Xhinsi, evolucioni i pantallonave më të famshme



Historia e xhinsit filloi me minatorët, vazhdoi me punëtorët e thjeshtë dhe po zhvillohet sot në pasarelat më të njohura, duke u bërë veshja më e përhapur në rrugët e të gjithë botës

Zanafillat e xhinsit

Xhinsi është një nga materialet më të njohura të veshjeve të sotme, ai është përfshirë kudo në stilimet e modës së shumë viteve dhe duket se koha e tij nuk do të kalojë kurrë.
Termi “xhins” iu referua modelit dhe materialit të pantallonave të shpikura prej Xhejkob Davis dhe Levi Shtraus në vitin 1873.
Historia e xhinsit filloi në Xhenova të Italisë, e cila ishte e famshme për pantallonat e saj kadife dhe prej pambuku, të cilat quheshin “jean ose jeane”.
Këto prodhoheshin në një fabrikë në Xhenova dhe ishin më shumë të ngjashme me pëlhurën e kadifesë sesa me xhinsin e sotëm. Lundërtarët filluan ta eksportonin xhinsin e Xhenovës kudo nëpër Europë. Kjo pëlhurë e veçantë u përpoq të imitohej edhe në qytetin Nimes të Francës, por pa sukses. Pavarësisht dështimit, industrialistët e këtij qyteti vazhduan përpjekjet dhe krijuan një lloj pëlhure të quajtur “denim” ose materiali i sotëm i xhinsit, që e ka prejardhjen etimologjike nga ky qytet, pra nga (de Nimes) i Francës.
Xhinsi arriti të bëhej i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm në shekullin e 19. Një djalosh i quajtur Levi Shtraus emigroi në vitin 1851 nga Gjermania drejt Nju Jorkut për t’u bashkuar me vëllain e tij më të madh, i cili drejtonte një dyqan mallrash.
Në vitin 1872, Xhejkob Davis, një tregtar që blinte bulona për rroba me shumicë nga “Levi Strauss and Co”, i shkroi Levit duke i kërkuar të bëheshin partnerë dhe të shisnin së bashku veshje.
Ideja e Devisit ishte të përdornin thumba për të përforcuar pjesët e pantallonave ku kishte më shumë presion, si për shembull në pjesën anësore të xhepave dhe te pjesa mbërthyese e pantallonave.
Pasi Levi e pranoi ofertën e Devisit, të dy burrat morën licencën në SHBA më 20 maj 1873, për “Përmirësimin e fiksimit të xhepave”.
Sipas mitit, Levi ua shiti fillimisht pantallonat e tij ngjyrë kafe minatorëve dhe i leu më pas me ngjyrë blu e ia dërgoi Devisit për t’i vënë thumbat.






xhins (4)



Megjithatë ky mit nuk është shumë i besueshëm dhe mendohet që ngjyra e tanishme e xhinsit u zbulua prej pambukut ngjyrë kafe, që fabrikohej në atë kohë dhe që ishte një prej lëndëve të para në punën e Devisit dhe Levi Shtrausit.
Duke e parë xhinsin si një material shumë të përshtatshëm për pantallonat e punëtorëve, partnerët e biznesit filluan ta përdorin atë gjerësisht në prodhimet e tyre. Xhinsi i përdorur fabrikohej prej një prodhuesi që, sipas legjendës, shprehej se e kishte marrë atë nga qyteti i Nimes në Francë.
Fillimisht xhinsi ishte materiali i përditshëm i veshjeve të punëtorëve të fabrikave. Gjatë kësaj periudhë, xhinset e meshkujve e kishin zinxhirin në pjesën ballore, ndërsa femrat në anën e djathtë.

