Loja e madhe e Katarit


Vijay Prashad
 



Askush nuk ecën në rrugët e Dohës. Në korsitë e gjera të makinave kalojnë automjete që shkëlqejnë, mes të cilëve një Rolls Royce me ngjyrë salmoni që e kam parë të kalojë disa herë. Të vetmit që shihen nëpër rrugë janë punëtorët e ndërtimit që, me kokën e mbuluar me një copë stofi, ndërtojnë rrugë dhe pallate nën djellin e nxehtë. Shëtitjet bëhen në qendrat tregtare, si tek City Center, ku turistët si unë mund të ndeshin familjet normale katariote. Burrat e veshur me të bardha, gratë me të zeza, fëmijët me veshje të firmave – një shëtitje e ngadaltë mes dyqaneve të markave nga më prestigjiozet. Teksa ndalem të shoh njerëzit që patinojnë në akull në hollin e qendrës tregtare, një burrë më buzëqesh. E pyes përse askush nuk ecën në rrugë. Buzëqeshja e tij bëhet ironike. “Çfarë nevoje ka të ecësh, kur mund të ngasësh makinën?”
Banorët e Katarit mund t’ia lejojnë vetes të ecin me makina. Të ardhurat për frymë vlerësohen 103 mijë dollarë, dhe nëse i shtohen të gjithë avantazhet e rezeruar për afro 250 mijë personat me nënshtetësi katariote, arrijnë në 400 mijë dollarë. Qindarka, nëse mendon që vlera e rezervave të gazit natyror të Katarit rritet në një kohë që bota e industrisë përpiqet që të kalojë në lëndët djegëse alternative. Të ardhurat nga gazi natyror arrijnë në 30 miliardë dollarë në vit dhe norma e rritjes ekonomike të Katarit është afërsiht 20 për qind. Ndryshe nga Dubai, modernizmi shkretëtiror i Dohës bazohet më shumë në gazsjellësit se sa në spekulimin me ndërtimet. Mes Muzeut të artit islamik (projektuar nga arkitekti kino-amerikan Ieoh Ming Pei) dhe hotelit Four Seasons, bulevardi i gjatë përgjatë detit mban në distancë pallatet me xham dhe çelik.
Por, jo shumë larg, kullat futuriste të kompanisë QatarGas dominojnë vijën qiellore të rrugës Omar al Mukhtar (ripagëzuar në 2011 për nder të heroit libian për rolin që Katari ka pasur në luftën në Libi). Ky është një qytetërim i ndërtuar mbi gazin. Të ardhurat nga gazi i kanë lejuar emirit Hamad bin Khalifa al Thani që të blejë, në mars 2013, gjashtë ishuj grekë për 8.5 milionë euro. Shitësit i ofronin si vendin ideal për të hapur një rezort luksi. Ndërsa emiri, me tre gratë dhe 24 fëmijët e tij (me familjet dhe të afërmit relativë) do që t’i përdorë si vend privat për pushime. Kodet socialë klaustrofobikë të Gjirit Persik i shtyjnë mbretërorët që ta kërkojnë gjetkë argëtimin (në Monako apo në Londër). Askush nuk u vë faj nëse duan të relaksohen. Megjithatë, do të ishte më mirë sikur ta kishin mundësinë jo vetëm të gjithë qytetarët e emiratit, por mbi të gjitha, edhe ata që punojnë për ta.
Katariotët bëjnë lloje të ndryshme punësh me kontratë për t’u pasuruar. Mbrohen prej 10 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në bazën ajrore Al Udeid, struktura më e madhe e SHBA në rajon. Nëse nuk dëshiron të udhëtosh një orë në shkretëtirë, këta ushtarë mbeten të padukshëm, ndërkohë që i garantojnë Katarit një mbrojtje të përhershme më efikase se sa forcat mbrojtëse të gadishullit (trupat e Këshillit të bashkëpunimit të Gjirit) apo vetë ushtria e Katarit, e krijuar së fundmi. Irani ndodhet vetëm 480 kilometra larg.
