KLIMA Ja përse është edhe më keq nga sa mendonim


Pesë vjet më parë, raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës paraqiste një panoramë të zymtë për të ardhmen e planetit tonë. Teksa shkencëtarët grumbullojnë të dhëna për raportin e radhës, që do të dalë në 2014, ja shtatë arsye përse situata është edhe më e sterrosur…
  1. Arktiku po ngrohet më shpejt nga sa parashikohej
Jo shumë kohë më parë, oqeani Arktik ishte i mbuluar me një akull të trashë disavjeçar. Edhe në fund të verës, më shumë se gjysma e sipërfaqes së detit ishte sërish e mbuluar me akull. Teksa bota është ngrohur gjatë dekadave të fundit, ringrirja në dimër ka pushuar së kompensuari shkrirjen e verës. Akulli i bardhë që reflekton nxehtësinë i ka hapur rrugë ujit të errët që përthith nxehtësinë; dëbora është shkrirë edhe më herët në tokat që e rrethojnë; edhe më shumë lagështirë që mban si të zënë në kurth nxehtësinë ka hyrë në atmosferë; dhe dallgë e stuhi gjithnjë e më të mëdha kanë sulmuar akullin e dobësuar. Falë këtyre proceseve, Arktiku ka nisur të ngrohet dy herë më shpejt se sa çdo rajon tjetër i planetit.
Deri në fundin e viteve nëntëdhjetë, shtrirja e akullit të detit kish rënë në nivelin e saj më të ulët të 1400 viteve të fundit. Në fund të kësaj vere, vetëm një e katërta e Arktikut ishte ende e mbuluar me akull, një rekord për kohët moderne, dhe vëllimi total i akullit ishte vetëm sa një e pesta krahasuar me tre dekada më parë. Ajo që ka mbetur është një shtresë e hollë, e cila shkrihet me lehtësi.
Nuk duhej të ndodhte kaq shpejt. Në vitin 2007, kur Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (PNNK) nxorri raportin më të fundit për gjendjen e klimës së planetit, konsensusi ishte që Arktiku nuk do të ishte pa akull gjatë muajve të verës, deri në fund të shekullit. Mund të kemi qenë të pafatë: ndryshueshmëria natyrore mund të ketë përshpejtuar humbjen e akullit, duke e shtyrë akullin e vjetër e të trashë jashtë Arktikut. Por edhe modelet e klimës, e kanë nënvlerësuar ritmin e ndryshimit. Modeleve më të vjetra u mungonin detaje të rëndësishme, si për shembull pellgjet e shkrirë në sipërfaqe të akullit të detit, të cilët përthithin më shumë dritë dielli. Modelet më të fundit, të cilët përfshijnë më shumë procese, sërish thonë se do të duhen disa dekada përpara se të kemi verën e parë, fare pa akull. Por nëse trendet aktualë janë një guidë e besueshme, një verë të tillë do ta kemi ndoshta pas një dekade.
Sado kohë që të duhet, vazhdimi i humbjes së akullit do të ketë disa efekte. Këto mund të përfshijnë një mot më ekstrem në hemisferën veriore, shkrirje më të shpejtë të shtresës së akullit të Groenlandës, dhe çlirim më të madh të dioksidit të karbonit tashmë të kyçur në permafrost.
Mund të ketë surpriza të tjera, edhe më të pakëndshme. Paul Valdes në Universitetin e Bristolit, në Angli, thotë se ndryshime relativisht të vogla në gjendjen e Tokës – ndryshime orbitale, zhvendosje e rrymave oqeanike, e kështu me radhë – kanë shkaktuar në të kaluarën ndryshime të befta të klimës. 5500 vjet më parë, për shembull, savanat e harlisura dhe ligatinat e Afrikës veriore u shndërruan në shkretëtirë të Saharasë me kalimin e shekujve, apo ndoshta me kalimin e vetëm disa dekadave. Modele më të vjetra të klimës prodhojnë ndryshime të tilla dramatike vetëm si reagim ndaj çrregullimeve të mëdha. Nuk është ende e qartë nëse modelet më të reja janë më mirë në këtë drejtim. Ata mund të jenë duke na dhënë një ndjesi false sigurie, thotë Valdes.
  1. Prodhimi i ushqimit po merr një goditje
Në fillim të këtij viti, parashikoheshin të korra rekord në SHBA, teksa fermerët mbollën më shumë për të përfituar nga rritja e çmimeve. Por, të korrat ranë për shkak të thatësirës dhe nxehtësisë rekord. Britania kishte një tjetër problem: të korrat ranë për shkak të sasisë së madhe të shirave. Me motin ekstrem që ka goditur të korrat edhe në zona të tjera, çmimet globale të ushqimeve po rriten sërish.
