Si dallohet një diamant i vjedhur?

Në Bruksel u vodhën diamante me vlerë 50 milionë euro. Ndryshe nga veprat e artit, hajdutët duket se do ta kenë më të lehtë t’i tregtojnë këto diamante pa u zbuluar nga autoritetet
Teknologjia



Grabitës të armatosur realizuan një vjedhje masive diamantesh në Bruksel pak kohë më parë. Por ka disa që mendojnë se shitja e diamanteve të vjedhur do të jetë një punë e vështirë për ta. Por a është e mundur të dallohet një diamant i vjedhur nga një i pavjedhur?
Diamantet e humbura në grabitjen e Belgjikës kishin vlerë prej 50 milionë eurosh dhe ka spekulime që thonë se ato nuk do të zbulohen kurrë. Hajdutët e veprave të artit përballen me një sfidë të jashtëzakonshme kur vjen puna te shitja e veprave që janë tepër të famshme. Ata duhet t’i shesin pikturat e vjedhura për të arritur te frytet e vjedhjes. Vetëm se çdo tregtar arti kur sheh një vepër të Picasso-s apo Rembrandt-it, e ka shumë të lehtë të zbulojë nëse kjo vepër ka qenë vjedhur apo jo.
Por a mund të jetë një diamant i vjedhur po kaq i dallueshëm në duart e tregtarëve? Diamantet e paprera, ose diamantet bazë, kanë karakteristika të veçanta, formë të ndryshme, përmasa apo ngjyra.
Ne përgjithësisht mendojmë se diamantet janë të tejdukshme, ose disi blu apo të bardha, por ato kanë edhe ngjyra të tjera, të kuqe, të kafta, të verdha, okër, të zeza apo jeshile, në varësi të pranisë së elementeve të tjera, përveç karbonit dhe mbi radiacionin.
Përmasat e diamanteve të paprera varen gjithashtu nga fakti nëse ato vijnë nga një minierë, nga një plazh apo nga një lumë. Të ashtuquajturat diamante aluvionale janë të buta në cepa në krahasim me diamantet e minierave.
Rrjedhimisht ato mund të jenë më të dallueshme kur shkojnë në sytë e një tregtari të mprehtë, i cili e di se çfarë lloje diamantesh janë vjedhur.
Por kjo është e gjitha sa u përket diamanteve të paprera. Është më e vështirë të gjesh se nga ka ardhur një diamant i prerë dhe i pastruar. Madje edhe ideja e dallimit të diamanteve bruto në bazë të karakteristikave nuk është shumë e vlefshme nëse merret parasysh mënyra sesi tregtohen ato.
Antverp, pranë Brukselit, është qendra për klasifikimin e diamanteve. Diamantet e vjedhura duhet të kenë ardhur nga minierat nëpër botë dhe janë klasifikuar dhe vlerësuar në Antverp para se të dërgohen gjetkë.
Diamantet e vjedhura do të shënohen në bazë të peshës në karat, ngjyrës dhe qartësisë. Për diamantet e pastruara, lloji i prerjes do të përfshihet.
Por nuk ka informacion të mjaftueshëm për të ndërtuar një bazë të dhënash gjurmimi për diamantet. Por nëse është e vështirë të dallohet një diamant i vjedhur nga një i rregullt me shikim, a munden ato të dallohen në bazë të certifikatës shoqëruese apo mungesës së certifikatës shoqëruese?
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka zhvilluar një Proces Kimberliti për të monitoruar tregtinë e diamanteve bruto dhe për të ndaluar përdorimin e tyre për financimin e dhunës.
Para se ato të eksportohen, të gjitha diamantet bruto duhet të kenë një certifikatë nga qeveria e vendit ku janë nxjerrë. Në thelb, kjo certifikatë thotë se diamantet nuk janë përdorur për të financuar krimin. Në teori, të gjitha vendet që janë pjesë e Procesit Kimberlit lëshojnë këto certifikata. Në praktikë, disa vende, si Venezuela, nuk e bëjnë.
Procesi Kimberlit aplikohet vetëm për diamantet e papërpunuara në mënyrë që ato të lejohen të kapërcejnë kufijtë. Nuk zbatohet për shitjet e diamanteve bruto brenda një vendi. Shitje të tilla mund të shoqërohen me një faturë, e cila natyrisht mund të jetë false.
India pret dhe pastron 90 për qind të diamanteve të botës. Vendet e tjera të prerjes dhe pastrimit janë Kina, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Hajdutët do të duhet t’i kontrabandojnë diamantet në ndonjë nga këto vende, por sapo hyjnë aty, falsifikimi i letrave i mundëson t’i shesin. Diamantet mundet gjithashtu të jenë shënjuar me lazer me simbole të vogla të padukshme për syrin. Lazare Kaplan, prodhuesi i diamanteve me bazë në SHBA, e zhvilloi këtë metodë markimi.
Nuk dihet nëse ndonjë nga diamantet e vjedhura në Belgjikë qenë markuar, ndërkohë që një tregtar thotë se çdo gjë që është shënjuar mbi një diamant, mundet të fshihet.
Hajdutët dukshëm nuk qenë amatorë dhe nuk do të mendojnë sesi t’i shesin diamantet menjëherë. Ata duket se kanë një plan të menduar që më parë.
Hajdutët kanë shumë opsione. E para është t’i shesin diamantet sa më parë. Gjithsesi, nëse e bëjnë këtë, do të duhet të pranojnë humbje të mëdha mbi vlerën e ligjshme të gurëve.
E dyta është t’i shesin ato në fabrika ku diamantet do të priten dhe pastrohen. Sapo diamanti pritet, origjina e tij fshihet. Plani i tyre, sipas ekspertëve, duhet të jetë që t’i dërgojnë diamantet fshehtazi në Indi, ku mund t’i shesin te ndonjë fabrikë pastrimi. Prerja e diamanteve në copa më të vogla nuk është një ide e mirë, për shkak se e redukton shumë vlerën e tyre. Në vend të kësaj, sugjerohet se diamantet do të tregtohen disa herë mes Indisë dhe Dubait, duke ndryshuar duar tregtarësh para se të shiten në dyqan. Ndryshimi i tregtarëve do ta bëjë më të vështirë ndjekjen e udhëtimit të një diamanti të vjedhur nga Belgjika deri te përdoruesi final. Një ekspert mendon se diamantet e vjedhura mund të tregtohen në sasi të vogla në qytete të ndryshme nëpër botë. Kjo do të reduktojë rrezikun e kapjes për vjedhësit. Ndoshta, një pjesë e vogël e tyre mund të kapet nga autoritetet. Por ka gjasa që asnjë prej tyre të mos zbulohet kurrë.

Përgjigjja
Diamantet e paprera kanë karakteristika të veçanta. Por për shkak të mënyrës sesi tregtohen, ata mund të bëhen të vështira për t’u dalluar
Ne përgjithësisht mendojmë se diamantet janë të tejdukshme, ose disi blu apo të bardha, por ato kanë edhe ngjyra të tjera, të kuqe, të kafta, të verdha, okër, të zeza apo jeshile, në varësi të pranisë së elementeve të tjera, përveç karbonit dhe mbi radiacionin
Plani i tyre, sipas ekspertëve, duhet të jetë që t’i dërgojnë diamantet fshehtazi në Indi, ku mund t’i shesin te ndonjë fabrikë pastrimi. Prerja e diamanteve në copa më të vogla nuk është një ide e mirë, për shkak se e redukton shumë vlerën e tyre

Google+ Followers