Liu Bei

Zoti kinez i luftës që mëson menaxhimin

Shkruar shekuj më parë, epika kineze ofron leksione edhe në ditët tona

Carrie Gracie, BBC



Herët në shekullin e tretë, perandoria e frikshme kineze Han u rrëzua. Nga mbeturinat e saj u krijuan tri mbretëri dhe shumë zotërinj lufte që konkurronin njëri-tjetrin me shpresë për të kapur fronin. Shekuj më vonë, luftërat e tyre janë kthyer në epikën më të pëlqyer mbi luftën për shoqërinë kineze – një histori që tregon dobësitë e perandorive dhe ofron leksione të mira për menaxhimin edhe në ditët tona.
Romanca e Tri Mbretërive është për Kinën afërsisht ajo që Homeri është për europianët, një histori e jashtëzakonshme aventure, me shumë gjak, gjallësi dhe mençuri në fushëbetejë.
Fëmijët kinezë rriten, duke iu marrë fryma me këtë tregim që përfshin qindra personazhe në mantele dhe rroba të gjata, si dhe shumë nënngjarje, që tregojnë atë çfarë ndodhi përgjatë një shekulli deri sa perandoria u ribashkua.
“Është një ndjenjë e përgjithshme në këtë botë mendimi se çdo gjë që është e ndarë për një kohë të gjatë, do të bashkohet dhe çdo gjë që ka qenë e bashkuar për shumë kohë, natyrisht që do të ndahet”.
Këto janë fjalët e fillimit të epikës së Tri Mbretërive. Aksioni nis pikërisht në çastin kur perandoria Han është gati të shpërbëhet.
Qeveria po përpiqet të mposhtë një rebelim nga fshatarët që njihen si Turbanët e Verdhë. Ajo është e detyruar të bëjë atë që e urren: Të ngarkojë një të huaj me detyrimin për të rekrutuar ushtarë dhe t’i japë mbështetje një oportunisti të quajtur Liu Bei.
“Ai pati rënë në kohë të vështirë dhe po arrinte të jetonte thjesht duke shitur sandale të papërpunuara dhe të ashpra”, tregon muzikanti rok nga Kina, Kaiser Kuo, i cili dashuronte historitë epike në kohën kur ishte fëmijë.
“Në tregim, ai qëndron duke parë në një poster që është vendosur për të thirrur burra trima nga mbretëria për t’u ngritur. Dhe ai psherëtin. Dhe pas tij është një djalosh trupmadh dhe hijerëndë me emrin Zhang Fei, një kasap, i cili e qëllon thjesht për shkak se psherëtiu dhe jo pse bëri ndonjë gjë tjetër”.
Të dy shkojnë pas kësaj për një pije në tavernë dhe përballen me një burrë me fytyrë të kuqe, me mjekër të gjatë dhe me një mantel të gjelbër beteje, Guan Yu. Të tre bëjnë një betim për vëllazëri të përjetshme, në një pemishte pjeshkash dhe nisen për të shpëtuar dinastinë Han.
Kjo treshe përfaqëson mbretërinë e Jugperëndimit. Ata përballen, në mbretërinë e Veriut, me të pamëshirshmin dhe dinakun Cao Cao dhe në Juglindje me mashtruesin Sun Quan. Disa beteja të vogla dhe ngurruese hasen rrugës.
“Kjo është hera e parë që kolapsi i një perandorie solli një vakum pushteti”, shpjegon Frances Wood, mbarështuesi i koleksionit për Azinë Lindore në Bibliotekën Britanike.
“Hanët patën përmbysur dinastinë Qin. Ky qe një ndryshim i menjëhershëm i regjimit, nëse ju pëlqen kështu. Por dinastia Han u pasua nga shpërbërja. Makthi më i madh për të gjithë kinezët gjatë të gjitha kohërave është mungesa e pushtetit qendror, pastaj frika se vendi shkon drejt shpërbërjes dhe është pikërisht kjo që ndodhi. Ti ke gjeneralë të ndryshëm, në pjesë të ndryshme të Kinës, të cilët krijojnë regjime të caktuara e pastaj luftojnë me njëri-tjetrin”.
Epika e Tri Mbretërive është një tregim hipnotizues dhe me moral të tillë që udhëheqësit kinezë pëlqejnë të tregojnë kur janë duke u përpjekur të ruajnë pushtetin e vet. Kina nuk është një vend i gatshëm dhe stabël. Në fakt, qeveritë kanë nevojë për një narrativë të fuqishme për unitet, pikërisht për shkak se Kina ka tendencën të shpërbëhet.
“Historia e Kinës nuk është e qartë dhe e bukur siç është shkruar në librat e historisë”, tregon arkeologu Wang Tao.
“Është përplot me luftë. Dhe unë e kujtoj sa herë që shoh qendra të ndryshme arkeologjike dhe shumë mbetje të zbuluara – armë, trupa pa kokë. Ka shumë gjak në histori, të cilin ne normalisht nuk e shohim nëpër librat e shkollës”.
Kodi i Konfucit këmbëngul se njeriu superior i arrin qëllimet e veta pa e përdorur dhunën. Liu Bei dhe armiqtë e tij qenë sigurisht të aftë të përdornin inteligjencën, diplomacinë dhe gënjeshtrat e drejtpërdrejta në rast se këto i jepnin atë që dëshironin.
