COSA NOSTRA/Kush janë pasardhësit e Al Capones dhe familjes “Gambino”


Si mafia shqiptare dhe ajo ruse po shkatërrojnë mafian siçiliane


Në suplememtin e fundjavës “Weekend” të “Tirana Observer” do t’i dedikojmë sërish hapësirë historisë së mafias. Dhe më konkretisht Cosa Notra-s në SHBA dhe 5 pesë familjeve legjendare. Pesëshja mjaft e njohur e familjeve mafioze të Amerikës, që funksiononin fuqishëm në Neë York edhe sot e kësaj dite, janë të fuqishme, por e kanë humbur shkëlqimin aristokratik që kishin. Familjet më të njohura të mafies italo-amerikane, të “Cosa Nostra”-s, si “Gambino”, “Genovese”, “Bonano”, “Luchese” dhe “Colombo”, janë sërish aktive. Pa harruar këtu familjen e Çikagos apo e thënë më thjeshtë, atë të Al Capones, “Outfit”, që është cilësuar nga FBI-ja si një organizatë mjaft aktive, e strukturuar më së miri dhe e tmerrshme. Nëse disa vite më parë këto familje vepronin në shtete të caktuara, tashmë rrezja e tyre e veprimit është shtyrë edhe më tej. Mjafton të përmendesh familjen “Gambino”, e cila ishte e përqendruar vetëm në Neë York, ajo tashmë funksionon edhe në Florida. E më pas vijojmë me familjet e mafies siçiliane. Sado që është thënë e stërthënë në media të ndryshme që u arrestua i fundit i “Cosa Nostra”-s, në fakt fundi i saj nuk vjen asnjëherë. Gjithmonë del një trashëgimtar që vazhdon rrugën e familjes, që është lënë në mes nga shefi i arrestuar, për t’ia dorëzuar përsëri një tjetër trashëgimtari. Situatat janë të njëjta gjithmonë brenda “Cosa Nostra”-s, por po të njëjta janë edhe për ata që përpiqen ta luftojnë. Gjithmonë për ta ai ose ata që arrestohen janë të fundit, por në të njëjtën kohë fuqia e mafies të bën të kuptosh dhe të mendosh se në të vërtetë ajo nuk ka fund. Megjithatë mafiat e tjera, përfshirë edhe atë shqiptare, po sulmojnë mafian tradicionale, duke i zënë vendin asaj pak nga pak.
***************
Si mafia shqiptare dhe ajo ruse po shkatërrojnë mafian siçiliane


Shkëlqimi, rënia dhe rilindja e Cosa Nostra-s në SHBA
Vittorio Zucchoni

La Repubblica
“Cosa Nostra është si bari, ju e prisni, por ai gjithmonë rritet përsëri,” thotë Robert Castelli, i cili e “preu këtë lloj bari” për njëzet vjet, deri në vitin 1995, nga zyrat e prokurorisë speciale të anti-mafies në Nju Jork. Por në qoftë se pesimizmi i njeriut të ligjit është i kuptueshëm, njësoj si ai i mjekut përpara vdekjes. Por kullota shumë e harlisur bosave, zëvendës-shefave, ushtarëve, etj, të cilët kishin pushtuar si një farë e keqe Amerikën, nga Brooklyn në Vegas, nga Kansas City në Çikago, tani është një fushë e kashtë djegur nën kosën e drejtësisë italo-amerikane dhe operacioneve të përbashkëta për të ç’rrënjosur aktivitetet e familjeve. Duke transformuar mitin e mafias së Don Corleone në një sagë të mjerueshme të “Sopranos”, rreckamanëve të dhunshëm që ushqehen me thërrimet e çfarë ishte e Cezarit, Salvatore Luciano, “Lucky” Luciano, i cili ishte një perandor i mafias.

