Australia: Jeta e mirë e ka një çmim


Mineralet e bollshme të nëntokës dhe qeverisja e mirë e kanë bërë Australinë një vend shumë të pasur. Një minator fiton më shumë para sesa një mësues dhe vlerat janë përmbysur. Por ndërkohë, bumi ekonomik ka sjellë edhe çmime të frikshme të mallrave të domosdoshëm
Madeleine Morris 



Australia ka arritur të dalë nga kriza botërore financiare pa rënie ekonomike. Por si rrjedhojë e ekonomisë së saj në lulëzim, kostoja e jetesës është tmerrësisht e lartë. Qenë limonët e athët ata që e mbushën kupën.
Në fshatin e përgjumur australian anash detit ku jetojnë prindërit e mi, jo shumë larg nga një zonë e madhe e mbuluar me agrume, unë hy në supermarket dhe lexoj një etiketë:
Limmona: $2.25.
Dy dollarë australianë e njëzet e pesë cent.
Kjo është plot 2.3 dollarë amerikanë. Dhe jo për një qese apo për një kile. Thjesht për dy limona. Secili prej tyre kushtonte 1.15 dollarë. E zemëruar, unë dal nga dyqani pa i blerë.
“Ky vend e ka humbur fare”, i shpërtheva nënës dhe babit tim gjatë darkës atë natë. “Si mundet që dikush të ketë mundësi të ushqehet në këtë vend me këto çmime”?
“Vogëlushe”, m’u përgjigj babai. “Shiko përreth. Njerëzit po lundrojnë mbi para. Ne jetojmë në një vend të pasur në nivele të pabesueshme”.
Ai ka të drejtë. Në 12 vjet që unë e kam bërë Australinë shtëpi, ky vend ka ndryshuar. Ai është shumë fatlum, i bekuar me tokë pjellore, rreze diellore të bollshme dhe burime natyrore bujare.
Tashmë, ne jemi më shumë sesa me fat. Ne jemi të pasur. Shumë të pasur. Aq të pasur sa askujt nuk i bën përshtypje kur paguan kaq shumë para për një kokërr të vetme limoni, sa fqinjët tanë në Azi duhet të punojnë gjithë ditën për t’i fituar.
Dhjetë vjet më parë, asnjë qytet i vetëm në Australi nuk qe në listën e 50 qyteteve më të shtrenjta në botën ku jetojmë. Tashmë tre prej tyre janë mes 15 qyteteve më të shtrenjta në planet. Dhe këtë mund ta ndjesh, mjafton të hysh në një supermarket apo të shohësh detaje të tjera.
Për shembull, nuk ka mbeturina në rrugë. Askund. Dhe unë duhet të shoh gjithashtu një rezervat të rëndësishëm ku bari nuk i është nënshtruar përkujdesjes dhe shkurret tërheqëse nuk janë krasitur në perfeksion.
Pastaj janë makinat. Betohem se nuk gjen dot asnjë makinë në rrugë që është më e vjetër se tetë vjet. Ato janë të pastra dhe të pagërvishtura dhe përmbushin standarde sigurie shumë të rrepta.
Pastaj është fiksimi me panairet e degustimit të ushqimit, pajisjet elektroshtëpiake të shkëlqyeshme europiane në kuzhinat e dizajnuara për mrekulli dhe që janë tipike për pothuajse çdo familje mesatare.
Është edhe serioziteti i kafesë me origjinë unike që përgatitet nga barmenë ekspertë, e cila mund të kushtojë deri në 20 e më shumë dollarë për filxhan.
Natyrisht që edhe këtu ka varfëri dhe hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po rritet. Por ndjesia e përgjithshme është se ky është një vend që mund t’ia lejojë vetes të shqetësohet për gjëra të vogla për shkak se gjërat e mëdha, – ushqimi, banesa, uji e punësimi janë të bollshme dhe sakaq të zgjidhura.
Australia është një nga vendet e pakta të zhvilluara që erdhi nga kriza botërore financiare pa një recesion. Ajo qe si pasojë e menaxhimit të kujdesshëm ekonomik të qeverisë gjatë dekadës së fundit, por një faktor shumë i rëndësishëm është industria e stërmadhe minerare e vendit që po lulëzon pa fund.
Bota, në veçanti, Kina, dëshiron atë që Australia ka në nëntokën e vet. Dhe bota është e gatshme të paguajë për të. Dhe unë ndiej se vendi ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme.
Fshati i përgjumur anash detit i prindërve të mi dikur banohej nga pensionistë dhe familje peshkatarësh. Tashmë ne e ndajmë pabin e vetëm me qindra punëtorë minierash, të cilët vijnë gjatë ditëve të pushimit për të djegur paratë në pije dhe në makinat elektronike të bixhozit që sapo janë instaluar.
Peizazhi është i tejmbushur me varka peshkimi, motorë uji e lodra të tjera djemsh.
Ne i quajmë ata “bogan përplot me kesh”, gjë që përkthehet afërsisht si “qafëkuqtë e qytetit.” (Qafëkuqtë në anglishten amerikane janë fshatarët, të cilëve u është skuqur qafa gjatë punës në fushë). Ata kanë shumë para dhe jo shumë kuptim për jetën.
Kjo është një sharje që ne të shtresës së mesme e përdorim për të ngushëlluar veten, sepse jemi më të arsimuar, por krahasimisht më të varfër. Unë nuk jam e vetmja që kam një diplomë universitare që do të dëshironte më shumë të ndiqte një kurs për drejtimin e një kamioni.
Natyrisht unë ndoshta do të mërzitesha nga dhënia e kamionit, por së paku do të kisha mundësi të blija një shtëpi.
Unë e pyeta shoferin e taksisë një ditë nëse ai mendon se australianët janë të pasur. Ai qe emigrant nga Turqia. Ai më pa me mosbesim a thua se isha budallaqe. “Ju po jetoni në kulm të luksit këtu”, tha ai.
Pas kësaj e pyeta nëse ai mendonte se australianët janë të lumtur. Këtë herë ai mori frymë thellë.
“Kur unë isha në shkollë, mësuesi im na pyeti se kujt i duhet të punojë më shumë, një afrikani të varfër apo një amerikani të pasur”, tregoi ai. “Shumë prej nesh thanë se qenë afrikanët, por mësuesi na tha, jo, janë amerikanët. Ata gjithmonë janë duke punuar për të gjetur mënyra për të paguar jetën e tyre të shtrenjtë. Australianët janë sot si amerikanët”.
Kjo qe shumë bindëse. Si një vend, ne jemi më të pasur nga sa mund ta imagjinonim 20 vjet apo madje edhe 10 vjet më parë. Por ne jetojmë gjithashtu edhe me më shumë ankth, të shqetësuar për borxhin tonë publik që nuk ekziston, të shqetësuar për atë se çfarë do të bëjmë kur bumi minerar të marrë fund, gjë që një ditë me të vërtetë do të përfundojë.
Ne jemi të shqetësuar se si do t’ia bëjmë të paguajmë pushimet tona të ardhshme jashtë vendit, sepse kjo praktikë është bërë kaq normale për ne sot. Sa për mua, unë jam veçanërisht e shqetësuar që disa pemë limoni që unë sapo i mbolla në kopshtin tim të rriten të shëndetshme, sepse unë sigurisht e kam ndarë mendjen të mos blej limona në supermarket, jo me atë çmim.
Australia: Jeta e mirë e ka një çmim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP
Abonohuni me Email

Google+ Followers