Varrezat bërthamore të Arktikut



Rikthim te trashëgimia e Luftës së Ftohtë

Laurence Peter



nendetesetTrashëgimia toksike e Luftës së Ftohtë vijon të jetojë në zonën Arktike të Rusisë, ku ushtria sovjetike hoqi qafe shumë pajisje radioaktive në det. Për më shumë se një dekadë, qeveritë perëndimore kanë ndihmuar Rusinë të heqin lëndën bërthamore nga nëndetëset e nxjerra në pension dhe të vendosura në doket e një porti në Gadishullin Kola – rajoni më pranë Skandinavisë.

Por më tej në lindje, gjendet një nëndetëse e paprekur në fund të detit Kara, ndërsa lënda e saj e përbërë nga uranium i pasuruar përbën një minë me sahat, e rrezikuar të shpërthejë.

Këtë vit, autoritetet e Rusisë dëshirojnë të shohin nëse nëndetësja K-27 mund të ngrihet në sipërfaqe, në mënyrë që uraniumi, – që është vulosur brenda reaktorëve, të mund të hiqet.

Ata kanë gjithashtu në plan të vëzhgojnë shumë objekte të tjera bërthamore të hedhura në det, në një zonë ku kompania gjigante ruse e energjisë “Rosneft” dhe partneri i vet amerikan “Exxon Mobil” kanë filluar të kërkojnë për naftë dhe gaz.

Teste sizmike janë kryer dhe shpimi i puseve eksploruese ka gjasa që do të fillojë vitin e ardhshëm. Për këto arsye, Rusia nuk dëshiron që të ketë ndonjë rrjedhje bërthamore që të mund të rrezikojë zhvillimin e impianteve të nxjerrjes së naftës dhe gazit. “Rosneft” vlerëson se energjia fosile në det të hapur pranë brigjeve arktike të saj mund të arrijë në mbi 21.5 miliardë tonë.



“Detyrim strategjik”



Rajoni i Detit Kara është shumë pak i populluar, tmerrësisht i ftohtë dhe i ngrirë për pjesën më të madhe të vitit. Klima armiqësore mund ta bëjë shumë të vështirë pastrimin e naftës në rastin e ndonjë aksidenti rrjedhjeje, thonë aktivistët për mbrojtjen e mjedisit.

Rreziqe të tilla u bënë më të dukshme së fundmi nga aksidenti në Kulluk, në Alaskë, ku një anije shpimi e kompanisë “Shell” u përplas në breg nga një stuhi. Megjithëse nuk pati rrjedhje nafte dhe as dëmtime të rënda, tërheqja e anijes në det ishte shumë e vështirë për shkak të dimrit të ashpër arktik.

Por Charles Emmerson, specialist për Arktikun në një qendër kërkimore, thotë se shpimi për energji në Arktik është “domosdoshmëri strategjike” për Rusinë, e cila bazohet shumë ekonomikisht në eksportin e naftës dhe gazit.

Është një prioritet shumë më i madh për Rusinë se sa është energjia e Alaskës për SHBA-në, thotë ai, pasi SHBA tashmë ka një burim të ri energjetik, gazin argjilor që është i bollshëm. Ndërkohë, në SHBA shqetësimet mjedisore për rrezikun e rrjedhjeve në Arktik, e bëjnë më të vështirë eksplorimin e Alaskës.

“Në SHBA, çdo lajm mbi Arktikun vihet në vëmendjen e publikut dhe kthehet në një çështje shumë politike, por në Rusi, nuk ka fare presion publik”.

Rusia po zhvillon me shpejtësi Gadishullin Jamal në bregun lindor të detit Kara për nxjerrjen e energjisë. Tërheqja verore e mbulesës së akullit të Arktikut, që besohet se është shenjë e ngrohjes globale, nënkupton që anijet për transportin e gazit të lëngshëm do të mund të marrin energjinë nga këtu për ta dërguar në Lindjen e Largët përmes Rrugës Veriore në të ardhmen.



Gropa sekrete



Në anën perëndimore gjendet një zonë ushtarake e mbyllur – arkipelagu Novaja Zemlja. Ky është vendi ku Bashkimi Sovjetik testoi bombat e para me hidrogjen mbi tokë, në vitet 1960.

