A e ke lidhur qenin?


Marrëdhëniet e shqiptarëve me kafshën besnike përgjatë historisë analizohen në këndvështrim historik nga Fatos Baxhaku. Nga trajtimi i ashpër deri te gjakmarrja e shkaktuar për vrasjen e një qeni
HISTORI/FOLKLOR
FATOS BAXHAKU

Margaret_Hasluck

Margaret Hasluck



Kush mendon se ne shqiptarët kemi një ide të mbrapshtë për qentë, apo e kemi pasur dikur atë, e ka fort gabim. Jo vetëm sepse tani që qentë janë bërë banorë të zakonshëm të shtëpive, oborreve dhe parqeve tona, madje me të drejta të plota, jo vetëm se askush nuk merret më me qentë e rrugës (përkundrazi merren ata me ne), por edhe sepse tradita e respektimit të këtij miku të vjetër të njeriut është shumë e lashtë. Ajo shkon deri në thellësinë e shekujve, atëherë kur të dy palët bashkë, shqiptarë e qen, ruanim bagëtinë ndër pllaja malesh të lartë.Respekti për qenin është dokumentuar në të gjitha botimet që janë bërë deri më sot mbi të drejtën kanunore, por më gjerë e më gjatë është marrë me të një mikeshë e vjetër dhe e nderuar e shqiptarëve. Margaret Hasluck, jetoi për 13 vjet me radhë (përgjatë viteve ’30) në Shqipëri. Ishte mikeshë e ngushtë e Lef Nosit. Në Elbasan ende të vjetrit kujtojnë “shtëpinë e ingleskës”. Prej këndej ajo ndërmori shumë udhëtime nëpër Shqipëri duke mbajtur shënim me durim, zakone, gjendje, histori, legjenda…
Margaret Hasluck ishte vajzë e një fermeri skocez. Ajo lindi më 1885-n. Studioi në Aberdin dhe Kembrixh. Pas kësaj u emërua në Shkollën Britanike të Athinës, ku u njoh dhe u martua me F. Hasluck, që asokohe ishte drejtor i shkollës. Më 1920-n, F. Hasluck vdiq në Zvicër dhe vejusha e re iu kushtua udhëtimeve në Lindjen e Mesme dhe Ballkan. Përfundimisht u vendos në Shqipëri, ku qëndroi deri më 1939-n, vit në të cilin u detyrua të largohej nga pushtimi fashist i Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shërbeu në shtabin aleat në Aleksandri, ku kishte për detyrë të instruktonte grupet e desantëve britanikë që zbarkonin në malet shqiptare. Vdiq në Dublin nga leucemia më 1948-n, ndërsa po punonte për librin e saj “Kanuni shqiptar”.
Tani, le t’u kthehemi qenve tanë duke u nisur nga ato që zonja Hasluck ka lënë pas. Sipas saj, kanuni i klasifikonte qentë në qen të lidhur, qen stani, qen gjahu dhe qen shtëpiakë. Të parët mbahen të lidhur gjatë ditës dhe lëshohen të lirë vetëm gjatë natës. Kategoritë e tjera ishin të zgjidhur gjatë gjithë kohës.
Qentë e lidhur dalloheshin për egërsinë e tyre të paparë. Ata nuk përkëdheleshin kurrë, nuk kishin dëgjuar kurrë një tingull përkëdhelës, madje keqtrajtoheshin në mënyrë që të ishin gjithnjë me nerva të acaruara. Ata ushqeheshin keq, ishin vazhdimisht të uritur dhe mbaheshin të lidhur në disa kolibe të bëra me kallama e baltë. Hasluck tregon se numri i qenve të lidhur ishte në varësi të gjendjes ekonomike të të zotit të shtëpisë. I famshmi Cen Elezi i Dibrës, kishte më shumë se 30 të tillë. Ata mbaheshin të lidhur gjatë ditës në një gropë ku u hidhej ushqimi. Njihnin vetëm kujdestarin e tyre. Përveç tij askush tjetër nuk mund t’u afrohej atyre. “Nëse vetë Ceni, apo djemtë e tij, kuturisnin jashtë pasi binte nata, këto shtazë të egra do t’i copëtonin”, shkruan Hasluck.
