Madhështia e një gruaje: Eleanor Ruzvelt

Nga Albana Lifschin


Eleanor Ruzvelt ishte gruaja e presidentit Frenklin Delano Ruzvelt, por më shumë se grua presidenti, ajo ishte jehona e madhështisë së tij.


Fëmijë e vetmuar, vajzë e re e ndrojtur, aspak e bukur, madje e përçmuar për pamjen e saj, e pasigurtë, e zhgënjyer në jetën private, Eleanor Ruzvelt e shndërroi veten në një grua me personalitet të shquar. Me kontributin e saj humanitar për të mirën e njerëzimit, për fëmijët, për të shtypurit dhe të varfrit kudo në botë, ajo fitoi dashurinë e admirimin e miliona njerëzve. Ish-presidenti i SHBA, Harri Truman e quajti atë “Zonja e parë e botës”
Familja Ruzvelt, ku lindi ajo, ishte nga familjet më të vjetra, më të pasura e më të respektuara amerikane të kohës. Në sy të botës Eleanora ishte një fëmijë që kishte gjithçka që i duhej për të qenë e lumtur. Por ajo nuk qe atraktive dhe këtë gjë e vuante shumë. I vetmi gëzim në fëmijërinë e Eleonorës ishte i ati, Elliot Ruzvelt, vëllai i vogël i Teodor Ruzveltit, (president i SHBA në vitet 1901-1909) i cili lozte me të, e hidhte dhe e priste në ajër, e më vonë kur ajo hyri në moshën e rinisë e porosiste në letrat e tij që të bëhej një grua me kulturë, të ndihmonte njerëzit e ta bënte babanë e saj krenar për të. Eleanora i ruajti letrat e të atit deri ditët e fundit të jetës së saj. Gjatë kohës që ishte në Angli, zonjushë në moshën 15 vjeçare, ajo mësoi të kujdesej për paraqitjen e saj dhe ndërkohë të zhvillonte besimin në vetvete. Në moshën 18 vjeç, jeta e saj mori një kthesë të rëndësishme.

U takua dhe ra në dashuri me Frenklin Ruzveltin. Frenklini ishte një djalë i gjatë, i pashëm dhe kushëri i largët i familjes që rasti i pat takuar shumë rrallë me njëri-tjetrin. Pas kthimit të Eleonorës nga Anglia, të dy të rinjtë filluan të takoheshin fshehurazi. Frenklin Ruzvelti gjeti tek Eleonora njeriun të cilit mund t’i besonte dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për të. Ai ishte i sigurtë gjithashtu se ajo me natyrën që kishte nuk do të përpiqej kurrë ta dominonte. Frenklini i propozoi për martesë. Në ceremoninë  e martesës merrte pjesë presidenti i Shteteve të Bashkuara atë kohë, Tedi Ruzvelt-xhaxhai i saj, i cili përcolli nusen.

Por edhe pse e martuar me dashuri, jeta e saj bashkëshortore nuk ishte e lumtur. E ndrojtur, vajzë që lëndohej shpejt, Eleonora u mësua t’i mbante gjërat përbrenda duke u përpjekur të mos e humbiste kontrollin e vetes. Frenklinin nga ana tjetër, qetësia e së shoqes e irritonte dhe e distanconte nga ajo. Ndërkohë karriera e tij politike po avanconte me shpejtësi. Më 1913, Presidenti Uillson e emëroi në një post qeveritar të rëndësishëm për kohën gjë që kërkonte transferimin e familjes në Uashington.

Gjatë luftës së parë botërore Eleonora u angazhua me Kryqin e Kuq duke dhënë maksimumin e duke shfrytëzuar edhe influencën e të shoqit për këtë qëllim.

Në vjeshtë të vitit 1918, Eleanora zbuloi që i shoqi kishte marrëdhënie intime me sekretaren Lusi Mërsër (Lucy Mercer), që ishte një vajzë e re e gjatë, bionde e bukur. Kjo qe një traumë e vërtetë për Eleonorën të cilën ajo nuk mundi ta përballojë. Eleonora kërkoi divorc. Por Frenklini nuk e donte divorcin. Ai u përpoq ta bindte të shoqen që të mos e bënte këtë gjë për hir të fëmijëve. Veç kësaj, divorci për Frenklinin në atë kohë do të thoshte shkatërrim i karrierës së tij politike. Eleonora e fali të shoqin, por jeta e tyre bashkëshortore nuk qe më si më parë. Tre vjet pas kësaj për Eleonorën qenë vite të rënda, por ajo nuk iu dorëzua dëshpërimit të saj. Ato ironikisht u bënë edhe vite emancipimi për të. Ajo u përfshi në lëvizjen për paqen dhe për gruan.

Në verën e vitit 1921, ndërsa ndodhej në pushime, Frenklin Ruzvelti u paralizua nga poliomilitis. Nëna e tij, një grua e fortë, si edhe shumë prej miqve të tij e këshilluan atë të linte karrierën politike. Këtë herë Eleanora e qetë si asnjëherë nguli këmbë që i shoqi nuk duhej trajtuar si një i sëmurë të cilit s’i kishte mbetur gjë tjetër veçse t’i nënshtrohej sëmundjes së tij e ashtu të priste vdekjen. Bindja e vendosmëria e Eleonorës i ktheu Frenklinit energjitë. “Unë e inkurajova atë të zgjidhte rrugën më të vështirë. Si gruaja e tij, unë mendoj se kam vepruar në pajtim të plotë me ndërgjegjen e tij”, shkruante ajo në kujtimet e saj.

