Sekreti i kozmosit në bërthamë të Tokës. Pse?


Intervistë me dijetarin Thanas Gjata, profesor në gjeologji

Intervistoi Nuri DRAGOI


Profesor Thanas Gjata, si recensent dhe përkrahës i gjeoteorisë së Tokës në rritje e zhvillim, me shpjegimet e tij zbulon para nesh sekretin kozmik që fsheh brenda vetes bërthama e Tokës. Shpjegimi i funksionimit të këtij sekreti, i përqendruar në disa formulime, po zmbraps teoritë standarde dhe koncepte anakronike. Ja disa formulime: “Jo materia e zakonshme molekulare, por një materie e pazakontë kozmike transformohet fshehurazi dhe heshturazi në bërthamë të Tokës. Jo nga Toka aglomeratike e rishkrirë kulloi bërthama në qendër, përkundrazi, bërthama, më saktë thelbi i saj i transformueshëm, e bëri tokën Tokë aktive, e rrit dhe shkakton largimin e pllakave nga njëra-tjetra.”

 - Faleminderit, profesor Thanasi, që pranuat të bashkëbisedojmë për këtë teori të veçantë, shumë të rëndësishme dhe tërheqëse, jo aq në gjeologji dhe praktikën kërkimore sesa në kozmologji dhe në ballafaqim me të dy pozicionet filozofike: evolucionin dhe krijimin. Atëherë fillojmë me pyetje e me sugjerime.

- Pse sekretet e kozmosit gjenden në bërthamë të Tokës? Ç’mendoni për këtë bashkëbisedim sqarues për esencën e teorisë?

- Shpresoj që “pse”-në e fshehjes së proceseve kozmike në bërthamë të Tokës, do ta nxjerrë bashkëbisedimi. Gëzohem që ju jeni njohur me teorinë, me artikujt e mi dhe që po i bëni jehonë kuptimit bashkëkohor të materies dhe transformimit të saj në bërthamë të Tokës.

- Pse variantin tuaj të zgjerimit në një artikull e keni mbiquajtur “teori befasuese” përderisa zgjerimi i Tokës është një teori e njohur, edhe më e vjetër se “tektonika e pllakave”?

- Kështu më duket mua, kjo teori, të befason si asnjë tjetër e grupit të zgjerimit (ekspansionit), sepse e shpjegon zhvillimin dhe rritjen si proces kozmik që ndodh në brendi të bërthamës së Tokës. Nëntitulli i kësaj teorie është “Gjeoteoria e transformimit të materies”. Zgjerimi, apo ekspansioni puqet me rritjen e Tokës vetëm si alternativë që mohon se proceset e brendshme gjeodinamike ndodhin në një Tokë me dimensione të fiksuara njëherë e përgjithmonë, që nga origjina. Formulimet dhe përcaktimet esenciale të teorisë janë sa të thjeshta edhe befasuese. Të thjeshta se janë konstruktuar duke u mbështetur tek koncepti modern i unifikimit të energjisë me materien i shprehur nga Ajnshtajni se “energjia është materie”, koncept ky i zhvilluar nga degë të ndryshme të fizikës se fushës, energjive, rrezatimeve, strukturës së atomit dhe elementeve përbërës të atomit.

- Mos ndoshta se keni të saktë thënien që energjia është materie?

- Ne tekstet e epokës time shkruhej: “materia paraqitet ne tri forma: e ngurtë, e lëngët dhe e gaztë” – ndërsa së fundi, kur unë nuk isha më student, u shtua – “si dhe në një formë të katërtë, të tejnxehur që është forma e plazmës”. Ky formulim ishte tepër naiv sepse merrte për bazë vetëm trajtën atomo-molekulare të materies dhe linte mënjanë grimcat dhe stërgrimcat që janë përbërës te atomit dhe formojnë fushat fizike dhe rrezatimet, bërthamën e stërngjeshur të atomit dhe yjet kuark-neutronik. Këto të dhëna tashmë janë të njohura, ndërsa ne i integrojmë në dinamizmin e bërthamës së Tokës.

- Po sugjeroj mbrojtësit e termit të ekspansionit (zgjerimit) pohojnë se varianti i rritjes hiqet si më i ri, por në fakt nuk qenka gjë tjetër veçse lojë fjalësh; të mos i themi zgjerim, apo ekspansion po t’i themi rritje. Atëherë ku qëndron e veçanta e kësaj teorie, që na qënka teori befasuese? 

