Të gjesh një vend pune, çfarë duhet bërë para se të japësh një intervistë

Driçim Çaka

Të rinjtë edhe pse e kanë të vështirë shpesh “ngecin” përpara një interviste duke u vendosur për ballë presionit që nuk i lejon të japin maksimumin e tyre. Një intervistë për punë mund të zgjasë 20-50 minuta. Një intervistë e gjatë, është zakonisht shenjë e mirë. Intervistuesit janë të interesuar të të dëgjojnë dhe të të vlerësojnë



Si ta përgatisim një intervistë? A do të më vlerësojnë ato që do them? Si të përgjigje? Janë disa nga pyetjet që hasin shpesh të rinjtë por dhe kushdo që shkon përballë një intervistuesi
Të japësh një intervistë në vendet më të zhvilluara është diçka normale por në Shqipëri jo. Në vendin tonë gjetja e një vendi pune nëpërmjet intervistës është e ulët pasi shpesh aplikuesit nuk japin maksimumin gjatë përgjigjes së pyetjeve.

Në se ju thërrasin për një intervistë, kjo do të thotë që punëdhënësi e ka vlerësuar aplikimin dhe dosjen tuaj, dhe duke ju takuar dhe biseduar me ju duan të vërtetojnë përshtypjet e tyre si dhe të vlerësojnë përfundimisht sa i përshtatshëm jeni për vendin e punës. Ndodh që punëdhënësi nuk mendon se ju jeni i përshtatshëm për vendin e punës, por duke qenë se dosja juaj i ka bërë përshtypje të mirë, do t’ju takojë dhe të vlerësojë se çfarë vendi pune tjetër mund të jetë më i përshtatshëm për ju. Kujtoni, mbi të gjitha intervista bëhet për të vlerësuar tiparet e personalitetit tuaj: thjeshtësinë, qartësinë me të cilën shpreheni, besimi tek vetja dhe aftësitë tuaja, motivimin për të punuar dhe mënyrën si përballoni tensionin, apo situata të vështira. Zakonisht është një ekip njerëzish që ju intervistojnë, por në rastet e kompanive të vogla mund të jetë edhe vetë administratori, apo pronari. Kujdes, intervistuesi do të kërkojë që ju të flisni më tepër, shumë më tepër sesa ju mund ta mendoni të arsyeshme. Do të vini re se do të diskutohet pak për punën, dhe shumë për veten tuaj, përvojat, idetë. Sigurisht që kjo është një tjetër mundësi që ju të flisni dhe të theksoni vlerat, përvojat dhe aftësitë. Shumë shpesh mund t’ju vënë në provë: intervistuesit mund t’ju japin një rast konkret për zgjidhje për të pare nëse mendoni në mënyrë analitike dhe kreative. Një intervistë për punë mund të zgjasë 20-50 minuta. Një intervistë e gjatë, është zakonisht shenjë e mirë. Intervistuesit janë të interesuar të të dëgjojnë dhe të të vlerësojnë.
Si fillim do t’ju bëjnë një “prezantim” i cili është i njëjtë për të gjithë aplikantët dhe synon të japë njohuri të përgjithshme për politikat e kompanisë, strukturën, aktivitetin e saj si dhe konkretisht mbi vendin e punës për të cilën po aplikoni. Intervistuesit kanë paravendosur dhe parapërgatitur një listë me kritere apo cilësi të cilat janë të domosdoshme, dhe prandaj bëjnë vlerësimin përkundrejt tyre; edhe pyetjet janë përgatitur në mënyrë të tillë që ata të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm. Ndodh që pyetjet duken të ngjashme, por nuk duhet ta humbni toruan, duhet të përqendroheni t’i shfrytëzoni të gjitha pyetjet për të folur për veten e për të dhënë shembuj konkretë.

Çfarë duhet të bëni përpara një interviste?

