Kleopatra Magjia dhe tragjedia


Kleopatra VII, padyshim një prej grave më të famshme të të gjithë kohërave, u përjetësua në histori dhe në imagjinatën tonë në vepra teatrale, libra, filma. Kudo shfaqet me entuziazmin e saj dialektik dhe një magji të pakohë. Emri i mbretëreshës egjiptiane bën kaq jehonë, saqë është zgjedhur për një asteroid, një lojë, një anije, një krater, një grup muzikor, një cigare…
Pavarësisht këtij interesi, nga Kleopatra na mbetet maksimumi një dëshmi direkte, një fjalë e vetme e shkruar në Aleksandri në vitin 33 para Krishtit, kur ajo apo një prej shkruesve të saj mbyllnin një dekret ministerial me fjalën greke ginesthoi “kështu qoftë”. Pra, janë më shumë se dy mijë vite që bëjmë të lëvizë dhe flasë mbretëreshën egjiptiane me veprime dhe fjalë jo të sajat.
Figura e Kleopatrës na është përcjellë nga rrëfimet e autorëve klasikë, që gjithësesi janë në kontradiktë të plotë në lidhje me këtë: Appiano nuk merret shumë me detajet, Giuseppe nuk respekton kronologjinë, Dioni injoron saktësinë për të favorizuar retorikën, Nicola Damasceno është një renegat i njohur (kaloi nga Aleksandria në oborrin e Herodit, mbreti që në momentin e fundit kishte tradhëtuar Antonin dhe mbretëreshën egjiptiane).
Pavarësisht të gjithë lulëzimit kulturor që bënte të dallohej Aleksandria e Kleopatrës, nuk kemi as edhe një autor egjiptian që të ketë transmetuar tek pasardhësit këndvështrimin e mbretëreshës. Atëherë mbi çfarë mund të bazohen veprat e Shekspirit, të Xhorxh Bernard Shout apo interpretimi i Elisabetë Tejlorit që na kanë përcjellë një imazh kaq të gjallë të Kleopatrës? Mbi të gjitha tek autorët e propagandës romake, pra tek ai fraksion që kishte mposhtur mbretëreshën dhe që kishin të gjithë arsyet e botës për të vënë theksin në rolin dhe perversionet e gruas që kish qenë armikja e tyre. Nuk ka dakordësi as për disa të dhëna biografike bazë, si identiteti i nënës së Kleopatrës, sa kohë ka kaluar ajo në Romë dhe sa herë është pritur në Urbe; nuk dimë nëse ajo dhe Antoni janë martuar (e sigurt është që ligji romak nuk pranonte martesa me të huaj, pra për Romën Kleopatra ishte vetëm një konkubinë), çfarë ndodhi me saktësi në betejën e Asios, ajo që shenjoi fatin e mbretëreshës, përveç se atë të Mark Antonit.
Në fund, nuk dimë me siguri se si vdiq: një mënyrë kaq e dhimbshme dhe pak efikase si shtrëngimi i gjarpërit duket të jetë një sajesë, edhe sepse Kleopatra kishte në dispozicion helme më të sigurt, që nuk do të rrezikonte të dështonin. Pra, veprat sublime të artit që kanë për protagoniste Kleopatrën janë bazuar gjerësisht në fantazinë apo krijimin, dhe shumë pak në kronikën e kohës.
Një mbretëreshë në histori
Megjithatë, ekzistojnë disa të dhëna të sigurta që mundësojnë inkuadrimin e figurës historike të Kleopatrës. Lindi në vitin 69 p.e.s. e dyta e tre bijave dhe motra e madhe e dy vëllezërve të tjerë, me secilin prej të cilëve do të lidhej për një periudhë të shkurtër kohe në martesë. Nuk ishte egjiptiane, por i përmiste aristokracisë së familjes greko-maqedonase të Ptolemejve, që e kish origjinën që tek Aleksandri i Madh dhe që mbante titullin e faraonit prej dhjetë brezash. Mes Ptolemejve, vrasjet dhe martesat brenda gjakut ishin në rend të ditës (një zakon ky shumë në modë, në atë kohë, edhe në dinasti të tjera), dhe Kleopatra u përfshi edhe ajo në këto drama. Bota aleksandrine, ndryshe nga ajo romake, besonte shumë në aftësitë e grave, kështu që nuk duhet të habitemi që Auleti, babai i Kleopatrës i kish dhënë një arsimim shumë të mirë, duke i vënë në shërbim eruditët më të mirë dhe studiuesit më të zotë të kohës, të cilët vërdalliseshin në bibliotekën madhështore dhe muzeut të Aleksandrisë. Kleopatra u mësua dhe u përgatit për të qeverisur dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë, gjë që i mundësonte që t’u drejtohej pa ndërmjetës përfaqësuesve me peshë të shteteve të Mesdheut, përveç se shtetasve të saj, të origjinave të ndryshme.