Përveç nëndetëses K-27, të dhëna zyrtare tregojnë se ushtria sovjetike hoqi qafe sasi të stërmëdha mbetjesh bërthamore në detin Kara: 17 mijë kontejnerë dhe 19 anije me mbetje radioaktive, si dhe 15 reaktorë bërthamorë, 5 prej të cilëve mbajnë lëndë radioaktive të përdorur dhe gjithsesi të rrezikshme. Mbetjet e lëngshme më pak të dëmshme derdheshin në det.

Ekspertët e Norvegjisë dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA) janë për momentin të kënaqur për faktin se nuk ka prova për rrjedhje radioaktive dhe se prania e radioaktivitetit në det në këtë zonë është në nivele normale.

Ingar Amundsen, një zyrtar në Autoritetin e Norvegjisë për Mbrojtje nga Radiacioni, thotë se janë të nevojshme më shumë kontrolle. Rreziku i rrjedhjeve përmes korrozionit të shkaktuar nga uji i detit është i lartë në vitet e ardhshme dhe kjo është një situatë veçanërisht e rrezikshme në rastin e nëndetëses K-27.

“Ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë që atje ka më shumë mbetje për të cilat ne nuk dimë asgjë”, thotë ai. Igor Kudrik nga grupi mjedisor i Norvegjisë “Bellona”, thotë se madje ka edhe një rrezik që korrozioni të shkaktojë një reaksion bërthamor zinxhir në rastin më të keq të imagjinueshëm.



Anije të tjera të mbytura



Me ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare, Rusia mendoi të ngrejë nga fundi i detit nëndetësen e mbytur Kursk, pasi ajo humbi në detin Barents gjatë stërvitjeve në vitin 2000. Shpërthimi i një torpedoje dhe një zjarr vrau 118 marinarë në një tragjedi që u mbulua gjerësisht nga media ndërkombëtare. Marina e Rusisë u akuzua se ishte shumë e ngadaltë në marrjen e masave për shpëtimin e jetëve.

Por një nëndetëse tjetër fatkeqe me energji bërthamore, – K-159 – mbetet në fund të detit Barents në ujërat ndërkombëtare.

Në detin e Norvegjisë gjendet nëndetësja tjetër K-278 Komsomolets, për të cilën ekspertët kanë rënë në mendimin se është tepër thellë dhe nuk mund të nxirret dot.

Amundsen thotë se Rusia më në fund po i jep vëmendjen që duhet problemit të mbetjeve radioaktive dhe se ai është shumë i lumtur që Moska po fokusohet në zgjidhjen e problemit.

K-27 ishte një nëndetëse eksperimentale – e para në marinën sovjetike që vihej në lëvizje nga dy reaktorë bërthamorë që ftoheshin me metal likuid bismuth plumbi.

Katastrofa erdhi më 1968, kur gazrat radioaktivë shpëtuan nga një nga reaktorët, duke helmuar anëtarët e ekuipazhit që u përpoqën ta riparojnë atë në det.

Nëntë detarë u vranë nga sëmundjet e shkaktuara nga radiacioni, por ushtria sovjetike e mbajti ngjarjen sekret për shumë dekada.



Mbledhja e të dhënave



Marina sovjetike hoqi dorë nga përpjekjet për ta riparuar K-27 dhe e mbyti atë ilegalisht më 1981 në brigjet e Novaja Zemlja. Ajo gjendet sot vetëm 30 metra nën sipërfaqen e detit – megjithëse rregullat ndërkombëtare thonë se anijet e braktisura duhet të varrosen në së paku 3 mijë metra thellësi.

Shtatorin e kaluar, një ekspeditë e përbashkët Norvegji-Rusi ekzaminoi skeletin e anijes me një robot të komanduar në distancë dhe të pajisur me një kamera. Disa vende të tjera të hedhjes në det të materialeve bërthamore u ekzaminuan gjithashtu dhe nuk u zbuluan shenja rrjedhjeje, por hetimet po vijojnë më tej.

Përtej detit Kara, Rusia po punon për t’i paraprirë eksplorimit të tabanit të detit në Arktik, duke mbledhur të dhëna për të ngritur pretendime territoriale për zona përtej ujërave të veta.

