Historia e Pekinit, nga sheshi “Tienanmen” deri tek Muri i Madh

Qyteti që ka numrin më të madh të trashëgimive kulturore në botë. Nga arkitektura deri tek kultura, gjithçka duhet të dini mbi kryeqytetin kinez



Qindra vjet më parë, Pekini u ndërtua për të shpërfaqur idealin më të lartë të Perandorisë Kineze. Tani, struktura e qytetit me drejtim veri-jug dhe lindje-perëndim nuk e shpërfaq aq qartë të kaluarën perandorake, por ende gjenden gjurmët e një pjesë integrale të teorive të fengshui-t dhe bagua-së. Si një kryeqytet perandorak për 800 vjet, funksionet e Pekinit për të treguar idealet morale dhe humaniste janë më të dukshme se funksionet e banimit.

Ndoshta tani Pekini nuk është qyteti më i përshtatshëm për të banuar. Që nga lashtësia e deri më sot, Pekini ka qenë djepi i një ideologjie të rëndësishme. Ndër të gjitha qytetet e Kinës, ndoshta më idealistët mblidhen në Pekin. Në fakt, në këtë qytet shumica e banorëve mbi 30-vjeçarë që kanë arsim të mesëm, dëshirojnë të thonë se janë idealistë. Por shumica e tyre janë të vetëdijshëm, madje realistë. Natyrisht, tani idealizmi mund të jetë vetëm një parullë, mund të jetë veprimi konkret dhe një ndjenjë, mund të jetë edhe gjest kundër dëshirës për t’u pasuruar…

Mirëpo, në këtë qytet të paktën fjala “idealizëm” mund të përmendet: në masë të konsiderueshme, një grup njerëzish kujdesen për ngritjen e cilësive morale.

Pekini, kryeqyteti i Kinës, është qyteti me bazat më të shumta kërkimore- shkencore, por edhe me arsimin më të zhvilluar në Kinë. Si qendra e shkëmbimeve me botën e jashtme në shumë fusha, si politike, kulturore, ekonomiko-tregtare etj. Pekini është më tërheqës për elitën në krahasim me qytetet e tjera, si dhe nxit kultivimin e njerëzve të aftë. Pekinasit janë kryesisht njerëz të ngeshëm. Ata ose të huajt që vijnë në Pekin mund të takohen shpesh nëpër bulevarde apo parqe, pika turistike etj. Gjatë pushimeve apo fundjavës, pekinasit pëlqejnë të dalin me familjen dhe miqtë për të pirë diçka apo për të ngrënë në restorante, ose edhe të luajnë me letra. Megjithatë, përveç këtyre ata janë edhe shumë të dhënë pas veprimtarive sportive. Historia dhe kultura e pasur kanë kultivuar një atmosferë të theksuar kulturore në Pekin, i cili është qyteti që ka numrin më të madh të trashëgimive kulturore në botë. Pekini, qyteti me zhvillimin më të shpejtë në histori, po tërheq një numër gjithnjë e më të madh të huajsh, si për turizëm, ashtu edhe për të jetuar.
Muri i Madh Kinez
Muri i madh Kinez


Muri i Madh Kinez, me një gjatësi prej afro 10 mijë kilometrash, nis nga Shanhaiguani i qytetit Qinhuangdao të provincës Hebei dhe përfundon në perëndim, në Jiayuguan të provincës Gansu. Pjesa e Murit të Madh në Pekin ka një gjatësi mbi 600 kilometra dhe është ndërtuar kryesisht rreth vitit 1540. Segmenti i Murit të Madh që është ndërtuar në dinastinë Ming, ka një histori 450-vjeçare. Pjesët më të njohura të Murit të Madh janë Badaling, Jinshanling, Mutianyu, Juyongguang, Jiankou etj. Në të vërtetë, Pekini si një qytet i lashtë duhet ta falënderojë një burrë. Ai është perandori i parë i dinastisë Qin Yin Zheng. Ky perandor i parë, ndonëse tiran, kishte njëfarë përgjegjësie për popullin e vet. Ndërtimi i Murit të Madh është një shembull i mirë. Muri i Madh luante në atë kohë një rol mbrojtës kundër agresorëve të huaj, prandaj edhe deri në dinastinë Ming perandorët vazhduan ta ndërtonin. Më vonë Muri nuk mundi t’u rezistonte agresorëve të huaj. Muri i madh është ndërtuar para 2 mije vjetësh për të kundërshtuar agresionin, por tani 8 për qind të tij ekzistojnë.