- Sigurisht, jo se rritja është teori më e re, na qenka befasuese dhe jo se transformimin e materies e mohojnë teoritë e tjera, e prandaj na qenka befasuese. Shkurt, po e përsërisë, befasues është konceptimi i ri, që transformimi kozmik i materies ndodh brenda në bërthamë dhe jo si transformim kimik e biokimik, por si një transformim kozmik

- Në ç’rrethana u shfaqën këto teori?

- Qysh kur u argumentua hipoteza se kontinentet, janë larguar nga njeri tjetri, para studiuesve kërkohej të përcaktohej shkaku përse duhej të largoheshin kontinentet në se qëndronin të bashkuar që nga formimi i Tokës deri në fazën mesozoike të zhvillimit gjeologjik. Natyrshëm dolën dy mundësi mobiliste për shpjegimin e kësaj dukurie: 1) ose rruzulli tokësor zgjerohet (rusi Jaroslavski në vitin 1888 dhe italiani Montavani, në vitin 1889 dhe 1909); 2) ose madhësia e Tokës qëndron fikse, siç është formuar, por kontinentet me kore të shtangët dhe më të lehtë, kanë pluskuar mbi korren viskoze dhe më të rëndë të tabanit të oqeaneve (gjermani Alfed Vegener, viti 1910). Po ashtu në mënyrë krejt të natyrshme, të dy variantet e mobilizmit u ndeshën me fiksimin, d.m.th. me mospranimin e lëvizjes dhe largimit të kontinenteve nga njeri tjetri si dhe me imponimin e heshtjes.
Heshtja e forumeve të larta shkencore për mobilizmin mori fund, kur kërkimet në fundin e oqeanit nxorën në dritë të dhëna të papritura që tregonin se, të përngjitur me plisat tektonikë të kores kontinentale, zhvendoseshin edhe llokmat e kores oqeanike. Këto fragmente gjigante plisash tektonikë të përngjitur u quajtën pllaka tektonike dhe interpretimet mobiliste u rikonstruktuan në tektonikën e pllakave si neomobilizëm (1965). Alternativa e ekspansionit apo zgjerimit vazhdoi të quhej absurd.

Pra, pse të mos jetë edhe tektonika e pllakave befasuese, kështu siç po e interpretoni edhe vetë juve, profesor? 

- Ky ishte një revolucion në gjeotektonikë brenda kornizës së Tokës me madhësi të fiksuar që nga origjina. Në fakt, këto të dhëna të reja duhet ta thyenin kornizën standarde të Tokës fikse. Kjo s’mund të ndodhte; studiuesit e vështronin dukurinë thjeshtë gjeologjike, derivat të standardit kozmologjik të pacenueshëm. Tashmë Tektonika e Pllakave është vënë në mbrojtje konsekuent të pacenueshmërisë së origjinës se dinamizmit të tokës për t’u mbrojtur nën hijen e standardit, kozmologjik.

- Çfarë është esenciale tek kontradikta e mekanizmit të tektonikës së pllakave 

- Fragmentet e kores taksore, qoftë vetëm si kontinente, apo si plisa oqeanik e kontinental bashkë, formojnë pllakat tektonike, që kufizohen nga çarje globale. Këtej teoria përkatëse mori emrin “tektonika e pllakave”. Kjo rritje e kores oqeanike ishte befasuese dhe, në vend të konsiderohej dëshmi e rritjes së tërë rruzullit, u quajt nderje apo hapje e kores oqeanike. U mohua zgjerimi i Tokës dhe Tektonika e Pllakave u bë teori standarde.
Në rruzullin tokësor me rreze fikse dy pllaka që latoheshin nga çarjet përkatëse mesoqeanike do të duhej te përplaseshin. Në këtë përplasje u gjet marifetit i supozuar, mekanizmi i nënkalimit (subduksionit), me të cilin u arsyetua se shtesa përkatëse e kores oqeanike që gjenerohet përgjatë çarjes globale mes-oqeanike, së bashku me krejt litosferën zhytet në çarjet globale të formuara nga kjo përplasje; gëlltitet dhe asimilohet nga manteli i nxehët dhe viskoz.

- Mirë mekanizmi i tektonikës së pllakave, duke respektuar autoritetin e standardit teorik, e mohon shtesën progresive të kores oqeanike që të jetë dëshmi e ekspansionit apo zgjerimit; po rkspansioni i Tokës, tek cili mekanizëm bazohet dhe a e respekton autoritetin e standardit? 

