10 ngjarje interesante të panjohura të Luftës së Dytë Botërore



Lufta e Dytë Botërore (1939-1945) ishte konflikti i armatosur midis “Axis” – “Boshtit Nazist”, i përbërë nga Japonia, Gjermania dhe Italia dhe Aleatët. Çështjet e papërfunduara të Luftës së Parë Botërore (1914-1918) bënë që shumë vende nga bota të përfshiheshin në një luftë të paparë, që kushtoi jetën e miliona njerëzve. Gjatë kësaj periudhe, kanë ndodhur shumë ngjarje interesante që janë shumë pak të njohura. 

10. Beteja në ishujt Aleutine

Ishujt Aleutine, janë ishuj vullkanike të Alaskës, në Oqeanin Paqësor. Alaska është shteti me sipërfaqe më të madhe të SHBA-së dhe kufizohet në lindje me Kanadanë, në jug me Oqeanin Paqësor dhe me Oqeanin Arktik në veri. Vetëm 6 muaj pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, më 3 qershor të vitit 1942, disa nga forcat ushtarake japoneze zbarkuan në ishujt Attu dhe Kiska. Largësia gjeografike dhe vështirësitë e motit dhe terrenit bënë që vetëm një vit më vonë, forcat amerikane, mbas shumë betejave të ashpra, të mund të merrnin nën kontroll ishujt. Qëllimi i japonezëve ishte që të konfiskonin burimet natyrore dhe të vendosnin bazat strategjike ushtarake për të kontrolluar rrugët detare të Paqësorit. Beteja midis tyre është njohur si “Beteja e harruar”, për shkak se u zhvillua në të njëjtin kohë me “Operacionin Giadalcanal”. Bëhet fjalë për një fushatë ushtarake (7 gusht 1942-9 shkurt 1943) që u zhvillua në ishullin Guadalcanal në Oqeanin Paqësor. Kjo është konsideruar si ofensiva e parë e madhe nga forcat e Aleatëve kundër Japonisë. Historianët theksojnë se amerikanët patën sukses, pasi arritën të zbërthenin kodet e Flotës Japoneze, duke ditur se kur dhe ku ata do të sulmoheshin.


9. “Japanese Holdouts”

Termi “Japanese Holdouts”, ose “Ushtarët e pabindur”, iu referohet ushtarëve japonezë që nuk iu bindën urdhrit të arrestimit të Aleatëve, kur Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar. Motivet se përse këta ushtarë nuk u bindën, ishin të ndryshme. Ata ishin besnikë të kodit jetik të “Bushido” – “Rruga e luftëtarit” dhe e konsideronin veten e tyre si të pandershëm në qoftë se ata binin në duart e armikut. Shumë ushtarë japonezë nuk besonin se vendi i tyre kishte humbur në luftë dhe kjo ishte thjesht një propagandë e mediave të ndryshme që deklaronin kapitullimin e Japonisë. Shumë prej tyre vazhduan të kryenin aksione guerile kundër ushtrisë amerikane, ose kundër forcave të policisë të Filipineve dhe disa të tjerë vendosën të qëndronin në vende të fshehta. Vetëm më 15 gusht të vitit 1945, kur Perandori Hirohito (1901-1989) pranoi humbjen në luftë, shumë nga këto trupa guerile u dorëzuan në mënyrë paqësore. Por disa prej tyre, ose grupe të vogla vazhduan të rezistojnë për shumë vite.

