MAKIAVELI Gjeniu politik


Jeta e Niccolo Machiavellit shpjegon më mirë se çdo gjë tjetër mendimin e tij. Ai lindi në Firence, në vitin 1469. Babai, Bernardo, ishte një noter që jetonte në kushte modeste ekonomike, por me interesa shumë të gjallë kulturorë, dhe ishte këmbëngulja e tij që e afroi të birin me leximin e parë të klasikëve. Është një formim jo tërësisht humanist, por më pranë ambienteve borgjeze dhe tregtare të qytetit: një rini e gjallërishme dhe pothuajse e shthurur, gjatë të cilës Niccolo mori prej miqve të tij nofkën “la Machia” (Njolla).
Janë vitet e shkëlqimit maksimal të Firences, në kohën e Lorencit të Mrekullueshëm. E megjithatë, i riu Niccolo do të duhej që të eksperimentonte shumë shpejt bazat e brishta, si dhe të kuptonte se cila është fuqia e fatit në zhvillimin e gjërave njerëzore. Pak kohë pas vdekjes së Lorenzos (1492), ku mbërriti në Itali Karli VIII i Francës (1494), pushteti medikeas pësoi një shembje, i vërshuar nga një revolucion popullor që do të favorizonte ngjitjen e një Republike teokratike, udhëhequr nga një frat i vrullshëm dhe vizionar, Girolamo Savonarola. Niccolo nuk u përfshi në ato ngjarje që shkaktuan jo pak konfuzion, e që do të kulminonin me rënien e Savonarolës, si dhe ekzekutimin e tij në turrën e druve në sheshin e Sognoria (1498): për të frati nuk ishte gjë tjetër veçse një “profet i çarmatosur”.
Republika do të rilindte mbi baza laike, drejtuar nga një gonfalonier (Pier Soderini, që i përkiste një prej familjeve më me famë), e bashkëndihmuar nga dy kanceleri. Në krye të njërës prej tyre thirret një humanist, Marcelo Virgilio Adriani, që kish qenë edhe mësues i Macchiavellit; pikërisht në këtë rast Niccolo, pothuajse tridhjetëvjeçar, ftohet që të marrë pjesë në jetën politike të qytetit të tij, si sekretar i kancelerisë së dytë.
Është fillimi i një periudhe të jashtëzakonshme që do ta shohë të angazhuar mbi të gjitha në frontin diplomatik ndërkombëtar, për t’i garantuar qytet-shtetit të tij një hapësirë autonomie dhe mbijetese, në vorbullën e luftërave të Italisë. Pas një misioni në Forli pranë princesësh së fortë Caterina Sforza (1499) Niccolo projektohet menjëherë në teatrin e madh të politikës evropiane: në udhëtimin e parë në Francë, në oborrin e Luigjit XII, përpiqet që të sigurojë ndihmë në luftën kundër Pizës (1500), e cila do të dorëzohej vetëm në vitin 1509, pikërisht falë ndërmjetësimit të Machiavellit.
Në vitin 1501 ai martohet me Marietta Corsinin, nga e cila do të kishte shumë pasardhës, dhe me të cilin do ta mbajë përherë të lidhur një dashuri e madhe, pavarësisht aventurave të shumta pasionante. Që nga viti 1502 do të bëhej këshilltari kryesor i gonfalonierit Pier Soderini. Bashkë me të vëllanë e Pieros, Francesco Soderini, zhvilloi në vitet 1502-1503 misionin e tij më të vështirë dhe ndoshta atë prej të cilit mësoi më shumë, pranë Cesare Borgias, i quajtur duka Valentino: duke përfituar nga mbështetja e babait, papa Aleksandri VI, ai po zgjeronte një shtet të fortë personal mes Marche-ve dhe Romagna-s. Machiaveli shkoi pranë tij në 1502 në Urbino (ku Valentino sapo kishte rrëzuar dukën legjitim Guidobaldo da Montefeltro), dhe më pas, në janar të vitit 1503 do të bëhej dëshmitar i masakrës së egër të Senigallias, në të cilën u tërhoqën nëpërmjet mashtrimit dhe u vranë të gjithë armiqtë kryesorë të dukës.
