– Sa keq kur je i pashpresë

“Sigurisht që jeta ime ka ndryshuar që kur u bëra baba. Duke nisur nga axhenda që është boshatisur. Për shumë kohë, nuk kam lëvizur nga Madridi dhe tani mbrëmjeve nuk dal më. Por nuk e di sa do të zgjasë”. Miguel Bosé duket sikur nuk është gati për këtë lloj jete të re

Pasi mori një periudhë pushimi për dy binjakët e tij, Diego dhe Tadeo, që tani janë 18 muajsh, është rikthyer në “pistë”, duke u përpjekur të përsërisë suksesin e albumit “Papito” me një “seri” të dytë “Papito”. Formula është e njëjtë: një përmbledhje duetesh me pjesë të padëgjuara dhe ripërpunim i këngëve të tij më të famshme. Mes zërave të mëdhenj në albumin e dytë do të jenë edhe Penélope Cruz, Tiziano Ferro, Jovanotti. Ashtu si duhej të ndodhte, axhenda e Bosé është plot e përplot: që tani e deri për Krishtlindjet, e pret promovimi në Argjentinë dhe një sërë koncertesh në Meksikë, vendi ku ai është trajner zëri në versionin amerikanojugor të talent show “The Voice”. Valixhja është mbushur tashmë, por jo vetëm për vete. “Diego dhe Tadeo do të vijnë me mua, edhe pse në fund të botës. Janë gjëja më e rëndësishme që kam e nuk dua të ndahem nga ta”, thotë këngëtari 56-vjeçar. “Fëmijëve u duhet dhënë para së gjithash dashuri e pastaj t’u mësosh disiplinën. Vetëm edukimi hekurt do t’i ndihmojë që të dominojnë në jetë në të ardhmen”. Me pak fjalë, Miguel Bosé, është një baba shembullor ashtu siç duhet të jetë. “Jam ashtu siç të gjithë duhet të jemi me fëmijët. Diego dhe Tadeo duhet të luajnë dhe të argëtohen por edhe të shkojnë në shtrat në orën e duhur. Duhet të binden. Kur të shkojnë 18 vjeç mund të sillen ashtu siç duan. Por, edhe kjo vetëm nëse jetojnë jashtë shtëpisë sime. Nëse jetojnë me mua do të bëjnë gjithmonë ashtu si them unë”. Vetë artisti, në moshën 4-vjeçare u çua tek Picasso, për leksione kërcimi dhe kur ishte fëmijë ka studiuar balet: e gjithë kjo jashtë vullnetit të babait të tij. “Vërtet kam marrë një edukim shumë të ashpër, që ka qenë baza e asaj që ndërtova më vonë. Në familjen time nuk kishte këshilla për mua, përdoreshin shumë pak fjalë, sepse rëndësi kishin sjelljet, shembujt që duheshin ndjekur. Isha i vetmi djalë në fis me një karakter kaq të fortë dhe të vështirë që e kisha trashëguar nga babai. Ndërsa nëna ime, Lucia, ka energji të pashtershme. Nga kjo përzierje mes të dyve kam dalë unë”. Ndoshta nga mbiemri, të gjithë e kanë kuptuar që ai është djali i Lucia Bosé-së, aktorja e famshme italiane. “Nëna ime është shumë e lumtur. Kalon shumë kohë me ne dhe e bën rolin e gjyshes për mrekulli. Dy motrat e mia në fillim ishin pak xheloze: kur lindën fëmijët e tyre, ime më nuk i vizonte shpesh, ishte krejtësisht e shkëputur. Ia vura në dukje këtë dhe m’u përgjigj: “Një divë nuk mund të bëhet gjyshe në moshën 55-vjeçare. Është një ofendim. Vetëm tani që jam 81 mund t’u përkushtohem nipërve”. Në fëmijërinë e tij, ai gjithmonë është rrethuar nga emra të mëdhenj të artit dhe letërsisë si Picasso apo Hemmingway, që ishin miq të përhershëm të familjes. “Më kujtohen edhe persona normalë, si profesori im i latinishtes. Një fshatare që punonte në shtëpinë tonë më thoshte se të gjithëve do të na ndodhë, herët ose vonë, që t’i shërbejmë të tjerëve, por këtë duhet ta bëjmë duke qeshur. Jam i bindur se nga njerëzit e thjeshtë mëson më shumë se në shkollë. Im atë më thoshte shpesh: “Ti do shkollohesh në shkollat më të mira, por mbaj kontakt edhe me rrugën, sepse edhe aty do mësosh shumë gjëra për jetën”. Për sa i përket së ardhmes, Bosé thotë se nuk ndjen asnjë nostalgji kur sheh kopertinat e tij në disqet e vjetra. Dikur konsiderohej si një seks simbol, të cilit edhe Andy Warhol i kishte bërë një portret. “Nuk ndiej asnjë nostalgji, sepse menjëherë më vijnë në mendje çmenduritë që kam bërë në ato vite. Më duhej të ‘bëj serf’ në dallgët më të larta. Nëse mendohem mirë e konsideroj veten një person që kam mbijetuar me vështirësi. Sot nuk kam frikë të plakem”. Kur flet për të tashmen e ka të pamundur të mos flasë për krizën ekonomike që ka gjunjëzuar Spanjën. “Sa trishtim të ngjall fakti që të rinjtë zbulojnë se nuk kanë të ardhme, për shkak të një klase politike të papërgjegjshme. Mendoj se situata në vendin tim është akoma më e keqe se ajo që tregojnë. Sot, qytetarët kujtohen vetëm kur vjen dita e votimit. Jam shumë i zhgënjyer nga ish-kryeministri spanjoll Zapatero, por edhe nga ai aktuali. Spanja nuk po ecën dot në drejtimin e duhur”. Në fund, disa fjalë edhe për miqtë e tij të pranishëm në album, mes të cilëve edhe Penelope Cruz: “Ka zë të bukur dhe interpreton shumë bukur”.

Google+ Followers