Nusepashka aziatike pushton Europën



Nusepashka është një nga insektet më të bukura dhe më të pëlqyera nga njerëzit, por për biologët, një specie me origjinë nga Azia e kësaj familjeje insektesh, është një vrasëse e pamëshirshme

Matt McGrath, BBC

Shkencëtarët gjermanë thanë se kanë zbuluar çelësin biologjik të suksesit të nusepashkës aziatike, një specie pushtuese që ka shkaktuar shkatërrim në Europë dhe në SHBA. Nusepashka aziatike u soll fillimisht për të kontrolluar afidet (insekte të vogla që ushqehen me gjethe dhe shkatërrojnë rritjen e bimëve) nëpër serra. Por ajo ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur në të gjithë Europën duke shkatërruar llojet vendase të nusepashkës dhe insekte të tjera.
Alieni po fiton, thonë shkencëtarët, për shkak se lëngjet e trupit të saj përmbajnë një lëndë helmuese për insektet e tjera. Kërkimi u publikua në gazetën “Science”.
Në disa raste, e quajtur laramane apo mollëkuqe, emrin në latinisht e ka Harmonia axyridis dhe mund të konsumojë mbi dyqind afide në ditë. Ato shihen si një zgjidhje natyrale dhe efektive për problemet që krijohen nga insektet e dëmshme nëpër serra.

Insekte vrasëse

Por gjatë viteve të fundit, këto nusepashkë të importuara kanë shpëtuar nga serrat dhe janë vendosur nëpër Europë dhe Amerikën e Veriut në dëm të specieve të tjera vendase.


_67644973_harmonia_adultbeetle-2larvatnusepashka







Në vjeshtë, pushtuesit aziatikë mund të krijojnë telashe, për shkak se bashkohen në grupe të mëdha në kërkim të strehëve për gjumin e gjatë të dimrit. Në disa raste ato mund të shkaktojnë reagime serioze alergjike te njerëzit.
Në këtë kërkim të ri, shkencëtarët treguan se është sistemi biologjik i nusepashkës që i jep një avantazh, kur vjen puna për të konkurruar me speciet e tjera vendase. Pushtuesi ka një sistem jashtëzakonisht të fuqishëm imunitar.
Lëngu trupor i insektit përmban një antibiotik të fortë të quajtur harmonine, si dhe aminoacide antimikrobale. Këto i lejojnë pushtuesit të luftojë sëmundjet me më shumë efektivitet sesa vendasit.
Elementet antibiotike te nusepashka janë kaq të fuqishme sa kërkuesit mendojnë se mund të përbëjnë edhe një fushë të vlefshme për zhvillimin e ilaçeve të reja.
Por aspektet më të fuqishme të koracës biologjike të nusepashkës përbëhen nga kërpudha të vockla të quajtur mikrosporidia. “Ata i mbajnë këto kërpudha inaktive në gjakun e tyre dhe ne nuk e kuptojmë sesi ndodh kjo”, tha dr. Heiko Vogel nga instituti Max Planck për ekologjinë kimike. “Por kur insektet e tjera fillojnë të sulmojnë vezët dhe larvat e pushtuesit, ato bëhen aktive dhe vrasin vendasit.”
Shumë studime përgjatë viteve të fundit kanë treguar se nusepashka po triumfon ndaj insekteve të tjera në të gjithë Europën. Në Britani shkencëtarët kanë zbuluar se shtatë nga tetë specie vendase kanë shënuar rënie. Probleme të ngjashme janë vërejtur edhe në Belgjikë dhe Zvicër.
Në Britani, shkencëtarët po shfrytëzojnë simpatinë e njerëzve për nusepashkën, duke krijuar një program për celularë inteligjentë, ku mund të fotografohet dhe raportohet nga njerëzit çdo rast kur shikohet një nusepashkë.
Dr. Helen Roy nga Qendra për Ekologjinë dhe Hidrologjinë e Britanisë, tha se kërkimi gjerman është “mahnitës”. Por parashikimi për speciet vendase gjithsesi mbetet i zymtë. Shkencëtarët mendojnë se nusepashkët aziatike janë rrugës për pushtimin e të gjithë botës. “Unë nuk shoh asnjë mënyrë sesi mund të ndalohen ato tani, në opinionin tim është tepër vonë”, tha dr. Vogel.
“Gjëja mahnitëse është se ato mund të mbijetojnë në një shumëllojshmëri kaq të madhe zonash klimaterike dhe ato kanë filluar të shfaqen edhe në Afrikën e Jugut dhe Amerikën e Jugut”.
Kur afidet, me të cilat ushqehen mbarojnë, nusepashkët ushqehen në vreshtat e rrushit. Kimikatet e tyre të fuqishme mbrojtëse mund të prekin edhe shijen e verës në rast se ato zihen në kurth gjatë procesit të prodhimit.
“Ato shkojnë te mollët dhe te rrushi dhe në një farë mënyre kjo po bëhet një problem i konsiderueshëm, për shkak të popullatave të mëdha dhe në rritje të tyre”, tha dr. Vogel.
“Prishja e shijes së verës nga një nusepashkë e vetme nuk është një gjë e këndshme!”


Deklarata
Unë nuk shoh asnjë mënyrë sesi mund të ndalohen nusepashkët tani, në opinionin tim është shumë vonë.
Dr. Heiko Vogel
Instituti Max Planck

Google+ Followers