Tetë mënyra se si Kina po e ndryshon botën


Faktet

  • Partia Komuniste mblidhet një herë në dhjetë vjet
  • Këtë herë, udhëheqësit mbi 68 vjeç do të dalin në pension
  • Pesë apo shtatë udhëheqësit kryesorë të vendit do të dalin në pah
  • Emrat e tyre janë vendosur sakaq në fshehtësi, asnjë nuk është zgjedhur
  • Fraksionet janë më të rëndësishme se sa politikat
  • Procesi i seleksionimit nuk njihet në detaje për botën e jashtme

Gjuha
  • Rreth 840 milionë kinezë flasin gjuhën mandarin si gjuhë të parë
  • Vetëm 375 milionë njerëz në të gjithë botën flasin anglisht si gjuhë e nënës
  • Mbi 1 miliard njerëz të tjerë e flasin anglishten si gjuhë e dytë, ose e kanë mësuar si gjuhë të huaj
  • Gjuha kineze ka dhjetëra mijëra germa, por rreth 3-4 mijë janë të mjaftueshme për të lexuar lajmet

Destinacionet turistike kryesore për kinezët
  1. Hong-Kong 13 milionë vetë
  2. Makau 7.7 milionë
  3. Koreja e Jugut 2.2 milionë
  4. Tajvan 2.1 milionë
  5. Tailandë 1.7 milionë
  6. SHBA 1.1 milionë
  7. Francë 1 milionë
Angus Foster, BBC


Partia Komuniste e Kinës do të takohet më 8 nëntor për të firmosur e vulosur ndryshime të rëndësishme dhe do të vendosë udhëheqës të rinj për vendin, të cilët do të qeverisin për dhjetë vitet e ardhshme.