Kur isha në Doha morra një prej taksive blu të kudondodhura dhe i kërkova shoferit që të përshkonte rrugën që shkon drejt bazës amerikane. Por nuk u larguam shumë. Taksisti vendosi të më çojë në Omani suq, pranë tregut me shumicë. Taksisti im ishte nga Bangladeshi (të tjerë vijnë nga Egjipti, India dhe Filipinet). Ndërkohë që largoheshim nga rrugët më të rrahura të Dohës, më tregoi historinë e tij, që i ngjan asaj të shumë të tjerëve. Në Dhaka kish firmosur një kontratë në këmbim të një page, por me të mbërritur në Katar zbuloi se nuk ishte më e vlefshme. Kështu iu desh të firmosë një tjetër për gjysmën e pagës dhe iu desh t’ia japë dokumentet shefit/es (gruaja e parë e Emirit). I kërkova të më flasë për punëtorë të tjerë, muratorë dhe shtëpiakë. Më konfirmoi atë që e kisha dëgjuar tashmë nga një shofer egjiptian, si dhe nga një shofer dhe punëtor indian: procedurat e rekrutimit jashtë vendit janë gjithmonë të njëjtat. “Mezi pres që kontrata ime të përfundojë”, më tha. Përpiqet që të kursejë gjithçka që fiton, i dedikon një shifër modeste shpenzimeve të përditshme dhe pak para ia dërgon familjes për nevojat më urgjente duke përdorur shërbimet e transferimit të të ardhurave që aplikojnë taksa të larta. Pjesa tjetër përfundon në një depozitë bankare për të cilën shqetësohet shumë: “Çfarë lloj sipërmarrje duhet të nis? Një dyqan, apo një shërbim taksish?”
Punëtorë në kurth
Sipas Human Rights Watch, në Katar më shumë se një milionë punëtorë imigrantë janë të zënë në kurth në sistemin Kafala (sponsorizim). Në raportin e 2013 thuhet se kafala “lidh qëndrimin e ligjshëm të një punëtori migrant me punëdhënësin e tij, apo ‘sponsorin’. Të huajt nuk mund të ndryshojnë punë pa miratimin e garantit të tyre, përveç rasteve të jashtëzakonshëm dhe me lejen e Ministrisë së Brendshme. Nëse një punëtor lë sponsorin e tij, për shembull nëse pëson abuzime, ky i fundit mund ta denoncojë për ‘dezertim’ duke e dënuar me burgim apo me dëbim. Për të dalë nga Katari migrantët duhet të marrin një vizë daljeje nga sponsori i tyre, por, siç denoncojnë disa punëtorë, ndonjëherë u mohohet. Në atë pikë migrantët nuk kanë si të bëjnë denoncim apo të marrin drejtësi. Veç kësaj, ligjet për punën nuk aplikohen për bashkëpunëtorët shtëpiakë, pjesa më e madhe gra, të cilave u mohohen të drejtat bazë si kufiri për orarin e punës dhe pushimi një ditë në javë”.
Me taksi kaluam pranë Barva al Baraha, një qytet i madh në ndërtim e sipër që do të presë punëtorët e Dohas. Taksisti im nuk parashikon të transferohet aty brenda një kohe të shkurtër. Nuk është e qartë se cilëve punëtorë shteti do u japë të drejtën e qëndrimit. Ashtu si shumë gjëra të tjera në Katar, gjendja e vështirë e jetesës e imigrantëve është e dukshme dhe shfrytëzohet në favorin e vet në strategjinë e promocionit të Emiratit. Sheikha Mozah bint Nasser al Missned, gruaja e dytë e emirit dhe ideatorja kryesore e “markës Katar” ka krijuar Qatar foundation për luftimin e trafikut njerëzor dhe në vitin 2002 Emiri inauguroi komisionin kombëtar për të drejtat e njeriut. Me një firmë të thjeshtë sovrani mund të nxjerrë jashtë ligji sistemin e Kafala-s, por do të ishte shumë e lodhshme. Më mirë të mbahen të paprekura kushtet që u lejojnë katariotëve të bëjnë një jetë luksoze dhe të krijojnë organizata të buta joqeveritare, që kufizohen në qortime në rast të ndonjë incidenti shumë të rëndë, si dhe të bindin hotelet që të organizojnë mbrëmje gala në favor të migrantëve – domethënë po për ata kamerierë dhe pastruese që punojnë në kësi eventesh.