Në 1928 Frenklin Delano Ruzvelt u zgjodh guvernator i Nju Jorkut dhe katër vjet më vonë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë edhe vetë Eleonora kishte ndryshuar; ajo qe futur tashmë në jetën politike. Ajo u bë partnere me të shoqin dhe nuk mendoi kurrë ta lëndonte atë. Ata punuan së bashku në shumë çështje dhe ai e përkrahte Eleonorën në iniciativat e saj. Eleonor Ruzvelti i dha një vizion më të gjerë rolit të saj si Zonjë e parë e Amerikës. Ajo e zhvilloi dhe e pasuroi atë duke iu përgjigjur problemeve te kohës. Si zonja e parë e vendit ajo u bë zëdhënëse energjike dhe përfaqësuese e nevojave të popullit tek presidenti. Në programin e presidentit për daljen nga depresioni ekonomik u përfshinë edhe idetë e Eleonorës. Ajo priste e përcillte me kënaqësi në Shtëpinë e Bardhë mijra njerëz. Ajo udhëtoi në të gjitha anët e vendit, dha leksione e mbajti konferenca shtypi dhe shprehu opinionin e saj për çështjet e ditës në rubrikën e saj të përditshme në shtyp të quajtur “Dita ime.” Ajo kishte kurajo të mbronte mendimin e saj botërisht për çështje të rëndësishme, madje edhe kur i shoqi i saj heshte.

Në vitet ‘30-të ajo ngriti zërin për krijimin e Gjykatës botërore, foli në radio e shkroi artikuj. “Me gjithë këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin në botë, me rritjen e fashizmit ne kemi nevojë për një siguri kolektive, ne na duhet një gjykatë botërore, diçka si Lidhja e Kombeve. Ne duhet ta luftojmë fashizmin së bashku. Ne duhet t’u vëmë pritë Shteteve agresore…” theksonte ajo. Në 1938 Eleonora madje shkroi edhe një libër lidhur me këtë çështje “This troubled ëorld” (Kjo botë e trazuar”)
Pas hyrjes së Amerikës në Luftën e Dytë Botërore Eleonora Ruzvelti vizitonte barakat e spitalet e ushtarëve të plagosur në ishujt e Pacifikut. Ajo ndalonte pranë shtratit të çdo ushtari të plagosur për t’i thënë një fjalë inkurajuese, për t’u thënë ushtarëve ato fjalë që vetëm nënat e tyre do t’u thoshin. Admirali Nimits thoshte se “askush s’ka bërë më shumë se ajo për të ngritur lart moralin e ushtarëve.”

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aktiviteti i saj u rrit në shkallë ndërkombëtare. Ajo punonte në OKB për themelimin e UNICEF-it dhe përpilimin e Deklaratës të të Drejtave të Njeriut.

Në 12 Prill 1945, një telefonatë nga Warm Springs ku ndodhej i shoqi, i solli lajmin që Frenklini kishte rënë pa ndjenja. Eleonora e ndjeu thellë në zemër se diçka e pariparueshme dhe e tmerrshme kishte ndodhur, por nuk donte t’ia pranonte as vetes që presidenti i SHBA, burri i saj, kishte vdekur.

Ajo thirri menjëherë zv. presidentin, Harri Truman dhe njoftoi djemtë.

I shoqi kishte lënë porosi me shkrim që kur ishte gjallë që të varrosej në Hajd Park. “Unë jam shumë e sigurtë -kujtonte ajo, që Frenklini e pranonte mendimin e vdekjes me po atë qetësi siç pranonte jetën.”

Pas vdekjes të të shoqit, Eleonor Ruzvelti u kthye në shtëpinë e saj në Hajd Park dhe një moment u duk sikur ajo do të tërhiqej nga jeta shoqërore politike. Por brenda vitit ajo gjeti forca për të vazhduar kontributin e saj në shërbim të njerëzimit. Në 1945 Eleonor Ruzvelti ishte në përbërje të delegacionit të SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Delegacioni e zgjodhi atë në krye të komisionit për të drejtat e njeriut.

Ajo luftoi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për aprovimin e Rezolutës për refugjatët e Luftës së Dytë Botërore që atyre tu njihej e drejta e moskthimit në vendet prej të cilave ishin larguar po qe se nuk e dëshironin një gjë të tillë. Eleanor Ruzvelti luftoi deri në fund për aprovimin e Deklaratës të Drejtave të Njeriut. Në opozitë me sovjetikët që theksonin detyrat, ajo ishte për lirinë e të drejtat e individit, lirinë e besimit fetar dhe shkollimit.

Deri në vitet e fundit të jetës së saj Eleanor Ruzvelti vazhdoi të punonte pa pushim. Shkruante, merrte udhëtime nëpër botë, drekoi e bisedoi me presidentë e mbretër, por gjithashtu vizitoi edhe vende e popujt të varfër. Shkoi në lagjet më të mjera të Indisë, fabrikat e Jugosllavisë, fermat e Libanit. U takua me njerëz në tërë botën, me njerëz që kishin dëshirë ta njihnin e nuk e pushoi aktivitetin e saj derisa vdiq në nëntor 1962, në moshën 78 vjeçe.

Një nga admiruesit e saj tha: Ajo më mirë ndizte një qiri se sa të mallkonte errësirën. Dhe drita e saj ngrohu botën!

(Nga libri “Një udhëtim në Historinë Amerikane”)

Google+ Followers