Alpinistët shkaktojnë bllokim trafiku në çatinë e botës

Dikur ishte një majë mali i paarritshëm, ku shumë që tentuan, lanë kockat. Sot një numër i madh njerëzish e ngjisin dhe kjo e bën më pak krenare arritjen në majën më të lartë të botës…
Turmat në Everest
Jon Kelly, BBC


Gjashtë dekada pasi u pushtua për herë të parë, ngjitësit ankohen se shtigjet e malit Everest janë bërë praktikisht të pakalueshme nga ngjitësit. Si ndodhi që mali më i lartë në botë u bë kaq i mbingarkuar me trafik?
Në maj 1953, Edmund Hillary dhe Tenzing Norgay qëndruan vetëm bashkë në majën më të lartë të botës. Sot, i njëjti vend nuk është kaq vetmitar. Falë përmirësimeve në pajisjet malore dhe përpjekjeve të palodhshme të udhërrëfyesve Sherpa, më shumë alpinistë se kurrë po mbërrijnë në majën e malit Everest, një pikë reference që dikur besohej se ishte e pamundur që të ngjitej.
Sipas të dhënave të “National Geographic”, më 1990-n, 18 për qind e përpjekjeve për të ngjitur malin qenë të suksesshme. Më 2012-n, suksesi u rrit në 56 për qind. Por kjo ka ardhur me një kosto. Kritikët thonë se shtigjet janë bërë kaq të mbingarkuara sa një autostradë me pesë korsi gjatë pushimeve vjetore.
Në një ditë të vetme më 2012-n, jo më pak se 234 alpinistë arritën majën. Më 1983-shin, në ditën më të suksesshme gjithsej vetëm 8 njerëz e patën pushtuar çatinë e botës, ndërsa një dekadë më vonë, në ditën më të mirë, mbërritën 40 vetë.
Këtë vit, disa u ankuan se u detyruan të prisnin dy orë e gjysmë në radhë në shtigje të ngushta në rrugën e tyre drejt majës. Një fotografi tronditëse nga alpinisti gjerman Ralf Dujmovits – që tregonte qindra vetë pas njëri-tjetrit në rrugë drejt majës më 2012 – shkaktoi debat nëse procesioni po shkatërronte gëzimin e ngjitjes.
Perëndimorët mund të paguajnë nga 10 mijë në 100 mijë dollarë për leje për të ngjitur malin, si dhe për udhërrëfyesit që i shoqërojnë ata dhe një industri turistike me përmasa të konsiderueshme është zhvilluar përreth bazës – duke shkaktuar ankesa për mbetjet dhe kushtet e këqija sanitare për shumë kilometra përqark.
“Atje thjesht kishte njerëz gjithandej”, thotë Ayisha Jessa, 31 vjeçe, një ngjitëse pasionante nga Londra, që së fundmi vizitoi kampin bazë rrëzë Everestit. Në fshatin Namaki aty pranë, thotë ajo, “gjithçka është e komercializuar – çdo gjë është e destinuar për udhëtarët nga Perëndimi.”
Për shumë ngjitës seriozë, e gjitha kjo ka sjellë zhvlerësimin e Everestit. “Nuk është një eksperiencë në natyrë të egër – është një eksperiencë e llojit ‘McDonald’s’”, thotë Graham Hoyland, një ngjitës me eksperiencë dhe autori i librit “Orët e fundit në Everest, një raportim mbi tentativën e pafat të vitit 1924 nga George Mallory dhe Andrew Irvine.
Avancimet në parashikimin e motit kanë bërë që ngjitësit ta llogarisin përpjekjen e tyre brenda pak ditëve çdo vit, gjë që ka përkeqësuar situatën në shtigjet e ngushta. Të kuptuarit më të mirë të sëmundjes së lartësisë i ka ndihmuar gjithashtu ngjitësit të jenë më të suksesshëm drejt majës 8,848 metra mbi nivelin e detit.
Për shkak të pagesave të mëdha financiare, perëndimorëve u jepen furnizime të bollshme me oksigjen dhe shumë shpesh, guidat nepaleze të ngarkuara me shoqërimin e tyre, udhëzohen specifikisht që të kujdesen që ata që paguajnë më shumë të kenë më shumë shanse për të mbërritur në majë.
Udhëtimet në grup ngjiten duke përdorur litarë të fiksuar në shkëmb, të cilat ndihmojnë ngjitësit më të dobët të ecin përpara, por për ngjitësit elitarë, kjo gjë e bën sportin e ngjitjes pa shumë personalitet. Falë të gjithë kësaj asistence, më shumë se 3 mijë njerëz janë ngjitur në majë që nga viti 1953.