Krijimi i dosjes personale dhe shkrimi i aplikimit është një parapërgatitje shumë e mire për ju, pasi ju kanë ndihmuar të vlerësoni veten dhe të krijoni një mendim të qartë mbi aftësitë më të mira, dhe mbi qëllimet tuaja për të ardhmen. Kjo ju ndihmon shumë të përgjigjeni me siguri dhe me shembuj në intervistë.
Por përgatitja nuk mbaron aty; para një interviste duhet të keni kujdes dhe të:

Rilexoni me kujdes lajmërimin për vendin e punës; çfarë detyrash përmban, çfarë aftësish kërkon;

Rilexoni formën e aplikimit, dhe shikoni edhe njëherë me vëmendje nëse jep ndonjë shenjë apo njohuri për kompaninë, dhe vendin e punës;

Përpiquni të gjeni dhe mblidhni sa më shumë informacion rreth kompanisë, aktivitetit të saj, llojit të ambientit dhe komunikimit që është krijuar aty;

Rishikoni edhe njëherë të gjitha aftësitë, përvojat tuaja dhe mendoni mirë cilat janë ato që do të donit të theksonit gjatë intervistës dhe cilat nuk do të donit t’i tregonit;

Përgatisni dhe disa pyetje për të cilat doni të pyesni; intervistuesit e vlerësojnë një kandidat që ka pyetje, pasi tregon se është përgatitur. Pyetjet mund të jenë lidhur me vendin e punës, apo me natyrën e kompanisë. Në këtë fazë nuk është mirë të bëni pyetje për shpërblimin financiare.

Mundësisht flisni me një mik, familjar apo me një këshillues karriere. Në se është e mundur bëni një provë të intervistës;

Paraqituni në kohën e kërkuar dhe me veshje të përshtatshme me kushtet e vendit të punës.


Çfarë duhet pasur kujdes

Intervista teston edhe në se jeni në gjendje të përballoni tensionin, prandaj mundohuni të kontrolloni drojën dhe emocionin. Është e kuptueshme që të jeni të emocionuar, por mbajeni atë në nivelet normale, në mënyrë që të mos ju dëmtojë paraqitjen dhe të shprehurit. Kurrë mos e filloni intervistën duke thënë se jeni të emocionuar. Është normale dhe njerëzore që të keni emocion, edhe intervistuesit kanë qenë dikur në vendin tuaj, por ata do ta vlerësojnë shumë faktin që ju arrini ta përballoni atë. Sinqeriteti është një cilësi shumë e rëndësishme që vlerësohet nga punëdhënësi. Përgjigjuni hapur pyetjeve. Mos kini frikë të thoni “në fakt nuk kam përvojë në këtë fushë, por punët që kam kryer në shtëpi për të ndihmuar babain me punët e bujqësisë kanë treguar se jam i papërtuar dhe se dua të mësoj”. Mos u shqetësoni nëse duket se po flisni më shumë se sa e kishit menduar, sidoqoftë përdorni fjali të shkurtra dhe mundohuni të mos i përsërisni faktet. Edhe mënyra si i zgjidhni shembujt, apo se si veçoni aftësi dhe tipare të ndryshme, është tregues i mendimit krijues dhe fantazisë. Pyetjet mund të jenë të hapura dhe të përgjithshme, por shumë do të jenë të drejtpërdrejta dhe konkrete. Mendoni mirë për strukturën e përgjigjes suaj, filloni duke thënë ato që janë më të rëndësishmet për t’u theksuar. Ndodh që mund t’ju ndërpresin, prandaj mos rrezikoni. Në fund të intervistës, mos ngurroni të bëni pyetje rreth vendit të punës. Kjo tregon se ju jeni i interesuar dhe keni kërkuar informacion. Tregon motivim. Nëse nuk ua kanë thënë, pyesni intervistuesit se kur mendojnë t’ju kthejnë përgjigje. Shumë e rëndësishme është që në fund të intervistës të falënderoni që ju zgjodhën për t’ju intervistuar. Shprehni mirënjohjen tuaj për mundësinë që ju dhanë që ju të bisedoni dhe t’i tregoni atyre aftësitë tuaja. Përdoreni këtë rast me dinakëri për të theksuar sërish një mesazh të rëndësishëm për veten. Sërish kur dilni, buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh. Kjo të ndihmojë që intervistuesit t’ju mbajnë mend më gjatë.

