe kurora për ditë me radhë, ku banorët e Nju Jorkut u mblodhën për të mbajtur zi mbi sulmin e tmerrshëm në qytetin e tyre.

8. Sheshi i tre kulturave, Meksiko Siti

Olimpiada e XIX në verën e vitit 1968, përkoi me një vit plot konflikte që arritën kulmin me masakrën e studenteve në sheshin e tre kulturave dhe në protestën e bujshme të “të ngjyrosurve” të Amerikës. Forcat e policisë hapën zjarr mbi turmën e studentëve të paarmatosur në sheshin e Tlatelolco-s. Deri në ditët e sotme nuk është vërtetuar ende një numër i saktë i viktimave. Nga disa vlerësime thuhet se mund të jenë rreth 300 persona, por nga burime qeveritare thuhet se nuk mund të jenë më shumë se 40 ose 50 të vdekur. Sheshi i tre kulturave ka marrë emrin nga strukturat që ndodhen rreth saj dhe i përkasin tre periudhave të ndryshme të historisë meksikane. Sheshi karakterizohet nga kultura e Tenochtitlan-it, para pushtimit të Meksikës nga spanjollët, përfaqësuar nga disa piramida dhe rrënoja prokolumbiane; kultura spanjolle deri në pavarësinë e Meksikës, përfaqësuar nga një kishë katolike; dhe kultura meksikane moderne e përfaqësuar nga një kullë, ku ndodhen zyrat e marrëdhënieve me jashtë shtetit.


 9. Sheshi i Dhjetorit, Shën Peterburg

Në sheshin e Shën Peterburgut, e cila u quajt sheshi i Dhjetorit, u zhvillua Revolucioni Bolshevik në vitin 1917. Revolucioni bolshevik në vitin 1917 e gjeti Rusinë në një progres ekonomik, i cili i mundësonte zhvillimit të shtresës së mesme – armikut më të madh të atyre që përgatitnin komplotin, e ky ishte njëri prej shkaqeve të revolucionit. Shkaku tjetër i kësaj ishte disfata e Napoleonit dhe hyrja e ushtrisë ruse në Paris. Në vitin 1814 shumë aristokratë rusë e vizituan Francën dhe i përkrahën idetë liberale revolucionare dhe si rezultat i kësaj u formuan dy llozha të fshehta masone në Rusi. Këta lozha të njëjta masone më vonë, luajtën rol vendimtar për revolucionin, posaçërisht me formimin e qeverisë, e cila tërësisht e zëvendësoi carin Nicholas I, pas abdikimit të tij. Pasi abdikoi mbreti, më 15 mars të vitit 1917, u krijua qeveria e përkohshme me në krye socialistin Korenski, i cili menjëherë shpalli amnisti të përgjithshme. Lenini, Stalini dhe Trocki u kthyen në Rusi dhe kësaj radhe, në vjeshtë të vitit 1917, revolucioni bolshevik u krye me sukses. Kështu revolucioni krijon shtetin e parë revolucionar.

10. Sheshi i Bastijës-s, Paris

Më 14 korrik 1789, parisienët e pushtuan Bastijën-n, fortesën ku shumë francezë ishin burgosur për pikëpamjet e tyre politike. Periudha e përgjakshme (1789-1799) që përfshiu të gjithë Francën shënoi fundin e monarkëve dhe ardhjen e një rendi të ri. Sloganet e këtij revolucioni ishin “Liri”, “Barazi” dhe “Vëllazëri”. Në këtë kohë, Franca ishte një vend me krizë ekonomike. Lufta, konkurrenca nga Anglia e industrializuar dhe pasojat e rënda për shumë vite e munduan Francën. Sistemit politik iu lëkundën themelet e tij, siç ishte kritika e ngritur kundër Mbretit Luigjit XVI, që ndikoi në çrregullimin e Pallatit mbretëror. Fundi i Revolucionit me kapitullimin e mbretit (Luigji XVI) dhe mbretëreshës do të sillte në pushtet jakobinët me në krye Maksimilian Robespierin. Gjithashtu, në qendër të sheshit Place de la Bastille, ndodhet “The Colonne de Juillet” – “Kolona e Korrikut”, e cila është monumenti i Revolucionit të Korrikut që u zhvillua në Paris në datat 27, 28 dhe 29 korrik të vitit 1830. Karlo X, sovrani i fundit i dinastisë Borbone, u rrëzua dhe u zëvendësua nga Luixhi Filippo, mbreti i Monarkisë së Korrikut. Revolucioni Francez ishte një fitore demokratike, por po ashtu, ishte edhe fillimi i periudhës së gjatë të trazirave dhe anktheve politike në Francë.

Google+ Followers