Mes tyre është edhe Jordan Romero nga Kalifornia, i cili më 2010-n u bë personi më i ri që u ngjit në Everest në moshën 13-vjeçare, si dhe japonezi Yuchiro Miura nga Japonia, i cili e ngjiti malin në moshën 80-vjeçare, duke u bërë më i moshuari. Një 81-vjeçar nga Nepali, me emrin Min Bahadur Sherchan, po përpiqet të grabisë titullin e Miuras.
“Zakonisht, për sa kohë ata nuk janë tepër të sëmurë ose tepër të dobët, pothuajse që të gjithë – nëse kanë para dhe durim të mjaftueshëm – mund të ngjiten në Everest”, thotë Eberhard Jurgalski, i cili është përpjekur të raportojë çdo përpjekje për të ngjitur Everestin që nga viti 1953.
“Gjithashtu, nëse moti nuk ka qenë i mirë për disa javë, në ato pak ditë kur moti është i mirë, rruga bëhet e mbingarkuar.”
Disa shqetësohen se fluksi i ngjitësve të paeksperiencë në një terren aq të vështirë mund të ketë pasoja tragjike.
“Atje tashmë ka njerëz që ngjiten për në majë, por nuk dinë se si të punojnë me litarët apo të përdorin ganxhat”, thotë Hoyland. “Atje një katastrofë e madhe mund të ndodhë nga çasti në çast.”
Më 1996-n, tetë njerëz vdiqën brenda 36 orësh pranë majës së malit. Më 2012-n, 10 jetë u humbën në mal, tre prej të cilëve qenë nga popullata vendase Sherpas.
Pra nuk është habi fakti që tensionet janë shtuar. Sipas Hoyland, ngjitësit me eksperiencë po mërziten nga radhët e gjata të amatorëve që përdorin litarë të fiksuar dhe që i ngadalësojnë ata.
Temperamenti i tyre shpërtheu në prill, kur një përleshje ndodhi në lartësinë 7,470 metra mes dy ngjitësve të mirënjohur europianë, Ueli Steck e Simone Moro, dhe një grupi udhërrëfyesish nepalezë të malit. Megjithëse ankesat janë ende të lidhura me jashtëqitjet dhe mbetjet njerëzore në mal, një seri ekspeditash pastrimi e ka përmirësuar situatën mjedisore, thotë Hoyland.
Por ndërsa autoritetet nepaleze përballen me thirrjet për veprime të mëtejshme, propozimet për të zgjidhur problemin e mbingarkesës në shtigje i kanë përçarë fort ngjitësit.
Një kompani udhërrëfyesish ka propozuar instalimin e një shkalle te Shtegu Hillari, një dalje shkëmbore pranë majës, ku vetëm një person mund të ngjitet apo të zbresë njëherësh. Por puritanët ankohen se një gjë e tillë do ta zbusë sfidën e ngjitjes së malit.
Një zgjidhje tjetër e propozuar është kufizimi i numrit të ngjitësve. Deri më 1985-n, autoritetet nepaleze lejonin vetëm një ekspeditë në secilën nga shtigjet drejt majës dhe në teori kjo praktikë duhet të rivendoset.
Të tjerë sugjerojnë që kandidatët për leje ngjitjeje duhet të kalojnë një periudhë trajnimi ose së paku të demonstrojnë një eksperiencë ngjitjeje malore. “Nëse çdokush do të ketë një farë ideje mbi kulturën e ngjitjes, kjo do të bëjë shumë mirë”, thotë Hoyland.
Por koncepti i imponimit të kuotave nuk shkon shumë mirë me shpirtin e lirë botëror të ngjitësve. Sër Chris Bonington, i cili e arriti majën në moshën 50-vjeçare më 1985-n, thotë se ai është mirënjohës për kohën kur turmat qenë të kufizuara.
Gjithsesi, ndërsa ai beson se ka shumë gjëra që mund të bëhen për të përmirësuar menaxhimin e Everestit, ai ndihet jo i qetë me idenë e mohimit të mundësisë që ai shijoi për të tjerët.
“Nëse ti thua se ka vetëm 100 apo 200 njerëz që do të vijnë çdo vit, kjo do të thotë se shumë njerëz nuk do të jenë kurrë në gjendje të ndajnë eksperiencën personale të pabesueshme të ngjitjes në majë të malit”, thotë Sër Chris.
Kufizimi i numrit të vizitorëve mund të ketë edhe shumë ndikim mbi njerëzit që bazohen te turizmi për të ardhurat e veta. “Është një mal ku njerëzit jetojnë dhe bashkësia vendase është tërësisht e varur nga ngjitësit”, thotë Jessa.
Debati ka gjasa të vijojë gjatë. Dhe për sa kohë memoria e arritjeve të Hillary dhe Norgay vijon, turmat drejt majës më të lartë të botës do të vijojnë gjithashtu.