Vitet 1800 ose koha e uniformës së minatorëve

Ne nuk do të ishim në gjendje të vishnim xhinset tona blu sot, nëse nuk do të ekzistonin nevojat e minatorëve në atë kohë.
Me rritjen e tregtisë, të punës së skllevërve, plantacioneve të pambukut dhe me zhvillimin e minierave, punëtorët vendosën të ankohen për pantallonat e tyre prej pambuku, që griseshin fare lehtë.
Duke marrë parasysh këtë kërkesë të kohës, Lev Shtraus vendosi të prodhojë pantallonat e forta të xhinsit, të cilat do t’i rezistonin punës së vështirë. Marrja e licencës së bashku me kolegun e ri të Levit, Deivisin, në vitin 1873, konsiderohet si datëlindja e bluxhinsit.
Vitet 1930-1940 ose kultura e kaubojit
Me kalimin e kohës xhinsi mori një rol tjetër në shoqëri, i nxitur edhe nga kultura pop. Shumë njerëz filluan ta shpenzonin kohën e tyre të lirë për të parë filma, në të cilët kaubojt rrinin mbi kuaj, qëllonin njerëzit e këqij dhe vishnin xhinse blu.
Ky ishte momenti kur meshkujt e rinj filluan të kërkonin në treg për pantallona xhinse, në mënyrë që të adaptonin stilin rastësor dhe ngacmues të kaubojve. Kështu xhinsi fitoi statusin e tij kult, nëpërmjet lidhjes së krijuar me idhujt e kulturës pop.
Xhinsi gjatë Luftës së Dytë Botërore
Një dekadë më pas, kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ishin ushtarët ata që morën rolin e modelëve të rinj të shoqërisë dhe u bënë heronj në sytë e të gjithëve.
Faktet tregojnë se ushtarët vishnin shpesh xhinse kur ishin jashtë detyrës, duke fituar në këtë mënyrë simpatinë e njerëzve. Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore xhinsi nuk po prodhohej me shumicë, por falë ushtarëve amerikanë, kominoshet po përhapeshin me shpejtësi në të gjithë botën.
Vitet 1950 ose simboli i rebelimit
Të rinjtë e viteve ’50 ishin të parët që përqafuan xhinsin si simbol të gjeneratës së tyre, duke imituar yjet e rinj të filmave amerikanë, siç ishin Marlon Brando dhe Xhejms Din.
Gjatë mesit të viteve ’50, Din u shfaq me një palë xhinse “Lee 101 Riders”, në filmin “Rebel pa shkak” dhe krijoi kështu pikën kinematografike të referimit të të rinjve, që dëshironin të krijonin një imazh rebel.
Disa shkolla në SHBA arritën deri aty sa t’i ndalonin studentët e tyre të vishnin pantallonat xhins, duke pretenduar se ato kishin lidhje me rebelimin. Ishin kinematë dhe restorantet vendet e tjera që guxuan gjithashtu ta cilësonin xhinsin si të papërshtatshëm.
Xhinsi i ashpër u bë trendi i radhës, që shoqëroi yjet e muzikës kauntri dhe lindjen e rock and roll-it. Ishte kjo koha kur Elvis Presli veshi për herë të parë xhinset e ashtuquajtura sot “tub” dhe tronditi mbarë vendin.
Edhe yje si Xhen Otri, Merlin Monro dhe Sandra Di u pikasën tek vishnin pantallona të ngjitura pas kyçit të këmbës.
Vitet ‘60-‘70 ose epoka e hipive
Përgjatë lëvizjes “hipi” të viteve 1960, xhinsi u bë uniformë e lëvizjeve masive kundër luftës, ndonëse u modifikua për t’iu përshtatur modës së kohës.
Ngjyrat hipnotizuese, qëndisjet dhe xhinset e shkurtra, u bënë risitë më të famshme të veshjeve të kohës. Ishte ky momenti ku xhinsi ndryshoi vendosjen e zinxhirit, duke e bërë të njëjtë si për femrat ashtu edhe për meshkujt, në pozicionin e tanishëm.