Pallati i dimrit  

Nuk mund të hyni në “detin” Zhongnanhai, por mund të vizitoni Pallatin e Dimrit. Në qytetin perandorak, pasi të shihni këtë oborr gjigant ku jetonin dhe punonin perandorët e lashtë, do të ndieni ritmin e jetës së pekinasve dhe kulturën e tyre. Për të njohur Pekinin, duhet patjetër ta nisni udhëtimin tuaj nga Pallati i Dimrit. Pallati i Dimrit ndodhet në zemër të Pekinit. Quhet edhe “Qyteti i ndaluar” dhe tani është kthyer në një muze. Ai ka qenë pallati perandorak i dinastitë Min dhe Qing (1368-1912) dhe në të kanë jetuar 24 perandorë. Ndërtesat janë vepra madhështore arkitekturore dhe janë ndërtesat më të mëdha prej druri në botë. Në Pallatin e Dimrit ka 9999 ndërtesa. Për shkak se numri i ndërtesave të tij nuk mund ta kalojë atë të Perëndisë së Qiellit, që sipas legjendës kishte 10 mijë ndërtesa, numri u përcaktua të jetë nën 10 mijë.

Sheshi “Tienanmen

Sheshi “Tienanmen” është simboli i Pekinit dhe i gjithë Kinës. Ky shesh me histori 500-vjeçare mbetet ende më i madhi në botë. Ai jo vetëm është dëshmi e luftërave të shumta të popullit kinez për liri e demokraci, kundër pushtimeve të huaja, por është edhe vendi i shenjtë për zhvillimin e ceremonive madhështore dhe për pritjen e mysafirëve të huaj. Të gjithë ata që vijnë në Pekin, sigurisht që nuk mund të lënë pa vizituar sheshin “Tienanmen”. Vizita e turistëve në Pekin nuk mund të quhet e plotë nëse nuk bëjnë një fotografi me portretin e kryetarit Mao Ce Dun në sheshin “Tienanmen”.

Tempulli i Qiellit

Tempulli i Qiellit në Pekin është një nga komplekset më të mëdha të ndërtesave të lashta për nderimin e zotave në botë. Në Kinë ceremonia për nderimin e zotave fillon nga dinastia Zhou. Që nga dinastia Han, perandorët e dinastive të ndryshme i kushtuan shumë rëndësi kësaj ceremonie. Pas periudhës Yongle të dinastisë Ming, në çdo ditë të rëndësishme perëndorët vinin këtu për të organizuar ceremoni për nderimin e zotave dhe për të uruar për korrje të bollshme. Në qoftë se koha ishte e thatë, organizoheshin dhe ceremoni lutjeje për rënien e shiut. Koncepti kryesor i projektimit të ndërtesave të Tempulli të Qiellit është dallimi i gjerësisë dhe i lartësisë së qiellit, për të treguar madhësinë e zotave dhe vogëlsinë e njeriut. Tempulli i Qiellit shpërfaq kudo edhe konceptin e simbolikën e kulturës tradicionale kineze. Muri i tempullit, që është i rrumbullakët në veri dhe katror në jug, dhe ndërtesa e rrumbullakët me murin e jashtëm katror, simbolizojnë konceptin e kozmologjisë tradicionale kineze të “qiellit të rrumbullakët dhe tokës katrore”. Po të mos vish këtu, nuk mund ta njohësh plotësisht qytetin perandorak.
Pallati i veres
Pallati i Verës

Pallati i Verës, si qendra më e rëndësishme politike dhe diplomatike gjatë dinastisë Qing, i vendosur jashtë “Qytetit të ndaluar”, ka përjetuar shumë ngjarje historike. Perandoresha Ci Si ishte një pacifiste dhe meritat e saj mund të krahasohen me Ying Zheng, perandori i dinastisë Qin të Kinës së lashtë. Ajo shpenzoi fonde shumë të mëdha për të krijuar një kopsht gjigant. Pallati i Verës ka një sipërfaqe prej afro 290 hektarësh dhe ndahet në disa pjesë, si zona e aktiviteteve politike, zona e jetës së përditshme perandorake, zona turistike me malin Wanshou dhe liqenin Kunming. Turistët mund të ngjiten në malin Wanshou, të vizitojnë ndërtesën me figurat budiste, ose të vozisin në liqenin Kunming. Në digën lindore të liqenit mund të shijoni legjendat për fatkeqësitë e shkaktuara nga uji, të shihni lopë bronzi, e pastaj të pushoni në korridorin më të gjatë i përfshirë edhe në librin e rekordeve “Gines” e të bisedoni me miqtë. Argëtimi perandorak ishte i tillë.

