Amerikanët, ata të pangopurit me seks

Si u formua imazhi i amerikanëve në sytë e qytetarëve britanikë gjatë Luftës së Dytë Botërore


Melissa Hogenboom, BBC


Tashmë janë mbushur 70 vjet që kur forcat ushtarake amerikane zbarkuan për herë të parë në tokën britanike për t’u bashkuar me aleatët e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Para luftës, britanikët e zakonshëm i njihnin amerikanët vetëm si gangsterë dhe heronj të ekranit të madh të kinemasë. Për shumë prej tyre, amerikanët e vërtetë qenë tronditës.
Ushtarët amerikanë sollën në tokën britanike në vitin 1942 e më pas coca cola, cigare dhe najlon. Ata thuhet se qenë tepër bujarë. Paga e tyre qe më shumë se pesë herë më e lartë se ajo e ushtarëve britanikë dhe për shkak se nuk kishin shpenzime të tjera dhe as ndonjë gjë për t’u shqetësuar, kishte plot kohë të lirë për festa.
Një prej veteranëve kujton: “Ne shpesh shkatërronim festat e tyre, i pinim birrat dhe flirtonim me gratë e tyre”. Natyra e tyre bujare joshi shumë vajza britanike. Në fund të luftës, mbi 70 mijë britanikë u martuan me ushtarë amerikanë.
“Vajzat çmendeshin, ne nuk kishim pasur kurrë vite më të mira. Nuk kishim qenë kurrë në shoqëri me aq shumë para”, thotë Prudence Portman, një britanike që u shoqërua me shumë amerikanë gjatë luftës. Fëmijët i vërdalliseshin ushtarëve amerikanë dhe i thoshin: “a keni çamçakëzë?”
Kenneth Pullen qe 14 vjeç kur ushtarët amerikanë mbërritën në qytetin e saj dhe tregon se në fillim “qe tronditëse” pasi askush nuk e dinte se “si qenë amerikanët ballë për ballë.” Ai besonte se amerikanët do të qenë “shumë të gjatë, të veshur me elegancë me të shkuar si vrasës indianësh apo policësh përreth Çikagos”.
Realiteti në fakt qe krejt ndryshe. Edhe gazeta “Times” u shpjegoi lexuesve të vet më 1942 se amerikanët qenë “miqësorë dhe të thjeshtë” dhe jo yje Hollivudi me dy pistoleta apo teksanë me kapele të mëdha. Duke lënë mënjanë stereotipat, një vrojtim i kryer nga BBC më 1942, zbuloi se shumica e britanikëve në fakt nuk kishin asnjë opinion mbi aleatët e tyre amerikanë. Por fluksi i madh i ushtarëve solli edhe tensione të mëdha që krijuan segregime shoqërore.
“The Times” raportonte më 4 gusht 1942: “Sjellja e tyre është e mirë, megjithëse pak më e ndryshme se ajo e britanikëve. Ata zënë miqësi më shpejt”.
Admirali Kirk, shefi i forcave detare amerikane, tha: “Mos i bezdisni ata, mos i përkëdhelni, trajtojini si t’ju vijë. Ata janë paralajmëruar për mënyrën e rezervuar të sjelljes së britanikëve dhe mund të jenë disi ngurues në fillim”.
Rreth 100 mijë amerikanë me ngjyrë mbërritën në Britani gjatë luftës, duke kapërcyer shumë herë popullatën me ngjyrë të këtij vendi, që në atë kohë vlerësohet të ketë qenë gjithsej vetëm 7 mijë. Ushtarët amerikanë me ngjyrë qenë të segreguar në Britani njësoj si në SHBA. Për shumicën e ushtarëve, kjo qe hera e parë që qenë larguar nga shtëpia.
“Varieteti i madh i amerikanëve të qytezave të vogla qe diçka e re për britanikët”, thotë Neil Wynn, një historian i Luftës së Dytë Botërore. Kur lufta përfundoi, rreth 3 milionë ushtarë amerikanë patën kaluar nëpër Britani. Por a ndryshoi mendimi i britanikëve mbi amerikanët gjatë kësaj kohe?