Këtu janë tetë arsye, dhe numri tetë është i rëndësishëm në Kinë, për të treguar se pse bota duhet t’i kushtojë vëmendje asaj që po ndodh në korridoret e fshehta të Pallatit të Madh të Popullit në Pekin.
Të pasurohesh është madhështore”
Tashmë kanë kaluar 35 vite që kur ish-udhëheqësi Ten SiaoPin hodhi sloganin e famshëm, që sinjalizoi hapjen e Kinës për botën dhe themelimin e një prej sukseseve më të mëdha ekonomike në historinë njerëzore.
Ekonomia e saj është transformuar nga ekonomia e një vendi më të vogël se sa Italia, tek e dyta më e madhja në planet dhe tashmë vendi numëron një milion milionerë me dollarë. Në kohën kur udhëheqësi i ardhshëm do të kalojë pushtetin te pasardhësi në vitin 2022, Kina do të jetë duke sfiduar SHBA-në për vendin e parë.
Si qeveriset Kina
Ky transformim ka ndryshuar mënyrën se si bota bën biznes. Krahu i lirë i punës në Kinë ka ndihmuar në uljen e çmimeve në Perëndim për çdo gjë, që nga veshjet te telefonat celularë. Ky vend është sakaq investitori më i madh në Afrikë, duke premtuar një zhvendosje të vëmendjes së kontinentit nga Europa dhe SHBA-ja drejt Azisë, ndryshimi i parë i këtij lloji në dy shekuj. Kina është blerësi më i madh i huaj i borxhit publik amerikan. A është kjo gjë kërcënuese apo një bast prej të çmendurish?
Pyetja kryesore tashmë është nëse udhëheqësit e rinj mund ta ruajnë rritjen e ekonomisë me të njëjtin ritëm si në të shkuarën dhe rrjedhimisht të ndihmojnë pjesën tjetër të botës të rimëkëmbet. Shumica e analistëve perëndimorë besojnë se rritja do të ngadalësohet nga 10 për qind në të shkuarën në 6 apo 7 për qind në vit, gjë që është sërish shumë mbresëlënëse, por argumentojnë se reforma të thella janë të nevojshme në mënyrë që Kina të bëhet një vend i pasur dhe jo thjesht një vend me të ardhura të mesme.
Rritja duhet të ndihmojë për të krijuar shtresën e mesme më të madhe në botë, një grup njerëzish të etur për të shijuar rehatinë njerëzore, si makinat apo ajrin e kondicionuar, cilado qoftë kostoja mjedisore.
Çdo festë në fund duhet të përfundojë
Kina është rritur kaq shpejt dhe as që ka ndaluar ndonjëherë për të menduar për koston mjedisore të rritjes. Rezultati është për të ardhur keq. Industrializimi i shpejtë dhe bumi i ndërtimit kanë bërë që Kina të kapërcejë Shtetet e Bashkuara si prodhuesi më i madh i planetit për gazra serë që nga viti 2007 e prapa. Shtatë nga qytetet më të ndotura në planet janë në Kinë. Ndotja shkakton çdo vit 500 deri në 750 mijë vdekje të parakohshme.
Dëmi nuk është vetëm brenda Kinës. Ndotja ajrore përfshi merkurin dhe plumbin, transferohen përmes ajrit në vendet fqinje, si dhe përtej Paqësorit, ku bie në brigjet perëndimore të Amerikës. Udhëheqësit e Kinës duken të vendosur të kufizojnë ndotjen, por përmasat e kësaj pune janë të jashtëzakonshme.
“Nëse shikon madhësinë e ekonomisë dhe popullatën, këta dy faktorë tregojnë se sa komplekse do të jetë mbrojtja e ambientit”, thotë Edgar Cua nga Banka Aziatike e Zhvillimit.
Kjo do të thotë se Kina do të jetë shumë e rëndësishme për çfarëdolloj marrëveshjeje që synohet të arrihet në të ardhmen për të kufizuar emisionet e gazit serë, përpjekjeve për të reduktuar “intensitetin e karbonit”, pra sasinë e karbonit të lëshuar për njësi prodhimi. Bota ka një objektiv për ta reduktuar intensitetin me 40-45 për qind deri më 2020-n. Por për shkak se ekonomia po rritet kaq shpejt dhe varësisë së Kinës për të mbuluar me qymyr 70 për qind të nevojave energjetike, gazrat serë do të vijojnë të rriten me shpejtësi, edhe pse ndoshta intensiteti do të reduktohet.
Mësoju fëmijëve gjuhën mandarin