Vende të tjera në kufijtë e Arktikut po bëjnë të njëjtën gjë, të ndërgjegjshëm për rëndësinë e egërsisë së ngrirë për planetin tonë, tashmë që burimet energjetike më të lehta për shfrytëzim po shterojnë. Një zyrë e OKB-së, e cila funksionon në bazë të Konventës së OKB-së për Ligjin e Detit (UNCLOS) do të gjykojë mbi pretendimet konfliktuale.

Por ndërkohë, për të theksuar edhe më shumë prioritetin e vet strategjik, Rusia po rrit praninë e saj ushtarake në Arktik dhe Flota e Veriut po merr një gjeneratë të re nëndetësesh, të armatosura me raketa të shumta bërthamore.



Yuri Dolgoruky

Nëndetësja e re ruse, një mostër e sigurt



Marina e Rusisë mori në dorëzim pak ditë më parë një nëndetëse të re të pajisur me raketa atomike, e cila është plotësuar edhe me një kapsulë shpëtimi, për të shmangur përsëritjen e tragjedisë së nëndetëses Kursk në vitin 2000.

Nëndetësja Yuri Dolgoruky është e para nga gjenerata e nëndetëseve Borei të Rusisë, me 16 raketa balistike interkontinentale në bord. Ajo ka një ekuipazh prej 107 vetash.

Kostoja e ndërtimit ishte 23 miliardë rubla (757 milionë dollarë). Rusia planifikon të ndërtojë edhe tetë nëndetëse të tjera të gjeneratës Borei deri në vitin 2020.

Në vitin 2000, një shpërthim në nëndetësen Kursk vrau 118 marinarë në Arktik. Televizioni rus “Vesti” thotë se Yuri Dolgoruky ka një kapsulë që është në gjendje të mbajë të gjithë ekuipazhin nga thellësitë e detit dhe ta dërgojë atë në sipërfaqe në rast emergjence.

Raketat në bord kanë koka atomike të shumëfishta dhe janë në gjendje të përshkojnë deri në 8 mijë kilometra. Nëndetësja e re u ndërtua në bazën detare të Severodvinskut në Arktik. Ajo raportohet se është më e qetë se sa nëndetëset aktuale të flotës ruse dhe mund të zhytet deri në një thellësi prej 450 metrash.

Rusia ka një plan modernizimi për marinën ushtarake, që pritet të kushtojë 4.5 triliardë rubla. Ajo do të shtojë 51 anije të reja lufte dhe 24 nëndetëse brenda dekadës së ardhshme.

Nëndetësja e re ka emrin e një princi mesjetar të Rusisë. Ajo është 170 metra e gjatë dhe 13 metra e gjerë në mes.

Projektimi i saj nisi në vitin 1996, por ndërtimi u vonua shumë si pasojë e vështirësive ekonomike të Rusisë gjatë atyre viteve. Në vitin 2007, Putin akordoi mbi 40 për qind të të gjithë buxhetit të armatimeve të flotës për këtë nëndetëse me dëshirën për ta hedhur atë në det para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2008 dhe për të realizuar në këtë mënyrë një sukses propagandistik. Nëndetësja e dytë e këtij lloji, Alexander Nevsky, do të vendoset në shërbim të flotës ruse të oqeanit Paqësor.

Këtë vit, autoritetet e Rusisë dëshirojnë të shohin nëse nëndetësja K-27 mund të ngrihet në sipërfaqe, në mënyrë që uraniumi, – që është vulosur brenda reaktorëve, të mund të hiqet

Rusia po zhvillon me shpejtësi Gadishullin Jamal në bregun lindor të detit Kara për nxjerrjen e energjisë. Tërheqja verore e mbulesës së akullit të Arktikut, që besohet se është shenjë e ngrohjes globale, nënkupton që anijet për transportin e gazit të lëngshëm do të mund të marrin energjinë nga këtu për ta dërguar në Lindjen e Largët përmes Rrugës Veriore në të ardhmen

Marina sovjetike hoqi dorë nga përpjekjet për ta riparuar K-27 dhe e mbyti atë ilegalisht më 1981 në brigjet e Novaja Zemlja. Ajo gjendet sot vetëm 30 metra nën sipërfaqen e detit – megjithëse rregullat ndërkombëtare thonë se anijet e braktisura duhet të varrosen në së paku 3 mijë metra thellësi.




Google+ Followers