Megjithatë mafia në Shtetet e Bashkuara ekziston dhe lulëzon, por i përngjan gjithmonë e më pak Cosa Nostra-s, është më pak italiane. Nga ndërmarrja kolosale shumëkombëshe e krimit, “kasta” e tmerrshme që ende njollos italianët në Amerikë dhe që në vitet ’70 kishte edhe një fluturim “non stop” nga Palermo në New York i njohur si “Mafia Express” sot mbetet si një guaskë e boshatisur. Një predhë e zbrazur nga mungesa e rekrutëve të rinj që një kohë derdheshin te shumtë në brigjet e Ellis Island. Sot, dhe ky është sinjali më i lartë i perëndimit të një perandorie, mafiozët pendohen, tërhiqen nga profesioni dhe, mbi të gjitha, ata tregojnë.

“Kjo është një anije plot me minj”, thërriste gjatë procesit që do ta dënonte të vdiste në burg Padrinon e fundit të vërtetë, John Gotti “Don Dapper”, elegant, duke dëgjuar dëshminë e njërit prej vrasësve të tij vdekjeprurës, Sammy “The Bull” Gravano, më vonë u quajt pikërisht “Rat King”, mbreti i minjve që flasin.

Mistika e përkatësisë deri në vdekje, natyrale apo e dhunshme, për të shpëtuar nderin dhe heshtjen, u shpërbë në realitetin e njerëzve si Joseph “Big Joe” Massino, deri në vitin 2005 udhëheqësi i të gjithë udhëheqësve të familjes Bonanno, i cila qarkullonte me një regjistrues ngjitur në gjoksin e tij.

Një super mi. Spiuni Michael Franzese, i cili ishte “bërë” anëtar i familjes Colombo në vitin 1975 me ritualin klasik të gjakut, të shenjtorit, të betimit, kur doli nga burgu në vitin 1995 thjesht e hodhi pelerinën simbolike mafioze në shkurre. Kështu ai u transformua në një predikues dhe konferencier në shfaqjet e mbushura plot me njerëz në Las Vegas, pikërisht në qytetin e ndërtuar nga kapitalet e ricikluara të sindikatave mafioze, të kamionistëve, dhe me askënd që ti tërhiqte veshët për gjestin.

Ishte pikërisht ai që tregoi detajet e ceremonisë së përzgjedhjes në vitin 1975 e cila përfundoi me një banket të kushtueshëm dhe sipas traditave u mbyll me një hamburger në një nga fast-foodet në Brooklyn. Nga festat tek hamburgeri i pisët me djathë është simboli i këtij “shteti brenda shtetit” që në vitin 1941 detyroi Franklyn Roosevelt të negocionte lirimin e Lucky Luciano dhe ta deportonte atë në Itali për të zhbllokuar portin e Nju Jorkut, nga i cili nuk do të mund të ishte nisur as edhe një gjilpërë nëse sindikata e shkarkuesve nuk do të kishte marrë aprovimin e Lucianos.

Edhe gjatë viteve të pastrimit të Manhattanit, organizuar nga Rudy Giuliani, u krijua një aleancë, pak apo shumë e heshtur, mes të mbijetuarve të pesë familjeve që ndihmuan për të pastruar qytetin nga murtaja e zakonshme e mbeturinave. Hetimet e prokurorisë së anti-mafias kanë përllogaritur në 1.5 miliard dollarë (sot të paktën tri herë më shumë) çmimin që qyteti i kishte paguar mafias së “mbeturinave”. Falë ligjit kundër krimit të organizuar, të njohur si “Rico” nga akronimi i tij, i cili lejon zgjerimin e arrestimeve dhe aktakuzave për çdo të dyshuar për ndihmë dhe të një shoqate kriminale ose ndihmë të pjesëtarëve të familjeve mafioze, Cosa Nostra është reduktuar tej mase.
Nëse Las Vegasi u ndërtua nga gangsterët që përdornin fondet e pensionit të shoferëve të kamionëve, sot hyrja e kapitaleve nga shoqëritë e mëdha multinacionale kanë margjinalizuar, dhe në disa vende eliminohen, ndikimin e “njerëzve të mirë”. Vepra e fundit ishte Vegasi lindor, Atlantic City, ku Cosa Nostra arriti të futet nëpërmjet sindikatave të muratorëve dhe marangozëve të cilat kontrolloheshin nga familja Nikodemi “Nicolino” Scarfo nga Philadelphia.
Familjet mafioze janë ende dinozaurë të ashpër, por janë kafshuar nga emergjenca e mafieve të reja dhe më agresive: rusët, të parët për brutalitetin, kinezët e triadave dhe japonezët e Yakuzës, kolumbianët e oktapodit, xhamaikanët, rumunët dhe shqiptarët, të cilët i bëjnë Cosa Nostra-s atë që krimi italian mafioz i bëri mafies irlandeze dhe hebrenjve që patën si bos Meyer Suchoëlanskij, ose thënë ndryshe bosi i madh Lansky.
Pesë familjet e famshme tashmë janë guacka, në krahasim me kupolën e Carlo Gambino-s, siçilianit nga Caccamo, i cili arriti ta krijonte komisionin e Cosa Nostra-s, ta organizonte dhe ta kontrollonte para se të vdiste nga një vdekje natyrale në vitin 1976.