- Çështja se si bëhet zgjerimi, d.m.th. cili është shkaku i zgjerimit, është në diskutim midis variantesh të ndryshëm, por asnjëri nuk është i bazuar mirë. Kuptohet se është standardi ai, që e ka lënë zgjerimin (ekspansionin) në një pozitë të ndrydhur, të papranueshme, të paaftë për të përcaktuar shkakun dhe i detyron kushte që i imponojnë të mos e prek standardin e origjinës kozmike të Tokës, d.m.th. i imponon inferioritetin e gjeoshkencave ndaj kozmoshkencave.

- Mos ndoshta edhe teoria e zgjerimit na qenka e papranueshme?

- Tamam. Ekspansioni pa përcaktuar një mekanizëm të vetin si shkak nuk mund të jetë në gjendje të rrezojë mekanizmin e sajuar të subduksionit që mbështetet fuqishëm tek autoriteti i standardit teorik.

- Pse të mos jetë edhe rritja që mbroni ju një variant i ekspansionit?

- Teoria që mbroj unë e vështron Tokën, ashtu siç është Toka në të vërtetë, objekt kozmik, ende në aktivitet, për shkak të këtij dinamizmi të brendshëm që nga origjina dhe që krahas rritjes përmban edhe evolucionin nga një stad në tjetrin. Këtë të veçantë të Teorisë së rritjes e ka theksuar edhe profesori Austaralian Klif Ollier (Cliff Ollier) në parathënien e botimit në Anglisht në USA (2005), të cilën e ka publikuar edhe në gazetën e internetit (New Concept In Global Tectonics Newspaper nr, 38). Profesor Ollier shprehet se “Vedat Shehu ka përpiluar një libër të shquar dhe unë do t’ua rekomandojë gjithë studiuesve të Tokës si një interpretim të pazakontë që do të frymëzojë shumë debate në gjeologji”, ndërsa unë e plotësoj mendimin e tij duke shtuar: në tërë shkencat gjeologjike dhe jo-gjeologjike të lidhura me origjinën dhe evolucionin e Tokës.

- Profesor, si konsulent dhe recensent i librit të Profesor Shehut që i kushtohet kësaj teorie, dua të pyes a jeni njohur më parë me këtë teori dhe a keni kumtuar për të ju, apo edhe ndonjë kolegu juaj? 

- Për ekzistencën e hipotezës së ekspansionit, me sa di unë, nuk ishte kumtuar fare në leksionet universitare të asaj kohe. të dhëna nga profesorët e shkollave brenda dhe jashtë vendit, në Lindje, por më duket se edhe në Perëndim. Profesor Vedati pohon (ne botimin e vitit 2009) se idenë e rritjes së Tokës e formuloi spontanisht në mënyrë të pavarur. Unë, nga bisedat, gradualisht u bëra vetiu konsulent dhe mandej mora përsipër edhe recensimin bashkë me kolegun Profesor Aleks Vranain. Vetëm pas dy vjetësh nga botimi i parë i librit u botua artikulli im (1990), me të cilin propozoja që kërkimet gjeologjike të Albanideve të vështroheshin edhe nëpërmjet kësaj teorie. Këto dhjetë vjetët e fundit, sidomos pas botimit të dytë në shqip (2009) është shtuar interesi për këtë teori, nëpërmjet një bashkëbisedimi të organizuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar (2011) dhe artikullit përkatës në buletinin e shkencave gjeologjike.


- Pra, ju profesor, i konsideroni të papranueshëm variantet që shpjegojnë shkakun e zgjerimit (ekspansionit). Në mënyrë që të bëhet më e qartë përse janë të papranueshëm, mund të na i shpjegoni thelbin e këtyre varianteve?