Ushtarët amerikanë përshkruheshin gjerësisht si “të shumëpaguar dhe që kishin shumë seks”. Amerikanët u përgjigjën duke thënë se britanikët qenë “të keqpaguar, kishin nevojë për seks dhe nuk kishin Eisenhoverin”. Pavarësisht gjuhës së përbashkët, të dy kombet shpejt vunë re dallimet mes tyre. Gratë raportonin vese të çuditshme amerikane në të ngrënë, në shpenzimin e lehtë të parave dhe thanë se qenë të egër e të furishëm.
“Ata nuk e njihnin praktikën britanike të mos të treguarit të parave dhe i linin paratë e tyre nëpër arkat e pabeve”, thotë Dorothy Kane. Ndoshta ajo që qe e çuditshme për një vend në luftë, qe fakti që aktivitetet dëfryese u rritën. Amerikanët zhvillonin festa duke joshur gratë në këtë mënyrë. Por vajzat që kalonin shumë kohë me ushtarët filluan të thirreshin “xhepi i jenkit” dhe ka vlerësime që thonë se rreth 9 mijë foshnja lindën jashtë martese në këtë periudhë.
Një raport i qeverisë më 1945 thoshte se vajzat kanë filluar ta shohin Amerikën si një “vend magjik” dhe se “gatishmëria amerikane për të shfrytëzuar vajzat” i bënte ata tërheqës si të dashur.
Amerikanët injektuan para në ekonomi, gjë që solli disi lehtësim nga fukarallëku i kohës. Kjo periudhë forcoi edhe “marrëdhënien e posaçme” mes dy kombeve, një shprehje e ngulitur fillimisht nga Uinston Çurçill dhe që bëri jehonë për shumë kohë.
Ndërsa britanikët krijonin stereotipa mbi amerikanët, kjo ndodhte edhe në krahun tjetër. Secilit prej amerikanëve iu dha një manual mësimor mbi Britaninë e Madhe. Aty shkruhej se britanikët qenë “të rezervuar, por jo armiqësorë”, dhe të fortë, megjithëse ata mund të duken të edukuar dhe që flasin butë. “Ata nuk janë ngordhalaqë”, shkruante më tej manuali. Aty shkruhej gjithashtu se në lokalet britanike shitej birrë e ftohtë dhe se nuk dinin të bënin një kafe për së mbari.
Bill Ryan, tashmë 86 vjeç, qe vetëm 16 kur mbërriti në Britaninë e Madhe dhe tregon se si u habit nga fakti që britanikët mbanin radhë. Në SHBA kjo nuk ndodhte.
Megjithëse ndikimi nga filmat muzikorë amerikanë sakaq qe përhapur në Britaninë e Madhe, festat e vazhdueshme në bazat ushtarake popullarizuan edhe R&B, Bluzin dhe Xhazin. Një muzikë e tillë nuk qe vënë kurrë në BBC deri në atë kohë, thotë një historian.
Profesor David Reynolds, nga Universiteti i Kembrixhit dhe autor i një libri me titull “Pushtimi Amerikan i Britanisë”, thotë se kontakti personal me trupat amerikane “penetroi menjëherë përtej imazhit të krijuar nga kinemaja te të kuptuarit se ata qenë njerëz prej mishi dhe gjaku”.
Por ai shton se “ka pasur shpesh shumë ankesa ndaj tyre për shkak të mënyrës se si i shpenzonin paratë”. Por shumë të tjerë, veçanërisht gratë, ranë në dashuri me kulturën amerikane, me muzikën dhe konsumerizmin dhe krijuan imazhin e një vendi ideal.
Reynolds vëren se britanikët konservatorë qenë të shqetësuar për faktin se kultura konsumatore amerikane “po minon apo shkatërron” vlerat britanike. Amerikanët me pagat, uniformat tërheqëse dhe natyrën flirtuese, simbolizonin “dominimin gradual të SHBA-së në aleancë”.
“Lufta qe pjesë e një tendence më të gjerë që tregonte ndryshimin e kulturës britanike nga amerikanët. Për disa kjo qe e mikpritur, për disa të tjerë, e urryer.”
Udhëheqësit e sotëm të SHBA-së dhe Britanisë flasin sërish për “marrëdhënien e posaçme” që filloi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me gjithë mërzinë e disave, amerikanizmi sërish dominon në gjuhën britanike, ndërsa anglishtja e Britanisë së Madhe përbuzet në SHBA.

Google+ Followers