“Udhëheqësi drejton me shembuj, jo me forcë”, pati shkruar ai shekuj më herët. “Të njohësh armikun tënd, duhet të bëhesh vetë armiku. Mundësitë shumëfishohen në rast se ato shfrytëzohen. Luftëtarët e suksesshëm fitojnë në fillim dhe pastaj shkojnë në luftë, ndërsa luftëtarët e dobët shkojnë në luftë në fillim dhe pastaj përpëliten të fitojnë. Ndërto për kundërshtarin tënd një urë të artë, përmes të cilës ai mund të tërhiqet. I gjithë arti i luftës bazohet te mashtrimi”.
Filmi “Majat e Kuqe” i regjisorit John Woo është më i shtrenjti i realizuar ndonjëherë në Kinë dhe ritregon historinë e një beteje në lumin Jangze, kur marina e Cao Cao është vendosur në njërën anë, ndërsa Liu Bei dhe bashkëpunëtorët e tij po komplotojnë në anën tjetër.
“Është përgjithësisht mbi artin e luftës, por edhe për strategjinë hileqare. Aty ka gjeneralë batakçinj që bëjnë gjëra shumë inteligjente”, thotë Frances Wood.
“Nëse mbeten pa shigjeta, ata dërgojnë një varkë përposhtë lumit përtej kampit të armiqve dhe armiku fillon të mendojë ‘O Zota, çfarë është kjo?’ dhe ata qëllojnë një milion shigjeta në drejtim të varkës. Ata pastaj goditen, pasi në këtë moment nuk kanë shigjeta rezervë.
“Pra është përplot me histori që nuk janë vetëm mbi masakrime apo pushtimin e territorit, por edhe për të qenët i mençur dhe për të mashtruar armikun”.
Është aftësia, jo forca e numrave që fitojnë betejat te Majat e Kuqe. Por këtu ka më shumë beteja që vijnë nga Liu Bei dhe shokët e tij.
“Duke e ditur se armiku ka një spiun në kampin e tyre, ata publikisht rrahin dhe poshtërojnë gjeneralët më të rëndësishëm, në mënyrë që ky informacion qëllimisht të transferohet te kampi armik dhe të besohet si i vërtetë”, thotë Kaiser Kuo. Në këtë mënyrë, një gjeneral del si dezertor.
Për rrjedhojë, kur Cao Cao sheh një anije që afrohet drejt tij, ai nuk bën asgjë, sepse beson se është ajo e dezertorit.
“Në fakt, kjo anije është e mbushur me materiale zjarrvënëse që arrin të shkatërrojë një pjesë të konsiderueshme të flotës së armikut. Ata thonë se “Majat e Kuqe”, që i japin emrin edhe betejës së famshme si dhe filmit të John Woo, janë ende të gjalla edhe sot e kësaj dite për shkak të flakëve që dalin nga flota që po digjet”.
Dy mijë vjet më pas, Epika e tri Mbretërive nuk është thjesht një libër me një aventurë inteligjente. Sipas Peter Bol të Universitetit të Harvardit, njerëzit vijojnë të mësojnë prej saj.
“Ka një fragment të mrekullueshëm ku Liu Bei kthehet nga shokët e tij të ngushtë dhe i thotë, ‘pse mendoni se unë fitova?’. Dhe ata thonë ‘sepse ju jeni kaq i madh, jeni një gjeneral i jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm për këtë dhe atë”, shpjegon Bol.
Dhe ai përgjigjet: “Jo, jo, jo, jeni të gjithë gabim. Ti Han Xin, je më i madhi i të gjithë gjeneralëve. Ti, Zhang Liang, je më i madhi mes të gjithë strategëve. Ti, Xiao He, je më i madhi nga të gjithë administratorët”.
Ai shton: Nuk mund t’ju konkurroj ju në asnjë prej këtyre fushave. Unë jam i mirë vetëm në menaxhimin e njerëzve. Unë di se si të menaxhoj njerëz. Tani që po e mendoj, ndoshta kjo është një gjë shumë e mirë për një sundimtar”.
Kaiser Kuo thotë se një herë u takua me një themelues kompanie kinezo-amerikane në qendrën botërore të teknologjisë së informacionit në “Silicon Valley”, i cili ishte rritur me tregimet kineze dhe që i kishte gjetur drejtpërsëdrejti të rëndësishme për biznesin e tij.
“Ai i vendoste anëtarët e skuadrës së tij të menaxherëve të lartë çdo mëngjes të hëne për të diskutuar një kapitull nga Tri Mbretëritë”, thotë Kuo.
“Historia e vërtetë është se si të hedhësh në veprim njerëz me talent. Është e gjitha për menaxhimin dhe kur unë lexoj këto tregime sot, i gjej me rëndësi të jashtëzakonshme”.
Nëse ju po përpiqeni të kuptoni se si funksionon Kina, mos u mjaftoni vetëm me sloganet e udhëheqësve të partisë. Lexoni epikën e Tri Mbretërive dhe filloni të kuptoni se si ishte jeta reale e Liu Beis dhe Cao Caos.



http://radio-focus.blogspot.com/

Google+ Followers