Tv Al Jazzeera është padyshim një pjesë e rëndësishme e markës Katar. Dhe nuk janë vetëm kritikët e tij që denoncojnë kontrollin e autoriteteve katariotë mbi televizionin. Disa gazetarë që punojnë aty flasin për episode censure. Nuk mund të kritikoheshin rebelët libianë, dhe as tani ata sirianë, dhe nuk mund të flitet për kushtet e punëtorëve imigrantë. Në shtator të 2011, drejtori i respektuar i Al Jazeeras Vadah Khanfar dha dorëheqjen pasi kish kontribuar për ndërtimin e reputacionit të kanalit. Khanfar kish qenë mbështetësi i pozicionimit të kanalit në favor të lidershipit të ri libian dhe, në mënyrë të veçantë, ish-kryeministrit të qeverisë së tranzicionit Mahmud Jibril Megjithatë, pallati donte të merrte kontrollin e plotë të kanalit dhe Khanfar u zëvendësua me Ahmed bin Jassim al Thani, një ish-drejtues i QatarGas pa përvojë gazetareske.
Ndërkohë që ndodhesha në Doha, Kryeministri (nga 2007) dhe ministri i Jashtëm (nga 1992) Hamad bin Jassim al Thani tha se ishte i zhgënjyer nga heshtja perëndimore për përshtatjen e modelit të ndërhyrjes libiane edhe në Siri. Ai do të armatosë rebelët. Për këtë arsye Katari ka dëbuar personelin diplomatik sirian dhe ka krijuar lidhje të plota me opozitën. Në lagjen e Qutaifiya, jo shumë larg nga ambasada libiane, ngrihet ambasada e re siriane. Në hyrje nuk ka kontrolle sigurie. Hyj pa problem dhe kërkoj që të takoj Nizar al Haraki, ambasadori për Koalicionin kombëtar sirian të forcave revolucionare dhe të opozitës, ose një zëdhënës të tij. Burri tek recepsioni, Mohammed, më jep një fotokopje me një numër telefoni dhe një adresë emaili, dhe më kërkon t’i telefonoj Omar Adlabit, një poet, që ka krijuar reputacion të mirë kur ndodhej në Beirut.
Rebelët sirianë nuk shqetësohen për kontradiktën që marrin mbështetje nga një regjim autoritar (që në fund të 2012 ka futur në burg poetin Mohammad ibn al Dheeb al Ajami për faktin që ka kritikuar Emirin). Duan revolucionin e tyre, pavarësisht se nga vijnë ndihmat. Natyrisht që Katari ka interesat e tij. Ka financuar Vëllazërinë Myslimane në të gjithë Afrikën e Veriut dhe në Siri. Vëllazëria është mjeti i preferuar i Emiratit dhe për Vëllezërit Myslimanë e vetmja nevojë demokratike është të mund të zhvillojnë një rol politik në vendet ku janë të pranishëm. Katari është përpjekur të jetë një ndërmjetës neutral në një seri të gjatë konfliktesh rajonalë (Jemen, Darfur, Palestinë), por pas luftës në Libi ka nisur të paraqitet si pjesë e një rendi të ri rajonal. Sot Doha është bërë një stacion qëndrimi për rebelët, pak a shumë si Londra e Tetëqindës, kur Karl Marksi dhe banda e tij e “mashtruesve” evropianë u transferuan në kryeqytetin e perandorisë, ku u lanë të qetë me kushtin që të mos trazonin monarkinë dhe politikën e jashtme britanike.
Khaled Meshal, udhëheqësi i organizatës islamike palestineze Hamas, e ka lënë bunkerin e tij të fortifikuar në Damask për një vilë të zhytur mes jeshillëkut në periferi të Dohës. Edhe talebanët kanë përfaqësues në qytet, edhe pse nuk mund ta bëjnë të ditur (në një dyqan afgan më thanë që talebanët duan të shohin të shkruar në targën e tyre “Republika islamike e Afganistanit”, gjë që Katari, nën presionin e SHBA, nuk mund t’ua lejojë). Hamasi lëkundet me mjeshtëri mes Sirisë (të cilës i kritikon regjimin) dhe Iranit (që është mes mbështetësve të tij kryesorë), një ekuilibrizëm që nuk i ka ecur as Hezbollahut e as Katarit. Emiri nuk mund t’i lejojë vetes të jetë shumë agresiv me Iranin, jo vetëm për shkak të afërsisë, por edhe sepse dy vendet ndajnë një prej vendburimeve më të mëdhenj të gazit në botë. Një diplomat katariot më tha se jo të gjithë kolegët e tij janë të kënaqur me linjën e përshtatur mbi çështjen siriane. Dëmton sirianët, por edhe marrëdhëniet mes Katarit dhe Iranit.