Tempulli i Lamës

Tempulli i Lamës është tempulli më i madh dhe i ruajtur më mirë i Sektit të Verdhë të lamaizmit. Në ndërtesat e këtushme unike ndërthuren karakteristikat e arkitekturave të ndryshme të kombësisë hane, mançure, mongole, tibetiane etj. Në këtë tempull ende banojnë mjaft murgj. Gjatë rrugës drejt tempullit mund të nuhatësh erën e fortë të temjanit. Me të shkelur në bulevardin pas hyrjes, mund të ndieni qetësi të plotë shpirtërore. Buda gjigante në pallatin kryesor është një kryevepër mahnitëse artistike. Për njerëzit që kanë nevojë të gjejnë mbështetje shpirtërore, tempulli është një vend shumë i mirë, sepse lutjet e tyre shpesh realizohen. Kështu që tempulli pret përditë shumë vizitorë, sidomos në ditën e parë dhe të pesëmbëdhjetë të çdo muaji sipas kalendarit kinez, të cilat vlerësohen si ditët për të kryer ritet fetare budiste.

Historia e rrallë e sheshit “Tiananmen”,
institucionet që ndodhen në këtë shesh

Sheshi “Tiananmen” është sheshi qendror i Pekinit. Ai është 880 metra i gjatë nga jugu në veri dhe 500 metra i gjerë nga lindja në perëndim. Sipërfaqja e tij është 440 mijë metra katrorë. Në këtë shesh mund të organizohet një miting madhështor me 1 milion njerëz. Ai është sheshi më i madh qytetës në botë. Sheshi “Tiananmen” simbolizon frymën e vendosur dhe të papërkulur revolucionare të banorëve të Pekinit. Lëvizja e 4 Majit, Lëvizja e 29 Janarit e të tjera kanë lënë një gjurmë të thella në historinë e revolucionit modern të Kinës. Pas shpalljes së Kinës së Re, sheshi “Tiananmen” është zgjeruar. Në qendër të tij është ngritur Monumenti i Heronjve të Popullit, në anën perëndimore është Pallati i Madh i Popullit, në anën lindore është ndërtuar Muzeu Kombëtar i Kinës, ndërsa në anën jugore është vendosur mauzoleu i kryetarit Mao Ce Dun. Monumenti i Heronjve të Popullit, që ndodhet në qendër të sheshit “Tiananmen” dhe në veri të mauzoleut të kryetarit Mao Ce Dun, është ndërtuar nga qeveria e Republikës Popullore të Kinës për të përkujtuar dëshmorët revolucionarë të historisë moderne kineze. Muzeu Kombëtar i Kinës, që gjendet në anën lindore të sheshit dhe në jug të bulevardit “Donchananjie”, është përballë Pallatit të Madh të Popullit. Ky është një muze kompleks ku është ekspozuar historia dhe kultura e lashtë e kombit kinez. Mauzoleu i kryetarit Mao Ce Dun është një bazë kombëtare e edukimit patriotik dhe është pallati më i lartë i partisë dhe i shtetit. Në këtë pallat është vendosur trupi i ish-kryetarit të Kinës Mao Ce Dun. Në këtë pallat përkujtimor gjenden edhe salla përkujtimore e meritave revolucionare të Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Liu Shao Çisë, Zhu Desë, Ten Hsiao Pinit, Cen Yunit etj. Pallati “Tiananmen” gjendet në pjesën veriore të këtij sheshi. Ai është ndërtuar në vitin 1417 gjatë dinastisë Ming. Ky pallat ka 5 porta dhe është 33.7 metra i lartë. Poshtë pallatit është lumi Jinshuihe dhe mbi këtë lumë ka 5 ura prej guri të bardhë. Pallati “Tiananmen” është një objekt i bukur i artit arkitekturor. Më 1 tetor 1949, në pallatin “Tiananmen”, ish-kryetari i shtetit i Kinës Mao Ce Dun shpalli formimin e Republikës Popullore të Kinës dhe e ngriti personalisht flamurin e parë të kuq me 5 yje. Që nga ajo kohë, pallati “Tiananmen” është bërë simboli i Kinës së Re dhe figura e tij madhështore është një pjesë e rëndësishme përbërëse e stemës së vendit tonë.