Me ndoshta 100 njerëz të mbetur, “Familja Gambino” u shkatërrua nga John Gotti, eksibisionist dhe nga i biri i tij John jr., i njohur botërisht si “budallai”. Familja Bonanno, e cili para disa kohësh ishte barone e drogës, tashmë është mbyllur në Long Island dhe merret me fajde.

Familja Lucchese, me rreth 40 pjesëtarë, kane bosin e tyre, Vittorio Amuso, në burg dhe familja Colombo po u bën shoqëri me “Padrinon” historik, Carmine Persico, me burgim të përjetshëm.

Reziston akoma familja Genovese, të udhëhequr nga ish krahu i djathtë i Vito Genovese, Vincent, të cilët ishin në gjendje të mbanin nën kontroll portet e Nju Jork dhe Newark, nga i cili kalon një pjesë të mirë e importit të makinave, mbledhja e mbeturinave dhe peshku.

Të rinjtë e Cosa Nostra, thotë Robert Castelli “braktisin familjet si të linin një punë.” Për t’u bindur për këtë, duhet vetëm të shkojnë të shikojnë një lojë bejsbolli fëmijësh në Boca Raton, Florida dhe të shikojnë trajnerin. Emri i tij është Salvatore Lo Cascio, 57 vjeç, dhe ju shkon prapa fëmijëve të tij, sepse gruaja vuan nga skleroza. Lo Cascio ishte një “shef regjimi” i familjes Gambino. Ai fitoi 10 milion dollarë në vit deri në vitin 2000, kur gruaja e tij u sëmur. Shkoi tek gjykatësit të tregonte gjithçka dhe në shkëmbim mori një zbutje të dënimit. Pas 30 muajsh u largua i pashqetësuar.
Si po rilind mafia në SHBA

Duan apo nuk duan qeveritë e vendeve më të fuqishme në botë, mafia ekziston, madje vazhdon punën e vet si gjithmonë dhe ky është një realitet që duhet pranuar nga të gjithë. Duhet pranuar nga populli i thjeshtë, nga qeveritë e tyre, por edhe nga njerëzit e drejtësisë, të cilët kanë bërë “luftë” për asgjësimin e mafies edhe pse plotësisht nuk ia kanë dalë asnjëherë. E, në të vërtetë janë po këta njerëz, që janë munduar t’i godasin me të gjitha format familjet e mëdha mafioze, që sot e pranojnë që puna e tyre në këtë drejtim është zbehur. Ata janë përqendruar më shumë te terrorizmi, që prej sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Amerikë. Ky ndryshim plani i policisë ka bërë që familjet mafioze që funksionojnë sot në të gjithë rruzullin, të marrin frymë lirisht dhe të veprojnë në qetësi dhe pa pengesa më mirë se vite e dekada më parë. Edhe pse disa familje mafioze supozohen të zhdukura, janë të paktën 40 të tjera që funksionojnë më së miri.
Thënie të famshme mafioze:

-Mund të arrish shumë më tepër me një fjale të ëmbël dhe një pushkë sesa vetëm me një fjalë të ëmbël. – Al Capone

-Pyetje: “Willie, përse ti vjedh banka?”

