12 këshilla të vlefshme që të kurseni paratë. Funksionojnë!


Kursimi i parave është një detyrë shumë e lehtë për t’u thënë, por jo për t’u bërë.
Ka shumë mënyra për të shpenzuar para, krahasuar me mënyrat për të kursyer.
Sa para mund të kurseni, ku do t’i ruani dhe si mund të siguroheni se nuk do t’ju humbin?
Ja se si të vendosni objektiva realiste, për të mbajtur shpenzimet nën kontroll dhe për të shtuar paratë tuaja të kursyera.

1. SË PARI, ZHDUKNI BORXHET

Thjesht llogariteni se sa duhet të shpenzoni çdo muaj për borxhet tuaja dhe do të shihni se eliminimi i borxhit është mënyra më e shpejtë për të kursyer paratë tuaja. Pasi të jeni të lirë nga pagesa e borxhit, mund të rivendosni kursimet. Përveç kësaj, sa më shpejt që të paguani borxhet, aq më pak interes shtesë do të paguani.

2. VENDOSNI QËLLIME KURSIMI

Për qëllimet afatshkurtra është e lehtë. Në qoftë se ju dëshironi të blini një videogame apo laptop, shihni se sa kushton. Për qëllime afatmesme ose afatgjata, si p.sh. të blini një makinë, apo shtëpi, përcaktoni se cila është shuma e parave që do t’ju duhet.

3. VENDOSJA E NJË AFATI

Për shembull: “Unë dua të jem në gjendje për të blerë një shtëpi pas pesë vitesh.” Caktoni një datë të veçantë për realizimin e objektivave dhe sigurohuni që qëllimi është i arritshëm brenda kësaj periudhe kohore. Nëse kjo nuk është e arritshme, mund të dekurajoheni.

4. KURSIMI PERIODIK

Duhet të kuptoni se sa do të kurseni në javë, në muaj, ose në vit për të arritur secilin nga qëllimet tuaja. Merrni si shembull diçka që dëshironi të blini dhe llogariteni se sa kohë duhet për të filluar kursimin që tani. Për shumicën e kursimeve, është më mirë të ruani të njëjtën sasi çdo periudhë. Për shembull, në qoftë se doni të arrini shumën prej 50.000 Euro për një shtëpi në 60 muaj (pesë vjet), do të duhet të kurseni rreth 834 Euro në muaj për çdo muaj. Por në qoftë se të ardhurat tuaja janë rreth 1000 Euro në muaj, ky nuk mund të jetë një objektiv realist. Pra duhet të përshtatni afatin kohor derisa të dalë një kursim periodik i arritshëm.

5. REGJISTRONI SHPENZIMET TUAJA

Ajo çfarë kurseni është rezultat i dy aktiviteteve dhe diferencës mes tyre: se sa keni fituar dhe sa keni shpenzuar. Që ju të keni më shumë kontroll mbi shpenzimet, është veprim me mend që të tregoheni kritik në shpenzimet tuaja. Shkruani çdo gjë që keni blerë duke shpenzuar paratë tuaja për disa javë apo një muaj, aq të detajuara sa të jetë e mundur dhe përpiquni të mos lini jashtë as blerjet e vogla. Caktojë një kategori për çdo blerje apo shpenzime të tilla si: Qira, sigurimi i makinës, servisi, telefoni, interneti, shërbime, ushqime, zbavitje, etj. Disa prej tyre mund të jenë shpenzime mujore, por disa të tjera vjetore.
Nëse. jeni i ambientuar me programet kompjuterike, mund të instaloni ndonjë program të thjeshtë bilanci.

6. SHKURTONI SHPENZIMET TUAJA

Hidhni një në të dhënat tuaja të shpenzimeve, pas një muaj apo dy. Ndoshta do të habiteni kur të shikoni në të dhënat tuaja të shpenzimeve: 5.000 Lekë për akullore, 3.000 Lekë për biletat e parkimit? Do të shihni disa shkurtime që mund të bëni. Në varësi të asaj se sa ju duhet për të kursyer, mund të keni nevojë për të marrë disa vendime të vështira. Mendoni në lidhje me prioritetet tuaja dhe bëni shkurtime që mund të përballohen. Llogaritni se sa do t’ju kursejnë në vit këto shkurtime dhe do të jeni shumë më të motivuar. Duke detajuar këshillat, 100oferta.com shtron dhe pyetjet:
Duhet të merrni një apartament më të lirë me qira?
Mund të ndërroni makinën me një tjetër më ekonomike?
Ju mund të kurseni të holla edhe në përdorimin e energjisë elektrike.
E gjithashtu, nëse familja juaj ka më shumë se një makinë, mendoni se mund të shisni ndonjë prej tyre?
Nga ana tjetër, kërkoni për oferta dhe zbritje çmimesh në dyqanet e veshjeve. Po ashtu artikujt për pastrimin janë arsye shpenzimi të konsiderueshme dhe mund të kurseni deri në 50%.
Mund të përdorin telefonin tuaj celular më mirë ose të kurseni të holla duke shfrytëzuar internetin për shërbime falas, të tilla si Skype?
Mund të jetoni pa dekoderin televiziv? Mund të shkurtoni faturat e shërbimeve tuaja? Mund ta kufizoni të ngrënit jashtë dhe të gatuani më shumë në shtëpi?