- Janë disa variante . Do te mundohem t’i përfshij në mënyrë lakonike në grupe.
1) Varianti për shkak të tërheqjes se pluhurit kozmik, Toka zmadhohet në vëllim dhe në përmasa. Nuk justifikohet nga të dhënat gjeologjike dhe llogaritjet e shtesës të pluhurit të nevojshëm..
2) Zgjerimi i Tokës konsiderohet si refleks i zgjerimit të gjithësisë. Prej zgjerimit të gjithësisë zvogëlohet konstantja gravitacionale universale dhe për pasojë zvogëlohet edhe gravitacioni dhe densiteti, gjë që zmadhon Tokën. Nuk justifikohet si zbatim i konceptit të fillimit.
3) Zgjerimi nën ndikimin e bërthamës mund të përmblidhet në tri variante:
a) Toka është formuar si një rruzull fare i vogël në gjendje të stërngjeshur dhe të diferencuar në bërthamë dhe me pështjellat e veta silikate. Krahas zvogëlimit të gravitacionit, zgjerohet bërthama, zgjerohet edhe pështjellja silikate. Procesi vazhdon deri sa Toka bëhet planet gjigant si Jupiteri dhe mandej yll si Dielli.
b) Krejt materia e Tokës ka qen rruzull i vogël me densitet të jashtëzakonshëm. Kjo masë e gradualisht është kthyer në lëndë silikate me densitet të zakonshëm. Me këtë proces Toka është zgjeruar, ndërsa bërthama me densitet të jashtëzakonshëm është bëre gjithnjë më e vogël, gjersa ka ardhur në madhësinë e sotme.
c) Vetëm bërthama e brendshme është formuar si një masë me densitet të jashtëzakonshëm dhe masa e saj kalon në masën e bërthamës se jashtme e prej këtej në masë silikatesh me densitet të zakonshëm. Kështu rritet Toka.

- Këto tri variante të lidhura me densitetin e jashtëzakonshëm të bërthamës më duket sikur ngjajnë me teorinë që po diskutojmë, nuk më ngjajnë si të papranueshme.


- Po, në dukje ngjajnë shumë me teorinë që po mbroj unë sepse e kërkojnë shkakun në bërthamë, kurse në përmbajtje aspak. Asnjëri nga variantet nuk merr parasysh strukturën reale te bërthamës së Tokës të përbërë nga disa gjeosfera dhe përbërjen e saj prej materieje atomomolekulare. Ka edhe interpretime të tjera të përngjashme me teorinë tonë. Le t’i shohim.
4) Toka rritet në masë dhe vëllim sepse fluksi eteror i hapësirës kozmike absorbohet vijueshmërisht në vorbullat materiale të gjithësisë, siç konsiderohet edhe Toka, ku transformohet në materie. Ky variant ka gjetur jehonë me shprehjen “Toka rritet prej thithjes, nga një anë, të pluhurit kozmik, nga ana tjetër, të fluksit eteror”. Edhe sipas këtij procesi rritjeje, Toka bëhet planet gjigant e mandej yll. Përveç të tjerash koncepti i eterit nuk njihet nga fizika e fushës dhe flukseve valoro-korpuskularevalore, prandaj, del i papranueshëm.
5) Toka rritet si cilësi e vetvetishme e hapësirës për të krijuar materie. Hapësira është potencialisht paramaterje që krijon materie, fillimisht krijon grimcën elementare, protonin, atomin, kristalin molekular, etj. Paramateria penetron ne kristal dhe e rrit shkallë-shkallë në meteor, asteroid miniplanet, planet, planet gjigant, diell, galaktikë. Kështu rritet Toka dhe universi. Ky variant nuk mundohet fare për të qenë në përputhje me arritjet përfundimtare të proceseve reale që veprojnë dhe drejtojnë zhvillimin. Për më tepër, mbështet nocionin e krijimit me termin “krijim i materies”. Kuptohet bëhet variant i papranueshëm, bile pseudoshkencor.

- Mua më duket se ky variant mund të argumentohet si i papranueshëm, sikurse të tjerët dhe s’ka përse të diferencohet si pseudoshkencor. 

- Në fakt, ngjan si të tjerët sepse është montuar me të dhënat e tyre, por në shpjegimet përkatëse, jo vetëm injorohet gjithçka është arritur në kuptimin dhe funksionimin e sistemit Diellor, por nuk ndalet fare në kuptimin se ç’është dhe si mund të funksionojë procesi i rritjes në objektet që rriten. Për më tepër aludon krijimin e materies si kompromis të metodës shkencore me krijimin.

- Le të kalojmë tek teoria e rritjes; më duket sikur e trajtoni këtë, jo si një hipotezë, por si një teori të vërtetuar, a nuk është kështu?

- S’më duket kështu dhe s’kam çfarë shtoj më, sepse është teori e vërtetuar shkencërisht.
- Nuk besoj se ekspansioni mbështetet në të dhëna të pavërteta.