Kina i ka magjepsur gjithmonë perëndimorët, por ngritja e këtij vendi në nivelin e superfuqive ka krijuar edhe një rigjallërim të interesimit për kulturën dhe gjuhët e këtij vendi. Tridhjetë vjet më parë, vetëm udhëheqësit e Kinës njiheshin në Perëndim. Tashmë, njerëz si aktorja Zhang Ziyi, lojtari i basketbollit Yao Ming dhe artisti Zhang Xiaogang janë bërë figura botërore.
Ndërkohë shkollat nëpër Europë dhe SHBA-ja po ofrojnë kurse të gjuhës mandarin për fëmijët që në moshën gjashtë vjeç dhe gjatë Olimpiadës skriptet kineze u panë si reklama nëpër autobusët e Londrës.
Qeveria kineze është përpjekur të kapë të pasionuarit pas lindjes, duke krijuar qindra institute të Konfucit nëpër të gjithë botën, synimi i nënkuptuar i të cilave është mësimi i gjuhës kineze, por funksionojnë edhe si institucione të pushtetit të butë.
Numri i njerëzve që flasin gjuhën mandarin është i destinuar të rritet shpejt, veçanërisht në Azi, por a është kjo gjuhë realisht e aftë të zëvendësojë anglishten si gjuhë botërore? Kjo nuk mund të ndodhë brenda të ardhmes së afërme, argumentojnë shumë ekspertë, duke theksuar se tingujt e saj acarues dhe skripti kërkojnë shumë vite për t’u mësuar.
Me hap të shpejtë
Kina përshtati togfjalëshin “rritje paqësore” në përpjekje për të siguruar fqinjët e vet nervozë se suksesi ekonomik i kohëve të fundit nuk do ta kthejë në një fuqi agresore. Por diskutimet territoriale me Japoninë, Filipinet e Vietnamin, si dhe tensionet e herëpashershme me SHBA-në, shpesh acarojnë të gjithë botën.
Ushtria Popullore për Çlirim e Kinës është ushtria më e madhe në botë, me tre milionë njerëz dhe me buxhetin e vet zyrtar në rritje të vazhdueshme. Aeroplanmbajtësja e saj e parë sapo hyri në shërbim dhe besohet se Kina po investon shumë në teknologjinë e mjeteve të padukshme, luftës hapësinore dhe sigurinë kibernetike.
Këto janë zhvillime natyrore për një vend të këtyre përmasave dhe Kina argumenton se asgjë nuk ka ndryshuar në politikën e vet.
“Çdo vend duhet të mbrojë sigurinë dhe interesat e veta territoriale, por kjo nuk do të thotë se ne jemi bërë agresorë, sepse në këtë mënyrë edhe miqtë të kthehen në armiq”, thotë Wu Jianmin, ish-ambasador në Francë.
Por pyetja kryesore është se si udhëheqësit e rinj të Kinës do të sillen dhe cila është politika e tyre kundër SHBA-së. A mos fakti që ata janë më të rinj dhe kanë më shumë eksperiencë nga bota e jashtme, do t’i ndihmojë të eliminojnë dyshimet mes rivalëve të vet ushtarakë? Historia sugjeron se mosmarrëveshjet mes superfuqive dhe konkurrentët e vet të rinj sjellin më shumë tension se sa mirëkuptim.
Njeriu i ardhshëm në Hënë, një kinez?
Partia Komuniste e Kinës e paraqet shekullin para ardhjes së saj në pushtet më 1949-n si një shekull poshtërimi përballë Perëndimit. Programi i suksesshëm hapësinor i Kinës është një provë e lavdërueshme e rritjes së rolit ndërkombëtar të këtij vendi. Por kostoja e stërmadhe është shumë e debatueshme, për shkak se ende 150 milionë kinezë jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë.
Pasi ka dërguar mjetin e parë pa njerëz përreth Hënës, Kina ka deklaruar se do të testojë uljen e parë më 2013-n. Ajo ka folur edhe për plane paraprake për të dërguar njerëz në Hënë, megjithëse një datë për këtë nuk është përcaktuar.
Nëse misioni ecën përpara, televizionet nëpër dhomat tona të gjumit do të paraqesin edhe flamurin kinez si sfidë ndaj superfuqisë kryesore hapësinore të sotme, Shteteve të Bashkuara.
Fundi për elefantët, rinoqerontët, derrat e egër
Pasunarët e rinj të Kinës akuzohen për faktin se po vënë në rrezik ekzistencën e shumë specieve të rralla, për shkak se i përdorin ato për afrodiziakë, zbukurime apo për ushqim.
Mijëra elefantë të Afrikës vriten çdo vit për fildishin e tyre, i cili është shumë i kushtueshëm në Kinë dhe Pekini është kritikuar për shkak se nuk e ka kontrolluar siç duhet tregtinë e fildishit.