Sipas gazetarit Paul McGeough, autor i librit Kill Khalid, Meshal stërvitet çdo ditë në palestrën e vilës së Hamasit, i veshur me tuta blu të markës Adidas dhe këpucë sportive. Meshal bën stërvitje, ndërkohë që diskuton për kthesën e mungur në marrëdhëniet me Izraelin. “Jam mësuar të ecë sepse jam një fshatar nga Silvad”, i ka thënë ai McGoughut, duke i folur për fshatin në Cisjordani prej ku familja e tij u dëbua në 1967. Ashtu si pjesa më e madhe e katariotëve, udhëheqësi palestinez bën shëtitje i mbyllur brenda. Jashtë dalin vetëm punëtorët migrantë, persona jetët e të cilëve sakrifikohen lehtësisht në aksidente në punë apo në luftëra të pamëshirshme.
Vijay Prashad është historian dhe gazetar indian që jeton dhe jep mësim në Shtetet e Bashkuara. Libri i tij i fundit është “Historia e botës së tretë”.
Diplomacia e topit të futbollit
John Carlin
Cili prej këtyre dy lajmeve është i vërtetë? 1) Katari do të lançojë Dream football League një turne futbolli mes 24 skuadrave më të forta të botës, që duke vënë në tavë 200 milionë euro rrezikon të errësojë Champions League, në hall për fonde. 2) Katari financon një program pesëvjeçar të ekselencës sportive ku kanë marrë pjesë 2 milionë të rinj të tre kontinenteve të ndryshëm. Objektivi është t’u jepet nënshtetësia futbollistëve më të mirë, me qëllimin që të veshin fanelën e Katarit në Botërorin që Emirati do të organizojë në verën e vitit 2022.
Lajmi i vërtetë është i dyti. E megjithatë, edhe i pari duket i realizueshëm, aq sa edhe gazeta e respektueshme “Times” e Londrës e ka publikuar me titull me gërma të mëdha. Por më pas gazetës i është dashur të tërhiqet dhe t’u kërkojë ndjesë lexuesve.
Pyetje tjetër. Çfarë kanë të përbashkët Lionel Messi, Vëllazëria Myslimane egjiptiane, Tony Blair, magazinat e mëdha londineze Harrods, marka automobilistike Porsche, David Beckham, Banco Santander, skuadra e futbollit e Barcelonës, Nicolas Sarkozy dhe rebelët islamikë në Siri? Përgjigja: të gjithë kanë marrë, marrin apo do të marrin para nga emirati arab.
Ajo që ka arritur të bëjë deri tani Katari nuk duket reale, por një ëndërr e dalë nga version modern i “Një mijë e një net”, morali i parashikueshëm i të cilës është që paraja të hapë rrugën drejt pushtetit dhe aleancave. Por nëse marka Katar është e njohur në të gjithë botën, kjo ndodh pikë së pari falë penetrimit në botën e futbollit. Asgjë nuk e paraqet më mirë lakminë e Katarit se sa programi i tij i ekselencës sportive, Aspire, i frymëzuar sipas modelit të akademisë së futbollit të Barcelonës.
