Si u krijuar Kryqi i kuq Amerikan

Nga Albana Melyshi Lifschin




Kur në verën e vitit 1862, gjatë kohës së luftës civile, Klara Barton u paraqit në zyrat e koloneli Daniel Raker duke kërkuar të shkonte në front, ai i hodhi një vështrim të shpejtë kësaj gruaje trupvogël që s’peshonte as dyzet kilogram dhe refuzoi në mënyrë kategorike. Klara me sy të përlotur i tregoi atij ilaçet, fashot, ushqimin e gjithçka kishte përgatitur për të plagosurit në fushën e betejës. Ajo ishte e vendosur të shkonte. Atëherë ai i dha leje. Me 13 gusht ajo arriti në Culpeper, Virxhinia, ku ushtarët e Unionit kishin humbur një betejë të ashpër vetëm katër ditë përpara në të cilën kishin vdekur 2000 vetë. Qindra e qindra të tjerë kishin mbushur spitalin e vuanin nga dhimbjet e plagëve për mungesë pajisjesh mjekësore. Në spital dëgjoheshin rënkimet e të plagosurve. Ata ishin të shumtë. Disa prej tyre rrinin shtrirë nëpër korridore pasi dhomat ishin mbushur plot. Dikush kishte humbur një krah, një tjetër një këmbë, shumë ishin të dehidratuar e s’kishin pirë asnjë gllënjkë ujë që nga mbarimi i betejës. Klara nxitoi t’u vinte në ndihmë të gjithëve. Ajo u mbajti kokën të plagosurve, i ushqeu ata si fëmijët e u pastroi plagët. Një kapiten u afrua e i tha: “Zonjë a nuk u duket se kjo është punë e vështirë për një grua?” Ajo iu përgjigj:” A nuk është e vështirë për ushtarët gjithashtu? ”

Vërejtjet, mosbesimin, sugjerimet Klara Barton i la mënjanë.

Dy ditë më vonë ajo kishte mbledhur mendjen të shkonte pikërisht aty ku bëhej lufta, ku vriteshin e plagoseshin ushtarët e ku nevoja për ndihmën e saj ishte e menjëhershme. Ajo u shfaqej ushtarëve të plagosur për t’u lidhur plagët pikërisht atëherë kur duhej. Në fytyrën e saj ushtarët amerikanë gjetën dhimbjen e nënës, dashurinë e motrës. Për të plagosurit, Klara trupvogël me fytyrën e përzhitur në flakët e luftës me flokët që ia merrte era ishte një mrekulli. Asaj i shkonte shumë emri që i vunë “Engjëll i fushës së betejës”

Në dhjetor të vitit 1862, gjatë betejës së Frederiksbërgut ajo vraponte në një urë të improvizuar ushtarake përmes gjëmimit të topave dhe fluturimit të plumbave. Klara qëndroi me javë të tëra pranë ushtarëve të plagosur. Në betejën e Frederiksbërgut u vranë 12 mijë ushtarë të Unionit. Gjatë luftës civile numri i përgjithshëm arriti më shumë se 360 000. Gjysma e të vdekurve ishte e paidentifikuar, mijra të tjerë mendoheshin të ishin kapur rob apo dergjeshin nëpër burgje por askush s’mund të thoshte për siguri se ku ishin ” të humburit.” Klara Barton vendosi të merrte përsipër misionin e kërkimit të humburve në luftë. Ajo i kërkoi presidentit Linkoln që t’i jepte lejen që të merrej me këtë punë. Ai i dha autorizimin e tij. Klara Barton u nis për në Annapolis dhe atje ngriti zyrën e saj për këtë qëllim. Ajo organizoi një punë të mrekullueshme duke përdorur edhe Median. Në gazeta shpalleshin emrat e personave që mungonin si edhe anëtarëve të familjeve që kërkonin bijtë e tyre.