Pas intervistës së parë
Shënoni emrin e intervistuesit, çështjet kryesore dhe ndonjë pyetje të pazgjidhur në mendjen tuaj. Ky informacion mund t’ju nevojitët për intervistën e dytë. Nëse nuk merrni asnjë njoftim në kohën e lajmëruar, telefononi për të pyetur. Jo gjithmonë, por ka raste kur intervista kryesore pasohet me të tjera. Intervistat e mëtejshme janë të formave të ndryshme dhe bëhen për të vlerësuar përshtatshmërinë tuaj me punën për të cilën ju aplikoni. Punëdhënësit, përsëri do të kërkojnë të dinë sa ju do të jeni në gjendje të plotësoni nevojat e organizatës. Në se ju ftojnë “për të folur me drejtuesit në zyrë” ose “për të takuar administratorët apo një drejtues seksioni” ndoshta kjo do të thotë se ju mund të keni një seri intervistash me një ose më shumë njerëz në vendin e punës. Nuk lodhemi duke theksuar rëndësinë e përgatitjes para çdo interviste. Rilexoni kërkesën tuaj për aplikim, shënimet e intervistës së pare dhe broshurën e kompanisë. Përpiquni të gjeni sa më shumë informacion për organizatën, kompaninë, ndërmarrjen. Përpiquni të takoni e bisedoni me punonjësit që punojnë në organizatë ose në fusha të ngjashme. Mos ngurroni të kërkoni ndihmë në këtë fazë. Rivlerësoni edhe njëherë në mendjen tuaj intervistën e parë dhe mendoni pikat e forta dhe pikat e dobëta. Mund t’ju duhet të theksoni përvojat apo aftësi që nuk i treguat mjaftueshëm herën e parë. Në se vendi i punës për të cilin keni aplikuar është shumë teknik, atëherë lexo dhe përgatitu më mirë në atë fushë.

Gjatë intervistës: Ji vetvetja!

Intervista është momenti që ju të tregoni atë që dini të bëni dhe atë që doni të bëni, por e gjitha kjo me thjeshtësi, modesti dhe pa asnjë teprim. Mbani mend aftësitë të cilat presin dhe
vlerësojnë intervistuesit:

► Motivacion dhe entuziazëm
► Aftësi për të zgjidhur problemet
► Inteligjencë
► Aftësi për t’u përshtatur
► Ndershmëri dhe integritet
► Aftësi/njohuri teknike
► Paraqitje dinjitoze
► Shprehitë sociale
► Besim tek vetja
► Iniciativë dhe aftësi për të marrë vendime



Shembulli se si mund të jetë një intervistë

PYETJET HYRËSE
Pse jeni gati të punoni në një punë të këtij
lloji (e vështirë, kohë e shkurtër, vullnetare,
etj.)?
Kjo është një pyetje që ju lejon të flisni
për objektivin tuaj të karrierës, dhe se
si kjo punë përkon, apo ju ndihmon në
arritjen e tij.

Si ju ndihmojnë përvojat e mëparshme të
punës këtë vend pune? A mund të më përshkruani
një ose dy prej detyrave më të rëndësishme
që ju keni kryer?

Këtu zgjidhni 2 detyra të cilat përkojnë me
vendin e ri të punës. Në se nuk keni asnjë
përvojë, mund të zgjidhni një aktivitet vullnetar,
apo në shtëpi, i cili në fakt tregon disa
aftësi që kërkohen nga vendi i ri i punës.
PROVOJA E PUNËS

Çfarë pune mund të bënit ju për ne, që
ndoshta dikush tjetër nuk mund ta bëjë?
Referojuni përvojës tuaj, e cila tregon se
ju keni pasur sukses në zgjidhjen e problemeve
tek puna e mëparshme që mund
të jenë të ngjashme me ato të vendit të
punës që dëshironi të fitoni. Nëse përvoja
juaj është e shkurtër, apo mungon mundohuni
të theksoni aftësitë personale për të
cilat jeni shquar gjithmonë ndaj të tjerëve,
duke dhënë shembuj konkretë.

Çfarë mund të thoni për punën për të cilën
po konkurroni? A ju duket më shumë interesante,
apo më pak?
Tregoni tre faktorë që e bëjnë këtë punë
interesante. Prandaj është e rëndësishme
të lexoni për këtë punë, apo profesione të
ngjashme.
Çfarë prisni nga një pune?
Një mundësi për të përdorur aftësitë tuaja,
për të bërë detyrën dhe për t’u vlerësuar
për punën e kryer.

