Psikologët dhe policia/ Pse burrat vrasin gratë!



Elton Qyno, Blerta Mrishaj

Speciale/ Ngjarjeve të kohëve të fundit mbi rastet tragjike të vrasjeve të grave nga burrat e tyre u referohen në një debat mediatik psikologë dhe specialist të policisë

Rastet tragjike të ndodhura kohët e fundit, në seri, të vrasjeve së grave prej bashkëshortëve të tyre ka terrorizuar pjesën e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Shumë dilema pse këto veprime kalojnë në masën ekstreme të marrjes së jetës lidhen me një raport të ndërlikuar midis marrëdhënieve në çift, ndërsa në të shumtën e rasteve kalojnë në sitën e psikologëve duke u parë si çështje patologjike të individëve që kryejnë krimin.
Por nga ana tjetër një kompleks situatash e rrethanash çojnë hulli në një debat social të pahapur deri tani, duke mos e parë thjesht si një proces të aktiviteteve e protestave që organizohen mbi dhunën që ushtrohet ndaj grave. Psikologët janë të mendimit se në këto shqyrtime vijnë një kompleks shpjegimesh e rrethanash psikike të kamufluar në psikologjinë e njerëzve të sëmurë, që shpërthejnë në akte ekstreme si vrasjen. Këndvështrim tjetër jep policia e shtetit nga vëzhgimet e saj, duke i konsideruar ngjarjet si raporte sociale të sëmura, qoftë xhelozia apo dhe trysnia e pushtetit mashkullor në familje. Nga ana tjetër specialistë të policisë vënë në dukje se po ndikon dhe ndryshimi i mentalitetit në Shqipëri. Burrat të mësuar me nënshtrimin dhe përuljen e grave në shtëpi, tani ndodhen papritur përballë reagimit të tyre, reflektimit dhe kundërshtimit karshi situatave të ndryshme. Gratë reflektojnë karshi fyerjeve të bashkëshortëve duke kthyer përgjigje, dhe kjo ndëshkohet me akte dhune, që tragjikisht përfundojnë edhe me vrasje. Pjesa indiferente e shoqërisë sonë vazhdon të mbetet e patronditur karshi akteve të tilla. Ndonëse vrasësi dënohet, ose të pakta janë rastet e ndëshkimit të duhur ndaj krimeve të tilla, ka pak ose pothuaj aspak angazhim intelektual për të ndikuar në zbutjen e kësaj marrëdhënie sociale të re që po krijohet bashkë me zhvillimet sociale në vend. Prapambetja rurale, nuk qëndron më pak në zonat urbane, mentaliteti, papunësia, problemet mentale, xhelozia, fanatizmi etj vazhdojnë të jenë temat më pak të rrahura dhe më pak konsultuara si probleme sociale. Në sistem kjo mbetet hallka më delikate për të cilën psikologët ngrenë alarm në kushte të vakëta dhe pa fuqi ndikuese. Përzier me varfërinë, krizën e familjeve sot, pengimeve sociale edhe vetë psikologët shpesh mbeten para befasive të paimagjinueshme kur bëhet fjalë për krime që kanë përmasën e masakrës.
Vrasja në seri e grave gjatë kësaj kohe është kthyer në një makth për Policinë e Shtetit dhe terror për shqiptarët, pasi gjatë këtyre dy javëve ka pasur çdo ditë raste të dhunës në familje, e cila ka çuar deri në vdekjen e nënave të reja. Situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi burrat nuk kanë qëndruar në “paqe” edhe kur bashkëshortet e tyre kanë qenë në periudhën e shtatzënisë. Specialistë të Policisë së Shtetit, që hetojnë krimet kundër personit dhe dhunës në familje, tregojnë se gjatë kësaj periudhe ka një bum të rritjes së numrit të rasteve të dhunës në familje. Si pasojë e kësaj, është rritur dhe numri i viktimave dhe grave të dëmtuara, të cilat