Qeni bëhej me faj, në bazë të ndërrimit mes ditës dhe natës. Ndryshe gjykohej një qen nëse kafshonte një të panjohur ditën dhe ndryshe natën. Kafshimi shumë herë çonte në gjakmarrje. Hasluck shkruan: “Nëse gjatë ditës qeni i shtëpisë përpiqet ta kafshojë të huajin, ky i fundit mund ta vrasë qenin pa pësuar ndonjë ndëshkim. Dita është e udhëtarit, jo e qenit, kështu që të drejtën e ka ai, e jo qeni. Për të sulmuar të huajin, qenit i duhet të këpusë zinxhirin ose të shkulë hurin në të cilin është lidhur. Edhe i zoti ka faj, sepse s’është kujdesur që zinxhiri dhe huri të jenë të sigurt. Është për t’u shënuar se në Martanesh, i huaji dëmshpërblehej me 100 grosh. Gjithashtu nëse gjatë ditës, një qen rojë arrin ta kafshojë të huajin, i zoti duhet ta dëmshpërblejë atë, pavarësisht nëse vritet apo jo qeni. Në Dibër, i zoti i shmanget dëmshpërblimit të gjakut kur qeni i tij plagos udhëtarin. Nga veriu më piktoresk, të zotit i duhet që ta mbajë të lënduarin në shtëpi derisa të shërohet pa i dhënë ndonjë dëmshpërblim, përveç kësaj i duhet të paguajë mjekët deri në shërimin e plotë të tij, ndërsa të lënduarit i shlyen fitimin që do të nxirrte ky, po të ishte shëndoshë e mirë. Pasi veriorët ishin tepër të varfër, shpenzime të tilla bëheshin një barrë e tepërt. Prandaj herë pas here i kontrollonin zinxhirët dhe hunjtë dhe i çonin gratë për ta shoqëruar të huajin deri në fund të shtëpisë; burrat s’e kryenin vetë këtë detyrë, sepse s’ishin të paprekshëm si gratë ndaj pritave të hasmit. I varfëri, kur shikonte se qeni i tij po i vërsulej dikujt, nga dëshpërimi mund ta vriste qenin, duke menduar të keqen më të vogël. Qëllonte që burri të përpiqej për t’i ikur përgjegjësisë, duke bërtitur se ai nuk ishte evgjit që punonte për zinxhirë, por vetëm blerës, pasi s’e kish bërë enkas zinxhirin me defekt. Udhëtari mund t’ia kthente, se ai nuk ishte mish për qenin. Atëherë nxirrnin pistoletat dhe fillonte gjakmarrja. Përgjithësisht, i zoti i qenit, helm e pikë, e ftonte të lënduarin që të pranonte mikpritjen sipas ligjit”.
Natën ndryshonte puna. Nëse kuturiseshe të kaloje afër ndonjë shtëpie, duke e ditur se atje të presin qen të egër, atëherë e kishe punën pisk. Madje, nëse të kafshonte atëherë jo vetëm që nuk kishe asnjë të drejtë, por bëheshe edhe objekt talljeje të përgjithshme. Për një qen të shtëpisë të vrarë natën mund të bije në gjak njësoj sikur të kishe vrarë një njeri. Doket zakonore madje nuk bënin dallim nëse ishte vrarë një qen mashkull, apo qen femër, gjë të cilën e bënte në rastin e njerëzve.
Qeni në shumë raste ishte edhe objekt i vrasjes së qëllimtë. Në rast kur ai ishte vrarë në koliben e tij, atëherë ishte fare e qartë se vrasësi në këtë rast kishte vepruar për inat dhe aspak për vetëmbrojtje. Në këtë rast dënimet ishin shumë të rrepta. Shkruan Hasluck: “Qëllonte që gjakmarrja vazhdonte. Është regjistruar se një herë janë vrarë 12 vetë për shkak të një qeni. Në çdo vend burri që e falte menjëherë vrasësin e qenit të vet shpotitej si burrë i dobët. Në Lumë, i dyshuari për vrasjen e një qeni rojë, që e patën gjetur të ngordhur, krim që kushtonte sa vrasja e një njeriu, nuk mund të dilte i pastër derisa të mos bindte njëzet e katër pleq që të betoheshin për të.”
qen stani

Google+ Followers