Përgjigje: “Sepse aty janë lekët e mia” – Willie Sutton
-Ka gjithmonë tre anë të së vërtetës. E imja, e jotja dhe e vërteta. Joe Massino

-Në fund të fundit do vdesim të gjithë në burg. – Vincent Basciano

-Peshku me gojën mbyllur nuk kapet kurrë. – {I panjohur}

-Pak dhunë nuk dëmton njeri. – Benjamin Ruggiero
*******************

Shefat që drejtuan familjen “Outfit” pas vdekjes së gangsterit të Çikagos
Kush janë pasardhësit e familjes mafioze të Al Capone-s
Alphonse Capone lindi në Bruklin dhe prindërit e tij ishin emigrantë italianë. Ai u përfshi në bandën “Five Points” të familjes “Outfit”. Capone njihej si njeri shumë i dhunshëm, këtë e provon sidomos roli i tij në “orkestrimin” e masakrës së Shën Valentinit në vitin 1931, ku u vranë rivalët e tij kryesorë. Por kush e ka zënë vendin e Capone-s pas vdekjes së tij? Duhet theksuar se asnjëri prej tyre nuk ka atë popullaritet edhe pse drejtojnë familjen, në krye të të cilës ishte Al Capone. Në Çikago e thërrasin thjeshtë “The Outfit”. Fati i kësaj familjeje mafioze dhe përplasja e saj me historinë e Amerikës qëndrojnë në mënyrë të pabarabartë. Kjo familje e madhe i ka fillesat e saj në vitin 1930, kur depresioni i madh zhyti në ankth popullsinë e Çikagos, qytet ku llogariten shumë vendas italo-amerikanë. Al Capone ishte shefi i saj.

Historia e “Outfit”-it

Gjithçka ka nisur në një mënyrë jo shumë mizore, por që më vonë është kthyer në dhunë dhe terror në Çikago. Al Capone dhe djemtë e tij bindnin tregtarët lokalë të bulmetrave t’u jepnin disa mijëra shishe me qumësht çdo ditë famullive italo-amerikane për fëmijët shëndetligë. Më vonë ata mësojnë se fëmijëve po u jepej qumësht i thartuar. Capone ndjehet i zhgënjyer dhe këtu nis edhe zemërimi i madh i tij. Nisur nga kjo ai fton padronët e sindikatave të qumështit për të zgjidhur përfundimisht këtë problem. Kur Capone arrestohet, lobi i agro-ushqimorëve përpiqet të anulojë masën, e cila u kushton shtrenjtë. Por kuptohet se individi vlerësohet pak në familjen mafioze. Më pas gjërat rrodhën ndryshe. Mirësjellja dhe interesat vendore të asaj kohe e lidhin “Outfit”-in me historinë e vjetër të Amerikës, me masakrën e Shën Valentinit, Roaring Twentis, Scareface dhe Charleston. Por sot ka një “Outfit” të ri, kuptohet pa një Al Capone. Kjo familje është një organizim i sofistikuar që vepron në mënyrë të atillë, aq sa Capone nuk do ta kishte imagjinuar kurrë. Një strukturë më e zhdërvjellët, më e mprehtë, mbase edhe më përfituese se të mëparshmet. Në Çikago ekziston që nga fillimi një “Outfit” i dukshëm, publik, drejtuesit e të cilit janë të njohur. Pas Capone-s këtë familje e drejtoi Anthony Açardo deri në vitin 1992 kur vdiq nga pleqëria. Gjatë gjashtë dekadave ai e drejtoi familjen mafioze pa kaluar qoftë edhe një natë të vetme në burg. Por që nga viti 1994-1995 familja e Al Capones u drejtua nga shefa të rinj.
JOSEPH LOMBARDO

I njohur ndryshe si Joey the Clown. Ai është burgosur në vitet 1982-1992 dhe është liruar me kusht në vitin 2002.
JOHN DI FRANZO

I njohur ndryshe si “No Nose”. Për disa vite me radhë ai ishte një nga shefat më të fuqishëm të familjes “Outfit”.
JAMES MARCELLO

Marcello i njohur si Jimmi the Man. Ai është shef i operacioneve të përditshme pas daljes së tij nga burgu, ku kaloi 12 vjet.
*************