edhe pse kanë arritur të marrin mbrojtje nga gjykata dhe policia, sërish nuk i kanë shpëtuar shuplakës së burrave. Këtë situatë, specialistët e hetimit e shpjegojnë me faktin se kohët e fundit femrat kanë “ngritur” krye në ambientin familjar, duke kërkuar të drejtën e barazisë dhe vendosjen e autoritetit të saj në rrethin familjar. Mirëpo sipas specialistëve, një rend të tillë nuk e pranojnë në përgjithësi shumica e burrave shqiptarë, të cilët në rast të ndonjë konflikti familjar, kalojnë direkt në dhunë fizike deri në vrasje, për shkak se e kanë të vështirë të dëgjojnë kundërpërgjigjet e gruas. Teoria, “burri është burrë dhe gruaja është grua, dhe duhet të bindet”, sipas policisë kohët e fundit ka filluar të ndryshojë, ku dhe femrat kërkojnë që të drejtat e tyre të jenë të njëjta me burrat dhe zëri i tyre në familje të dëgjohet.
Femrat ngrejnë krye mbi burrat
Krimet në familje, ndodhin për një sërë problemesh duke filluar nga xhelozia, kushtet e vështira ekonomike dhe problemet e tjera sociale. Por kohët e fundit, specialistët e Policisë së Shtetit gjatë hetimit të këtyre ngjarjeve kanë kuptuar në dhjetëra raste se dhuna ndaj grave dhe vrasjet e tyre, kanë si shkak kundërshtinë dhe presionin e vazhdueshëm të grave, ndaj burrave të tyre. “Kemi pasur plot raste që në familje në nevojë ekonomike apo kur mes dy anëtarëve të një çifti ka pasur xhelozi, ka nisur konflikti me fjalë dhe më pas ka përfunduar në përdorimin e dhunës fizike deri në vrasje. Në këtë raste, të dëmtuarat ose viktimat që kanë qenë femra, në një farë mënyre gjatë konfliktit kanë ngritur krye, duke dalë mbi burrat. Jo se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, por i kanë kundërshtuar fort ata me kthim përgjigje, madje kanë shkuar deri aty sa i kanë bërë dhe presion se nëse burri i keqtrajtonte, do e denonconin në polici ose në shoqatat për mbrojtjen e grave”, – shprehet një specialist i Policisë së Shtetit. Denoncimi sipas tij në polici apo dhe në shoqata, është një formë e mirë por edhe e keqe, pasi në shumë raste ky presion që përdorin gratë, ka bërë që burrat të nxehen akoma dhe më tepër, duke vrarë gratë e tyre. “Burrat shqiptarë nuk e durojnë dot superioritetin e femrës qoftë edhe në një rast të vetëm, dhe se në disa raste çdo fitore e grave, është kthyer në tragjedi, pasi ato kanë mbetur të vdekura, ose me armë zjarri, me thikë ose me mjete të forta si çekan apo dru”, – tregon specialisti i policisë.
Burrat s’pëlqejnë moralin
Në statistikat e Policisë së Shtetit, ekzistojnë raste ku krimet kanë ndodhur për shkak se gratë kanë qenë ato që i kanë kërkuar llogari burrave. Këto raste, sërish janë shënuar në familje në nevojë dhe probleme ekonomike. Ka qenë burri ai që në mbrëmje është kthyer i dehur në banesë, dhe se nga ana tjetër gruaja është kthyer nga puna. Në një situatë të tillë, gruaja ka filluar ti kërkojë bashkëshortit llogari për pijen e alkoolit dhe ti bëjë moral për gjendjen e vështirë ekonomike, por e gjitha kjo i është kthyer kundra, pasi ka qenë burri ai që ka ushtruar dhunë fizike mbi të, ose që e ka vrarë me thikë apo me mjete të tjera të forta. E gjitha kjo situatë, është transmetuar se shkak ka qenë gjendja e alkoolizuar e burrit, por që në fakt ka qenë ndryshimi i rolit të dy partnerëve dhe pozicioni i gruas në familje.