A mund të më jepni një përcaktim tuajin
për një ____________ (pozicioni për të
cilin ju jeni duke u intervistuar, për shembull
shitës)?
Formulojeni përcaktimin shkurt dhe me
shembull duke theksuar veprimin dhe
rezultatin. Për shembull në rastin e shitësit,
nuk duhet thënë shes, por si rezultat i
punës, klientët duhet të jenë të kënaqur
me mallin që kanë blerë.

Si ju ka vlerësuar punëdhënësi? Sipas
vlerësimit cilat ishin pikat e forta dhe të dobëta
tuajat? Si keni reaguar ju?
Tregohuni të sinqertë e përsëri zgjidhni aftësi
që lidhen me vendin e ri të punës. Vini
theksin mbi aftësitë tuaja dhe mos u trego
negativ ndaj dobësive. Në përgjithësi është
më mirë ta identifikosh një mungesë të një
aftësie dhe ta paraqesësh atë si një fushë
për përmirësim sesa ta tregosh si një të
metë. Tregoni që keni ditur ta përdorni
vlerësimin për të përmirësuar mënyrën e
të punuarit. Sepse mund t’ju bëjnë edhe
një pyetje si e mëposhtmja.

Në se unë do të pyesja punëdhënësin tuaj
për aftësitë, apo arritjet që sapo përshkruat,
çfarë mendoni ju se do të thoshte ai/ajo?
Sinqeriteti mbi gjithçka. Në se nuk keni
pasur asnjëherë punëdhënës, përmendni emrin
e një mësuesi.
Çfarë gjërash kërkoni dhe vlerësoni ju në
një organizatë/kompani?
Tregoni që vlerësoni llojet e punës që ju
japin mundësinë të mësoni dhe të rriteni.

Duke vazhduar me punën tuaj të fundit më
tregoni një prej arritjeve tuaja, një arritje e cila
është njohur apo vlerësuar edhe nga punëdhënësi
juaj?
Këtu jepni një shembull konkret të një
detyre të vështirë e cila ju është besuar dhe
tregoni si e keni zgjidhur. Mirë është që të
pohoni edhe ndihmën apo mbështetjen që
ju kanë dhënë.

Çfarë pëlqenit më shumë në punën tuaj të
mëparshme?
Është vendi për të theksuar aftësi teknike,
por edhe sociale, si për shembull të punuarit
në grup.

Ç’mendoni për mënyrën se si sillej me ju
shefi, apo punëdhënësi i mëparshëm?
Sinqeriteti është i rëndësishëm, por kurrë
mos e përdorni këtë pyetje për të folur keq.

Arsimimi
Çfarë aspekte të veçanta të edukimit/
trajnimit ju shërbejnë juve për këtë punë?
Cila lëndë në shkollë ju ka ndihmuar më
shumë për të bërë këtë punë?
Këto pyetje shfrytëzojini për të theksuar aftësi
të ndryshme që keni marrë, sidomos
nga kurse profesionale, sado të shkurtra
të kenë qenë.

Qëllimet e Karrierës
Cili është objektivi afatgjatë në lidhje me
punësimin tuaj? Çfarë lloj pune planifikoni të
bëni pas 5 vjetësh? Cilat aftësi/njohuri mendoni
të zhvilloni/zgjeroni me qëllim për t’u
përgatitur për atë mundësi punësimi?
Këto pyetje mund t’ju bëhen veçmas, ose
së bashku. Këtu duhet të jeni konkret dhe
të tregoni se jeni i ri me qëllime dhe keni
një plan të qartë për të zhvilluar veten. Rishikoni
portofolin tuaj të karrierës

Pse keni zgjedhur pikërisht këtë objektiv?
Çfarë aftësish shikoni tek vetja?
Duhet të jeni bindës dhe konkret; dhe
t’i përputhni dëshirat me aftësitë dhe
mundësitë reale.

Cilët persona dhe\apo faktorë të rëndësishëm
kanë ndikuar në objektivat e karrierës
suaj?

Shkurt dhe konkret.
Çfarë mendoni të përmbushni me anë të
kësaj pune?

Tregoni se si e shikoni veten tuaj në këtë
punë.