Kjo bie ndesh me raportin e PNNK të 2007, që parashikonte se, nëse temperaturat do të rriteshin me 1.5 gradë më shumë se sa nivelet para-industrialë, i ngrohti më i madh dhe rritja e sasisë së CO2 do të rriste të korrat, të paktën në disa rajone. Vetëm një ngrohje me mbi 3.5 gradë parashikohej të sillte një rënie të prodhimit.
Por duket se ndryshimi i klimës ka tashmë një efekt të dëmshëm edhe pse bota është ngrohur me vetëm 0.8 gradë. Vitin që kaloi, një ekip në Universitetin e Stanfordit në Kaliforni panë prodhimin global të grurit, misrit, orizit dhe sojës – drithëra që ofrojnë tre të katërtat e kalorive të njerëzimit – nga viti 1980 deri në 2008. Bazuar në atë që dimë tani për mënyrën se si temperatura, shirat dhe nivelet e ujit ndikojnë rritjen e prodhimit, analiza tregon se të korrat mesatare janë sot më shumë se 1 për qind më të ulëta, nga sa do të kishin qenë pa ngrohjen globale. Pa efektin fertilizues të rritjes së nivelit të CO2, do të kishin qenë 3 për qind më të ulëta. “Efektet negative janë më me peshë se ata pozitivë”, thotë kryeautori i studimit, David Lobell. Analiza nuk pasqyron efektet e plota të ngjarjeve të tilla si përmbytjet, apo valët e fundit të motit ekstrem.
Vendet e pasura duhet të jenë në gjendje të kompensojnë këto ndryshime deri në një farë mase, duke ndryshuar çfarë rrisin dhe si e rrisin, si dhe duke krijuar më shumë varietete drithërash që janë tolerantë ndaj të nxehtit. Në të vërtetë do të jenë të detyruar: në 2008, Zyra për Kërkime Ekonomike e SHBA konkludoi se nëse fermerët në vend do të vazhdonin të rrisnin grurë, sojë dhe pambuk në po të njëjtat zona, të korrat do të binin me 75% deri në fund të shekullit.
Qëndrimi në një hap me ndryshimin nuk do të jetë i lehtë, dhe teksa rajonet e thata parashikohen të bëhen edhe më të thata, uji për vaditje mund të mbarojë në disa vende. Gjithashtu, nuk ka mënyrë për të mbrojtur drithërat në fushë nga i nxehti ekstrem apo nga shirat e tepërt. Me motin që parashikohet të bëhet gjithnjë e më i ndryshueshëm në disa rajone, problemi më i madh për fermerët në botë do të jetë që nuk do të dijnë çfarë të presin.
  1. Niveli i deteve do të rritet më shumë nga sa pritet
Stacioni i motit në Groenlandë ndodhet më shumë se 3000 metra mbi shtresën e madhe të akullit në vend. Temperatura aty, në një ditë të zakonshme vere është -10 gradë. Në korrik të këtij viti, temperatura u rrit mbi nivelin e ngrirjes. Në një moment, 97 për  qind e shtresës së akullit po shkrihej, duke shkaktuar përmbytje që fshinë disa ura. Nuk ishte një ngjarje e veçuar: dëbora e shkëlqyeshme po zëvendësohet nga akulli i pistë që përthith më shumë nxehtësi dhe shkrihet më shpejt. Përgjatë bregdetit, gjuhët lundruese të akullnajave po shpërbëhen. E ndërsa këto “diga” zhduken, lumenjtë e akujve pas tyre po përshpejtohen dhe bëhen më të hollë.
Deri vonë, ne mendonim se do të duhej të kalonin shekuj përpara se Groenlanda të humbiste një sasi domethënëse akulli. Shtresa e akullit e Antarktikut pritej të rritej, pasi rritja e reshjeve të dëborës pritej të kompensonte shkrirjen në skaje. Raporti i PNNK i 2007 supozonte që dy shtresat e akullit do të kontribuonin vetëm me 0.3 milimetra në vit për rritjen e nivelit të detit përgjatë shekullit të ardhshëm.
Që atëherë, shumë ekspertë e kundërshtuan këtë, dhe matjet satelitore kanë treguar tashmë se dy shtresat po humbasin akull sa për ta rritur me 1.3 milimetër në vit nivelin e deteve. Modelimi i fundit nga studiues të Institutit të Potsdamit për Studime të Impaktit të Klimës, në Gjermani, si dhe studime të klimës në të kaluarën, tregojnë se shumë shpejt planeti do të ngrohet aq sa për të shkrirë krejtësisht shtresën e akullit të Groenlandës – në mos është ngrohur tashmë aq sa duhet për këtë. Pyetja është se sa kohë do të kërkojë vetë shkrirja.