Duket se manierat e mbretëreshës shkaktonin një magjepsje të pashoqe, dhe nëse lajmi për bukurinë e saj lindi më vonë, që në krye të herës burimet transmetojnë imazhin e një mbretëreshe që joshte me hijeshinë e fjalëve, zërin e butë dhe aftësinë retorike, me aftësinë për të argëtuar dhe kënaqur mysafirët, për të organizuar festa dhe mesha me efekte mbinatyrorë që linin gjithmonë pa mend të pranishmit.
Në mënyrë të veçantë, sipas Plutarkut, tingëllon e paharrueshme mbërritja e saj në Tarso për të takuar Mark Antonin: “Ishte shtrirë në një tendë të larë me flori, e zbukuruar si Afërditat që i shohim vetëm në piktura, dhe një trupë skllevërish, që ngjanin me perëndinë Amor të lyer, ishin reshtuar në të dy krahët dhe i bënin fresk. Në po të njëjtën mënyrë edhe vajzat shoqëruese të saj, të veshur si Narcisi dhe Hijeshia, i qëndronin rrotull. Parfume të mrekullueshëm shpërndaheshin në brigje gjatë kalimit të anijes”. Zërat për mbërritjen e saj u përhapën me shpejtësi, ndërkohë që dërgonte për t’i thënë Mark Antonit se “Venusi kishte ardhur me një shkëlqim të rrallë, për t’u bashkuar me Dionisin, për të mirën e Azisë”.
Një forcë hyjnore
Të paktën në Egjipt, identifikimi i mbretëreshës me një hyjni nuk ishte aspak një gjë magjepsëse; mbi të gjitha nëse bëhej fjalë për Isidën, perëndesha e mëmësisë dhe pjellorisë, shpikëse e alfabetit, ajo që kishte ndarë Tokën nga qielli, që bënte të mbizotëronte rregulli dhe jo kaosi. Iside ishte një perëndeshë e butë dhe inkurajuese, por edhe zonjë e luftës, e rrufeve, e detit; kuronte të sëmurët dhe ringjallte të vdekurit, udhëhiqte marrëdhëniet e dashurisë dhe rregullonte shtatzanitë. Ishte toka mëmë e përsosur, kompetente nga pak në gjithçka, shpërndarëse e dijes dhe ushqimit. Në të vërtetë, mbretërimi i Kleopatrës u dallua pikërisht për administrimin shumë të mirë, aq sa, ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë, nuk pati protesta të mëdha as në Egjiptin e poshtëm. Mbretëresha solli prosperitet në Egjipt, zhvlerësonte dhe hidhte monedha të reja në momentin e duhur, iu përkushtua administrimit të mbretërisë dhe, në kohë të zive të bukës boshatiste hambarët mbretërorë për të ushqyer shtetasit e saj.
E pasur, e ditur, joshëse
Ishte në përgjithësi një sovrane shumë e dashur, që dallohej mbi të gjitha për mprehtësinë dhe zotësine politike edhe në aneksimin e territoreve të rinj falë një politike të jashtme të realizuar kundrejt Romës: askush në botën e Mesdheut nuk barazohej me të për nga pasuria. Nën mbretërimin e saj kufijtë e Egjiptit u shtynë sërish duke u barazuar me ata që e kishin bërë të madh këtë vend shekuj më herët.
Atëherë, përse na është përcjellë jo imazhi i një sovraneje të vëmendshme dhe të aftë, por ai i një libertineje lakmitare? Arsyet nuk mungojnë, dhe ndoshta duhet të lexojmë në këtë dritë rrëfimet që janë përcjellë prej romakëve dhe që janë filtruar prej propagandës perandorake. Mbi të gjitha, në kohën e Kleopatrës Roma shihte me dyshim Lindjen, duke asociuar ato toka ekzotike me rreziqet e butësisë, luksit të shfrenuar, perversionit, pretendimeve mbretërore dhe hyjnore. Nuk duhet harruar që Ptolemejtë ishin greko-maqedonas, përvec se zotër të Egjiptit dhe Republika, që ende nuk ishte bërë një perandori, i frikësohej të paktën në publikë rafinimit dhe zakoneve orientale. Nuk dihet me saktësi nëse Kleopatra është dashuruar vërtetë me Jul Cezarin apo me Mark Antonin, por e sigurt është që i bëri të realizonin atë që donte ajo. Nga këndvështrimi i romakëve, një gjë e tillë mund të shpjegohej vetëm me mashtrimin, joshjen me hile dhe magjinë; njerëz kaq trima duhej të ishin ndrydhur vetëm përmes magjisë dhe mashtrimit. Oktaviani, pasi u mposhtën Antoni dhe Kleopatra, për të bërë të rritet edhe më shumë lavdia e tij nuk hezitoi që t’i atribuonte mbretëreshës egjiptiane imazhin e një gruaje lakmitare, të pabesë, gjakatare, të etur për pushtet dhe për të shtënë në duar Romën (një ide me shumë gjasa e pabazë, por që u përhap nga Augusti i ardhshëm për t’i kundërvënë romakët).