Që nga viti 2007 Aspire ka vënë në provë më shumë se 2 milionë futbollistë të rinj (ekuivalent i të gjithë popullsisë së Katarit) në tetëqind fusha futbolli në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë. Pothuajse një milion të rinj kanë marrë pjesë në kurse të mbajtur prej gjashtë mijë trainerësh vullnetarë dhe profesionistë. Më të mirët marrin një bursë studimi për të perfeksionuar dhuntitë e tyre në një qendër stërvitore sportive në Katar. Janë pra vendet e përfshirë në programin Aspire, secili prej të cilëve ka një rrjet të tijin të brendshëm të “vëzhguesve” që bëjnë një përzgjedhje të parë të të rinjve 13-vjeçarë. Qëllimi është të përzgjidhen cdo vit 50 të rinj nga çdo vend dhe për një muaj të luajnë në skuadër, si edhe t’u nënshtrohen provave individuale. Kush e kalon këtë proces përzgjedhjeje mund të vazhdojë formimin e tij në Katar apo në një shkollë të financuar nga Aspire në Senegal. Objektivi filantropik është të kultivohen profesionistë në gjendje që të konkurrojnë në kampionatet e mëdhenj evropianë. Ai është më egoist që të binden më të zotët që të marrin nënshtetësinë e Katarit dhe të luajnë në Botërorin e vitit 2022.
Ajër i kondicionuar në stadium
Barcelona ka përfituar shumë nga milionat e Katarit. Pikë së pari sepse njerëz që janë afër skuadrës kanë marrë pjesë në programin Aspire. Scout-ët e Barcelonës mund të përzgjedhin lojtarët më të mirë të Aspire për akademinë e skuadrës së tyre. Veç kësaj, raporti i ndërtuar përmes këtij programi ka kontribuar për ta bërë Katarin financuesin më të madh të skuadrës katalanase. Që nga viti 2011 në fanelën e Barcelonës spikat emri i Qatar foundation, që drejtohet nga gruaja e emirit. Në këmbim të reklamës, e cila nga viti i ardhshëm do të zëvendësohet me Qatar airways, skuadra merr tridhjetë milionë euro në vit. Në Barcelonë ka lindur një polemikë pas shpalljes se skuadra do të kishte një sponsor, duke qenë se deri në atë moment mbi fanelën e skuadrës nuk kish patur asnjë lloj reklame. Por rezultoi e qartë për të gjithë se nëse Barcelona do të donte të vazhdonte të paguante futbollistin më të mirë të botës, Lionel Messi, nuk kishte zgjidhje tjetër.
Në Francë, Al Jazeera ka marrë të drejtat për transmetimin e kampionatit francez të futbollit, duke e çuar kështu shifrën e investimeve të emiratit arab në futbollin francez në më shumë se një miliard euro. Çerekfinalja e Champions League të vitit 2013 mes Barcelonës dhe Paris Saint Germain (PSG) ishte një sfidë e Katarit kundër Katarit. PSG në vitin 2012 u ble nga Qatar investment authority, fondi sovran i vendit që drejtohet nga Kryeministri Hamad bin Jassim al Thani.
Gjithë kjo nuk është asgjë krahasuar me golin që ka bërë emirati duke siguruar të drejtën e organizimit të Botërorit 2022. FIFA ka zgjedhur Katarin, pavarësisht pranisë së konkurrentëve të rëndësishëm si SHBA, falë mbështetjes së personaliteteve mes të cilëve traineri spanjoll Pep Guardiola dhe ish-futbollisti francez Zinedine Zidane, por mbi të gjitha falë sasisë së madhe të parave që disponon. Qarkullojnë zëra se votat janë blerë. Por nëse Katari ka arritur të bëjë që të merret në konsideratë kandidatura e tij kjo ka ndodhur sepse ia ka dalë mbanë që të ndreqë argumentin kryesor në disfavor të tij, temperaturat e larta, që në qershor mund të arrijnë pesëdhjetë gradë. Doha do të instalojë impiante ajri të kondicionuar në të gjithë stadiumet, në shkallë dhe në fushë. Katariotët, myslimanë të devotshëm, thonë se dinë të fitojnë mbi ligjet e natyrës falë teknologjive të reja më të sofistikuara. Por jo të gjithë janë të bindur. Përveç të nxehtit të madh, ajrit të kondicionuar dhe pasojave mbi shëndetin e futbollistëve, diskutohet edhe se si një vend prej 2 milionë banorësh do të arrijë të mbushë stadiumet.
Siç thoshte Oscar Wilde “në botë ka vetëm një gjë më të keqe se sa të flasin për ty: kjo është të mos flasin për ty”. Dhe bota flet për Katarin. Për futbollin dhe për sportet e tjerë që në Katar luhen në nivele të shkëlqyer, si tenisi, golfi dhe volejbolli. Në Doha prej pak kohësh është mbyllur botërori i motoçiklizmit. Siç shpjegon një diplomat evropian që banon në emirat, sporti është vitrina më e mirë për ta bërë të njihet emri i Katarit në botë.