- Po, nuk vihen në diskutim, të dhënat bazë janë të njëjta dhe të vërteta si për tektonikën e pllakave dhe për ekspanionizmi, si dhe për teorinë që mbroj unë. Por, mbi bazën e këtyre fakteve, të njëjta janë ndërtuar premisa të ndryshme. Nga këto premisa të diferencuar zhvillohen teoritë përkatëse divergjente.

- Unë jam përgatitur për të përkrahur gjeoteorinë tuaj dhe e ndiej veten përkrahës, por, këtë teori, që faktikisht është hipotezë, si mund ta quajmë të vërtetë shkencore. kur e vërteta, për mua është objektive?

- Sigurisht objektive, por ka edhe të vërtetë shkencore, kur hynë arsyetimi mbi një bazë premisash logjike dhe të vërteta. Për shembull, e vërtetë objektive u pat marrë rrotullimi i Diellit rreth Tokës ne modelin gjeocentrik, ndërsa modeli helocentrik qëndronte si një e vërtetë shkencore gjersa u vërtetua. Zbulimi në të ardhmen, nëpërmjet teknologjive moderne, i vatrës energjetike në bërthamë, e vërtetuar shkencërisht, do të nxjerrë në pah edhe hollësira të strukturës dhe funksionimit të saj, që, sigurisht, do të përdoren për plotësimin apo korrigjimin e teorisë.

- Më duket se një konkluzion shkencor nuk mund të marrë atributet e të vërtetës objektive.

- Atëherë, më duhet të sqaroj se jo çdo teori është teori shkencore dhe se jo çdo teori shkencore mund të marre atributet e të vërtetës shkencore. Kjo varet nga korrektësia e zbatimit te metodës shkencore nëpërmjet arsyetimit mbi premisat përkatëse dhe logjikës konsekuente, sidomos nëpërmjet formulës “shkak-pasojë” dhe anasjelltas.

- Me sa di unë, ka edhe dukuri që nuk kanë shkak; e tillë është prania e materies. Është fakt që, shkenca nuk e kërkon shkakun e ekzistencës së materies.

- Dihet se ekzistenca, d.m.th. materia, nuk mund të ketë për shkak inekzistencën, hiçin. Mosekzistenca nuk mund të jetë objekt studimi me metodë shkencore. Materia, për krahasim, është kombinim i plusit dhe minusit, ngjashmërisht si pika dhe vija e alfabetit Mors. Ashtu si me pikën e vijën kombinohen pafundësisht shkronja dhe fjalë, me plusin dhe minusin kombinohen pafundësisht lloje materiesh.

- Mua më duhet të sqaroj: cilat janë argumentet që nxjerrin nevojën e ekzistencës dhe funksionimit të thelbit të bërthamës së Tokës?

- Argumentimi i pranisë dhe funksionimit të thelbit të bërthamës gjendet në botimet e fundit te autorit (2009, 2010, 2011). Unë po i jap përmbledhtas:
1) Të dhënat tregojnë se manteli silikat nuk mund të jetë burim energjie, kurse struktura e bërthamës flet vetë për dinamizmin e saj. 2) Edhe shqyrtimi i strukturës së `brendshme të Tokës dhe i fenomeneve tokësore tregojnë qartë se shkaku i dinamizmit dhe rritjes së Tokës gjendet në bërthamë: a) dukuri të mirënjohura si sizmiciteti, vullkanizmi dhe gjeomagnetizmi interferojnë kanë rezonancë me aktivitetin e Diellit; b) e ashtuquajtura nderje e tabanit oqeanik në realitet është rritje dhe dëshmi për një gjenerim të saj, jo nga manteli, por nga bërthama; c) strukturat shtëllungore të nxehta që spostohen prej kufirit bërthamë-mantel në drejtim përjashta, ilustrojnë udhën, nëpër të cilën materia atom-molekulare e dalë nga bërthama, e shoqëruar me energjinë rrezatuese, lëviz nëpër mantel brenda një mjedisi relativisht më të ftohët. 3) Në depozitat e mëdha dhe thellësira të mëdha të gazit natyror prej hidrokarburesh gjendet gjithnjë edhe një fraksion i heliumit He-3, që është produkt vetëm i Diellit, gjë që tregon origjinën e tij si pasojë e dinamizmit të brendshëm të Tokës, bërthamës (nga thelbi i bërthamës). 4) Nukleosinteza eksplozive e tipit supernova ka probabilitet të vazhdojë si proces në kushtet e krijuara pas shpërthimit, në mbetjet e shpërndara të saj të stërngjeshura, te mundshme për të qenë të pranishme në mjegullnajën e formimit të sistemit diellor. Ka shumë mundësi që nga ky shpërthim të ketë origjinën thelbi i bërthamës së Tokës, që funksionon si vatër energjetike.