Vetëvlerësimi

Mund të përshkruani një pengese në punë,
në jetë që ju është dashur ta kapërceni? Si e
përballuat atë? A mendoni se kjo përvojë ka
ndikuar në personalitetin apo aftësitë tuaja?
Gjithmonë një shembull konkret. Në se
nuk keni nga puna, zgjidheni nga jeta
e përditshme; do të vlerësoheni njësoj.
Është shumë e rëndësishme të tregoni se
ju e njihni mirë veten, dini ta vlerësoni dhe
mbi të gjitha keni besim tek aftësitë tuaja.

Si do ta përshkruanit veten tuaj si person?
Duhet të flisni shkurt; me sinqeritet dhe
besim.

E konsideroni veten si një njeri me iniciative?
Nëse po, shpjegoni pse?
Jepni një shembull konkret kur keni marrë
ju nismën për të kryer, apo organizuar një
aktivitet.

Cilat nga arritjet tuaja të deritanishme i
konsideroni më të rëndësishme? Pse?
Mund të jetë arritje në shkollë, në shtëpi,
me miqtë; një olimpiadë, një konflikt në
shkollë që keni zgjidhur, etj.

Aftësia krijuese

Gjatë përvojës suaj në punë, apo shkollë
çfarë keni bërë që mund ta konsideroni si krijuese?

Ndër arritjet tuaja krijuese të mëdha ose të
vogla, si në punë apo në shtëpi, cilat prej tyre
ju japin kënaqësinë më të madhe?

Ju kërkojnë ndihmë të tjerët, miqtë, familjarët?
Për çfarë gjërash dhe cilat janë këshillat
tuaja?
Për secilën nga këto pyetje, sido që t’ju
drejtohet, mundohuni të jepni një shembull
konkret, i cili tregon se ju keni fantazi dhe
dini të zgjidhni situatat dhe të jeni krijues.

Aftësia për të marrë vendime

Si i merrni vendimet? Preferoni të merrni
kohë dhe të bëni kujdes, apo vendosni shpejt
për të bërë diçka?
Tregohuni të matur këtu; të marrësh vendim
të shpejtë, tregon se nuk analizoni
mirë situatën dhe nuk mblidhni faktet e
nevojshme, por edhe nëse merrni shumë
kohë, tregon se jeni i pavendosur dhe
pa kurajo. E rëndësishme është që në
përgjigjen tuaj, të tregoni se i dini hapat
që duhet të kalojë njeriu para se të marrë
një vendim: mbledh faktet; gjen dhe peshon
alternativën, zgjedh alternativën më
të mirë të mundshme.

Cili ka qenë vendimi juaj më i vështirë
që keni marrë gjatë muajit të fundit? Çfarë e
bënte atë të vështirë?
Një vendim i vështirë mund të jetë zgjedhja
e një shkolle për shkak të mundësive
financiare; mund të jetë t’i thuash jo
kërkesës së një shoku për të bërë diçka që
është kundër parimeve të tua. Mendohuni
këtu; mund të gjeni plot shembuj. Pyetjet
e mëposhtme janë variacione.

Kur ishte hera e fundit që ju nuk dinit se
çfarë vendimi të merrnit? Çfarë bëtë dhe si
vepruat më tej?

Cili është problemi juaj më i madh me të
cilin jeni përballur kohët e fundit? Çfarë vendimi
morët dhe si?

Aftësia për të zgjidhur problemet dhe konfliktet

A keni pasur probleme me kolegët, shokët?
A keni pasur probleme me punëdhënësin?
Çfarë ka ndodhur? Si keni reaguar?
Është e rëndësishme të jeni të sinqertë
dhe konkretë. Gjithashtu një këshillë për
ju: në një konflikt, asnjëherë nuk është
përgjegjëse vetëm njëra palë, prandaj
tregojeni këtë në përgjigjen tuaj.

Një intervistë mund të ketë pyetje
provokuese dhe çaste tensioni. Më
poshtë po ju ndihmojmë me disa
shembuj konkret

Pyetja: Ç’mendoni në se do t’ju thosha se
intervista juaj, deri tani, ishte jo e
kënaqshme?