Shumica e studiuesve të akullnajave tani mendojnë se niveli i deteve do të rritet me të paktën një metër deri në 2100, dhe ndoshta deri me 2 metra. Mjafton për të përmbytur shumë qytete në nivel të ulët apo për t’i bërë të dobët ndaj stuhive. James Hansan, i Institutit Goddard të NASA për Studime Hapësinore, është edhe më pesimist. Ai argumenton se ndërsa akulli nis të shkrijë, do të nisin reagimet pozitive, që do të përshpejtojnë humbjen e akullit. Në fakt, vëzhgimet satelitorë tregojnë se ritmi i humbjes së akullit dyfishohet çdo 10 vjet, por siç thotë vetë Hansan, nuk mund të themi nëse kjo është një prirje afatgjatë apo afatshkurtër.
Pastaj është problemi i kolapsit të shtresës së akullit të Antarktikut perëndimor, siç ka ndodhur në shumë raste gjatë miliona viteve të fundit në përgjigje të ngrohjes. Zbulimet e fundit mbi gjendjen e akullit dhe natyrën e topografisë nën të tregojnë se mund të jetë më i goditshëm nga rrymat e ngrohta në detet që e rrethojnë, nga sa është menduar deri sot.
Ndodh kjo gjë apo jo, ne nuk duhet të gënjehemi nga efektet e vegjël që shohim tani, thotë oqeanografi Stefan Rahmstorf i Institutit Potsdam. “Rritja e nivelit të deteve është e ngadaltë në fillim, por në terma afatgjatë do të jetë një prej impakteve më të rëndë dhe trashëgimive më të gjata që do të lërë ngrohja globale që po shkaktojmë tani”.
  1. Nivelet e dioksidit të karbonit mund të vazhdojnë të rriten, edhe pse lëshimet ndalen
Vetëm gjysma e CO2 që lëshojmë në atmosferë qëndron aty. Pjesa tjetër përthithet nga toka dhe oqeanet. Por teksa bota ngrohet, ata do të mund të përthithin më pak. Me kalimin e kohës, ata do të fillojnë të lëshojnë CO2. Raporti i PNNK i vitit 2007 përfshinte projeksione për rritje të dioksidit të karbonit nga detet, toka dhe ndryshimi i vegjetacionit, por asnjë model nuk përfshinte mundësinë që mund të lëshohet edhe karbon nga permafrosti apo nga hidratet e metanit në fundin e deteve. Kjo mendohet të ketë ndodhur gjatë episodeve të ngrohjes globale në të kaluarën.
Këtë vit, studiuesit nga Universiteti i Victorias në British Columbia, Kanada bënë një prej përpjekjeve të para për të llogaritur lëshimet e permafrostit dhe konkluduan që këta do të çojnë në një ngrohje ekstra prej 0.25 gradë dhe ndoshta deri 1 gradë deri në 2100. Studimi pranonte që permafrosti më thellë se 3.5 metra do mbetej i paprekur, dhe nuk përfshinte erozionin e permafrostit në bregdet. Gjithashtu, ai injoronte faktin që një pjesë e karbonit do të lëshohet në formën e gazit më të fuqishëm, metanit. Me fjalë të tjera, ka gjasa të jetë një nënvlerësim.
Çuditërisht, nëse lëshojmë sasi të mëdha CO2, reagime të tilla në fakt shkaktojnë më pak ndryshim: sa më shumë CO2 të ketë në atmosferë, aq më pak efekt ngrohës ka nëse shtojmë më shumë. Zbulimi vërtetë shqetësues është që në rrethana të caktuara, lëshimet e karbonit mund të çojnë në një cikël vetëlëvizës. Edhe nëse të gjithë lëshimet e njeriut do të ndaleshin, nivelet e CO2 do të vazhdonin të rriteshin teksa akujt do të shkrinin, duke sjellë më shumë ngrohje dhe lëshime karboni.
Simulimet e kryera nga Paul Higgins i Shoqatës Meteorologjike Amerikane çojnë në një konkluzion të ngjashëm. Ai thotë se projeksionet e fundit të lëshimit të karbonit mund të jenë pak më shumë optimistë. “Edhe në skenarin me lëshime më të ulta të mundshme, ne mund të përfundojmë me përqëndrime të karbonit në atmosferë që i shkojnë për shtat skenarit më të keq të mundshëm të lëshimeve”.













Google+ Followers