Një rrezik për Romën
Frika se mos i hiqte fronin e Egjiptit e shtyu Oktavianin që të ekzekutonte Cezarionin, biri i Kleopatrës dhe Jul Cezarit, ndërkohë që bijtë egjiptianë të Mark Antonit, më pak të rrezikshëm, patën fat më të mirë. Gjatë kohës së gjatë që qëndroi në pushtet, Oktavian Augusti pati të gjithë kohën për të vazhduar propagandën e nisur gjatë duelit me Mark Antonin: shkatërroi statujat e Kleopatrës dhe rishkroi lajmet e shkruar për sovranen e dinastisë Ptolemaike.
Deri kur Asio, ku Antoni dhe Oktaviani qëndruan të ngecur për muaj e muaj të tërë u shfaq si beteja e të gjithë betejave dhe një sukses shumë i madh për Oktavianin, dhe Kleopatra duhej të shfaqej një mbretëreshë e marrë dhe keqdashëse që synonte shkatërrimin e Romës…
Pavarësisht gjithçkaje, dymijë vite informacione të këqinj dhe shpikje artistike nuk mund të fshehin aftësitë e mëdha strategjike dhe menaxhuese të Kleopatrës. Një grua që padyshim ishte e madhe: zonjë e vetvetes, e mprehtë, energjike, shumë e pasur, ambicioze, e pathyeshme deri në fund. Në fund arriti t’i shpëtojë mbikëqyrjes së Oktavianit dhe të vendosë vetë për vdekjen e saj, duke shmangur marshimin e lidhur me zinxhirë nëpër rrugët e Romës, siç i kish ndodhur vite më herët motrës së saj. Pushteti i kësaj gruaje është asociuar gjithmonë me një joshje të shfrenuar, më shumë se sa me aftësitë e saj politike: një grua e fuqishme dhe një grua që shkakton frikë.
E vërteta
Figurë së cilës iu “veshën” vetitë e një hyjnie, lindi në vitin 69 para erës sonë dhe në moshën 39-vjeçare ajo vdiq duke kryer vetvrasje. Sundoi mbi Egjiptin për gati 22 vjet. Në luftën për fronin e mbretërisë egjiptiane ajo arriti të mposhte të vëllain dhe motrën, të dy i eleminoi mizorisht me ndihmën e romakëve. Në luftën për Egjiptin e madh Kleopatra bëri aleancë me dy burra të fuqishëm romake. Ajo ishte dashnorja e strategut dhe diktatorit Gai Jul Cezarit dhe me pas edhe e strategut Mark Antoni. Të dy ata e shfrytëzuan Egjiptin e pasur për luftën e tyre për autokraci në perandorinë romake. Nga lidhja me Cezarin, Kleopatra pati një fëmijë Ptoleme Cezarin, ndërsa Antonit ajo i dhuroi dy djem dhe një vajzë. Kuptimi i emrit të kesaj mbretereshe, në gjuhën e vjetër egjiptiane do të ishte “perëndeshë dhe dashnore e babait të saj”.
Por si mundi kjo femër të bëhej dashnorja e dy burrave kaq të fuqishem romakë? Armiqtë e saj e quanin Kleopatren “mbreteresha e përdale”, por a ishte vallë ajo po kaq e bukur sa modelet e sotme? Jo thonë historianët. Monedhat e kohës së sundimit të saj paraqesin fytyrën e një femre mesatare. Shkrimtari antik grek Plutarku shkruan: “Bukuria e saj nuk arrin të të magjepsë mjaftueshëm. Por gjatë bisedave ajo ushtron një tërheqje të papërballueshme”. Kleopatra ishte e arsimuar dhe e zonja te diskutonte shumë bukur. Sipas Plutarkut, ajo nuk fliste rrjedhshëm greqishten e egjiptiançen, por zotëronte edhe gjuhë të tjera. Në oborrin e saj hynin e dilnin artistë e filozofë. Mbreteresha diskutonte shpesh me ta dhe nuk ishte aspak një artdashëse me kokën ndër re. Ajo kishte qëllime të qarta për veten dhe për vendin e saj.

Google+ Followers