Kur moda të sëmur! Studim tronditës


“Greenpeace” ka testuar për kimikate të dëmshme 141 veshje të markave të mëdha të modës si Zara, Benetton, Tommy Hilfiger, Gap, C&A dhe H&M dhe përfundimet janë tronditëse. Prandaj “Greenpeace” proteston në Gjermani.
Organizata “Greenpeace” po tërheq vëmendjen me disa aksione proteste për të dhënat e studimit të saj të fundit. Ambientalistët varën p.sh. në fasadën e një dyqani të firmës së veshjeve Zara në Hamburg një pllakatë proteste, ku shkruhej: “A e dini sekretin e pistë të Zarës”.




Shkaktarë sëmundjesh kancerogjene dhe endokrine

Christiane Huxdorff, kimiste e “Greenpeace”, shpjegoi në një intervistë për “Deutsche Welle”, se çfarë substancash janë gjetur: “Ne kemi gjetur mbetje detergjentesh NPE që kanë efekte hormonale ndaj njerëzve, mbetje lëndësh zbutëse, për të cilat dyshohet se i bëjnë njerëzit infertilë, dhe madje edhe gjurmë lëndësh karcerogjene që gjenden në lëndët ngjyrosëse azo”.
Lëndët ngjyrosëse azo janë bojëra sintetike shumë të forta. Disa syresh mund të lëshojnë substanca toksike ose kancerogjene. Në Gjermani ngjyra të tilla nuk lejohet të përdoren, por në shumë vende jashtë Europës, kontrolli nuk merret aq seriozisht. Kjo është pikërisht arsyeja pse shumë koncerne mode e kanë transferuar prodhimin në Azi. Sipas kimistes së “Greenpeace”, “firmat nuk shkojnë për të prodhuar në Azi, sepse atje është më lirë, por edhe sepse në Europë ndaj kompanive ka kërkesa të rrepta mjedisore.”

Punëtorët më të rrezikuar se konsumatorët

Deri tani nuk ka dëshmi që mbajtja e një t-shirti që përmban lëndë të tilla ka një efekt të drejtpërdrejtë dëmtues ndaj njerëzve, pranon Christiane Huxdorff. Rreziku ishte më tepër i tërthortë: “Në Gjermani dhe në Europë shtohet sasia e mbetjet toksike në ujërat e zeza dhe lumenj prej larjes së rrobave”.
Më të konsiderueshme dhe më të larta rreziqet për shëndetin janë për ata që punojnë në prodhim në Azi, dhe që janë përditë në kontakt me kimikatet toksike. Përveç kësaj, shumë fabrika tekstili në Indi apo Kinë i derdhin krejtësisht pa filtër në lumenj ujërat që përdorin për procesin e prodhimit.
“Banorët, që jetojnë në ato vende dhe ndoshta ushqehen me peshk atje, janë më të ekspozuar ndaj dëmeve për shëndetin”, thekson Christiane Huxdorff.

Si mund të mbrohet konsumatori?

Një mbrojtje të plotë kundër kimikateve të dëmshme në veshje nuk ka, thotë Christiane Huxdorff. Konsumatorët që duan të jenë të sigurt duhet të blenë mallra të certifikuar të firmave ekologjike apo organike. Po ashtu, edhe rrobat e përdorura që shiten në dyqanet e dorës së dytë janë më pak të ndotura, sepse janë mbajtur dhe për këtë arsye janë larë më shpesh. Dhe për mjedisin, është më mirë në qoftë se konsumatorët nuk blejnë mallra të lirë që prishen shpejt, por të blejnë më pak rroba, por të një cilësie më të mirë.
“Deutsche Welle”

Google+ Followers