Fotografitë historike na tregojnë se përgjatë dekadave të mëparshme, xhinset rrinin të lira dhe kominoshet kishin veç rripat që hidheshin në qafë, pjesa e gjoksit iu shtua në vonë.
Në të vërtetë deri në vitet 1960 xhinset më shumë quheshin prej Levi Shtrausit si “pantallona me bel” sesa “xhinse”.
Ishin këto vitet kur shoqëria filloi ta pranonte gjithnjë e më shumë veshjen e xhinsit, nga ku në vitin 1970 u bë veshja e përditshme e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.
Në vitet ’70, prodhuesit e xhinsit për më shumë varietet krijuan xhinset me fund të hapur ose kauboj dhe i shpëlanë ato me acid për të krijuar zbehjen e ngjyrës blu.
Në vitin 1976, Faraah Faucett në serialin “Charlie’s Angel” hipi mbi një skeitbord e kapardisur veshur me xhinse, që i mbante sipas modelit të saj. Kjo ishte koha kur dashnorët e xhinsit filluan t’i personalizonin pantallonat e tyre, duke i kthyer fundin dhe duke ngjyrosur shprehje ose imazhe mbi to.
Si meshkujt ashtu edhe femrat filluan të përdornin xhinset e dizajnuara nga vetë ata, fundi i të cilave ishte i gjerë, për t’iu rikthyer klubeve retro të natës. Për fatin e keq, në vitin 1979, këto lloj pantallonash xhins dolën nga moda pas një lëvizjeje antidisko, që fillimisht u kundërshtua e më pas u pranua.
Majkëll Belumo, redaktor i një reviste të njohur të kohës, shkruante se “Limbo”, një butik në Nju Jork, ishte shitësi i parë që lau një palë xhinse të reja, në mënyrë që të merrnin nuancat e të përdorurës dhe menjëherë pas kësaj ideja u bë një hit. Më pas “Limbo” punësoi artistë që të arnonin dhe t’i bënin xhinset të dukeshin sa më të vjetra, pastaj i shiti ato nga 200 dollarë pala.
Vitet 1980 ose stilimi i xhinsit
Xhinsi u kthye në stuhinë e industrisë së modës. Stilistët nuk mund ta injoronin më fuqinë e blusë, ndaj ata filluan të krijonin linjën e tyre të xhinsit.
Në vitin 1981, Calvin Klein lançoi stilimin e tij të parë të xhinsit dhe e ekspozoi koleksionin e tij në fushatën legjendare të Brooke Shields. Motoja ishte “Të pastër, të parezistueshëm dhe me përmbajtje egërsie”.
Risia e ardhshme ishte grisje të qëllimshme të xhinsit. Shenja dalluese e xhinseve të vitit 1980, ishin rripat e grisur dhe ato të ngjyrosura me rozë dhe të bardhë. Shpejt xhinsi filloi të lidhej me shkëlqimin e klasit të lartë dhe u bë menjëherë pjesë e gardërobës së personave të pasur. Ndërmjet viteve ’80-’90 mesatarja e xhinseve që zotëronte çdo person në Amerikën e Veriut ishte 7 palë.
Vitet 1990 ose rënia dhe rilindja
Xhinsi nuk ka dalë kurrë plotësisht nga moda. Megjithatë popullariteti i tij është luhatur shpeshherë. Xhinsi nuk ishte vetëm një shprehje e sportivitetit, por edhe e klasikes. Në vitet 1990, xhinsi filloi të përzihej me pëlhura të tjera, duke krijuar lloje të ndryshme xhinsi. Teksa hip-hopi bëri debutimin e tij të fuqishëm dhe po pushtonte mbarë botën, xhinsi iu bashkua kësaj kulture të sapolindur për të fituar edhe më shumë famë. Ai u bë simbol i rehatisë, i rinisë dhe i kohës së kaluar bukur.