Një periudhë e trazuar, që megjithatë i mundësoi Macchiavellit që të shihte në mënyrë të drejtpërdrejtë një aksion politik të dhunshëm dhe të shfrenuar, të një pushteti pa maska. Në letrat e tij drejtuar zotërinjve fiorentinë, sekretari nuk arrin të fshehë një farë admirimi për Valentinon. Pikërisht në këta muaj ai do të takonte inxhinierin ushtarak të Dukës, Leonardo da Vincin, që më vonë Niccolo Macchiavelli do ta takonte edhe në Firence, duke e favorizuar në “tenderin” për pikturën e madhe të “Betejës së Anghiarit”.
Rënia e Princit
Ashtu siç kishte qenë shumë e shpejtë ngjitja, e favorizuar nga fati, po kështu kaq e shpejtë ishte edhe rrokullima teposhtë e Valentinos, pas vdekjes së papës Borgia në gusht të vitit 1503. Niccolo do të dërgohej në Romë për konklavën që do të zgjidhte papën luftarak Giulio II, kthehet disa herë në Francë, më pas në Mantova, në Sienë, në ndjekje të papës dhe të perandorit Massimiliano të Habsburgëve në Insbruk dhe në Verona (1509). Eksperienca e atyre viteve dramatikë i ka mësuar që një prej shkaqeve kryesorë të dobësisë së shteteve italianë qëndron në mungesën e një ushtrie të lëvizshme dhe të komandueshme: princët shfrytëzojnë mercenarë, të cilët janë të gatshëm të ndërrojnë flamur nga një moment në tjetrin, si dhe luftëtarë të pabesueshëm. Lind kështu ideja (me burim Romën republikane) e ndërtimit të një ushtrie të Republikës fiorentine, e formuar nga populli dhe nga fshatarët, të stërvitur në mënyrën e duhur në përdorimin e armëve dhe formacionin ushtarak. Gjithë kjo punë për të shpëtuar lirinë dhe integritetin e Firences duket se rrëzohet në 1512.
Nga lavdia, tek tortura
Pier Soderini arratiset, De Medicit rihyjnë në qytet dhe Niccolo dëbohet nga kanceleria, madje burgoset dhe torturohet, me akuzën se ka marrë pjesë në një komplot. Për fat të mirë, kardinali Giovanni de Medici, bir i Lorenzos së Madhërishëm zgjidhet papë me emrin Leoni X, dhe amnistia i risjell lirinë Niccolos, i cili tërhiqet në qetësinë e shtëpisë së tij në fshat, Albergaccio në San Casciano.
Kohë e hidhur, vetmie, por edhe ndërmjetësimesh (për herë të parë pas shumë vitesh punë të palodhur) për çështjet bashkëkohore, si dhe për jetën e tij, prej ku edhe lind Kryevepra “Princi”. E megjithatë, Niccolo nuk arrin që të qëndrojë pa punë në vilën e tij, dhe dëshiron që të rikthehet e të jetë i dobishëm për qytetin e tij, në çfarëdolloj detyre, edhe ato më të voglat. Vazhdon që të jetë një mësues për patricët e rinj të mbledhur në vilën e familjes Rucellai (Orti Oricellari), duke propozuar për ta modelin politik dhe civil të romakëve të lashtë, tek “Diskutime për Dekën e parë të Tit Livit”. Pas vitit 1519 rivendos kontaktet me De Medicit që vlerësonin shkrimet e tij: komedia “Mandragola”, “Jeta e Castruccio Castracanit”, dhe traktati i “Artit të Luftës”.