Këshilla: Mendoni si mund të reagoni ndaj
një pyetje të tillë gjatë intervistës. Mund të
stepeni dhe prekeni, dhe kjo mund të bëhet
shkak që të ndërprisni intervistën. Kështu
do të binit në kurth dhe do ta humbisni atë
vend pune menjëherë. Përqendrohuni edhe
njëherë tek pyetja, dhe sidomos tek fjala më
e rëndësishme e saj – “Nëse”-. Në fakt intervistuesi
nuk thotë që intervista nuk është
e kënaqshme, thjesht po ju provon: “Si do të
reagonit ju nëse unë do t’ju thosha se intervista
juaj nuk është e kënaqshme”.
Me fjalë të tjera ai do të zbulojë si reagoni
ju ndaj kritikës. Në botën reale, ndodh që
njerëzit humbasin qetësinë dhe kritikojnë
njëri-tjetrin. Në këtë rast intervistuesi kërkon
t’ju gjykojë mbi mënyrën se si do të reagonit
në një situate të tillë në vendin tuaj të punës.
Këtë ju duhet ta ktheni në anën tuaj: intervistuesi
duhet t’ju shohë që ruani qetësinë
dhe reagoni në mënyrë pozitive.
Përgjigjuni: “Si do të reagoja unë?! Unë do
të habitesha shumë dhe njëkohësisht do të
mërzitesha. Jam përgatitur shumë për këtë
intervistë, dhe kjo punë është e rëndësishme
për mua. A mund të më tregoni se cilën
pjesë të paraqitjes time ju e vlerësoni si jo
të kënaqshme? Ma jepni këtë mundësi, unë
ju jam shumë mirënjohës dhe për më tepër,
do të mundohem të përgjigjem edhe njëherë
në përpjekje për të sqaruar keqkuptimin që
mund të jetë krijuar.”

Pyetja: Cila është gjëja më e keqe që keni
dëgjuar rreth kompanisë tonë apo mua si
punëdhënës?

Këshilla: Pyetje e mbrapshtë, hë? Kërkon të
testojë sërish pozitivitetin tuaj. Në të vërtetë
përgjigja është e thjeshtë, gjithmonë nëse ju
nuk bini në “kurth”. Mjafton të buzëqeshni
dhe me zgjuarsi, mund ta ktheni sërish situatën
në anën tuaj dhe të përgjigjeni: “Gjëja
më keqe që kam dëgjuar për kompaninë tuaj
është: sa e vështirë është të fitosh një vend
pune aty; n sa të mprehtë e të drejtë janë
intervistuesit, dhe sa të rreptë e kërkues janë
në këtë kompani.”
Pyetja: Unë ende nuk jam i bindur nëse ju
jeni i përshtatshëm për këtë punë. Si mendoni
ju?

Këshilla: Kujdes; lexoni nëntekstin. Pyetja
mund të tingëllojë e ashpër dhe e paqartë,
por intervistuesi ju pyet edhe njëherë për t’u
siguruar mirë që ju jeni personi i duhur, dhe
mbi të gjitha për të vënë në provë vetëbesimin
tuaj. Pyetja bëhet për të parë nëse
dorëzoheni lehtë para kritikave të paqarta.
Intervistuesi kërkon të vlerësojë vendosmërinë
dhe motivimin tuaj – pra sa shumë
do të luftoni ju për të fituar këtë vend pune.
Pra përpunojeni mirë pyetjen në mendje.
Mos lejoni që të dyshojnë për besimin në
vetvete ose për vetëpërmbajtjen tuaj. Dhe
përgjigjuni qoftë edhe me një pyetje tjetër,
kuptohet me ton të butë, si “Unë fillimisht
do të dëshiroja të dija se ku ju e mbështesni
këtë pohim, në mënyrë që unë të mund t’ju
sqaroj më tej?”
Kjo pyetje e thjeshtë do ta detyrojë intervistuesin
që të thotë pse ai mund të mendojë
se ju nuk jeni i përshtatshëm për atë
vend pune. Natyrisht ai do t’i referohet disa
mangësive për disa aftësi të caktuara, ose
mungesë përvoje. Dhe kjo ka shumë të ngjarë
të ndodhë me një kandidat të ri, që hyn
rishtazi në tregun e punës.Dëgjoni me kujdes
çfarë thotë intervistuesi, dhe merreni
dhe përdoreni si një mundësi për të theksuar
edhe një herë të gjitha arsyet pse ju besoni
që mund ta bëni atë lloj pune. Intervistuesi
do të vlerësojë shumë edhe aftësinë tuaj për
t’i kthyer situatat në favorin tuaj.

Google+ Followers