Problemi është se reforma ekonomike, e cila ka nxjerrë qindra milionë njerëz nga kushtet e varfërisë, ka krijuar gjithashtu konsumatorë tekanjozë.
Konsumimi i mishit të derrit jep një ide më të mirë mbi ndikimin e mirëqenies. Kina konsumon tashmë pesë herë më shumë mish derri se sa më 1979-n dhe është shtëpia e 460 milionë derrave, gjysma e totalit të botës.
Por ushqimi i tyre është i pamundur, për shkak të mungesës së tokës. Rrjedhimisht fermerët e tyre janë përgjegjës për importimin e 60 për qind të të gjithë sojës që prodhohet në planet, duke sjellë rritjen e çmimit të këtij produkti gjithkund dhe duke rritur frikën për ndikimin në mjedis të kësaj industrie.
Në të ardhmen, presioni ka gjasa që do të intensifikohet, për shkak se Kina kërkon të ushqejë 21 për qind të popullatës së botës me vetëm 9 për qind të tokës së kultivueshme. Disa ekspertë besojnë se ne të gjithë do të mësohemi me çmime më të larta të ushqimeve dhe me faktin që kinezët do të blejnë gjithnjë e më shumë tokë jashtë vendit.
Më mirë të udhëtosh se sa të lexosh 10 mijë libra
Deri në vitin 1995, aplikimi për një pasaportë për jashtë shtetit kërkonte një kontroll burokratik të imtësishëm, që vijonte për gjashtë muaj dhe shumica e aplikantëve qenë zyrtarë. Sot, aplikimi zgjat vetëm pak ditë dhe miliona kinezë po e kapin këtë mundësi për të udhëtuar jashtë vendit për turizëm apo si studentë.
Turistët e Kinës janë shpenzuesit e tretë më të mëdhenj të botës pas gjermanëve e amerikanëve dhe mbi 70 milionë kinezë udhëtuan përtej detit më 2011-n, në krahasim me 4.5 milionë më 1995-n. Shumica qëndrojnë pranë shtëpisë në vende si Hong-Kongu, Makao apo Tailanda. Por gjithnjë e më shumë shkojnë në SHBA apo Francë, si dhe në destinacione më pak të njohura si Trier, vendi i lindjes i Karl Marksit. Në Paris, anijet e lumit Baton Rouge, ku klientët e huaj marrin shërbime në gjuhën e vet, mandarin, është aktualisht gjuha kryesore dhe ka kapërcyer gjuhën japoneze.
Rreth 300 mijë studentë kinezë çdo vit nisen për jashtë shtetit, veçanërisht në universitetet amerikane dhe australiane. Ata dëshirojnë cilësinë e universiteteve perëndimore për të gjetur punë më të mirë kur të kthehen në shtëpi. Disa e shohin gjithashtu si një mënyrë për të shmangur testin e lodhshëm të pranimit nëpër universitetet kineze.
Po blejnë planetin
Mirëqenia e krijuar brenda Kinës ka filluar të përhapet edhe nëpër pjesën tjetër të botës. Kërkesa kineze ka sjellë rritje të çmimeve të mallrave bazë, si bakri, i nevojitur për prodhimin e kabllove, një mall i pazëvendësueshëm për infrastrukturën në rritje të qyteteve. Ky shtet ka joshur edhe prodhuesit europianë të mallrave të luksit, si Louis Vuitton dhe Hermes, mallrat e të cilëve janë shumë të vlerësuara në kulturën kineze që është e fiksuar pas praktikës së dhënies së dhuratave. Edhe tregu i verërave të mira po ndryshon, Kina blen tashmë më shumë verë Bordoje se sa Gjermania.
Ndoshta impakti më spektakolar është arti i Kinës. Disa besojnë se bëhet fjalë vetëm për një flluskë. Por fakti është se tri nga dhjetë pikturat më të shtrenjta të shitura më 2011-n u përkisnin artistëve kinezë, përfshirë edhe më të shtrenjtën, një tablo nga Qi Baishi që kushtoi 57.2 milionë dollarë.
Faza tjetër ka shumë gjasa të jetë një valë blerjesh përtej detit nga gjigantët industrialistë të këtij vendi, në kërkim të tregjeve dhe ekspertizës. Kjo do të jetë shumë e debatueshme, për shkak se shumica e industrisë kontrollohet nga Partia Komuniste. Në fusha si telekomunikacioni dhe energjia, këto mund të fillojnë një përplasje të gjerë me Perëndimin.

Google+ Followers