I jepet ndonjë detyrë, por gjithmonë nga ato me peshë të vogël, në mos poshtëruese, si ajo e të dërguarit në qendrën e fretërve të vegjël në Capri, ajo që “Njolla” e quan me përçmim “Republika e nallaneve”. Në vitet e fundit Niccolo përqëndrohet në shkrimin e një vepre të madhe historike, “Historitë fiorentine”. Por politika e Klementit VII, armiqësore ndaj Karlit V dhe në favor të Francës, trash edhe më shumë skenarët e luftës. Në vitin 1527 ushtria perandorake sulmon Romën, ndërkohë që në Firence rikthehet republika. Niccolo ndërron jetë më 21 qershor 1527, ndërkohë që qyteti i tij përgatitej të përjetonte ekzistencën e fundit.
Kush ishte Princi i tij?
Mes të gjithë luftëtarëve dhe sovranëve të Rilindjes së hershme, Macchiavelli pikas “princin” e përsosur në atë që ka famë më të keqe. Po përse një fisnik mizor si Cesare Borgia u bë simbol i politikës më virtuoze republikane?
Macchiavelli e identifikoi Princin tek Cesare Borgia. E kish takuar një herë të parë në vitin 1501 kur, në kulmin e lavdisë, ai kishte pushtuar territoret e Firences. Më pas, si ambasador i Republikës fiorentine, kishte ndjekur fushatën kundër të besuarve të Magiones (1502-1503), gjatë të cilës Duka u shfaq i vendosur, i mprehtë dhe i paskrupullt. Në kapitullin e VII-të të “Princit”, Macchiavelli analizoi veprimet dhe rënien, e cila erdhi pikësëpari prej vdekjes së Papës – babait të tij në 1503. Tek ai mishëroheshin konceptet e virtytit dhe fatit: fati (fakti që ishte biri i papës) e kishte favorizuar në marrjen e pushtetit, ndërsa virtytin e kishte demonstruar në mbajtjen e pushtetit. Por virtuti i Macchiavellit është laik, superior ndaj rregullave etike, morale dhe fetare, i gatshëm që të përdorë forcën, mizorinë, tradhëtinë vetëm për të arritur të mirën e përbashkët. Dhe Cesare Borgia i kishte të gjithë këto, por ishte dhe princi i vlerësuar nga populli, njeriu që solli në territoret që udhëhiqte rregull, stabilitet, gjykata dhe drejtësi. Megjithatë, në krah të këtyre dhuntive ai shfaqte një karakter të ashpër, prepotent dhe madje dashakeq.
I quajtur Duka Valentino, emër i marrë nga provinca e Valentinois, Cesare Borgia (1475-1507) i detyrohej për fatin e tij faktit që ishte djali i Papës, por edhe një karakteri ambicioz, që e çoi të fusë nën kontrollin e tij një territor të madh në Romagna. Kishte në projekt që të aneksonte edhe territoret e Luccas, Pizës dhe Sienës, por vdekja e të atit e çoi drejt shkatërrimit. Papa Giulio II e privoi nga zotërimet dhe urdhëroi arrestimin e tij. U transferua në Spanjë, ku humbi jetën duke luftuar.
Babai intrigant
Asnjë Papë nuk ka qenë më i përfolur se sa Aleksandri VI, spanjolli Rodrigo Borgia (1431-1503). Papati i tij ishte një kryevepër e vërtetë nepotizmi, intrigash, dyshimesh për vrasje dhe helmime. Sjellja e shthurur dhe e paturpshme e çoi që të kishte fëmijë (Cesare, “princi” i admiruar nga Macchiavelli dhe e bukura Lucrezia, subjekt i njëqind legjendave “të zeza”) dhe të dashura dhe, ndoshta edhe të bëhej praktikues i shtriganisë. Megjithatë, ai kujtohet edhe si administrator i mençur i financave eklesiastike dhe pikë referimi për politikën italiane në një moment të vështirë.

Google+ Followers