Nga Carlo Gambino, tek John Gotti dhe pasardhësit e tij
Si funksionon familja “Gambino”,  kush janë “shefat” e rinj
Carlo Gambino vinte nga një familje që kishte qenë pjesë e mafies prej shekujsh në Itali. Ai emigroi në SHBA, ku jetonte kushëriri i tij, Paul Castellano. Aty ai u bashkua me njerëzit e Lucky Lucianos. Në këtë kohë krijuan familjen më të madhe mafioze në Amerikë, familjen “Gambino”. Pasi vrau Anastasian, Carlo udhëhoqi me një grusht të hekurt deri sa vdiq. Vendin e tij e zuri John Gotti. Në vitet ’70 ai njihej si një nga gangsterët më të mëdhenj të New York-ut dhe më pas u bë kapo i trupës “Bergin”, pjesë e familjes Gambino, duke u shndërruar më pas në bosin më të madh të kësaj familjeje. Me vdekjen e John Gotti-t, në qershor të vitit 2002, ai u quajt nga mediat amerikane si “Kumbari i fundit”.

Shefat e rinj

Pak kohë pas vdekjes së Gotti-t, Gambinot zgjodhën shefin e ri, Arnold Squitier, i njohur ndryshe si “Zeke”. Njeri i fortë, i ashpër e i heshtur. Padroni i ri i familjes Gambino ka kaluar 11 vjet në burg pa nxjerrë asnjë fjalë. Sapo del nga burgu në vitin 1999, caktohet shef grupi për guximin e treguar. Djali i tij, Arnold “Bo” Squitier i Riu, dënohet me 15 muaj burg për mashtrime në Wall Street, në nëntor të vitit 2001. Sot familja Gambino ka 130 anëtarë dhe 21 shefa grupesh të njohura. Midis të cilëve, elementë shumë i rëndësishëm për një familje mafioze janë edhe shumë veteranë. Giussepe Arcuri, Pasquale “Patsy” Conte, i liruar në vitin 2001 pas 7 vitesh burg; John D’Amico, i liruar në vitin 2001 pas 20 muajsh burg; Frank Dapolito, i liruar në vitin 1998 pas 40 muajsh burg; George de Cicco, i hetuar; Thomas Gambino, i liruar në vitin 2000 pas një dënimi të shkurtër dhe Daniel Marino, i liruar në vitin 2000 pas 6 vitesh burg.

Funksionimi

Në zonën e tyre Gambinot gjithmonë praktikojnë kamatat, lojërat e ndaluara dhe shantazhin sindikal (ndërtim, punë publike, porte e magazina portesh, etj.) Gambinot përdorin gjerësisht bastisjet në Wall Street. Përveç New York-ut, së fundi, familja është aktivizuar edhe në Florida.
JOHN GOTTI

John Gotti dëshironte gjithnjë që të bëhej një njeri i fuqishëm. Në vitet ’70 ai u bë kapo i trupës “Bergin”, një pjesë e familjes Gambino e më pas shef i kësaj familjeje.
ARNOLD SQUITIER

I njohur ndryshe si “Zeke”. Njeri i fortë, i ashpër e i heshtur. Padroni i ri i familjes Gambino ka kaluar 11 vjet në burg pa nxjerrë asnjë fjalë.
DANIEL MARINO

Pas Thomas Gambino-s, familja Gambino u drejtua nga një shef i ri. Ai ishte Daniel Marino, i cili mendohet se është edhe sot në krye të Gambinove.
*******************
Si duhet të betohesh në Itali, Amerikë, Kinë, Japoni dhe Rusi, për t’u bërë mafioz