8. Përfshirja në luftë e disa shteteve të Amerikës së Jugut

Edhe pse quhet Lufta e Dytë Botërore, disa shtete të Amerikës së Jugut nuk janë në listën e vendeve pjesëtarë që morën pjesë në luftë. “Forcat Speciale Braziliane” të ushtrisë braziliane kanë luftuar përkrah Aleatëve në Itali gjatë konfliktit ushtarak. Gjatë qëndrimit të tyre në Itali, ushtarakët brazilianë arritën të arrestonin 20 mijë robër të “Boshtit Nazist”, përfshirë edhe dy gjeneralë dhe 900 oficerë. Gjatë luftës, Brazili humbi rreth njëmijë ushtarë, por edhe shume vende të tjera të Amerikës së Jugut u bashkuan me Forcat Luftarake Franceze, si El Savador, Kolumbia, Ekuadori, Paraguai, Peruja, Meksika e të tjerë.

7. Qeveria e Vichy

Qeveria Vichy u formua gjatë pushtimit gjerman (1940-1944) në qytetin Vichy, Francë. Kjo qeveri parapriu “Qeverinë e Përkohshme të Republikës Franceze”. Mareshali Philippe Petain (1856-1951) shpalli qeverinë e tij në Vichy, një territor në jug të Francës, nga ku mori emrin edhe “Republika” që ai krijoi, duke e lënë pjesën tjetër të vendit në dorën e gjermanëve. Më pas, Peten ndoqi një politikë bashkëpunimi me gjermanët dhe diskriminimi ndaj hebrenjve dhe rezistencës franceze, si dhe ndaj Aleatëve në Afrikën Veriore dhe në kolonitë e Paqësorit. Rezistenca e Vichy-t i kushtoi amerikanëve 550 të vrarë dhe 830 të plagosur. Gjithashtu, më shumë se 300 trupa angleze dhe ushtarë francezë u vranë. Peten u arrestua nga qeveria provizore e Charles De Gaulle, më 24 prill 1945, në kufirin me Zvicrën. Ai u akuzua për tradhti të lartë dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Peten vdiq në burg më 23 korrik 1951.

6. Operacioni Paukenschlag

Operacioni Paukenschlag u krye gjatë Betejës së Atlantikut (1939-1945), menjëherë mbas hyrjes në luftë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjermania e quajti këtë betejë “Lufta e zhvendosjeve”. Marina gjermane vuri në “patrullim” nëndetëset “U-boote”, në ujërat bregdetare të Detit të Veriut. Viktima e parë e “U-boote” ishte super-oqeaniku “Athenia”, më 3 shtator 1939, të njëjtën ditë që Britania e Madhe i shpalli luftë Gjermanisë. Britanikët filluan të pajisin anijet tregtare me topa për vetëmbrojtje. Rënia e Francës në qershor të 1940, mundësoi që të binin në duart e gjermanëve edhe bazat detare franceze në Oqeanin Atlantik, kështu që Marina gjermane e shtriu fushën e veprimit të saj deri në qendër të Oqeanit Atlantik. Që nga korriku i 1940 dhe deri në tetor të po këtij viti, 282 anije të Aleatëve u fundosën nga nëndetëset gjermane në pjesën veriperëndimore të Irlandës.

5. Forca të tjera naziste

Tensionet për nacionalizëm, ushtarakizëm dhe probleme territoriale bënë që të krijoheshin forca të tjera naziste në vende të ndryshme europiane si Estoni, Greqi, Hungari, Poloni, Norvegji madje edhe në Angli, “British Free Corps”. Shumë prej tyre ishin edhe bashkëpunues në krimet më të rënda kundër njerëzimit në kampet e përqendrimit. Në këto kampe, u mbytën dhe u torturuan njerëz, si dhe u bënë eksperimente të ndryshme në fushën medicinale. Gjithashtu “Waffen-SS” – “Luftëtarët-SS” ishte një forcë ushtarake e Rajhut të Tretë që diskriminoi miliona njerëz të pafajshëm.

