Shumë punë njëherësh

Sekreti fshihet tek elasticiteti


Kujdes me punën dhe detyrat: studime të ndryshme tregojnë se duke bërë shumë punë njëherësh ulet efikasiteti dhe mbingarkohet truri
Sa e vështirë është të përqendrohesh në punë kur në të njëjtën kohë shkruan në kompjuter, flet në telefon, dërgon një mesazh në celular dhe dëgjon urdhrat e shefit për një detyrë të dhënë. Studiuesit e disa universiteteve amerikane që kanë analizuar këtë fenomen, theksojnë se për të kryer një sërë detyrash njëherësh duhet të flitet për aftësi të mëdha që të kalohet me shpejtësi nga një aktivitet te tjetri. Çelësi i suksesit për t’iu përkushtuar shumë punëve njëherësh fshihet te kalimi mjaft i shpejtë dhe efikas nga njëra punë te tjetra. Kjo aftësi vlerësohet pozitivisht nga shumë kompani, të cilat kërkojnë vazhdimisht persona që kanë “elasticitet mendor”. Sipas një studiuesi nga Universiteti i Stendfordit në Silicon Valley, këtë aftësi e zotërojnë sot një pjesë e madhe e njerëzve. Për këtë qëllim janë përzgjedhur edhe 7 profesione, kryefjala e të cilave është: “shumë punë njëherësh”. Në fakt sot pothuajse të gjitha punët kërkojnë që punonjësit të jenë të vëmendshëm dhe të përqendrohen në shumë detyra. Profesionet e përzgjedhura nga specialistët janë:

1 – Organizator dasmash

Personi që po organizon një dasmë ose kongres duhet të arrijë të mbledhë të gjitha detajet dhe të përqendrohet te një numër i vogël informacionesh që ka përpara syve: nga ngjyra e tavolinave te numri i pastruesve, vendet e disponueshme në tavolinë, email-et me ndryshimet në minutën e fundit.

2 – “Chief listening”

Kjo figurë e re profesionale ka detyrë që të dëgjojë dhe të monitorojë atë që thuhet për firmën ku punon, duke mbajtur sytë të lidhura pas kompjuterit. E duke qenë se sot ka shumë vende virtuale ku mund të flitet, media sociale, forume, blogje, revista online, sajte të specializuara, duhet të kalosh nga një platformë te tjetra me shpejtësinë e dritës.

3 – Ndihmëse administrative

Me këtë profesion truri duhet mësuar me morinë e të dhënave dhe shifrave që vijnë vazhdimisht në tryezën e punës.

4 – Regjisor televiziv

Është një figurë që duhet të dijë të mbajë duart (dhe mendjen) në sektorë të ndryshëm: për një transmetim të vetëm televiziv duhet të kujdeset për zhvillimin e programit, zgjedhjen e personazheve, të moderatorëve, xhirimet, montazhin dhe nxjerrjen në transmetim. Gjithçka duhet të jetë gati brenda një kohe të shkurtër.

5 – Drejtor i punëve

Zakonisht kjo i referohet një inxhinieri, i cili është ngarkuar të zhvillojë një projekt ndërtimi, që në të njëjtën kohë duhet të respektojë afatin kohor të dorëzimit të përcaktuar paraprakisht dhe buxhetin në dispozicion. Gjithashtu ai duhet t’i paraqesë këshillit të punës zhvillimin e mëtejshëm të punimeve dhe të kujdeset për logjistikën. Por mbi të gjitha duhet të jetë në gjendje të kalojë nga njëri rol te tjetri në kohën më të shkurtër të mundshme.

6 – Mësues i arsimit të mesëm

Të tërheqësh vëmendjen e një klase të tërë djemsh e vajzash që janë në moshën e adoleshencës nuk është e lehtë, madje kërkon shumë punë dhe angazhim, sidomos kur bëhet fjalë për matematikën dhe numrat. Pasi bie zilja, nis e njëjta punë në një klasë tjetër, me studentë të tjerë, me një program tjetër dhe prindër të ndryshëm. Pa llogaritur pastaj detyrat e klasës, planet mësimore, ditarët, korrigjimi i detyrave të klasës, si dhe ekzekutimi i vendimeve në fund të vitit.

7 – Infermiere

Të kujdesesh për shumë pacientë në të njëjtën kohë, të kontrollosh kartelat dhe terapitë e përcaktuara nga mjekët, të flasësh me familjarët dhe të merresh me çështjet burokratike, duhet të jesh njëkohësisht infermiere, edukatore dhe udhëheqëse ekipi.














Google+ Followers