Zbulohet patogjeni i patates që shkaktoi tragjedinë

Në departamentet e herbologjisë, në dy kopshte botanike, shkencëtarët zbuluan infeksionin që shkatërroi prodhimin e patates në Europën e shekullit të 19 dhe që shkaktoi 1 milion të vdekur në Irlandë
Uria e Irlandës
Helen Briggs, BBC


Shkencëtarët përdorën kampionë të bimëve të patates të mbledhura në mes të shekullit të 19 për të identifikuar patogjenin që shkaktoi urinë e madhe të patates në Irlandë. Një infeksion preku bimët e patates në Irlandë më 1845-n, duke shkaktuar një uri që vrau 1 milion njerëz dhe emigrimin e miliona të tjerëve.
Kodi gjenetik i ekstraktuar nga specimenet e muzeve, tregojnë se infeksioni që ndryshoi historinë është i ndryshëm nga epidemitë e ditëve tona dhe ka shumë gjasa që është një lloj i zhdukur sot.
Infeksione të llojeve të tjera vijojnë të sulmojnë patatet dhe domatet sot nëpër të gjithë botën. Aktualisht, infeksioni në formë kërpudhe shkakton humbjen e prodhimit të patates çdo vit në sasi aq të mëdha sa do të mjaftonin për të ushqyer qindra milionë njerëz më shumë.
Një skuadër e drejtuar nga laboratori Sainsbury në Norviç, gjurmoi përhapjen botërore të sëmundjes së patates që nga fillimi i viteve 1800 deri në ditët tona. Deri tani, është e paqartë se si llojet e hershme të infeksionit Phytophothora lidheshin me llojet e sotme që qarkullojnë në botë.
Kërkuesit në Britani, Gjermani dhe SHBA analizuan gjethe të thara që mbahen në koleksionet e muzeve botanike në Britani dhe Munih të Gjermanisë.
Teknikat e teknologjisë së lartë për analizimin e ADN-së mundësuan dekodimin e patogjenit në kampionë të magazinuar që nga viti 1845. Ato u krahasuan me llojet gjenetike të ditëve tona nga Europa, Afrika dhe Amerikat, duke dhënë informacion të hollësishëm mbi evolucionin e patogjenit.
“Lloji i atëhershëm ishte i ndryshëm nga të gjitha llojet moderne të patogjenit që ne analizuam dhe ka shumë gjasa që lloji fillestar të jetë zhdukur”, tha prof Sophien Kamoun. “Ne nuk mund të jemi të sigurt, por ka shumë gjasa që patogjeni fillestar është zhdukur tashmë”.

Thesare të dijes

Kërkuesit besojnë se lloji HERB-1 u shfaq në fillim të viteve 1800 dhe vijoi të përhapet në të gjithë botën përgjatë të gjithë shekullit të 19. Vetëm në shekullin e 2, pas krijimit të varieteteve të reja të patateve, ai u zëvendësua nga një lloj tjetër infeksioni Phytophora, i njohur me emrin US-1, i cili është tashmë dominues nëpër botë. Sëmundja e patates vijon të jetë një problem i madh sot.
Kërkimi, i publikuar në gazetën shkencore me akses publik eLife, sugjeron se metodat e mbarështimit të bimëve mund të kenë ndikim në evolucionin e patogjenit.
“Ndoshta ky lloj u zhduk kur varietetet e para rezistente të patates u mbarështuan në fillim të shekullit të njëzetë”, tha Kentaro Yoshida, një nga shkencëtarët e studimit.
“Ajo që është e sigurt, është se këto zbulime do të na ndihmojnë ne të kuptojmë dinamikën e patogjeneve të reja. Kjo lloj pune hap rrugën për zbulimin e më shumë thesareve të dijes të fshehura në koleksionet e bimëve.”
Duke komentuar mbi studimin, prof. Sër David Baulcombe nga Universiteti i Kembrixhit tha se ai tregon sesi mund të përdoren specimenet e bimëve për të gjurmuar biodiversitetin.
“Kjo mund të jetë një rigjallërim i fatit apo rëndësisë së bimëve të thara”, tha ai. “Ai ilustron shumë mirë garën e armatosur mes patogjenëve dhe bimëve të infektuara.”
Phytophthora, e cila shkaktoi sëmundjen e patates, u shfaq në SHBA më 1844-n dhe u përhap në Europë në vitin pasardhës.
Në Irlandë, sëmundja u kthye në katastrofë, për shkak se këtu shumica e tokave ishte nën pronësinë e një pjese feudalësh, ndërsa shumica dërrmuese e popullatës jetonte në parcela toke të vogla dhe jopjellore. Për shkak të tokës së paktë dhe familjes tipike me shumë fëmijë të Irlandës, fshatarët u bazuan te patatja si bima e vetme që mund të prodhonte kaloritë e nevojshme për t’u ushqyer. Sëmundja e patates më vete nuk do ta kishte shkaktuar tragjedinë, pasi në të njëjtën kohë, pjesa tjetër e tokës së Irlandës vijoi të prodhojë bimë të tjera, të cilat nuk konsumoheshin nga vendësit, por eksportoheshin.

Kriza e patates në Irlandë

Në tërësi, mbi 1 milion njerëz në Irlandë vlerësohet se kanë vdekur nga uria dhe sëmundjet epidemike mes viteve 1846 dhe 1851. Rreth 2 milionë njerëz mendohet se emigruan përgjatë një periudhe prej më pak se një dekadë
Në krahasim me krizat e tjera të bukës, historianët argumentojnë se uria e madhe e Irlandës vrau afro një të tetën e të gjithë popullatës dhe ishte proporcionalisht shumë më tepër shkatërrimtare për jetën njerëzore sesa shumica e krizave të bukës në kohët moderne

Google+ Followers