Vitet 2000 ose qëndrimi i përhershëm i xhinsit

Xhinsi u mbijetoi të gjitha provave të tij përgjatë viteve, ai arriti nivele marramendëse të famës në të gjithë botën dhe tregoi se do të jetë shumë e vështirë për njerëzimin të nxjerrë nga gardëroba e tij pantallonat xhins. Vitet 2000 ishin koha e duhur që xhinsi të përfshihej edhe në veshje të tjera, si xhaketat, çantat, byzylykët, kollaret, këpucët, kapelat dhe portofolat.

Sa rastësor, aq edhe formal, xhinsi do të mbetet një nga veshjet legjendare të tre shekujve të fundit.
Vitet 2010 ose xhinsi sot
Historia e xhinsit ka njohur shumë shpesh ciklin e rikthimit të modës dhe stilimit të viteve të mëparshme. Bota e modës për vitet 2010 vendosi të kthejë pantallonat “tub”, me fund të mbyllur. Për vitin 2011 xhinsi mori nuancat e tij të zbehta dhe të përdoruara. Xhinset e grisura në pjesë tepër sensuale nxitën fantazinë e të gjithë njerëzve, që gjenden kudo nëpër botë. Në stinën e verës frekuentohen shumë pantallonat tepër të shkurtra xhins me xhepa të zgjatur jashtë. Për vitin 2012, xhinsi erdhi në një mënyrë krejt të ndryshme, shumë të rinj filluan të vishnin pantallonat e tyre xhins tepër të gjëra, që u vareshin pothuajse deri te gjunjët. Në modë ishin edhe pantallonat xhins të dizajnuara në mënyra nga më të ndryshmet. Trendi për 2013-n janë xhinset me shumë ngjyra, të cilat do të kombinohen me shumëllojshmërinë e veshjeve fantastike që pritet të nxirren për koleksionin veror.
Xhinsi dhe e ardhmja e tij ekonomike
Sipas parashikimeve globale, mendohet se marketi i xhinsit për vitin 2018 do të vlerësohet me 56 miliardë dollarë. Kjo, si pasojë e rritjes së numrit të konsumatorëve, të përshtatjes më të mirë të stilit, të cilësisë së përmirësuar dhe të çmimeve më të përballueshme. Përveç kësaj, faktorë të jetës së përditshme, drejtimet e modës, reklamimet prej të famshmëve dhe kushtet e punësimit kontribuojnë në rritjen e tregut.
Vetëm në Amerikë llogaritet se shiten rreth 450 milionë palë xhinse në vit.
Në vitet 1800, punëtorët vendosën të ankohen për pantallonat e tyre prej pambuku, që griseshin fare lehtë, ndaj Levis vendosi të krijonte xhinsin e fortë dhe rezistent
Të nxitur nga filmat me kauboj që qëllonin njerëzit e këqij dhe vishnin xhinse blu, moda e xhinsit filloi të përhapej gjerësisht në vitet ‘30
Të rinjtë e viteve ’50 ishin të parët që përqafuan xhinsin si simbol të gjeneratës së tyre, duke imituar yjet e rinj të filmave amerikanë, siç ishin Marlon Brando dhe Xhejms Din
Fillimisht xhinset e meshkujve e kishin zinxhirin në pjesën ballore, ndërsa femrat në anën e djathtë, në vitin 1960 zinxhiri u vu në mes për të dyja gjinitë
“Limbo”, një butik në Nju Jork, ishte shitësi i parë që lau një palë xhinse të reja, në mënyrë që të merrnin nuancat e të përdorurës dhe menjëherë pas kësaj ideja u bë një hit
Risia e ardhshme ishte grisja e qëllimshme e xhinsit. Shenja dalluese e xhinseve të vitit 1980 ishin rripat e grisur dhe ato të ngjyrosura me rozë dhe të bardhë
Trendi për 2013-n janë xhinset me shumë ngjyra, të cilat do të kombinohen me shumëllojshmërinë e veshjeve fantastike, që pritet të nxirren për koleksionin veror
Markat më të njohura të xhinsit në botë
  1. “Levi’s”
  2. “True Religion Brand Jeans”
  1. “Diesel”
  2. 4.  “Wrangler”
  3. 5.  “Lee”
  4. “Calvin Klein”
  5. “Guess”
  6. “Seven for all Mankind”
  7. 9.  “Von Dutch”
  8. “Lucky Brand Jeans”
Përgatiti: IVANA DERVISHI

Google+ Followers