7. RIVLERËSONI QËLLIMET TUAJA TË KURSIMEVE

Ulni shpenzimet tuaja (ato që mundeni) dhe rrisni të ardhurat tuaja (d.m.th. fitimet apo rrogën). Cili është dallimi? A mund të realizohen qëllimet tuaja të kursimeve? Supozojmë se ju keni vendosur që të shpenzoni 35.000 Lekë në muaj dhe të ardhurat tuaja janë 50.000 Lekë në muaj. Kjo iu lë me 15.000 Lekë kursime. Nëse nuk ka asnjë mënyrë tjetër, duhet të gjykoni drejt shumën që mund të kurseni dhe të blini gjërat më rëndësishme ose që përshtaten me afatit. Ndoshta nuk duhet të blini një TV me ekran aq të madh.

8. BËNI NJË BUXHET

Pasi të keni arritur balancimin e të ardhurave tuaja me qëllimet e kursimeve dhe shpenzimeve, përcaktoni një buxhet, kështu që do të dini çdo muaj se sa mund të kaloni për kursime apo shpenzime, madje në cilën kategori. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shpenzimet, të cilat kanë tendencë të luhaten dhe që janë veçanërisht të vështira për t’u kufizuar. (P.sh. “Unë do të shpenzoj vetëm 1.500 Lekë në muaj për kafe / çokollatë / etj.”)

9. NDALONI PËRDORIMIN E KARTAVE TË KREDITIT

Paguani për çdo gjë me para në dorë. Është më e lehtë të shpenzoni më tepër kur keni një llogari bankare ose kartë krediti, sepse ju nuk e dini saktësisht se sa janë dhe sa mbeten atje. Nëse keni para, ju mund të shihni konkretisht se sa po iu ikin nga xhepi. Ju mund edhe të ndani sasinë e parave të ndarë për çdo shpenzim me një etiketë në kavanoza të veçantë për çdo shpenzim. Në këtë mënyrë do të shihni se si është gjendja e parave në secilin kavanoz, pra për çdo zë të shpenzimeve.
Kartat e kreditit nuk janë të këqija madje janë shumë komode, por kur bëhet fjalë për kursimin… Në qoftë se ju i përdorni ato me përgjegjësi, mund të përfitoni prej tyre, por shumica e kartave të kreditit ofrojnë promovime që të tërhiqni sa më shumë para.

10. HAP NJË LLOGARI KURSIMI

Kjo është një mënyrë shumë e lehtë për të mbajtur kursimet tuaja, sepse ato ndahen nga paratë tuaja të shpenzimeve. Ju gjithashtu mund të merrni interes më të mirë në llogaritë e kursimeve, sesa në llogaritë rrjedhëse

11. PAGUANI SA MË PARË

Kursimet duhet të jenë prioriteti juaj, kështu mos prisni fundin e muajit për të parë sa para ju kanë ngelur. Depozitoni në llogarinë e kursimit sa më shpejt, sapo të merrni rrogën apo të ardhurat. Një mënyrë e lehtë, efikase për të filluar kursimin është thjesht të depozitoni 10% të të ardhurave tuaja në një llogari të kursimeve, thjesht lëvizni presjen dhjetore një shifër më majtas. Kjo funksionon shumë mirë dhe pas disa viteve do të keni kursyer shuma të pabesueshme.
Këtë mund ta bëni me një transferim automatik nga llogaria juaj rrjedhëse në llogarinë tuaj të kursimeve në çdo bankë.

12. MOS U DEKURAJONI DHE MOS HIQNI DORË

Ju nuk mund të mendoni se mund të bëheni të pasur, por mund të blini diçka të arritshme në një kohë të caktuar, në qoftë se ngrini një plan kursimi agresiv dhe e respektoni. Mund të befasoheni se sa para mund të vini mënjanë për diçka shumë më të kënaqshme se ato që mund të blini me kursimet afatshkurtra, ose të ditës. Gjërat e mira shpesh duan kohë dhe sa më gjatë kurseni aq më interesante do të jetë ajo që mund të blini me kursimet tuaja!/reporteri

Google+ Followers