- A mund ta shpjegoni disi më të zgjeruar procesin se si rritet Toka nëpërmjet këtij mekanizmi? 

- Atëherë, duhet ritheksuar se një masë e caktuar grimcash elementare dhe stërelementare, kur janë në thelbin e stërngjeshur zënë një vëllim pakrahasushmërisht më të vogël se sa vëllimi që zënë pas çlirimit dhe rikunstrukturimit në trajtën e zakonshme atomomolekulare dhe në shpërndarjen si rrezatim dhe fusha fizike. Kështu, e njëjta masë grimcash subelementare dhe elementare e çliruar dhe e rikonstruktuar rishtas zë një vëllim shumë më të madh dhe kalon si shtese e materies atomomolekulare në rritjen e madhësisë së Tokës, pa ndonjë ndikim të dukshëm prej largimit të një pjese të flukseve që formojnë fushetat fizike dhe rrezatimet. Masa atomomolekulare e shtuar zhvendoset në dy drejtime të kundërta, Pjesa dominuese drejtohet për jashtë dhe rrit gjeosferat e jashtme; një fraksion i vogël drejtohet përbrenda thelbit gjeosferik të bërthamës dhe rrit bërthamën e brendshme.

- Si ta kuptojmë këtë rol të thelbit të bërthamës, kësaj diafragme energjetike, që ndan bërthamën e jashtme nga bërthama e brendshme?
 
- E kam theksuar gjithnjë se kjo vatër energjetike e bërthamës, sikurse tërë bërthama, nuk është diferencuar nga masa aglomeratike e rishkrime e Tokës fillestare. Përkundrazi kjo vatër energjetike, me kurorë të zjarrtë, ka qenë thelbi i bërthamës që formoi dhe rriti masën silikate të gurtë si një guaskë të vetën. Po ky thelb formoi edhe bërthamën e brendshme të ngurtë si një skelet të vetin. Këtej del konkluzioni që bërthama është një objekt kozmik aktiv që shkakton dinamizmin, rritjen e tokës dhe proceset gjeotektonike. Bërthama e Tokës ka qenë njëra prej bulave të stërngjshura planetare në mjegullnajën që u shndërrua në sistem diellor.

- Më falni, po ky është një interpretim shumë ndryshe dhe i përpiluar nga një gjeolog i një vendi të vogël, a nuk mund të merret ky interpretim si sfidë kundër teorisë standarde, arritjeve të epokës sonë në botë?

- Jo, nuk është as pak sfidë. Arritjet e këtyre institucioneve janë të publikuara dhe, sigurisht, janë edhe në dispozicionin tonë.

- Si shpjegohet ndryshimi kaq thelbësor midis Tokës së gjallë dhe planetëve të tjerë, nga ana tjetër si shpjegohet analogjia me Diellin?

- Pavarësisht nga origjina e përbashkët e planetëve prej bërthamash me thelb të superngjeshur të transformueshëm, zhvillimi i tyre i veçuar dhe i diferencuar, natyrisht, është kushtëzuar nga pozicioni i orbitës së planetit në diskun ekliptik dhe nga masa e stërngjeshur në thelb të bërthamës, ndërsa veçoritë e Tokës si planet me atmosfere, hidrosfere dhe biosfere dihen mirë. Veçoritë e planetëve nga Dielli qëndrojnë në atë që Dielli, duke qenë yll, ka mbetur një bërthamë gjiganteske e paveshur me mbulesë silikate, ndërsa bërthamat e planetëve janë veshur prej tërheqjes së materies të prodhuar vetë apo të pranishme në hapësirën e ndikimit te gravitacionit përkatës brenda mjegullnajës.

- Meqenëse kjo gjeoteori ka për bazë shpërthimin kozmik çfarë përafërsie ka me shpërthimin e madh?