Kodet e funksionimit të mafies në botë


Ligjet e “Cosa Nostra”-s, “Triad”-it, “Yakutsa”-s dhe ruses

Nuk mjafton vetëm “dëshira e mirë” për t’u bërë pjesë e mafies, a më saktë e “Cosa Nostra”-s, “Triad”-it, “Yakutsa”-s apo mafies ruse. Përveç aftësive të caktuara që duhet të ketë një person që të mund të rekrutohet nga familja, ai duhet gjithashtu të kalojë dhe një sërë provash. E fundit e këtyre provave është prova e zjarrit, e cila aplikohet gjatë betimit. Në “Cosa Nostra” aplikohet një kod i tërë nderi, i cili shërben si rregullator i organizatës. Rregullat përbërëse të kodit të nderit janë bërë të njohura ndër vite nga të penduarit e mafies. Në një sentencë të dhënë nga Tommaso Buscetta-s, një prej anëtarëve të parë që ka thyer Omerta-n (kodin e heshtjes) ndër shumë ligjet e pashkruara që rregullojnë sjelljen mafioze, është dhe detyrim për të thënë gjithnjë të vërtetën kur flitet mes “burrave të nderit”. Jeta e “Cosa Nostra”-s (fjala mafie është një term letrar që nuk përdoret nga anëtarët e kësaj organizate) është e disiplinuar nga rregulla të ashpra të pashkruara, por të paraqitura gojarisht, të cilat rregullojnë organizimin dhe funksionimin e tërë organizatës. Ligjet e pashkruara dhe kodet e “Cosa Nostra”-s janë bërë herë pas herë të ditura nga të penduarit që vijnë prej këtyre radhëve.

Kode të tjera

Çdo bandë mafioze në Japoni quhet “Yakutsa”, por drejtohet nga krerë të ndryshëm. Në traditën e saj spikasin rituale shumë të vjetra si shumë kohë para viteve ’90. Riti i Sakazukishiki-t, është ceremonia e pranimit të çdo anëtari të ri, i cili betohet për besnikëri dhe devotshmëri duke pirë sakë nga gota e kryetarit. Riti i Irezumi-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave. Një mafie mjaft e fuqishme është edhe ajo kineze, ndoshta edhe nga më të vjetrat. Edhe ajo funksionon sipas një kodi dhe disa ligjeve të pashkruara. Quhet “Triad” dhe daton që në fillimet e shekullit XVII. Në shqip do të thotë treshe, është organizata më e fuqishme mafioze për trafikun e drogës. “Triad”-a kineze është marrë si shembull konkurrimi për mafien ruso-aziatike. Anëtarët e kësaj organizate kanë instaluar baza operative për trafikimin e heroinës në Hong Kong, Singapor dhe Bangkok.
KODI I “COSA NOSTRA”-s

Të hysh në mafien siçiliane është mjaft e vështirë. Pikësëpari, është detyrim absolut të jesh siçilian nga nëna dhe babai, i seksit mashkull dhe katolik. Ndërkohë nuk pranohen djemtë e policëve dhe ata të gjykatësve, djemtë e paligjshëm ose nga prindër të ndarë, djemtë ose vëllezërit e grave “të lehta”, komunistët apo djemtë e militantëve komunistë, homoseksualët, djemtë e “njerëzve të nderuar” të vrarë nga mafia, në mënyrë që të shmanget hakmarrja brenda mafies. Në çastin e pranimit, anëtari i ri i “Cosa Nostra”-s deklaron kodin e nderit që vijon: Të mos ua hedhë sytë grave të njerëzve të nderuar, të mos vjedhë e të mos u jepet kodoshllëqeve, të mos vrasë njerëz të nderuar, pa urdhër të prerë e të motivuar. Gjithashtu, të mos flasë kurrë për “Cosa Nostra”-n në prani të civilëve, të mos paraqesë kurrë veten si njeri të nderuar, qoftë edhe para njerëzve të tjerë të nderuar, të respektojë “Omerta”-n. Më pas ai i nënshtrohet ritualit të pranimit. Sipas një gjykatësi të Palermos, ai çohet në një vend të izoluar, në prani të tre njerëzve të nderuar e më i vjetri ndër ta thotë se kjo gjë shërben për ta mbrojtur. Pastaj i riu shpon gishtat derisa gjaku të pikojë mbi figurën e një shenjti që e mban në dorë, ndërsa ajo digjet. Ai duhet të durojë dhimbjen e të betohet: U djegsha si kjo figurë e shenjtë e spërkatur me gjakun tim, nëse tradhtoj betimin tim!
KODI I “TRIAD”-it