Si u ndërtua Pallati i Dimrit, si përdornin perandorët

Pallati i Dimrit është ndërtuar në kohën e perandorëve të dinastive Min dhe Çin. Ai zë një sipërfaqe prej 72 hektarësh. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1407 dhe përfundoi në vitin 1420. Pallati i Dimrit është një tërësi ndërtesash të lashta dhe përbën një monument të rëndësishëm historik të Kinës. Pallati i Dimrit është i rrethuar nga të katër anët me mure. Në katër qoshet e Pallatit të Dimrit janë ndërtuar katër kulla. I tërë pallati në të kaluarën quhej “Qytet i ndaluar”. Tri ndërtesat e para të pallatit shërbenin për anën zyrtare dhe ceremoniale. Kurse pjesa tjetër, kryesorja, ishte ndërtesa ku jetonin dhe punonin perandorët. Në të dy anët e kësaj ndërtese ndodheshin banesat e të afërmve të tyre. Pjesa e fundit e pallatit ishte kopshti perandorak. Pallati u hap si muze në 1925. Gjatë sundimit reaksionar ndërtesat e pallatit u prishën mjaft. Shumë sende të çmuara dhe kureshti historike me vlerë të madhe u grabitën. Vetëm pas çlirimit ai u vu nën kujdesën e pushtetit popullor, u restaurua dhe u bë me të vërtetë një muze kulturor dhe artistik i popullit. Salla “Tajhë” u ndërtua në vitin 1417 dhe u rindërtua në 1845-n. Në këtë sallë perandori zhvillonte ceremonitë madhështore, si ceremonitë e kurorëzimit, të kremtimit të ditëlindjes dhe të përcjelljes së gjeneralëve në luftë. Në këtë sallë gjithashtu zhvilloheshin provime për të parë aftësitë e funksionarëve para emërimit dhe gradimit të tyre. Në mes të sallës gjendet froni i perandorit. Në të dyja anët janë nga dy kolona të veshura me ar. Në të katër kolonat janë vizatuar dragonj, si simbol i forcës. Salla “Xhonhë” ishte vendi ku pushonte dhe bënte përgatitje perandori para se të merrte pjesë në ceremonitë madhështore. Çdo vit në këtë sallë perandori lexonte tekstin e lutjes një ditë përpara se të shkonte në Tempullin e Qiellit dhe në Tempullin e Tokës. Atje ka dy gjaocë (karroca për udhëtim) që mbaheshin në krahë nga katër shërbëtorë. Njëra i takon dinastisë Min dhe tjetra dinastisë Çin. Salla “Paohë” ishte vendi ku shtroheshin bankete me rastin e Vitit të Ri gjatë dinastisë Çin. Në të dyja anët e portës së kësaj salle ndodhen dy kazanë prej bronzi. Aty mbahej ujë në rast rreziku nga zjarri. Kazanët ishin të veshur me ar, por në vitin 1860, gjatë kohës së pushtimit të ushtrisë së koalicionit anglo-francez, u gërryen pjesët e veshura me ar. Salla “Cencin” ishte vendbanimi i perandorit të dinastisë Min. Më vonë në dinastinë Çin kjo sallë përdorej për të pritur trupat diplomatike të vendeve të huaja të akredituara në Kinë. Në sallën “Cjaotej” kremtohej ditëlindja e perandoreshës. Atje gjenden 25 vula të punuara prej guri të çmuar, si dhe froni i perandoreshës. Në të djathtë të fronit është një kuti ku ruhen çelësat e vulave. Salla “Kuenin” ishte vendbanimi i perandoreshës së dinastisë Min, kurse në dinastinë Çin këtu perandori zhvillonte ceremonitë e martesave.