Si e bëri shkenca më të lehtë Everestin?
Mali Everest ishte dikur domeni i ngjitësve elitarë.
Përmirësimet teknologjike kanë rritur sigurinë dhe kanë ulur koston e pajisjeve, gjë që ka sjellë një rritje në numrin e përpjekjeve të suksesshme drejt majës.

Everesti, rruga drejt “zbulimit”
Britanikët filluan të kryejnë vëzhgime trigonometrike në Indi në vitin 1802 për të përcaktuar vendndodhjen dhe emrat e maleve më të larta të botës.
Në atë kohë, kjo ishte një punë e rëndë, që kërkonte përdorimin e teodoliteve shumë të rëndë. Këto pajisje peshonin 500 kilogramë dhe kërkonin 12 burra për t’i mbajtur, por shërbenin për të matur lartësinë sa më saktë të ishte e mundur. Ata mbërritën në rrëzë të Himalajave nga vitet 1930, por Nepali refuzoi t’i lejonte të hynin nga frika e agresionit politik dhe pushtimit.
Ekspedita të tilla kanë qenë gjithmonë të vështira dhe të kushtueshme në jetë njerëzore. Në një rast, tre oficerë vëzhgimi vdiqën nga malaria.
Më 1947-n, një nga vazhduesit arriti të shohë malin Everest nga një distancë 230 kilometra larg. Dy vjet më vonë, një vëzhgim tjetër u krye nga 190 kilometra larg. Një majë, (jo Everesti), u identifikua si më e larta në botë me 9,200 metra, por në këtë rast nuk qenë marrë parasysh disa defekte.
Më 1952-shin, matematikani indian Radhanath Sikdar, që punonte nga Bengali, ishte i pari që e identifikoi Everestin si mali më i lartë në botë, duke përdorur llogaritje trigonometrike të bazuara në matjet e një vazhduesi britanik, të cilat nuk qenë përpunuar.
Njoftimi zyrtar i zbulimit të majës më të lartë u shty për disa vite, ndërsa llogaritjet u verifikuan. Më 1956-n, u dha lajmi se Everest, më së shumti i njohur si Kançenjunga, ishte maja më e lartë në botë me 8,582 metra.
Ekspeditat e para që u përpoqën ta ngjisnin malin, u zhvilluan në vitet 1920. Më 1922-shin, një britanik përdori një maskë oksigjeni dhe arriti deri në lartësinë 8,320 metra. Më 1924-n, dy alpinistë me eksperiencë u nisën drejt majës, por nuk u kthyen më kurrë. Trupat e tyre u gjendën më 1999-n pranë majës, duke i shtyrë disa të besonin se në fakt ata mund ta kenë arritur majën më të lartë, pavarësisht se nuk arritën të kthehen të gjallë.
Gjatë viteve ’30, pati disa përpjekje për të arritur majën e malit përmes përdorimit të avionëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, përpjekjet për ta ngjitur malin nga shtigjet e Tibetit u mbyllën, pasi Tibeti u vu nën kontrollin e Kinës komuniste. Pas kësaj, përpjekjet u përqendrua nga ana e Tibetit, anë që u bë rruga standarde që vijon të përdoret edhe sot.
Vetëm në vitin 1953, ekspedita e nëntë britanike arriti të dërgojë një alpinist dhe guidën e tij vendase në majën më të lartë të botës.
Matjet më të sakta të kryera më vonë treguan se mali Everest është 8,848 metra i lartë dhe kjo është pranuar nga Kina dhe Tibeti.
Me mbërritjen e teknologjisë GPS, një skuadër amerikanësh shënoi se maja e malit ishte 8850 metra pa dëborën që e mbulon gjithmonë. Kjo është edhe shifra më e gjithëpranuar në botë, por e papranuar ende zyrtarisht nga Kina apo Tibeti.

Google+ Followers