- Fenomeni real i shpërthimeve kozmike është imituar dhe adaptuar si model për shpërthimin e madh, i cili, për gjeoteorinë e transformimit të materies, nuk shërben si model. Shpërthimi brenda galaktikës është realitet, prej pasojave të të cilit interpretohet origjina dhe zhvillimi i Tokës. Premisat logjike të të dy teorive kanë drejtime divergjente, kanë të përbashkët vetëm termin shpërthim, por jo konceptin e shpërthimit dhe pasojat. Në konceptimin e Shpërthimit të Madh është futur koncepti i fillimit, origjinës së materies dhe gjithçkaje që rezulton nga shndrimi i saj. Nëpërmjet kësaj hipoteze aludohet sikur koha, hapësira dhe materia janë krijuar prej këtij shpërthimi. Me këtë sajim jo-shkencor, që ka dukje shkencore, shpërthimi i madh fitoi prestigjin e krijimit biblik.

- Si mund të vlerësohet dhe të aplikohet, kjo teori në kërkimet kozmike dhe tokësore, si dhe në kërkimet gjeologjike, konkretisht në Albanide? 

- Kësaj teorie shkencore, si çdo teorie tjetër, i takon që të paraprijë praktikën kërkimore nga e cila ka dalë dhe, me të cilën duhet të bashkëveprojë; ta korrigjojë, duke plotësuar dhe vetveten. Së pari vlera e saj qëndron në formimin një botëkuptim konsekuent për transformimin e materies në kozmos dhe në bërthamën e Tokës dhe në atë që bënë të mundur të kuptohet drejtë formimi dhe evolucioni i Tokës. Së dyti, ka vlerë të madhe për të kuptuar rolin e bërthamës, jo më indiferente, në proceset gjeologjike globale. Së treti, ka vlerë të posaçme, sepse me anë të kësaj teorie, vihen në udhë të mbarë kërkimet gjeologjike. Për këtë kemi përgatitur një artikull profesional, Profesor Aleks Vranai dhe unë, që është në botim e sipër

- A nuk mund të na flisni për këtë aplikim të kësaj teorie kaq të rëndësishëm, në Albanide?

- Do mundohem që t’i thjeshtësoj shpjegimet përkatëse. Së pari, Hapet perspektivë e papritur për kërkimin dhe gjetjen e vendburimeve të kromit ne nivele më të thella se sa ato të parashikuara, sepse masivët shkëmbor përkatës vazhdojnë ne thellësi. Së dyti, thjeshtë, me anën e kësaj teorie bakri dhe polimetalet nuk duhet kërkuar si të formuar në vullkanogjenet mbi stvnajën karbonatike Triasike-Jurasike, por nën të, në bazën e saj. Së treti, Për kërkimin e naftës dhe gazit merr përparësi edhe alternativa e origjinës inorganike, krahas asaj organike.

- Më duket se me këto interpretime, po e bëni teorinë tuaj me të vërtetë me vlerë të pazakontë, apo, siç më duket mua, alternativën e ardhme të standardit teorik, duke spostuar tektonikën e pllakave? 

- Faleminderit, nuk e thatë dhe aq gabim shprehje “teorinë tuaj”, kjo teori, e rritjes dhe zhvillimit të Tokës nëpërmjet transformimit të materies në vatrën energjetike të bërthamës, dihet nga të gjithë, është inkluzivisht e kolegut, mikut tim Vedat Shehu. Unë, duke e lënë mënjanë modestinë, mund të them që nuk është imja, por është bërë edhe imja, është bërë tona; mendoj se me këmbënguljen time në mbështetje të kësaj teorie, bëjë një punë jo aq titanike sa autori i saj, por mbështetjen që i bëjë unë teorisë do të dëshpëroja ta tregoja duke perifrazuar një të thëne: “njëshi është autori, por duke qenë edhe unë një njësh që komentoj konkluzionet e autorit, bëjë të mundur, që së bashku, të intensifikohet forca e teorisë nga një herë në 11 herë”. E ndjeva veten të obliguar për të mos e lënë mesazhin, e kësaj teorie dinamike, të qëndronte i ndrydhur në arkiv të historisë. Meqenëse edhe problemet shkencore fundamentale janë pjesë integrale e kulturës masive, unë e kuptoj fare mirë interesimin tuaj ndaj të vërtetave shkencore në debatin shumë joshës, siç e cilësuat vetë që në fillim të bisedës: evolucion apo krijim. Në ketë kuadër mendoj se Tektonikës së Pllakave i takon te mos spostohet, por te rinovohet me titullin e munguar: “pllakat tektonike të Tokës që rritet”, sigurisht prej dinamizmit të bërthamës.

- Vërtet, sikur kjo gjeoteori të pranohet nga nga institucione të avancuara dhe të marrë statusin e standardit, çfarë të reja do të sillte në tërësi?