Psikiatrit e shqetësuar: Dhuna ndaj grave, e frikshme; personat, me çrregullim të personalitetit
Grua e ndarë, nënë fëmijësh, një tjetër shtatzënë, janë disa prej portreteve të grave dhe vajzave që në vetëm një javë janë dhunuar fizikisht deri masakruar për të gjetur më pas vdekjen. Por në të gjitha rastet emëruesi i përbashkët është dhunuesi, bashkëshorti i tyre, njeriu me të cilin ishte betuar të kalonte jetën, kishte premtuar dashuri të përjetshme dhe ngjizur edhe frutin e dashurisë, fëmijët. Por rastet e dhunës ndaj grave në Orikum, Korçë dhe Fier, sigurisht që nuk mund të kalohen aq lehtësisht. Tek këto gra dhuna ka “heshtur” shumë, nuk ka mundur të durojë dot më, aq sa i është dorëzuar vdekjes. Për psikiatrit rastet e fundit të dhunës ndaj gruas janë alarmante. Ata i shohin me shqetësim dhe kërkojnë që të merren masa nga të gjitha instancat shtetërore. Për ta individi që kryen akte të tilla sigurisht që ka probleme mendore, ku sipas doktorit psikiatër Dragush Totozani, familja nuk duhet t’i mbulojë për t’i referojë në instancat shëndetësore për marrjen e mjekimit. Sakaq doktori shkon akoma më tej në analizën e tij, duke deklaruar se sistemi në të cilin jetojmë ka sjellë probleme të rënda mendore, që manifestohen edhe në të tilla ngjarje. Duke parë problemin në tërësi dhe shtimin gati të frikshëm të rasteve të dhunës, psikiatri Totozani kërkon dënime maksimale për këto burra dhunues, deri në rikthimin e dënimit me vdekje.

Doktor, nisur nga rastet e fundit të dhunës, të cilat kanë çuar deri edhe në vdekjen e tri grave, nga dhuna e bashkëshortëve, cilat mendoni se janë shkaqet ?
Personat që kryejnë akte të tilla dhune duhen menduar shkaqet reale, se përse këto ndodhin. Duke analizuar tipat e tyre, rrjedhimisht rezulton se janë persona që vuajnë nga çrregullime të personalitetit. Në këtë kategori kanë faj edhe familjet e tyre, pasi duhet ti deklarojnë dhe ti referojnë në sistemin shëndetësor. Një tjetër tip të personave që duhet punuar janë meshkujt që janë të dhunshëm, pa motive, këta duhen motivuar. Ndërkohë që tjetër tip me probleme të shëndetit mendor janë edhe të sëmurët psikikë, të cilat kanë ide delirante të xhelozisë, për të cilat duhet denoncuar nga familjarët e tyre.

Ju renditet tre tipat problematikë që kanë rregullime të shëndetit mendor, një pyetje që lind natyrshëm doktor është se si mund të kuptohen, kanë tipare të dallueshme?
Një tipar dallues i këtyre tipave është se thonë gjëra delirante që nuk përputhen me realitetin. Në këto raste përpjekja për t’i bindur nuk ka asnjë rol, janë vetëm ilaçet që mund t’i trajtojnë.

Këto ngjarje janë në seri njëra pas tjetrës, duket edhe si një shpeshtim i tyre?
Këto janë çrregullime të personalitetit të cilat manifestojnë shenja të tilla sepse janë të amortizuar nga rrethanat e tjera. Këta tipa manifestojnë tipare të egra të cilat kanë qenë të kamufluara.

Po sa u takon mjeteve të përdorura për të dhunuar gratë, duke nisur që nga çekiçi, sqepari dhe sëpata, a nuk janë tejet të rënda? Si mund të shpjegohet kjo?
Për shkak të problemeve që kanë ata nuk thellohen se si do t’i realizojnë, pasi nëse do të kishin armë, do ta përdornin. Ata thjesht u përshtaten rrethanave në të cilat jetojnë. Kjo lidhet edhe me sistemin në të cilin jetojmë, pasi ky sistem ka dobësuar seriozisht shëndetin mendor, duke sjellë shqetësime në familje, lëvizjet demografike, rrethana në të cilat kanë devijuar të gjitha llojet. Këto janë tipa sociopat, tipa problematikë për shkak të problemeve të personalitetit.

Google+ Followers