Muri i Madh i Kinës, monumenti kulturor më i famshëm në botë

Muri i Madh i Kinës – Changcheng (qyteti/fortesa e gjatë) është një numër fortifikimesh prej guri ose prej balte ne veri të Kinës, i ndërtuar, i rindërtuar dhe i mirëmbajtur, nga shekulli i 5 para Krishtit deri në shekullin e 16-të, për të mbrojtur kufijtë veriorë të Perandorisë Kineze nga sulmet e Xiongnu, përgjatë dinastive të ndryshme pasuese. Që prej shekullit të 5-të para Krishtit, janë ndërtuar disa mure, të cilave iu referohemi si Muri i Madh. Një prej më të njohurve, është ajo pjesë ndërtuar prej viteve 220-206 para Krishtit nga perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang. Pak ka mbetur prej atij muri, pjesa më e madhe e Murit ekzistues është ndërtuar gjatë Dinastisë Ming. Muri i Madh shtrihet nga Shanhaiguan në Lindje deri në Lop Nur në Perëndim, përgjatë një harku në pret këndin jugor të Mongolisë së Brendëshme. Mbikqyrja më e plotë arkeologjike, duke përdorur teknologji të përparuara, së fundëmi ka dalë në përfundimin që i gjithë Muri i Madh, me të gjithë degët e tij, shtrihet për 8,851.8 km. Kjo gjatësi përbëhet 6.259.6 km të seksioneve të murit ekzistues, 359.7 kilometra transhe dhe 2.232.5 km barrierash mbrojtëse, si kodra dhe lumenj. Si një shenjë e ngritur në majat e vargmaleve, pjesa e Murit të Madh në Badaling ka qenë gjithashtu dëshmitare e shumë ngjarjeve historike. Perandori i parë i Dinastisë Qin ka shkuar atje, perandori i parë i Dinastisë Juan (1271-1369, Zan Daizu ka qenë në seksionin Badaling të Murit të Madh, nga ku mori kontrollin e të gjithë Kinës. Perandoresha Cixi u largua prej andej për në pjesën perëndimore të Kinës më 1900, kur një aleancë e tetë vendeve perëndimore pushtoi Pekinin. Aktualisht, Muri i Madh në Badaling ende qëndron si kujtues i vuajtjeve që populli kinez ka kaluar gjatë 2000 viteve të shkuara. Ai është një trashëgimi më tepër se e çmuar kulturore e njerëzimit. Badaling është pjesa më e hershme e Murit të Madh që u hap për turistët. Ai tërheq çdo ditë miliona e miliona turistë nga Kina dhe Bota. Disa pjesë të Murit të Madh, në veri të Pekinit dhe pranë qendrave turistike janë të ruajtura mirë dhe madje edhe të meremetuara. Muri i Madh, simbol i qytetërimit kinez, është një nga mrekullitë që populli kinez ka krijuar. Pjesa Badaling e Murit të Madh është pjesa më përfaqësuese dhe është shpallur si relike kryesore kultuore kombëtare dhe që është shpallur Trashëgimi Kulturore e UNESCO-s më 7 korrik 2007, duke fituar përsëri edhe një herë famë botërore dhe duke u renditur në Shtatë Mrekullitë e Reja të Botës.

Hutong-ët e Pekinit

Në qytetin e Pekinit ka një fjalë të urtë, që thotë “Po të mos hysh në hutong, nuk e njeh mirë Pekinin, dhe po të mos hysh në hutong, kot vjen në Pekin”. Hutongët e mëdhenj dhe të vegjël kryqëzohen dhe shpërndahen si enë gjaku në të gjithë Pekinin. Kjo është një nga veçoritë arkitekturore të kryeqytetit kinez. Turistët, nëse dëshirojnë të ndiejnë thellësisht kulturën e lashtë dhe atmosferën jetësore të Pekinit, duhet të shkojnë në hutongët në lagjet e vjetra të qytetit të Pekinit. Hutongët kanë filluar të formohen në shekullin e 13-të, kur Pekini u caktua si kryeqytet i dinastisë Juan. Në atë kohë sundimtarët ishin mongolë. Fjala hutong vjen nga gjuha mongole dhe ka kuptimin “pus”. Në fillim fare hutongët ishin të shpërndarë sipas vendeve ku gjendeshin puset e ujit. Kjo për arsye se atëherë në çdo hutong duhej të kishte një pus. Zakonisht hutongët shtrihen nga lindja në perëndim dhe gjerësia e tyre është më pak se 9 metra. Në të kaluarën, në të dy anët e hutongëve kishte pothuajse vetëm oborre katrore. Oborri katror është një lloj arkitekture në të katër anët e të cilit ka dhoma dhe në qendër ndodhet oborri. Ai është një lloj banese nga më karakteristiket në qytetin e Pekinit. Në Pekin është një fjalë që thotë se “Pekini ka 360 hutongë me emër, ndërsa hutongë pa emër ka sa qime ka një lopë.” Çdo hutong ka një histori të vetën. Nga emrat e veçanta të hutongëve ne mund të kuptojmë se si ka qenë jeta e atëhershme në një hutong. Për shembull, një hutong quhet “thellësia e 100 luleve”. Kjo shprehje është shumë e bukur. Në një hutong dikur mund të ketë banuar një person i njohur e me ndikim dhe hutongu ka marrë emrin e tij. Një hutong, ngaqë ka një formë që ngjan me një shkop bambuje, quhet “hutongu shkop bambuje”. Tani këto rrugica të lashta që ndodhen vetëm në Pekin, përbëjnë një simbol të kulturës pekinase dhe tërheqin me veçoritë e tyre shumë turistë që vijnë nga të katër anët e botës. Vitet e fundit, me zhvillimin ekonomik, në Pekin janë ndërtuar gjithnjë e më shumë ndërtesa të larta, ndërkohë që hutongët po pakësohen nga dita në ditë../tiranaobserver

Google+ Followers