4. Bombat fluturuese

“Fire balloons” ishin parashuta që transportonin 12 kg eksploziv dhe kishin një diametër rreth 10 metra. Këto parashuta u hodhën nga Japonia gjatë Luftës së Dytë Botërore, me qëllim që të shkatërronin territorin amerikan. Në vitin 1942, profesori japonez Fujiwara Sakuhei i Shërbimit Meteorologjik në Tokio, propozoi se rrymat ajrore favorizonin “parashutat bombe” për të shkatërruar territorin amerikan. Këto parashuta mund të arrinin bregun amerikan të Paqësorit në dy ditë. Periudha më e favorshme ishte ajo e dimrit. Por plani dështoi pasi vetëm 1000 parashuta arritën në Amerikën e Veriut dhe vetëm 6 amerikanë u vranë në një shpërthim të ndodhur në vitin 1945.

3. Arratisja nga Stalag Luft III

“Stalag Luft III” ishte kampi gjerman i të burgosurve të luftës, ku u mbajtën personat e kapur që i përkisnin forcave ajrore. Në janar të vitit 1943, një i burgosur udhëhoqi një komplot për t’u arratisur nga kampi. Plani synonte hapjen e tre tuneleve të thella dhe punohej me kujdes që të mos dalloheshin nga rojet e kampit. Gjithashtu, një sërë novacionesh teknike e bënin punën më të sigurt dhe më të lehtë. U shpik dhe një pompë nga Bob Neslon, e cila pomponte ajër të pastër. Më vonë u instalua dhe një sistem elektrik. Tuneli përfundoi në mars të vitit 1944, por të burgosurit amerikanë që kishin punuar, u transferuan në një kamp tjetër. Më 25 mars nisi arratisja, por nga 77 persona, vetëm tre mundën të arratiseshin.

2. Aksidenti i Ni’ihau

Më 7 dhjetor 1941, japonezet bombarduan Pearl Harbor. Gjatë kthimit të tyre në bazat ushtarake, shumë pilotë japonezë u përplasën në ishullin e Oahu-s. Pilotëve japonezë iu këshillua që nëse do të kishin probleme me avionët e tyre, ata mund të bënin uljen në ishullin e Ni’ihau, që ata mendonin se ishte e pabanuar. Shigenori Nishikaichi ishte një pilot japonez, avioni i të cilit kishte probleme teknike. Kështu ai bëri një aksident në këtë ishull dhe shumë shpejt kuptoi se ishulli ishte i banuar. Në këtë ishull banonin rreth 136 indigjenë dhe gjuha që flisnin ishte Hawaiian. Në fillim, ai u trajtua si një mysafir, por shpejt indigjenët zbuluan rreth sulmit në Pearl Harbor. 3 japonezë në ishull u përpoqën të ndihmonin Nishikaichi, por pa rezultat. Kjo ngjarje njihet si incidenti Ni’ihau.

1. Ndeshja e vdekjes

E ashtuquajtura “ndeshja e vdekjes” ishte një ndeshje futbolli luajtur mes oficerëve gjerman dhe lojtarëve ukrainas në vitin 1942. Kjo ndeshje u luajt më 9 gusht, 1942 në stadiumin Zenith të Kievit në Ukrainë, atëherë e pushtuar nga nazistët. Arbitri ishte një oficer i “Schutzstaffen”, reparti i mbrojtjes të Partisë Naziste. Në këtë parti u rekrutuan dhe rojet personale të Adolf Hitler (1889-1945). Ukrainasit fituan ndeshjen pesë me tre. Akoma pa mbaruar mirë ndeshja, lojtarët ukrainas e dinin fare mirë se çfarë do t’u ndodhte më pas. Sulmuesi Korotchich u torturua dhe më pas u pushkatua. 7 lojtarët e tjerë përfunduan në një “lager” nazist. Edhe portieri së bashku me lojtarët e tjerë u pushkatuan për reprezalje. Vetëm dy lojtarë shpëtuan Mikhail Sviridoski dhe makar Goncharenko. Sot, në stadiumin Dinamo Kiev të Ukrainës, është vendosur një bust me citimin “Dedikuar atij që e meriton”.

Google+ Followers