Për këtë asaj iu desh të përdorte edhe të hollat e saj pasi Departamenti i luftës nuk mundi të ndihmonte deri në fund me fonde. Kur edhe kursimet e saj u mbaruan, Klara e ndjeu veten keq. Ndërkohë familjet vazhdonin të kërkonin të dashurit e tyre. Puna s’mund të lihej përgjysëm. Me kurajo ajo i shkroi Kongresit amerikan për ti dhënë fonde të reja për të bërë të mundur vazhdimin e punës. Ajo udhëtoi nëpër të gjithë vendin duke shpjeguar misionin e saj e domosdoshmërinë e vazhdimit të tij. Ajo punoi intensivisht e në këtë proces u njoh me shumë mbështetës të çështjes së saj si Elisabet Stanton dhe Susan Anthony, mbrojtëse të drejtave të gruas. Ajo u njoh gjithashtu me Frederik Daglas dhe u bë aktiviste për të drejtat e zezakëve.

Klara Barton identifikoi 22 mijë luftëtarë të humbur në luftë. Në moshën 66 vjeçare ajo kishte arritur një karrierë të suksesshme e jeta e saj kishte një bilanc të pasur.

Në vitin 1869, Klara shkoi në Europë për pushime por shpejt u ndodh në mes të konfliktit Franko -Prusian. Si gjithmonë, duke dashur të ndihmojë, ajo bashkëpunoi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar duke shpërndarë medikamente mjekësore në Francë dhe Gjermani. Në vitin 1873, kur u kthye në atdhe solli me vehte Medaljen e Kryqit të Hekurt nga perandori Gjerman.

Më 1877 ajo i shkroi një letër Luis Appia, përfaqësuesit të Kryqit të Kuq në Gjenevë, ku i kërkonte lejen të krijonte Kryqin e kuq Amerikan. Appia e emëroi atë përfaqësuese te Kryqit te kuq në Amerikë. Në vendin e saj kërkesa për krijimin e Kryqin të Kuq amerikan, u prit me skepticizëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin anëtare të Konventës së Gjenevës të 1864, që krijoi Kryqin e Kuq ndërkombëtar. Pastaj, përderisa s’kishte më luftë, pse duhej Kryqi i kuq? Por Klara ishte e përgatitur për përgjigjen. Në raste fatkeqësish natyrore, kur njerëzit kërcënoheshin nga vdekja, e varfëria.. ja, pikërisht aty është e nevojshme ndihma e Kryqit të Kuq.

Klara Barton e ndërmori këtë iniciativë krejt e vetme duke edukuar publikun nëpërmjet fjalimeve, shpërndarjes se broshurave dhe duke paguar vetë telefonat që u bënte anëtarëve të kongresit amerikan për këtë qëllim. Përpjekjet e saj u kurorëzuan me sukses.
Në 1881 u organizua Shoqëria Kombëtare e Kryqit te Kuq. Xhon D. Rockefeller dha të holla për të krijuar Shtabin e Kryqit të Kuq në Washington DC, një bllok me tej se Shtëpia e Bardhë

Klara Barton u bë presidentja e parë e Kryqit të Kuq dhe drejtoi aktivitetin e tij për 23 vjet. Gjithnjë e dedikuar për të ndihmuar të tjerët, në 1898 ajo vajti madje në Kubë me një kargo me furnizime mjekësore kur ishte në moshën 70 vjeçe. Ajo gjithashtu kaloi gjashtë javë në Galveston, Teksas duke ndihmuar nga përmbytja kur ishte 79 vjeçe. Klara vdiq në 1912, në moshën 91 vjeç. Klara Barton është një nga heroinat më të mëdha të Amerikës.

Detroit Free Press fill pas vdekjes së saj në 1912, shkruante se ajo ishte ndoshta” trupëzimi me perfekt i mëshirës që ka njohur bota moderne”

Sot Kryqi i Kuq amerikan ka fituar një autoritet të përbotshëm. Organizata i qëndron besnike parimeve të humanizmit, neutralitetit, independencës, shërbimit vullnetar, unitetit dhe universalitetit te krijuara nga themeluesja e saj Klara Barton.

Nga libri i autores “Udhëtim në historinë e Amerikës”, bot 2003,2006, 2010

Google+ Followers