Anëtarët e “Triad”-it janë të lidhur mes tyre me anë të një sistemi të ndërlikuar ritesh sekrete, betimesh, fjalëkalime, ceremoni, ku përziejnë gjakun me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për një lloj vëllazërie. Ceremonia e vëllezërve të pranuar realizohet nëpërmjet një betimi, i cili thuhet me 36 premtime. Sekreti i “Triad”-it: Të mos përçmojë ligjet dhe zakonet e shoqërisë, të mos futë aty të huaj, të mos u japë atyre sekretet. Dimensioni social: Betohuni të mos shtypni të dobëtit me anë të forcës, të varfrit me anë të pasurisë dhe as pakicën me anë të mashtrimit. Ndihma e ndërsjellë: Nëse një anëtar i vëllazërisë ndodhet në vështirësi të mëdha, shpëtojeni me zemërgjerësi. Respekti për vlerat tradicionale të familjes: Betohuni se nuk do të prekni gruan, vajzën apo motrën e një vëllai. Të shkelësh këtë betim do të thotë të përballesh me të këqija të tmerrshme: Trupat tuaj do të copëtohen thela-thela. Do të vdisni nga kafshimi i tigrit apo i gjarprit. Do t’ju djegë rrufeja.
KODI I “YAKUTSA”-S

E shfaqur këtu e dy shekuj më parë, mafia më tradicionaliste japoneze themeloi legjendën e saj në kodin e nderit “Otokogi”, që do të thotë shpirti i njeriut dhe “Ninkyo”-n, që do të thotë mbrojtje kalorsiake e të dobëtëve, paprekshmëri e civilëve. Kodi i “Yakutsa”-s: Bindu në çdo rrethanë shefit (oyabun)) dhe përgjegjësve të tjerë; kurrë mos trego sekretet e klanit kriminal; ji gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur nderin e klanit; kurrë mos hezito të rrezikosh jetën për të, kur ky është duke luftuar me klane të tjera apo me policinë; stërvitu çdo ditë në artet luftarake dhe mëso të mposhtësh dhimbjen; në rast lufte, ndërhy sa më fort të jetë e mundur, mos i kërko kurrë ndihmë policisë; mos shko me gruan e kolegut; shmang gratë e dala nga llumi; mos pi alkool; kur gabon, kërko falje me veprime, jo me fjalë. Riti i “Irezumi”-t ose tatuazhi, i cili duke qenë se është i ndryshëm për çdo bandë, dëshmon përkatësinë e anëtarëve të bandave.
KODI I MAFIES RUSE

Në mjedisin kriminal rus norma dhe rregulli nuk burojnë nga një kolektiv dhe aplikohen vetëm nga individë, ato mjaftohen të fiksojnë raportet me keqbërësit e tjerë dhe i referohen vetëm një mjedisi kriminal abstrakt e jo më një familjeje thuajse mistike. Anëtarët e rinj të mafies ruse janë vëllazëri e zgjedhur të burgosurish, e krijuar me siguri në fund të shekullit XIX. Këta persona përcaktohen me zgjedhje (me udhëzim nga lart, në të kundërt me Siçilinë); titulli “Vor” është një dallim individual kurorëzimi i një jete “shërbimesh të mira të ndershme” kriminalësh. Kodi i nderit rus ka 18 pika, ku më të rëndësishmet janë: Të shkëputet nga familja, e të mos ngrejë familje më vete; kurrë të mos punojë, por të jetojë vetëm me vjedhje; solidaritet me hajdutët e tjerë; t’i përmbahet ligjit të heshtjes; të pranojë fajin në rast arrestimi, që të mbrojë bashkëpunëtorët; të përdorë zhargonin e hajdutëve; të paguajë borxhet e bixhozit; të krijojë vjedhës të rinj, etj.
Korleone, kryeqendra e mafies

Nga Mikele Navarra tek Luciano Lixhio, Toto Riina deri tek Bernardo Provencano. Kjo është konsideruar si Saga e Korleonezëve. Bëhet fjalë për një sagë kriminale, për një sagë të nivelit më të lartë të krimit të organizuar, më të egër, më të pamëshirshëm, që ka kaluar gjithfarë limitesh që mund të kapë mendja njerëzore. Korleone, një qytet i vogël sicilian, pranë Palermos, që me të drejtë është konsideruar si vendi ku realiteti tragjik dhe trillimi kinematografik, kanë vendosur kryeqendrën e “Cosa Nostras”.

Google+ Followers