Prapa sportit ka shumë më tepër. Është vullneti i Dohës për t’u transformuar në një Londër apo një Nju Jork në nivelin ekonomik, apo një Uashington në Lindjen e Mesme. Katari ka përdorur pasurinë e tij për të tërhequr talentet më të mirë të teknologjisë dhe të arkitekturës, inxhinierët më të mirë për të ndërtuar qiellgërvishtës të rinj luksi në kryeqytet, konceptuar nga emiri dhe banorët e tij si qyteti i të ardhmes. Fuqia ekonomike e Katarit manifestohet edhe në qytetet e mëdhenj larg shkretëtirës. Evropianë dhe amerikanë bëjnë pazarin në prona të Katarit: që nga Harrods, dyqanet e famshëm në Londër, tek Tiffany në Nju Jork, në butikët e Valentinos, në koncesionarët Porsche. Të gjithë ne vërejmë praninë e Katarit në ndërtesat e vjetra të Champs Elysees në Paris apo në qiellgërvishtësin Shard të Londrës, ndërtesa më e lartë në Evropë, e përfunduar para pak kohësh falë parave nga Katari.
Prej nga lind gjithë kjo furi? Cili është objektivi i kësaj strategjie hiperaktive? Objektivi eksplicit lidhet me vullnetin e Katarit për t’u përgatitur për një të ardhme në të cilën burimet natyrore që zotëron, mbi të gjitha gazi, nuk do të ofrojnë më garancitë e sotme të vetëmjaftueshmërisë për një vend që importon 93 për qind të ushqimeve dhe që e siguron ujin e pijshëm falë një procesi të kushtueshëm shkripëzimi. Është një përpjekje për të diversifikuar ekonominë, duke realizuar investime të rëndësishëm në kompani të huaja dhe duke lidhur aleanca me vende me peshë. “Investojmë për brezat e ardhshëm”, shpjegon Ahmad al Sayed, i Qatar Holding.
Aleancat janë të dobishme nëse janë të forta e jetëgjata. “Emiri mendon që Katari duhet të mendojë për mbijetesën në të ardhmen dhe për këtë arsye investon në qendrat e mëdha financiare evropiane dhe aziatike”, pohon një diplomat evropian, ekspert i botës arabe. “Të mbijetosh do të thotë edhe të krijosh lidhje të forta me vende të fortë, sepse Katari është një vend i vogël në një rajon të paqëndrueshëm”. Emiri synon edhe modernizimin. I shtyrë pjesërisht nga kompleksi i fqinjit të varfër që Katari ka vuajtur përgjatë gjithë nëntëqindës, emiri do të qeverisë një vend të famshëm në të gjithë botën për shkathtësinë e tij në fushën e inovacionit.
Dhe këtu hyn në lojë Botërori i futbollit që Katari e deshi për dy arsye. E para, dëshira për njohje ndërkombëtare. E dyta, faktori teknik: një program investimesh infrastrukturorë prej më shumë se njëqind miliardë dollarësh, që parashikon një aeroport të ri, autostrada, ura, një rrjet hekurudhor, përveç qiellgërvishtësve të lartë dhe modernë që ngrihen çdo ditë mbi rërë.
Katari, veç pasurisë ekonomike ka edhe pasurinë politike si një vend i qëndrueshëm, me shumicën myslimane homogjene. Emiri dhe familja e tij mbështesin protagonistët e revoltave arabe në Egjipt dhe Libi, por në Katar nuk lejohen zëra në favor të demokracisë. Pasuria nuk ndez as rebelimin dhe as mendimin kritik, por më shumë dëshirën që situata të mbetet kështu si është. Apo që të konsolidohet më shumë. Të gjithë qytetarët e Katarit e dinë mirë përgjigjen që bashkëpunëtorët e emirit japin për ata që pyesin përse shpenzojnë para në të gjithë botën: “Përse jo?”

John Carlin është gazetar britanik, ekspert i sportit dhe politikës

Google+ Followers