- Meqenëse ju e thoni “sikur të ndodh”. Me këtë kusht “sikur” të pranohej pra, gjerësisht si standard, do të sillte shumë konsekuenca të paparashikuara, sepse me çelësin e thelbit të transformueshëm të bërthamës do të ndryshohej standardi dhe do të orientoheshin ndryshe kërkimet në shumë drejtime; do të ndryshohej botëkuptimi në tërësi, evolucioni do të kuptohej ashtu siç është, rrjedhojë e bashkëveprimit dhe transformimit të materies, kleri do ta kuptonte më mirë hapësirën kozmike dhe do të pranonte se Zoti nuk mund ta krijonte universin e vrojtuar me rreze prej 13.7 milionë vjet-dritë dhe as sistemin planetar; etj., etj.

 - Me sa duket, qenkeni ateist, atëherë ç’qëndrim keni ndaj besimit dhe feve? 

- Nuk jam ateist, nuk e besoj, por e pranoj Perëndinë si një simbol të njerëzimit për drejtësi. Feja e çdo kulti dhe riti ka vetëm mision moral dhe komunal. Interesat politike të regjimeve shtetërore në të tëra kohërat e kanë manipuluar klerin

- Po Zotin e besoni?

- Jo, e thashë. Zotin unë nuk e besoj, por e pranoj si simbol të mirësisë. Por, dihet e mira nuk mund të ekzistojë pa të keqen. Kështu, filozofia popullore ka pas krijuar edhe të keqen që i kundërvihet – djallin të përgjithësuar në Bibël. Dihet se si e ka përdorur feja konceptin e djallit.

- A nuk është e vërtetë ajo që thuhet, se shteti komunist qe ai që dobësoi besimin në Shqipëri, edhe me aktin e mbylljes së institucioneve fetare dhe dënimin e ushtrimit të predikimeve fetare?

- Duhet kuptuar se bolshevizmit nacionalist rus iu imponua aleanca me shtetet demokratike perëndimore, për shkak se u rrezikua nga sulmi agresiv i vëllait të vet, nacional socializmit gjerman. Kështu, në tëre botën, proletar dhe borgjez u bënë antinazistë dhe antifashistë. Unë kam konkluduar, se tek ne, me nocionin antifashizëm, u vendos një nacional-komunizëm bolshevik në shërbim të njëshit. Kështu, edhe ndalimi i fesë u bë nga alergjia që e zinte Sundimtarin, kur i mungonte informacioni se ç’bisedohej brenda faltoreve. Kështu, unë mendoj, se faktori thelbësor, i dobësimit të besimit fetar në botë është arsimi, por veçanërisht tek ne është dëshira e madhe e shqiptareve, në tersi, për dije dhe arsim, dëshira e tyre reale për të njohur funksionimin e botës.

- A keni ndonjë ide për perspektivën e Shqipërisë?

- Mund të them vetëm që jam shumë optimist se do të realizohet e ardhmja e ëndërruar nga rilindësve për Shqipërinë dhe shqiptarët në kuadrin euroatlantik. Vetëm kaq.

- Si ta kuptoj unë se cila ka qenë e ardhmja e ëndërruar?

- Historikisht shqiptarit i kanë munguar shumë gjëra. Edhe gjatë një shekulli pavarësi, përveç shkatërrimeve nga luftërat ka pasur mangësi të imponuara edhe midis luftërave. Më tepër ka vuajtur për liri, demokraci dhe punë produktive. Ëndrra e vjetër ka qenë plotësimi i këtyre kërkesave. Për këtë pra jam optimist.

- Faleminderit për bisedën kaq interesave, por a mund të shtoni diçka për mbyllje? 

- Po, u drejtohem të gjithëve, se gjeoteoria e shtjelluar me stil të admirueshëm shkencor dhe letrar prej inxhinier gjeologut, profesor Vedat Shehu në librin “Toka në rritje dhe zhvillim” dhe nëntitull “Vështrim gjeoteorik i materies në transformim” është një vepër krejt e veçantë dhe lehtë e kuptueshme për cilindo që merret sado pak me kuptimin shkencor të botës, pavarësisht mënyrës se si i lutet secili, apo s’i lutet fare, simbolit të Zotit. Duke përfunduar, përshëndes lexuesit tuaj dhe njëkohësisht ju falënderoj ju për mënyrën stimuluese të këtij bashkëbisedimi konstruktiv.

Google+ Followers