“Forca” e piramidave, efekti çudibërës i tyre


Piramidat egjiptiane janë një nga çudirat më të mëdha botërore dhe ndërtesat më misterioze që ekzistojnë në Tokë. Enigma e ndërtimit të tyre si dhe efektet e tjera rrezatuese që shkaktojnë ato, edhe sot e tërë ditën, mbetet një sfidë që seriozisht e vënë në sprovë njohurinë tonë të pakontestueshme materialiste e quajtur shkencë.

Vërtet shkencëtarët mbeten të mahnitur jo vetëm nga mënyra e vetë projektimit dhe aftësisë së ndërtimit të këtyre piramidave gjigante, por edhe nga efektet e ndryshme misterioze që krijohen nga hapësirat labirinte të korridoreve të tyre, duke shkaktuar ndryshime kualitative në përbërjen materiale të disa substancave. Nga tri piramidat më të njohura të faraonëve të Egjiptit të lashtë të cilat gjenden në rrafshinën shkretinore të Gizit, afër Kajros (Keopsit, Kefrenit dhe Mikerinit), si më e madhe dhe më atraktive konsiderohet ajo e Keopsit. Ka një sipërfaqe prej 1300 m3, ndërsa perimetri i themeleve është 910 metra. Lartësia nga bazamenti e deri në majë të saj është 138 metra dhe hyn në grupin e shtatë çudive më të mëdha botërore. I tërë konstruksioni i saj piramidal, është i ndërtuar prej blloqeve të mëdha guri dhe secila prej tyre peshon 55 tonë. Të gjitha këto blloqe janë të vendosura me një renditje tejet precize, gjë që edhe i habit shkencëtarët tanë, duke u krijuar shumë dyshime: nga kanë ardhur këto blloqe kolosale guri, kur dihet se i tërë regjioni aty afër është një hapësirë shkretinore prej qindra kilometrash? Nëse janë marrë diku tjetër, atëherë si janë transportuar deri aty? Si kanë mundur këto masa 55 tonësh të ngrihen në lartësira më të larta murale të konstruksionit të piramidës, pa pasur një teknologji të përsosur ndërtimore sikurse e kemi ne sot? Forma piramidale dhe dimensionet e saj të caktuara precize gjeometrike, tek hulumtuesit tanë bashkëkohorë shkaktojnë mëdyshje për mënyrën e ndërtimit të tyre, por edhe efektet mrekulluese që shkaktohen në hapësirën e brendësisë së saj. Kjo dukuri i ka sfiduar shumë shkencëtarë.
Efekti çudibërës
Pranimi zyrtar i efektit çudibërës të piramidave së pari është regjistruar me rastin e njohur si “rasti Dërbal”. Në Entin Çekosllovak të Patentave, nën numrin 91304, gjendet i regjistruar një zbulim i inxhinierit nga Praga Karel Dërbal. Ai një kohë të gjatë interesohej për parapsikologjinë dhe fenomenet jashtëshqisore dhe nga shumë hulumtime të veta të bëra nga kjo lëmi, më në fund zbuloi se piramida ka një forcë mahnitëse, e cila transformon një lloj të energjisë kozmike për ne ende të panjohur. Po ashtu, ai vërtetoi se dhoma ku ishte vendosur kufoma e balsamuar e faraonit, gjendej në 1/3 e lartësisë, nga pika e mesit të konstruksionit të piramidës, gjë që, jo rastësisht, mu aty ishte qendra e veprimit më të koncentruar të kësaj energjie specifike. Kështu, më tej, ai zbuloi se modeli me dimensionet e njëjta gjeometrike të piramidës së Keopsit, i mpreh zhiletët e topitur. Ideja për këtë zbulim i rrodhi kur kishte vërejtur në brendinë e hapësirës së piramidave, një trup maceje të ngordhur, i cili nuk qe shndërruar në skelet, por ishte i mumifikuar në mënyrë fantastike, pa asnjë gjurmë qelbësire. Me t’u kthyer në shtëpi, punoi një model të kopjuar të piramidës dhe eksperimentoi. Fenomeni i njëjtë u përsërit edhe në piramidën e improvizuar. Dëbali mendonte se energjia e grumbulluar në piramidë mund të jetë bazë veprimi ndaj proceseve fizike, kimike dhe biologjike. Tehu i zhiletës ka përbërje “gjalpi” (disa yndyrore). Pas përdorimit, kjo mprehtësi topitet, mirëpo jo gjithmonë. Disa sende mund t’i kthejmë në gjendje të mëparshme pas një kohe të caktuar, madje edhe përmbajtjen e tyre kristalore. Dëbali logjikonte teorikisht: po qe se tehu i zhiletës është bërë prej çeliku cilësor, përderisa nuk dëmtohet mekanikisht, atij mund t’i kthehet mprehtësia e mëparshme. Ai, me disa zhiletë të deponuar nën piramidën prej kartuçi, mund të kryente numër të pacaktuar rrojash.

Udhëzimi
Ja udhëzimi praktik se si konstruktohet piramida e improvizuar nga kartuçi me dimensionet gjeometrike të modelit të piramidës së Keopsit. Në qoftë se doni të bindeni në këto efekte të piramidës, punojeni një model nga kartuçi, i cili duhet të jetë nga llojet e kartuçit të rrafshët, e jo valor. Pritni katër trekëndësha me dimensionet e bazës 23,4 cm dhe të dy brinjëve me 22,3 cm. Të gjithë trekëndëshat i ngjitni me ngjitës duke përfituar formën e piramidës. Piramida e fituar nga baza e deri në majë, patjetër duhet të jetë me lartësi prej 15 cm. Pas ngjitjes së katër krahëve të trekëndëshit dhe përfitimit të konstruksionit të piramidës, në një kartuç të njëjtë kopjojeni bazën nga forma e piramidës së përfituar dhe këtë katërkëndësh ndajeni në katër pjesë të barabarta. Me ndihmën e busullës saktësisht caktojeni drejtimin veri-jug. Mbajtësin vendoseni në lartësinë prej 5 cm. (një e treta e lartësisë së piramidës) dhe atë mu në mes të boshtit. Tehun e topitur të zhiletës vendoseni ashtu që anët e zhiletës të jenë të kthyera kah drejtimi veri-jug. Kjo është e detyrueshme, përndryshe, në të kundërtën, nuk do ta kemi efektin e dëshiruar. Piramida, në asnjë mënyrë, nuk guxon të vendoset në afërsinë e ndonjë hapësire ku veprojnë fushat e caktuara magnetike. Zhileti duhet të qëndrojë në piramidë së paku gjashtë ditë. Pas kësaj kohe, mund të përdorohet për rruajtje me kusht që, pas përdorimit, sërish të kthehet në piramidë. Kjo që e përmendëm si shembull me zhilet, nuk është e vetmja mënyrë ku mund të vërehet veprimi i fushës misterioze magnetike nga hapësira piramidale. Ju mund të bëni eksperimente të njëjta edhe me shumë artikuj tjerë. P.sh. nëse në brendi të piramidës futen zarzavatet e ndryshme, ato nuk prishen fare, veçse e humbasin sasinë e konsiderueshme të ujit. Kafeja, çaji, mëlmesa të ndryshme dhe birra, pas 10-15 ditëve, shndërrohen në artikuj të cilësisë së lartë. Mjafton që njeriu në një piramidë të improvizuar sipas formës dhe dimensioneve të asaj që e prezantuam (premisa të njëjta, por madhësi më të madhe), të qëndrojë vetëm 15 minuta në ditë, dhe, pas disa dite, do të vërejë përmirësimet e dukshme të procesit të të mbajturit në mend dhe rritjen e shkallës së inteligjencës. Qëndrimi nën piramidë në rrethanat e njëjta shkakton, po ashtu, edhe humbjen e kilogramëve të tepërt nga trupi, tek tullacët – rritjen e flokëve, si dhe ka pasur raste të shërimit të mrekullishëm të sëmundjeve të ndryshme.
Por, çfarë efekti duhet të ketë piramida nëse ajo kthehet mbrapsht (me majë poshtë)? Pas shumë eksperimenteve të bëra, përgjigjen na e jep shkencëtari bullgar V. Litvinov. Rezultatet e tij të arritura tejkalonin çdo parashikim. Piramida e kthyer mbrapsht, jo vetëm që nuk i humb efektet e veta të theksuara, por ato, përkundrazi, rriten dhe shumëfishohen. Ta zëmë: virusi i gripit dhe antibiotikë të ndryshëm arrijnë imunitet të shumëfishuar.

Google+ Followers